PS, Rama: ‘Do bëjmë publike të tjera raste korrupsioni në qeveri’

0
61

Shekulli Online, 20.08.2010

UPDATE – Në bashkëbisedimin e tij të së premtes me gazetarët kryetari i PS-së Edi Rama, vuri theksin në dy çështje kryesore, krizën ekonomike dhe ekonominë e sotme si krizë të qeverisjes. Ai foli gjithashtu për rastet e pasurimit korruptiv të ministrit Prifti dhe deputetes Albana Vokshi.

Rama paralajmëroi gjithashtu se së shpejti pasi të jenë mbledhur të dhëna faktuese, do të publikohet një tjetër rast korrupsioni brenda qeverisë.

Lufta kundër korrupsionit, është thjesht një farsë deklaroi kryestari I PS-së, ndërsa solli në vëmendje disa raste të personave të cilët kanë qenë të akuzuar për korrupsion, por që më pas janë liruar nga dënimi, dhe pasuria e tyre ka mbetur e paprekur.

Duke iu referuar ekonomisë në fjalën e tij kryetari i PS-së tha se cdo shifër flet qartë se rritja ekonomike e pretenduar është fiktive, dhe se ka qenë një rritje eknomike pa zhvillim ekonomik dhe punësim.

Borxhi zyrtar tha Rama është 60%, ndërsa borxhi real është mbi 100%.

* * *

Ndonëse ndodhemi në një periudhë të qetë politike, kjo nuk mund të thuhet për muajin që do të vijë, pasi Partia Socialiste po përgatit axhendën politike të aksionit të saj opozitar. Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se në muajin shtator do të forcohet edhe më shumë aksioni i tyre politik, pasi përkon edhe me rinisjen e aktiviteteve politike, si edhe disa çështje të rëndësishme që do të kërkojnë më shumë energji politike.

Nisja e punimeve në Kuvendin e Shqipërisë do të sjellë edhe sqarimin e çështjeve të lëna pezull në sesionin parlamentar që lamë pas. Krahas kësaj, do të fillojnë përpjekjet midis dy forcave të mëdha politike për të arritur në një konsensus për çështjen e hetimit të zgjedhjeve parlamentare përmes zhvillimit të negociatave. Një çështje e rëndësishme është dhe përcaktimi i datës së zgjedhjeve të ardhshme vendore, që njëkohësisht do të “ndezë” në skenën politike shqiptare çështjen e kutive të votimit.

Kuvendi
Me nisjen e sesionit të tretë parlamentar, politika shqiptare do të nisë debatet midis tyre për çështje të cilat ka pasur kritika dhe reagime të ndryshme. Një nga ligjet më të diskutuara që do të kërkohet të miratohet nga mazhoranca do të jetë ligji i Shërbimit Informativ Shtetëror. Zotimi i mazhorancës për të kaluar me “shpejtësi” këtë ligj, ka sjell edhe kundërshtimin e opozitës dhe faktorëve ndërkombëtarëve.

Një nga betejat me të cilat do të përballet e majta është ky ligj dhe do të përdorë të gjitha mjetet ligjore që ka në dispozicion të saj për të mos e miratuar dhe të bëjë që të rishikohet, dhe të përshtatet konform standardeve të vendeve anëtare të NATO-s. Kjo nuk është e vetmja betejë e Partisë Socialiste.

Me fillimin e punimeve në Kuvend, nisin edhe komisionet parlamentare, për shumë ligje selia rozë do të bëjë një oponencë të fortë me argumente dhe do të kërkojë përmirësimin e një sërë ligjesh të cilat kalohen me forcën e kartonit nga ana e mazhorancës. Një tjetër pikë e aksionit politik socialist do të jetë dhe zhvillimi i sa më shumë interpelancave me zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, për t’i shprehur atyre kritikat, akuzat dhe defektet në drejtimin e vendit.

Negociatat
Një ngjarje e rëndësishme që në fillim të muajit të ardhshëm është dhe caktimi i datës së zgjedhjeve të ardhshme vendore nga Presidenti Topi. Me përcaktimin e një date të tillë do të rindizet debati mbi çështjen e kutive të votimit dhe se çfarë duhet të bëhet me to. Partia Socialiste do të ripërsërisë kërkesën e saj për hetimin e plotë të zgjedhjeve përmes kutive.

Gjithashtu ajo do të forcojë aksionin e saj politik në dhënien e kontributit për zgjidhjen e krizës politike në vend, duke mos anashkaluar kërkesën e tyre të bërë prej shumë kohësh. Zhvillimi negociatave me Partinë Demokratike do të jetë në fokusin e socialistëve. Megjithëse ata kanë dhënë pak kohë më parë propozime konkrete për zgjidhjen e krizës, Partia Socialiste do të vijojë betejën për hapjen e kutive të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

Protestat
Nisja e protestave është gjithnjë e më shumë një opsion i shtruar në axhendën e Partisë Socialiste. Në deklarimet e fundit publike të zyrtarëve të lartë socialistë theksohet e më shumë fakti se zhvillimi i protestave është gjithnjë e më shumë një opsionin i tyre përballë kushteve në të cilat ndodhet vendi. Nga selia rozë mësohet se kriza ekonomike në të cilët ndodhet vendi, skandalet korruptive në qeveri, keqqeverisja e vendit dhe kokëfortësia e mazhorancës për të mos dëgjuar kërkesat e opozitës, shtojnë mundësitë për zhvillimin e protestave në të gjithë vendin.

Gjithashtu, mësohet se në ditët në vijim socialistët do të paraqesin fakte të reja për korrupsionin që ka kapur shtetin përmes zyrtarëve të lartë të mazhorancës. Për të gjitha këto çështje që shqetësojnë opinionin publik dhe çështje të tjera të cilat do të dalin gjatë aksionit politik të Partisë Socialiste do të ketë një organizim për të zhvilluar betejën politike me mazhorancën.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjate nje bashkebisedimi te tij me gazetare ne fund te korrikut, paralajmëroi një aksion më të madh politik në muajin shtator, duke risjellë si opsion zhvillimin e protestave. Ai e quajti seancen e fundit parlamentare te turpshme dhe tregues te qarte te krizes se kryeministrit dhe qeverise.