PS: Menaxherët e CEZ, paga marramendëse, deri në 66 mijë euro në muaj

0
99

TemA, 13 Nëntor 2012

Kapitali i kompanisë CEZ ka ardhur në rënie të theksuar nga viti në vit, megjithatë drejtuesit dhe menaxherët e kësaj kompanie i kanë dhënë vetes paga që kapin shifra marramendëse. Kështu ka deklaruar deputeti socialist, Arben Ahmetaj.

Ahmetaj ka paraqitur një listë pagese të drejtuesve dhe menaxherëve kryesorë të CEZ, ku menaxheri kryesor merr 66 mijë euro në muaj dhe një menaxher i nivelit teknik merr 27 mijë euro në muaj. Shuma në total e pagesave që marrin në muaj vetëm 10 drejtues dhe menaxherë kryesorë të kësaj kompania kap vlerën e 375 mijë eurove në muaj.

Deputeti socialist ka deklaruar përgjegjësia për këto abuzime të mëdha nuk mund të kërkohet vetëm te kompania CEZ, por në radhë të parë te institucionet që ligji ka ngarkuar me mbikëqyrjen e veprimtarisë së kësaj kompanie. Sipas tij qeveria dhe ERE janë po aq fajtore sa CEZ për këto abuzime që kryhen, ndërkohë që çmimi i energjisë është rritur me 200% dhe faturat rëndojnë drejtpërdrejt mbi qytetarët shqiptarë.

DEKLARATA

“Ndërkohë që kompania CEZ prej më shumë se 2 vitesh ka humbur kapitalin e vet dhe sot kapitali është negativ, pra është zero, drejtuesit menaxherë dhe jo menaxherë të grupit çek i kanë vënë vetes pagesa marramendëse. Do të ishte normale nëse kompania do të shkëlqente. Do të ishte normale nëse humbjet do të ishin ulur. Do të ishte normale nëse çmimi për konsumatorin nuk do të ishte 200%. Por në situatën aktuale nuk është aspak normale.

Këtu kam një tabelë, e thënë ndryshe një bordero e 10 menaxherëve dhe jo menaxherëve nga grupi çek. Dua t’i tërheq vëmendjen publikut për shumat marramendëse që menaxherët e CEZ-it i kanë vendosur vetes si pagesa. Ndërkohë që kompania ka dështuar, ndërkohë që kompania në zinxhirin elektroenergjitik ka shkaktuar dhe vazhdon të shkaktojë dëme deri tek buxheti i shtetit, menaxheri kryesor merr 66 mijë euro në muaj dhe një menaxher i nivelit teknik merr 27 mijë euro në muaj. Pagesa vetëm për një muaj e këtij grupi shkon 375 mijë euro në muaj. E theksoj e gjithë kjo mund të ishte normale nëse kompania do të shkëlqente. Ku është kompania sot?!

Unë dua ta rikujtoj publikun shqiptar që kompania nga viti në vit ka humbur dhe vazhdon të humbasë kapital dhe sot është me kapital të zeruar. Gjithë vlera e kompanisë është humbur. E pra kjo ndodh me sistemin tonë elektroenergjitik. Çfarë bën Enti Rregullator i Energjisë?! Çfarë bën qeveria?! Enti Rregullator i Energjisë sot merret me çikërrima. Enti Rregullator i Energjisë është bërë një shtojcë e CEZ-it. Funksionon si një departament i CEZ-it. Çfarë bën qeveria?! Qeveria ka mbyllur sytë, ka pranuar dështimin e vet dhe i ka ngarkuar të gjithë konsumatorët me një çmim 200% më shumë se viti 2005”.