Nga Tema
Partia Socialiste, duke komentuar ligjin antimafie të miratuar në Kuvend, i bëri të ditur kryeministrit se ai duhet ta nisë këtë betejë nga familja e tij. Deputeti socialist, Saimir Tahiri, tha se ata kanë përdorur pushtetin e Berishës për afera korruptive.
“Meqë Sali Berisha ka ditë të tëra që gjurmon atë që në dalldinë e tij politike po e quan mafia me kollare, meqë ministrat e tij po kërkojnë viktimën me darë në dorë për t’i shkulur dhëmbët, meqë dje mazhoranca në rresht për një miratoi ligjin skandaloz të ashtuquajtur antimafie, po i japim ndihmën tonë për të filluar menjëherë puna për zhdukjen e mafies së vërtetë.
Sali Berisha, korrupsioni ka emër dhe emrat po i themi ne; çmontimi dhe ndëshkimi i mafies së vërtetë duhet të fillojë me Shkëlzenin, Argitën dhe Jamarbrin, familjarë të Sali Berishës, që kanë përdorur pushtetin e babait për afera korruptive, me Fatmir Mediun, Lulzim Bashën dhe Sokol Olldashin, të cilët Sali Berisha, jo vetëm nuk i dënon, por i fsheh pas imunitetit parlamentar duke i ngritur në detyrë ministrore për devotshmëri në korrupsionin familjar, me Rrahmanin, Delijorgjin, Pinarin, Fahri Balliun, Fazlliçin, Sefgjinin, dhe shumë të tjerë, si sekserët e bizneseve të familjes”, – tha Tahiri.
Deputeti socialist tha se të gjithë personat e akuzuar do të dalin një ditë përpara drejtësisë.
“Sali Berisha nuk ka vullnet të çmontojë mafien, por ka dëshmuar më shumë se një herë se ka vullnet të hekurt për të çmontuar shtetin shqiptar, për të vjedhur ai vetë dhe familja e tij. Kemi të gjithë të drejtën të ndjejmë neveri për Sali Berishën dhe shërbëtorët e tij, që sillen në pushtet si gangsterë e mafiozë të rëndomtë, por kemi gjithashtu edhe detyrimin historik të bëjmë gjithçka është në dorën tonë për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë në këtë vend, duke i vënë kufi këtij pushteti të korruptuar, që sot më shumë se kurrë po kërcënon demokracinë.
Hap kutitë ose largohu, është alternativa e vetme që nuk shpëton Sali Berishën dhe pushtetin e tij korruptiv, por shpëton njëherë e mirë qytetarët shqiptarë nga dora mafioze e këtij njeriu që nuk di të ndalet para babëzisë së tij për të vjedhur, jo vetëm zgjedhjet, por gjithçka publike ka mbetur në këtë vend. I kujtojmë Sali Berishës, Mediut, Bashës, Olldashit dhe shërbëtorëve të tjerë se asnjëra nga këto akuza nuk do harrohet dhe se dita, kur do japin llogari një më një para ligjit, është shumë më afër nga sa e mendojnë edhe ata vetë”, – tha deputeti socialist.