Prurjet e Fierzës dëmtojnë urën mbi lumin Drin

0
54

Ura mbi Drin

KUKES – Një këmbë e urës mbi lumin Drin në qytetin e Kukësit ka pësuar dëmtime për shkak të presionit të ujit të prurjeve të hidrocentralit të Fierzës.

Dëmtimi ka ndodhur rreth orës 09.30 minuta të paradites së sotme kur shkarkimet e ujrave nga porta e tunelit 4 të hidrocentralit të Fierzës ishin tepër të fuqishme. Pamjet e ofruara nga tv NEWS24 pikërisht në këtë zonë flasin qartë për fuqinë tejet të madhe të ujrave gjatë shkarkimit nga kjo portë. Mësohet se njëra prej 6 këmbëve të urës mbi Drin, që lidh dhe Bajram Currin me pjesën tjetër të Shqipërisë është dëmtuar, dhe uji ka krijuar një vrimë të madhe ne mes te kembes. Me të mësuar lajmin specialistët e HEC vendosën të ndërpresin për disa minuta shkarkimet nga kjo portë për të mos rritur rrezikshmërinë.

Një dëmtim i tillë ishte paralajmëruar që prej ditës së djeshme. Një postbllok policie e vendosur në Qafën e Malit nuk lejon automjetet të kalojnë mbi urë pasi është e pasigurtë dhe mund të jetë e rrezikshme. Gazetari i NEWS 24 informon se ka drejtues automjetesh të cilët këmbëngulin të lëvizin në këtë urë, por policia me urdhër të prerë nuk lejon lëvizjen në asnjë krah të urës. Policia informon se lëvizja e automjeteve mund të bëhet vetëm nga segmenti Fushë Arrëz-Kukës-Has.

(s.g/BalkanWeb)