Prozhektorë mbi Shkodër

0
32

Nga Enton Palushi

Michael L. Galaty, një profesor amerikan i antropologjisë, që ka studiuar për rreth tetë vite në Shqipëri, i sugjeronte administratës amerikane se Afganistani është si Shqipëria, për shkak të disa zakoneve e traditave të njëjta, ndaj duhet mësuar nga Shqipëria për të mos humbur në Afganistan. Galaty shkruante në artikullin e botuar në “Christian Science Monitor” se shqiptarët besojnë te drejtuesit e fiseve, e jo te shteti, për shkak se këtë të fundit e cilësojnë të korruptuar.

Nuk është hera e parë, kur kryeministri ynë, i cili sheh se shteti i ka rënë për shkak të korrupsionit, nis e sillet si drejtues fisi. Kështu ka ndodhur në rastin e Gërdecit, kur u shemb shteti për shkak të një shpërthimi pranë kryeqytetit. Atëherë kryeministri tha se nuk e dinte ku i binte Gërdeci e më pas nisi të flasë për kode e kanun.

Kështu po ndodh dhe në rastin e Shkodrës. Po të ndjekësh ligjërimin e tij, të kryetares së Kuvendit, e më pas të zinxhirit poshtë, e kupton se e gjitha është një përpjekje për të prekur sedrën e banorëve të zonave të përmbytura, një thirrje për rikthim te traditat e zakonet e të parëve.

Në shumë raste Berisha, Topalli dhe zëdhënësit e tyre nuk preferojnë të flasin si drejtues të një shteti modern, që gjithmonë u drejtohen qytetarëve të tyre, por i drejtohen Shkodrës si një njësi e vetme (Shkodër locja, nuk mashtrohet Shkodra, nuk ju pranon Shkodra, Shkodra nuk dorëzohet etj.).

Në daljet e takimet e tyre me banorë kujdesen që gjithmonë t’ua bëjnë të ditur se ata flasin gjuhën e tyre. Berisha u thotë: “Si keni nje?”, e Topalli shkrehet në dialekt, ndryshe nga mishmashi letraro-dialektor që lëshon në parlament.

Fjalimet e tyre folklorike përqendrohen te bujaria, forca, papërkulshmëria e Shkodrës. “Shqipëria nuk mund të imagjinohet pa Shkodrën”, – thotë kryetarja Topalli, që më pas shton se banorët i kanë premtuar se do i ngrenë edhe më lart shtëpitë (lexo: kullat).

Në këtë mes kryetari i fisit ka vetëm detyrën e ngushëllimit, siç ndodhte kahmoti. Të gjithëve iu bie njësoj barra mbi kokë.

Në gjithë këtë lumë lavdërimesh, edhe solidariteti në rast fatkeqësie nuk është pjesë e natyrës njerëzore, por sipas Topallit e Berishës është vlerë tipike shkodrane. Diçka që demokratët e kanë, por e majta jo.

Një nga lajmet më bizare të ditëve të fundit ishte se një ndër operacionet më të mëdha që kanë ndërmarrë Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar Haitin, nga disa shihet si tentativë për ta pushtuar këtë vend.

“Pushtimi” i Shkodrës nuk është më ndryshe. Retorika politike e Berishës është një përpjekje për t’u kujtuar shkodranëve se i kanë dhënë besën atij.

Profesor Galaty thotë se është pikërisht kjo punë e besës që nuk lejoi aleatët të kenë sukses në Shqipëri, e po pengon amerikanët të kenë sukses në Afganistan, pasi ata nuk e kanë të lehtë të ndryshojnë kur i japin besën talebanëve.

Ajo e së hënës duket të jetë shfaqja e fundit për përmbytjen. Tashmë prozhektorët nuk janë mbi Shkodër. Banorët e zonave tani kanë nisur udhëtimin e vërtetë drejt vuajtjeve. Për ta do të kujtohemi kur të bëjmë kronika e lajme rutinë se si po abuzohet me fondet që po jepen për dëmshpërblime e për ndihmë. E ndoshta më vonë do na duhet t’i përdorim për sfond, kur të themi se si kjo tragjedi na ka ndodhur dhe në Shkodër, por dhe atje gjërat nuk janë kthyer në normalitet. Deri atëherë shkodranët do vazhdojnë të jenë të shumëpërvuajtun, por të papërkulun. Siç i quan kryetarja e Kuvendit.