Nga Mero Baze, “Faktori Plus”
Opozita shqiptare po përballet me mekanizmat e fundit të de-inkurajimit të saj në periudhën më kritike të zhvillimit të protestës. Policia ka nisur arrestimet në një sërë qytetesh ku protestuesit kanë tentuar të bllokojnë rrugët. Policia ka folur publikisht dhe për kuadrin ligjor ku e mbështet veprimin e saj si një paralajmërim i qartë që arrestimet do të vazhdojnë. Ky moment kritik në zhvillimin e protestës, po ballafaqohet kështu me një gjest të qartë force të pushtetit, i cili po përpiqet të de-kurajojë opozitën. Arrestimi i mbështetësve të opozitës mund ta ngrejë ndjeshëm tensionin dhe ta futë në një spirale pa kthim konfrontimin e opozitës me policinë, çka do të degradonte me shpejtësi situatën.
Duke tentuar t’i shkurajojë opozitarët përmes arrestimeve, Berisha mund të krijojë vatra të reja tensioni jashtë Tiranës dhe në përpjekje për të izoluar Tiranën nga rrethet, mund ta tensionojë gjithë vendin përmes veprimeve të tij ekstreme. Çështja e protestave politike nuk mund të menaxhohet si çështje e penaliteteve ordinere. Protestat simbolike politike duhet të respektohet dhe të trajtohet me maturi. Është e turpshme që në përpjekje për të provokuar qytetarët, ministri i brendshëm Lulzim Basha u lexon atyre publikisht Kodin rrugor.
Përpara se ministri i Brendshëm tu lexoj qytetarëve shqiptarë Kodin rrugor, duhet të lexoj një here vetë Kodin Penal, të cilin e ka shkelur në dhjetë pika të tij, duke u gjetur nga prokuroria shqiptare fajtorë për shpërdorime me së paku 220 milion euro. Ky njeri që është mbrojtur përmes politikës nga një krim i verifikueshëm kërkon të dhunojë politikën me një Kod rrugor. Mjafton kjo diferencë në raportin që ky njeri ka me ligjin, që të inkurajojë qytetarët të mos përfillin paralajmërimet e tij dhe të kthejnë rrugët e Shqipërisë në vatra përleshjeje dhe arrestimesh me policinë.
Por zoti Basha, i cili është personi më i rëndësishëm i kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe i mbrojtur nga Kryeministri, duhet po ashtu ta dijë se do të mbajë përgjegjësi nëse provokimet e tij degradojnë situatën në përleshje. Ashtu siç ai përpiqet të de-kurajojë opozitën, po ashtu mund të ndodhë që militantë të opozitës të shpartallojnë policinë dhe ta de-kurajojnë atë, t’u bindet urdhrave të tij duke na rikthyer pastaj në situatën e vitit 1997, çka do të jetë një përgjegjësi shumë e rëndë për të.
Vetë Basha ka qenë emigrant jashtë Shqipërisë në atë kohën, por shqiptarët që kanë jetuar këtu e dinë mirë çdo të thotë të fusësh policinë dhe ushtrinë kundër qytetarëve dhe pastaj ta lësh shtetin në mëshirë të fatit. Përpara se qytetarët të provokohen deri në këtë pikë është mirë që situata politike të trajtohet me seriozitet dhe qetësi dhe jo të kthehet provokimi i dhunës në objektiv qendror të qeverisë. Pasi në fund nga dhuna humbasin të gjithë shqiptarët, madje dhe zoti Basha pavarësisht shtetësisë së tij holandeze.