Provokimi i ligjësive

0
49

Preç Zogaj

Preç Zogaj, 17.12.2009

Nganjëherë thuhet se politika është arti i shndërrimit të pamundur në të mundur. Kjo sentencë, që në histori është përdorur më shumë për të bërë keq se sa mirë, ka frymëzuar veprime politike të mbara, por edhe aventura dhe marrëzira me pasoja katastrofike për njerëzimin. Varet se për çfarë përpiqet një politikan. Varet sa e drejta është kauza dhe sa të ligjshme janë mjetet për realizimin e saj. Varet edhe si e kupton ai sentencën në fjalë.
Profesionistët që kanë vizionin e lirisë dhe demokracisë, e shohin si një metaforë të guximit dhe përkushtimit, por, ndërkaq, e dinë se bëhet fjalë jo për të pamundurën, por për të vështirën. E pamundura nuk ekziston, sa kohë që bëhet e mundur. Këto politikanë nuk i futen kurrë një pune që s’bëhet. Ca më pak, një punë që s’duhet bërë.
Kurse diktatorët, shëlbuesit, politikanët me prirje autoritariste dhe klakerët e tyre e lexojnë “fjalë për fjalë”, duke dashur t’i veshin politikës cilësi të jashtëzakonshme që në fakt nuk i ka dhe, më tej, duke dashur t’i veshin arbitraritetit “rrobën” e artit!

Por, edhe në kthetrat e shëlbuesve, sentenca “politika është arti i shndërrimit të së pamundurës në të mundur” ka një cak. Përtej të cilit nuk mund të zbatohet. Përtej të cilit e pamundura nuk mund të bëhet e mundur.
Ja një shembull: Diktatura nuk mund të menaxhohet si një demokraci. Po saqë ta do puna të fusësh pigmentin e demokracisë në diktaturë, kësaj fillojnë t’i merren këmbët. Përvoja shqiptare e vitit 1990, kur regjimi komunist tentoi mbijetesën nëpërmjet ca lëshimeve për fasadë, flet shumë. Është një rast tipik i papajtueshmërisë, kur fasada ose do të anulohet, ose do të marrë vetë kalanë.
Ja një shembull tjetër: demokracia nuk mund të menaxhohet kurrë si diktaturë. Shartimet e tipit “pak demokraci dhe pak diktaturë” janë në këtë rast si maskat që nuk mbajnë. Demokraturat janë regjime bastarde, në hava. Kemi pasur rast ta verifikojmë këtë gjë në Shqipërinë tonë. Për fat të keq, ky vend është përdorur më shumë se njëherë, si një epruvetë, ku është eksperimentuar suksesi politik pa një sjellje politike demokratike. Përveçse pa të ardhme, ky eksperiment ka qenë dhe mbetet një provokacion ndaj ligjësive dhe vetë demokracisë. Demokracia punon me parimet e saj. Parimet e diktaturës nuk i bëjnë demokracisë. Kjo ka standardet e saj. Çdo devijim nga këto standarde ka pasur e ka një kosto kohe për ëndrrën evropiane të shqiptarëve.
Në zgjedhjet e kaluara të dyja Partitë kryesore i trajtuan listat e kandidatëve për deputetë si një monopol i plotë i kryetarëve. Nuk pati një sistem vlerësimi, madje Partia Demokratike nuk mbodhi formalisht as këshillin kombëtar. I vetëkënaqur me bilancin e qeverisjes, Berisha mendoi se ishte rasti ta bënte edhe më homogjen se sa e kishte grupin e tij të deputetëve. Tundimi për të fituar duke shkelur rregullat e lojës e ndëshkoi në raport me objektivin që i kishte vënë vetes.
Nuk pati asnjë diskutim, prononcim apo reflektim në PD pas zgjedhjeve për këtë çështje. Ishte rasti të flitej në Kuvendin e IX të saj, që u mbajt para dy ditësh. Por, as aty nuk u fol asnjë fjalë. Ky ishte Kuvendi i parë në historinë e demokratëve ku nuk u ngrit asnjë problem, nuk u diskutua asnjë ide, nuk u debatua asnjë zgjidhje. Ai do të kujtohet si i tillë.
A ka realisht probleme për tu debatuar, të denja për nivelin që duhet të ketë Kuvendi i partisë në pushtet. Ka shumë. Dhe ç’është më e rëndësishmja, ato nuk janë probleme të partisë, por të demokracisë, të shoqërisë, të vendit.
Korniza e ideve që mbajnë të bashkuar familjen politike dhe tregojnë identitetin e saj para shoqërisë – kjo temë ishte dhe mbetet jetike për PD-në dhe për pluralizmin tonë politik që rrezikon sterilizimin nga ngjashmëria e partive.

Përcaktimi i një sistemi vlerësimi, në të cilin deputetët dhe politikanët e ndryshëm mund të shohin si në një pasqyrë se ku e kanë vendin, çfarë meritojnë e çfarë duhet të synojnë- ku më mirë se në tribunën e lartë të Kuvendit mund të diskutohet e vendoset kjo gjë kaq e domosdoshme për karrierën, integritetin dhe profesionalizmin në politikë.
Po rregullat e konkurrencës cilat janë? Si ta masin mbështetjen në parti ata që nuk pëlqehen apo nuk e pëlqejnë kryetarin? Si të qëndrosh ose të biesh falë rregullave të barabarta e të shenjta për të gjithë?
Nuk mbaron këtu. Mundet është e tepërt, ose është ende e parakohshme që në kuvendin e partisë në pushtet të flitet me një verb profesional për krizën e marrëdhënieve me opozitën, për rrugëdaljet nga kjo krizë. Kjo do të kërkonte pikësëpari që deputetët apo drejtuesit e partisë të ndërgjegjësoheshin për një gjë elementare: që opozita nuk ka për qëllim t’i pëlqejë pushtetit. Prej këtu edhe qasja e re për krizën. Realisht nuk e pretendoj këtë në kuvendin e ndonjë partie shqiptare.
Por, për strategjinë e zhvillimit është e domosdoshme të diskutohet, duke referuar në mënyrë të përmbledhur produktin e instituteve, studiuesve, specialistëve. A mund të drejtohet me parulla, apo edhe me një vizion të përgjithshëm, që nuk mbështetet në të dhënat e përpunuara mbi resurset e vendit dhe kohës? E pamundur. Po të ishte e mundur kjo, qeverisja do të kishte qenë puna më e lehtë në botë.

Emergjenca shqiptare ka qenë dhe mbetet punësimi nëpërmjet investimeve prodhuese. Përgjatë katër viteve të kaluara qeveria e taksoi më mirë biznesin që gjeti, por me gjithë përpjekjet, fjalët dhe ceremonitë, nuk arriti të krijonte në kohë “një fidanishte” të re të sipërmarrjes prodhuese, që do të punësonte të papunët dhe do t’i ofrohej qeverisë si burim i ri taksimi e të ardhurash.

Në këtë “mospërputhje” qëndron kriza ekonomike që po shtrëngon dita ditës. U thanë vetëm fjalë të përgjithshme edhe për këtë temë madhore. Sipërmarrja nuk mori ndonjë mesazh të ri, konkret dhe frymëzues nga partia që ka shumicën në qeveri dhe që duhet t’i përfaqësonte edhe politikisht. Kuvendi kaloi si shfaqja me e madhe e kotësisë apo, thënë ndryshe, e panevojshmërisë për të diskutuar, kritikuar, reflektuar, debatuar, propozuar. E megjithatë nga tribuna e Kuvendit, zoti Berisha premtoi fitore dhe suksese, të cilat do t’i dëshironim të gjithë, por s’kanë si vinë dhe s’mund të vinë pa një demokraci të gjallë e dinamike, në radhë të parë brenda për brenda partive dhe mandej edhe në shoqëri.

Disa njerëz mendojnë se partitë në vetvete s’kanë pse të jenë të hapura e demokratike; më mirë ashtu, në disiplinë të hekurt, në dorë të njëshit; demokracinë, vijojnë ata, e siguron vetë pluralizmi. Ky është një gjykim plotësisht i gabuar. Nuk ka demokraci pa Parti Demokratike. Ndarja në tre, katër apo pesë pjesë e një strukture të mbyllur, homogjene dhe antidemokratike, nuk i bën demokratike pjesët dhe as shoqërinë. Përkundrazi, e thënë më keq, sepse komprometon vetë pluralizmin. Pretendimi për të pasur sukses pa demokraci është afirmuar si “varianti shqiptar i të bërit politikë”. Natyrisht, është një politikë që nuk e kthen dot kursin prapa, Shqipëria s’ka fuqi të kthejë kurse. Por, na vonon, na vonon dhe s’pushon së na vonuari.