Provokatori i historisë

0
62

Sali Berisha – 2012

Nga Dritan Hila, 21 Nëntor 2012

Jemi në ditët e fundit të mbushjes njëqind vjet që kemi shpallur pavarësinë. Duhet të ishte përvjetori që kujtonte njerëzit që kurorëzuan përpjekjen e pesëdhjetë vjet luftëra e mundime të fundshekullit të 19-të dhe fillimit të atij të 20-të. Për fat të keq, është shndërruar në mish-mash. Ka mëse një vit, që Berisha ka ushqyer më shumë se kurrë debatet për historinë. Si të shkruhet ajo? Cilat janë të vërtetat? Cilët kanë qënë protagonistët dhe jeta e tyre?

Ku të gjithë argumentet dhe ndërhyrjet, e kanë katandisur festën në surrogato. Ku nuk mund të gëzojnë të gjithë. Me sllogane që duhet të lëndojnë patjetër dikë. Iniciativa që çdo ditë e më shumë krisin trarët mbi të cilët mbahet shqiptarizma. Me ide që provokojnë shpirtrat. Rievokim ngjarjesh që nxjerrin në sipërfaqe probleme që burra të mençur u përpoqën t’i vulosin. Teza që relativizojnë çdo standart moral. Duke mos ndërtuar asgjë të re.

Dhe kjo për të vetmin shkas, se karriera e tij, ka hije të thella, dhe momemnte të dënueshme. Ndaj i duhet që historinë ta rishkruajë personalisht, nëse do që e ardhmja ti referohet. “Historia bëhet me gjak dhe hekur, por shkruhet me bojë”, thoshte Gustav Hasford. Këtë e ka mësuar mirë protagonisti i politikës shqiptare. Dhe i ka hyrë punës. Duke besuar se ylli i fatit do ta shoqërojë edhe në këtë sipërmarje të fundit. Ashtu siç e ndihmoi të rrinte mbi njëzet vjet protagonist i politikës shqiptare.

I duhet së pari modifikimi i kritereve morale mbi të cilat gjykohet tradhëtia. Ndaj nuk nguron të përziejë ujrat dhe trazojë shpirtrat. Rievokon figura që koha i ka dënuar, duke u përpjekur ti bëjë të pranueshëm. U përpoq me Esat Pashën, por është aq pis, sa nuk ka lumë që ta lajë. Thërret Ahmet Zogun. Megjithëse e di që historia e ka thënë fjalën e vet për të. “Midis turpit dhe luftës, ai zgjodhi turpin dhe mori luftën”, do kishte thënë Winston Churchill. Arratia e tij në 7 Prill, ishte një dezertim që nuk ia fali koha. Edhe ai vetë, thellë në ndërgjegje do ketë qënë i bindur se nuk kishte më vend në të gjallë, në dheun që e lindi. E ktheu me të drejtën që ka çdo shqiptar të varroset në këtë tokë, qoftë shenjt apo plangprishës. Por zgjodhi ditën e çlirimit të kryeqytetit.

Për të trazuar shpirtrat e 124 djemve që dhanë jetën për Tiranën e lirë. Fton në varrim Presidenten e Kosovës, për të implikuar dhe trazuar gjakrat e gjysmës tjetër të kombit në politikën e tij ditore. Asaj pjese, që Zogu i kishte eleminuar përfaqësuesit më të mirë. Vrasës i njeriut të panjollë të lëvizjes kombëtare, Bajram Currit. Deri Zef Serreqi, ajutanti i Zogut, pasi mori lajmin, u pikëllua.

“Zoti e paska dashur, deri sa i dha një vdekje me lavdi”, tha. Çfarë ka pasur në mend Presidentja e Kosovës Jahjaga, kur deklaroi se “me rivarrimin e Zogut, u vu në vend drejtësia hyjnore”? Bajram Currin? Hasan Prishtinën? Azem dhe Shote Galicën? Avni Rustemin, deputetin e Kosovës në Parlamentin Shqiptar? Berisha, ka probleme, pasi në politikat e tij armiqësore ndaj Kosovës, ka bërë ca më shumë se mbreti. Ndaj i duhet që balta mbi Zogun mos duket aq e zezë. Po Jahjaga nuk ka pse i fshin baltën.

Në aktivitetin e Ambasadës së Kosovës në Tiranë me rastin e njëqind vjetorit, kryeministri hodhi tezën e rishqyrtimit të pozicionit të Kosovës në histori. Duke nënkuptuar se Shqipëria nuk i ka dhënë meritat kësaj treve; duke aluduar se meqënëse në pesëdhjet vjet komunizëm, qeverisën kryesisht jugorët, atëhere, këta i paskan ngrënë hakun. E vërteta është që Shqipëria kurrë nuk do mund të bejë për Kosovën, sa Kosova bëri për Shqipërinë.

Por kur e thotë ai që ka dominuar për njëzet e dy vjet politikën e Tiranës, por nuk i ka ngritur një monument Isa Boletinit, një shtatore Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Azem e Shote Galicës, Adem Jasharit; që në këtë njëqindvjetor, nuk i ka përmëndur një herë emrin Ded Gjo Lulit, protagonistit të kryengritjeve të 1911-ës; Mehmet Shpendit, dhe “Djelmnisë së Shalës”; oratorit të pashoq, themeluesit të shtetit shqiptar Luigj Gurakuqi; Imzot Bumçit, atëhere harresa e Kosovës dhe veriut, vjen së pari nga Berisha.

Njeriu që arrestoi Adem Jasharin, Hashim Thaçin; furnizoi me naftë Milosheviçin dhe nuk u skuq kur e pranoi; nxiti mosfirmosjen e Rambujesë nga UÇK; votoi kundër dislokimit të helikopterëve “Apache” në Shqipëri, gjatë luftës në Kosovë; trazon sa herë ka mundësi gjakrat, duke ndarë njerëzit dhe nënkuptuar idenë se jugu dhe toskët janë grekë, ky njeri nuk ka kredencialet të bëjë historinë dhe as të japë direktivat.

Në njëzet e ca vjetë të prezencës së tij si protagonist në politikën shqiptare, Sali Berisha do mbahet mënd si njeri i tensionimit të vazhdueshëm të jetës së vendit dhe trazues i të shkuarës dhe të tashmes së tij. Kishte rastin të ishte një burrë i madh shteti, pasi fati i ofroi mundësinë. Por shfaqi vetëm thelbin e tij prej mizantropi. Kishte mundësi që të paktën të mbahej mend për festimin e njëqind vjetori të shpalljes së pavarësisë. E bëri siç dinte. Me provokime kundërshtarësh dhe gjak deshësh të therrura.
Megjithatë, rëndësinë e kësaj date nuk mund ta zbehë kurrë, askush.

Ky është përvjetori i Ismail Qemal Vlorës, dhe i gjithë atyre burrave të Shqipërisë, Kosovës, Dibrës së Madhe, Çamërisë që shpallën pavarësinë dhe i lanë shqiptarëve një atdhe. Është përvjetori i kryeministrit të parë të shqiptarëve dhe kabinetit të tij, që ju la bërthamën e një shteti, por që pasardhësit e tij, e katandisën në feud. Ashtu siç është një datë, që shqiptarët të kujtohen se ky atdhe, para se të jetë i horrave, është i tyre.