Provë për vëmendshmëri ndaj zotit Plasari

0
37


Aleksandër Çipa

Përgjigje e kryeredaktorit

I dashur dhe i vyeri zoti Plasari,
Ju përgjigjem për letrën tuaj drejtuar mua si kryeredaktor i “Shqipit”. Në këtë cilësi më lejo të sqaroj, se nuk shërbej, por realizoj misionin e të qenit në një post profesional, të cilin e çmoj si detyrim ndaj cilësisë që përfaqëson gazeta në këtë spektër të sotëm të shtypit shqiptar.

Qysh në fillim të kësaj përgjigjeje, më duhet ta them se e mirëkuptoj shqetësimin, i cili më shumë se nga informimi “en block” që kishte lidhje me prononcimin tuaj publik përmes gazetës, ka të bëjë me atë që ju e quani thelbi, “thembra e Akilit”. Pjesërisht mund të keni të drejtë, por e drejta juaj përballur me të drejtën tonë, për të pasqyruar gjerësisht debatin rreth kësaj çështjeje, besoj dhe para së gjithash, është detyrim profesional.

Në informimin tonë “en block” ju kemi lënë ju sipërfaqen botuese më të konsiderueshme dhe njëkohësisht kemi paraqitur edhe reagimet kundërpohuese të homologut tuaj serb zotit Sreten Ugriciq dhe drejtorit slloven të IZUM, zotit Tomaz Seljak. Mandej në këtë material nuk mungon edhe korrespondenca e reporteres sonë nga reagimet e konferencës së zhvilluar për këtë çështje në sallën e Akademisë së Shkencave. Materiali i ofruar përmes sipërfaqes së bollshme të botimit në gazetë, mendoj se respekton më së miri parimet dhe kriteret deontologjike.

Në këtë material të botuar, nuk gjej vend për pavëmendshmëri të gazetares siç ju konstatoni, pasi ajo ka riprodhuar një pjesë të intervistës që keni dhënë gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, sikundër për thelbin e përplasjes me kolegët që citoni, ka pasur edhe reagimin përkatës. Gazetarja nuk i mëshon aq shumë “rrekjes” suaj, ndërkohë që në hyrje të informacionit “en block” sqaron se: “Plasari ka bërë gjithçka publike përmes një letre të hapur”, drejtuar institucioneve përkatëse shtetërore.

E thënë shkurt, nuk mendoj se në krejt lëndën e botuar për këtë çështje, në numrin e gazetës, për të cilin flisni, mungon thelbi, pra siç e quani ju “thembra e Akilit”.
Megjithatë, duke e konsideruar pjesën e mëposhtme të letrës që ju më drejtoni, si mundësinë tuaj për të theksuar thelbin e shqetësimit që keni, shpreh besimin se fitoni një provë për vëmendshmërinë tonë dhe jo të kundërtën.

Pavëmendshmëria e konstatuar prej jush, në këtë rast na duket e pagjendshme në tekstin e botuar. Mendoj se diçka e tillë nuk ndodh përgjithësisht e jo më në rastin e shqetësimit që keni ngritur tashmë institucionalisht dhe publikisht. Nuk mund të ndodhë diçka e tillë edhe për faktin se personalisht dhe gazetarët e redaksisë së kulturës në “Shqip”, ndajmë një vlerësim të lartë për vlerat dhe cilësitë tuaja si studiues i vyer, dijetar, kulturolog dhe administrator i çmuar i institucionit të vetëm kombëtar të librit.

Me arsyetimin tuaj në këtë pjesë të letrës që më adresoni, ndaj të njëjtin qëndrim, ndonëse debati mes jush dhe kryebibliotekarëve të tjerë (qofshin ata edhe lokalë shqiptarë), në konferencën që u zhvillua, vazhdon të mbetet i hapur dhe lë hapësirë për diskutim më të gjerë. Për sa i përket arsyetimit tuaj për mospërfshirjen e BKSH-së në rrjetin (sistemin) bibliografik të ish-Jugosllavisë, i themeluar në Beograd, jam i prirur t’i besoj skepticizmit dhe refuzimit tuaj, edhe për shkak të dijenisë më të madhe dhe më profesionale që përfaqësoni në këtë fushë.

Në një pikëpamje, këtë qëndrim e çmoj edhe si vlerë integriteti dhe drejtorientimi për të qenë si edhe ju, i orientuar kah anëtarësimit dhe bilaterizmit me rrjetin qendror europian dhe jo së pari për integrim në perimetra më të vegjël rajonalë. Aq më tepër që në rastin e projektit të “Kooperativës” së ish-Jugosllavisë përvoja dhe historia e mëparshme janë të pasura me përjashtime dhe paranoja etnopolitike. Sa për atë që përfaqësojnë sot, le t’i marr të mirëqena konstatimet tuaja.

I dashur zoti Plasari,
Pasazhi i fundit i letrës suaj më jep mundësinë mua dhe redaksisë së kulturës në “Shqip” të fokusojmë dhe pasurojmë informacionin për të gjitha qëndrimet institucionale pasuese të shqetësimit që keni ngritur, si publikisht, ashtu edhe përmes letrës së hapur drejtuar Shërbimit Informativ Shqiptar, Prokurorisë dhe për dijeni Kryeministrit Berisha. Në këtë mënyrë, shtojmë për ju dhe lexuesin tonë në tërësi, një provë tjetër vëmendshmërie ndaj problematikave me të cilat përballet kultura dhe sidomos administrata kulturore shqiptare, ku identifikueshëm përfshihet edhe Biblioteka Kombëtare.

Gjithherë me vlerësimin e lartë për ju dhe punën tuaj!