Provat e antiligjshme të ligjit të legalizimit

0
63

Fatmir Merkoçi

Ligji i legalizimit, i barabartë me reformën agrare të vitit 1945 apo më i keq se ajo reformë. Zaptuesit sot ndihen më të fortë se pronarët, kjo sepse ligji i legalizimit i legjitimon dhe pse në vetvete këta kanë kryer një vepër penale. asnjë gjykatë nuk do kishte guxuar që të bënte një shkelje kaq të hapur të kushtetutës, përveçse në shqipëri.

Shqipëria u fut në një rrjedhë tjetër të jetës. Vitet 1990-1992 ishin vitet ku shqiptarët patën lëvizjen më të madhe popullore. Falë kësaj lëvizje u bë e mundur që edhe Shqipëria të largohej nga ajo periudhë e errët dhe të niste rrugën e saj drejt demokracisë së vërtetë. Këtu kishim parasysh rolin që luante shteti në mbrojtje të individit, lirisë së fesë, lirisë së mendimit, lirisë së zgjedhjes, të shkollimit etj., por mbi të gjitha besohej në barazinë përpara ligjit dhe në pronën private.

Në shumë aspekte themi se u realizuan, por ajo që mbeti si gozhda e Nastradinit ishte barazia para ligjit, ku dukshëm është e qartë për çdo shqiptar se kjo barazi nuk funksionon. Prona private u kthye jo vetëm në një mollë sherri, por edhe në një gangrenë për shoqërinë tonë, e cila, për hir të së vërtetës, dukshëm e kishte humbur nocionin pronë private. Sorollatja e pronarëve nëpër komisione pronash, ku asnjëherë nuk kanë qenë e nuk janë eficente. Në këto komisione pronash është luajtur çel e mbyll, apo edhe më keq, si macja me miun me rolin dhe mënyrën se si kanë vepruar gjatë gjithë periudhës së funksionimit të tyre. Prona mbetet dhe vazhdon të mbesë një tabu.

Pas gjithë këtij kaosi të gjatë, ku vetë pronarët ishin tepër të lodhur, ku shteti po tallej me ta duke i lënë pas dyerve të komisioneve e gjykatave, shteti nuk u mjaftua me kaq, as me ligjin e 7501, por nxori edhe kartën tjetër, aprovoi ligjin e legalizimit. Ky ligj, që në themelin e tij është një ligj antikushtetues.

Në Kushtetutën e Shqipërisë citojmë Nenin 41:
1. E drejta e pronës private është e garantuar.
2. Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil.
3. Ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publike.
4. Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë.
5. Për mosmarrëveshjet lidhur me masën e shpërblimit mund të bëhet ankim në gjykatë.

Me të drejtë lind pyetja se në ç’nen të Kushtetues u mbështetet ligji i legalizimit? Sipas Kushtetutës, çdo ligj burimin dhe bazën e tij duhet ta ketë në Kushtetutë.
Ky ligj u dërgua në Gjykatën Kushtetuese, por siç ndodh rëndom, gjyqësori ynë është në një ditë për të ardhur keq. Gjykata Kushtetuese e quajti legjitim këtë ligj, duke e interpretuar si një nevojë publike, por me sa duket po kjo gjykatë “harroi” të shprehej se në rast të zbatimit të këtij ligji duhej të veprohej më parë me ligjin e shpronësimit për interes publik.

Këtë veprim Gjykata Kushtetuese nuk e bëri, pasi ajo e kishte dëshirën për të mos e mbyllur këtë cikël. Ne nuk mund të harrojmë se gjatë këtyre viteve gjyqësori në të shumtën e rasteve është bërë jo vetëm pre e presioneve politike, por dhe palë në interpretimin e kushtetutshmërisë të një ligji, sidomos kur është fjala për një ligj që i shkon shumë për shtat politikës sonë të mbrapshtë. Kjo ka bërë që në të vazhdojmë tranzicionin dhe të mbetemi edhe për shumë vite të tjera kështu.

Pra, kemi të bëjmë me një ligj që cenon pronën private. Me ligjin e legalizimit vetë shteti me dashjen e tij bëri atë që nuk mundi ta bëjë asnjë gjykatë në çdo cep të botës, përveç sistemeve diktatoriale ku pronari nxirret në rrugë të madhe pa problem. 
Ky ligj dhe ky veprim do të ketë pasoja të pakundërshtueshme. Këtë e themi, pasi qeveria nuk mundet të bëhet dorëzënëse e pronës private. Nesër një qeveri tjetër do ta shfuqizojë këtë ligj. Këtë do ta bëjë për arsye se: Nëse do të vazhdohet në këtë formë, do të ketë gjithmonë trazira, do të ketë pikëpyetje për trashëgiminë e pronës, e cila mbetet e shenjtë. Do të ketë gjithmonë presion ndërkombëtar dhe aq më shumë do shtohen detyrimet financiare karshi Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut.

Së dyti: Me këtë ligj, qeveria nuk ka bërë asgjë më shumë veçse ka hapur një konflikt të ri mes shqiptarëve. Kjo, për vetë faktin se sipas Nenit 42 pika 1, liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor. Do t’i drejtohen drejtësisë europiane, ku për hir të së vërtetës, ashtu siç e theksuam dhe më lart, shteti shqiptar ka dalë i humbur.

Dikush dhe do mundohet të na gjykojë për këtë shkrim?
Me të drejtë ju themi se për të vepruar për ndërtimet pa leje kishte dhe ka rrugë të tjera sa ligjore aq edhe morale, por ngritja e një institucioni siç është ALUIZNI nuk kanë bërë gjë tjetër veçse ka legalizuar me ligj dhunuesin e pronës private. Nëse do t’i përmbahemi ligjit (pasi gjithmonë themi se duam një shtet ligjor) dhe pikërisht Kodit Penal, shohim se me këtë veprim është kryer një vepër penale.

Nëse e shkelin ligjin këta zaptues, përse nuk duhet ta shkelin ligjin dhe pjesa tjetër e shoqërisë? Prandaj, para se të bëhej ky ligj duhej të studiohej një rrugë tjetër.
Në këto kushte, nëse do të shohim me vëmendje ka diferencime të dukshme. KKRRTSH-ja (nuk po zgjatemi më me pavlefshmërinë e veprimeve të saja, por do ta konsiderojmë të rregullt), ku kryetar i saj është Kryeministri, ka miratuar zonat informale. Në këto zona duhej të bëheshin legalizimet e banesave në rastet kur ka ndërtime pa leje në truall të pronarit, ose në kur nuk ka pronarë, por figuron pronë shtet.

Ajo që sot të bie në sy është se shteti, pavarësisht nga ligji, pra që duhet të legalizojë banesat vetëm në zonat informale ALUIZNI, po kthehet në precedent, pasi pranon deklarimet dhe të atyre që nuk bëjnë pjesë në zonat informale, apo akoma dhe më keq, kur shohim se një copë letër e vetë deklarimit të bërë nga personat është më e vlefshme se sa një studim urbanistik të miratuar nga KKRT-ja e bashkisë. Apo akoma dhe më keq, kur në atë zonë ka dalë po nga KKRT-ja leja e ndërtimit. Apo akoma dhe më katrastrofike, kur një vetëdeklarim pranë ALUIZNI-t është më i vlefshëm se vetë vërtetimi i pronësisë, kjo për vetë faktin pasi gjykata e pranon si një fakt të ligjshëm duke e legjitimuar si të drejtë padinë e tij.

Kjo situatë ka bërë që pushtuesi të jetë më i ligjshëm se vetë pronari. Si pasojë lindin konflikte të cilat nuk janë në dëm vetëm të pronarit apo të ndërtuesit por, dhe të vetë komunitetit pasi në atë zonë nuk mundet të ketë zhvillim. Nga ana tjetër këto konflikte përfundojnë nëpër dyert e gjykatave ku zgjidhja e tyre vazhdon me vite e vite të tëra. Jemi dëshmitarë se jo rrallë herë konfliktet mbi pronësinë kanë degjeneruar deri në vepra penale e më kaq akoma kur marrin dhe jetë njerëzish.

Për të shmangur të gjitha këto, shteti si rregullator duhet të ndërhyjë menjëherë në banesat që nuk janë në zona informale, por në tokat e pronarëve dhe ka një plan zhvillimi të miratuar, të bëjë të mundur prishjen e tyre. Këtë e themi pasi vërejmë se atje ku shteti do të veprojë ai gjen forcën dhe vepron, siç është rasti i fundit i prishjeve në bregdet. Rast i cili duhet përshëndetur. Mbi bazën e kësaj nisme duhet urgjentisht të veprohet edhe në qytetet ku ndërtimet pa leje janë brenda vijës së verdhë dhe po ia zënë frymën qytetit, duke mos lënë të zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe të shpejtë. Nëse shteti minimalisht do të bënte një veprim, do të thoshim se shteti vepron në të gjithë territorin e vendit njëlloj, pa dallime e ndjesira personale.

Nëse vazhdohet akoma me dëshirat e legalizimeve, sipas njohjeve për të cilat u shprehëm më lart, atëherë na lind e drejta të themi se të gjitha prishjet që bëhen sot në bregdet bëhen për interesa të ngushta të pushtetarëve dhe jo për zhvillimin e vendit. Shpresojmë mos të jetë kjo e fundit, pasi do ishte shumë dramatike për këtë vend dhe pronarët e vërtetë do të ishin njerëzit më të persekutuar të këtij sistemi, ndoshta më të persekutuar se sa vetë sistemi diktatorial. Ata do shohin gjithë jetën se si tallen me pronat e tyre. Do shohin akoma se si pasurohen ata që i kanë zaptuar pronën dhe vetë pronarët nuk mund të bëjnë veçse të qeshin me pafuqinë e fatkeqësinë e tyre. Të shohin se si ai, pronari nuk mundet të ketë një strehë për familjen e tij.

Ndërkohë, zaptuesit, të cilët zotërojnë pronat e janë bërë zotër të pronës së tjetrit vetëm e vetëm se kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjet e qeverive, të cilat vazhdojnë sot e gjithë ditën të gjejnë rrugë të paligjshme për t’i bërë këta pushtues të ligjshëm. Kjo bëhet vetëm e vetëm që forcat politike të shtojnë në këtë mënyrë elektoratin e tyre, pasi siç dihet te ne, një herë në dy vjet, ka zgjedhje dhe këtyre më shumë u intereson vota që u jep kjo pjesë e popullsisë se sa legjitimiteti i pronarëve të ligjshëm.