Protonizmi: Roli pozitiv i kritikës letrare në letërsinë bashkëkohore Amerikane

0
48
Gjekë Marinaj - Protonizmi

Esee nga Kristen M. Walker

Protonizmi na inkurajon të gjejmë vlerat

Gjekë Marinaj ndërton teorinë e Protonizmit që rekomandon përqendrim në elementet pozitive të letërsisë që janë pjesë universale e ligjeve natyrale. Kjo teori është një teori e mençur dhe përshtatet mirë me kërkesat që vërejmë në kulturën letrare dhe historike Amerikane.”

Nga Kristen M. Walker, 26.01.2012

Kritika letrare është e rrënjosur thellë në popullin Amerikan, ku shumë individë u hedhin sytë kopertinave të librave, hulumtojnë për reçencione në internet, dhe pyesin miqtë dhe kolegët për rekomandime para se të lexojnë diçka të re nga letërsia. Këto reçensione mund të jenë pozitive ose negative, por njerëzit tentojnë t’u japin më rëndësi reçencioneve pozitive, sepse ato përqendrohen në karakteristikat universale të një vepre dhe kjo i bën ato të lakmueshme. Recensionet negative shpesh anashkalohen duke paragjykuar se njeriu që e ka bërë atë kritikë letrare ose ka shije tjetër ose nuk di se çfarë është letërsia cilësore.

Shpjegimi i këtij fenomeni gjendet në teorisë letrare të Gjekë Marinajt. Ky autor, i lindur në Shqipëri, i cili imigroi këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1991 e përshkruan këtë teori në librin e tij Protonizmi: Nga Teoria në Praktikë. Kjo teori është emërtuar Protonizëm sepse huazon konceptet e pozitives dhe negatives nga struktura kimike e atomit, që përmban protone, neutrone, dhe elektrone.

Në një atom, protonet, grimca të cilat kanë ngarkesë elektrike pozitive, dhe neutronet, grimca që nuk kanë ngarkesë elektrike, përbëjnë pjesën qendrore të atomit të quajtur bërthamë. Elektronet, grimca që kanë ngarkesë elektrike negative, lëvizin në mënyrë konstante rreth atomit, ngjitur me atomet e tjera, liruar nën presion, dhe nganjëherë të shqyera tërësisht nga atomi. Karakteri esencial i atomit dhe pesha e tij atomike varet nga numri i protoneve dhe neutroneve në bërthamën e tij, dhe jo nga numri i elektroneve me ngarkesë elektrike negative.

Marinaj beson se thelbi i çdo vepre letrare, tamam si i çdo atomi, përbëhet nga elementet pozitive, apo protonet. Elementet negative janë të pafuqishme dhe më të vështira për t’i zotëruar për një kritiku letrar. Në shumë raste, kritikët letrarë i bazojnë gjykimet ndaj pikave të dobëta të veprave letrare në fluturimet e interesave personale, preferencave vetjake, dhe opinioneve të tyre morale, të cilat nuk janë në akord me shijet e publikut. Kritikët gjithmonë do jenë në gjendje t’i identifikojnë gjërat që nuk u pëlqejnë në një vepër letrare. Por kjo nuk duhet të jetë fokusi i kritikës letrare. Ndaj Marinaj ndërton teorinë e Protonizmit që rekomandon përqendrim në elementet pozitive të letërsisë që janë pjesë universale e ligjeve natyrale. Kjo teori është një teori e mençur dhe përshtatet mirë me kërkesat që vërejmë në kulturën letrare dhe historike Amerikane.

Në thellësi të saj, idealet e Amerikës përfshijnë dëshirën për të qenë një vend ku çdo kush mund të arrijë gjithçka. Ideja e Ëndrrës Amerikane është e pasur në pëlhurën historike, dhe njerëzit vijnë këtu duke ëndërruar se aftësitë e tyre, talenti dhe puna e palodhshme mund t’u sjellin atyre suksesin dhe sigurinë që dëshirojnë. Si një shembull i suksesit të Ëndrrës Amerikane, arritjet letrare gjenden në zemër të librave historik Amerikan. Kushtetuta, Deklarimi i Pavarësisë, dhe Ligji i Mbrojtjes të së Drejtave të Njeriut janë të shfaqura me krenari në Arkivat Nacional në Uashington, D.C. për të vënë në dukje fjalët e njerëzve që vijnë në këtë vend dhe janë të frymëzuar të përpiqen për suksese më të mëdha.

Protonizmi e mbështet Ëndrrën Amerikane sepse këmbëngul në gjetjen e vlerave në të gjitha veprat letrare. Rruga drejt suksesit gjithmonë kërkon përmirësim dhe punë të palodhshme, por është më e shtruar nëse kritikët letrarë japin përkrahjen e tyre duke skicuar idetë e tyre më të mira, ndërtimin mjeshtëror të fjalive, dhe pikturonim e qartë të fjalëve. Dokumente që na lanë themeluesit e letërsisë tonë nuk ishin draftet e para të tyre, por vepra të rishikuara disa herë në mënyrë kolektive që të theksonin idetë e tyre me të mira dhe të eliminonin ato që ishin të panevojshme. Në paraqitjen e tyre finale, ato fjalë triumfuan si bazamenti udhëzues i këtij shteti që sot është një vend udhëheqës në botë, përkrah me vendet e tjera që janë njohur me qindra vjet më parë.

Madje që nga moshat e reja, studentët e universiteteve në Shtetet e Bashkuara mësojnë një lloj kritike letrare që është ne akord me teorinë e Protonizmit. Pedagogët seleksionojnë vepra të letërsisë klasike që u kanë qëndruar stuhive të kohës dhe i prezantojnë ato tek studentët si një mënyrë solide për të mësuar rreth leximeve, rreth artit dhe mjeshtërisë së tregimeve, dhe rreth zhvillimit të temave të të shkruarit. Studentët nuk sjellin lente subjektive të analizojnë çfarë nuk kanë pëlqyer rreth veprave të lexuara, por në te kundërt mësojnë rreth komponentëve universal të të shkruarit me efektivitet.

Madje edhe gjatë studimeve më të avancuara kur futen në thellësi të veprave jo edhe aq madhështore, studentët flasin akoma rreth librave në kuptimin e atyre që nuk kanë pëlqyer dhe jo rreth aspekteve që janë objektivisht të një cilësie të ulët letrare. Protonizmi qëndron sepse në thellësi të çdo vepre letrare mund të gjendet elemente pozitive, dhe këto janë esenca që ndihmon të mbijetojnë stuhitë e kohërave.

Gjatë ecurisë së studenteve në nivelet e studimeve të larta, ata ende kanë nevojë të përdorin Protonizëm që të mbështjellin këndvështrimet e tyre rreth letërsisë së vërtet dhe të bëhen shkrimtar më të fuqishëm për veten e tyre. Ata mësojnë duke identifikuar së çfarë është efektive, duke studiuar mjeshtrit e vërtet, dhe duke praktikuar përdorimin e teknikave të tyre të provuara për përmirësimin e cilësisë së shkrimeve të veta. Madje edhe tek kritikët letrarë midis vetë kritikëve të letërsisë, fokusi vendoset në atë që shkrimtarët punojnë cilësisht dhe në pjesët që rezonojnë me korpusin e letërsisë. Ata i lënë shkrimtarët të redaktojnë apo rishkruajnë pjesët që nuk u përgjigjen normave akademike. Përqendrimi në aspektet pozitive i motivon shkrimtarët të krijojnë letërsi që vërtet ndikon fuqishëm tek lexuesi dhe vazhdon të zhvilloi kulturën tonë në kahe pozitive.

Duke parë drejt së ardhmes, zbatimi i teorisë së Protonizmit është një nga ecuritë më efektive për të siguruar një letërsi të vlerave të larta për dekadat që vijnë. Ngaqë letërsia luan shumë role në shoqëri, aty gjenden një varg i gjatë veprash që pëlqehen nga individë të ndryshëm, edhe nuk është vendi i kritikut letrarë të thonë se një vepër letrare është tërësisht e keqe, vetëm se ai vet nuk është pjesë e auditorit. Në të kundërt, kritikët duhet të identifikohen me ato rezonanca që janë në akord me idealet universale, të cilat mbështesin rolin e letërsisë për të zhvilluar njerëzimin.

Protonizmi është veçanërisht i rëndësishëm kur shohim pozicionin e të shkruarit në botën bashkëkohore. Kultura e sotme e lehtëson aspektin e dëshirës për t’u bërë shkrimtar më shumë se në çdo pikë kohore të historisë. Me rritjen e lexuesve elektronik (e-readers) dhe librave elektronik (e-books) kushdo mund të botojë një libër pa shpenzime dhe për ta vënë atë në shërbim të kujtdo për shkarkim elektronik (download).

Kjo është e vlershme sepse i lejon shkrimtarët të krijojnë ide për t’i adresuar librat tek kushdo që është i interesuar. Megjithëse shumica e librave elektronik nuk do jenë në nivelin artistik të librave të botuar nga shtëpitë e mëdha botuese, ato gjithsesi kanë vlera. Protonizmi ndikon shumë në të mirë të këtij soj botimi, sepse bëhet avokat i të kërkuarit të vlerave në këtë letërsi. Çdo libër elektronik është i vlershëm për dikë, dhe duke u përqendruar në aspektet pozitive, ne si kulture mund të mbështesim procesin e hapjeve së ideve dhe ekspertizës midis njëri-tjetrit nëpërmes letërsisë.

Nëse do të ndjekim ndonjë një metodë që na e dekurajon Protonizmi dhe të shkruanim recensione të ashpra bazuar në shijet tona personale dhe opinionet e njëanshme, ne do e dëmtonim progresin e letërsisë së sotme. Duke u ndalur vetëm në dobësi gjatë kritikës letrare krijojmë një mënyrë për të shkurajuar shkrimtarët që janë në formim e sipër dhe ndoshta për t’ua ndalur hovin për të ecur përpara drejt krijimeve më të arrira.

Ashtu si me sportet, muzikën, dhe të gjitha aftësitë e tjera, të shkruarit cilësor arrihet nëpërmes praktikës së vazhdueshme dhe përpjekjes se përhershme për të gjetur rrugë më të përshtatshme për shndërruar idetë në fjalë më të zgjedhura. Në Amerikën bashkëkohore, shumica e të shkruarit gjënë botimin, qoftë në portale, në libra elektronike, ose në revistat dhe gazetat e pafundme. Ne duhet të jemi më fisnikë kundrejt shkrimtarëve duke bërë recensione që i ndihmojnë në rrugën e tyre në kërkim të asaj që punon. Inkurajimi i shkrimtarëve fillestar nëpërmes teorisë së Protonizmit, pra përqendrimi në aspektet pozitive të punës së tyre është mënyra më e mirë për t’i ngritur ata tek potenciali i plotë që kanë.

Kontributi i çdo shkrimtari është i vlefshëm, në një anë a një tjetër, dhe Protonizmi na inkurajon t’i gjejmë ato vlera. Është sikur kritiku letrar lexon çdo vepër letrare si një shkëmb të minuar mbi sipërfaqen e një mali të madh. Shumë shkëmbinj kanë qoshe të ashpra dhe dheu mund të mbulojë çfarë gjendet aty brenda, por është puna e kritikut ta gjej atë gur të çmuar aty në mes dhe të flasin rreth tij. Gurët e çmuar vinë në shumë forma dhe madhësi, por si tërësi, janë ajo çfarë përbën identitetin tonë letrar si Amerikan.

Kritikët i zbulojnë këto perla dhe flasin rreth vetive të shkëlqyera që kanë, dhe jo për dheun që tret poshtë gjatë depërtimit të tyre për tek to. Marinaj na e parashtron krejt qartë këtë udhëzim në teorinë e tij të Protonizmit, ku të gjithë lexuesit, pavarësisht nëse janë kritikë profesional apo lexues të rastit, mund të përfitojnë nga trajnimi pozitiv në kritikën letrare.

*Ky shkrim është rezervuar për botim në numrin e ardhshëm të revistës letrare “Hemisphere: Visual Cultures of the Americas” dhe përkthehet me lejen e autores dhe të drejtorisë së Department of Art and Art History at the University of New Mexico (UNM). Licence: 45UNM32754.

Përktheu nga Anglishtja: Mujë Buçpapaj