Protestë për kutitë në Athinë, emigrantët peticion ministrave të Jashtëm të OSBE

0
45

Protesta ne Athine per kutite me vota te manipuluara

Shekulli Online, 01.12.2009

UPDATE – Sot mbasdite në Athinë u zhvillua protesta e shoqatave të emigrantëve dhe mbështetësve të PS nën moton “Dua të shoh votën time”. Protestuesit ishin vendosur me pankarta përballë selisë se OSBE-se ku po zhvillohej mbledhja e Ministrave të Jashtëm.

Organizatorët e kësaj proteste, janë emigrante që punojnë në shtetin grek, të cilët u kanë dorëzuar të 45 Ministrave të Jashtëm peticionin e mëposhtëm:

Shqipëria nuk do të pajtohet me mashtrimet dhe parregullsitë zgjedhore pasi kjo jep mesazhin e gabuar për aspiratat tona demokratike.

Gjatë 20 viteve tranzicion qeveritë shqiptare kanë dështuar vazhdimisht në përmbushjen e standardeve për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike dhe të lira. Qeveria aktuale dështoi sërish në përmbushjen e këtyre standardeve edhe në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, edhe pse opozita përmbushi angazhimin e saj në reformën zgjdhore.

Shqetësime lidhur me mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet u ngritën edhe nga OSBE/ ODIHR. Ajo që konsiderohet si procesi i numërimit të votave shkoi si mos më keq. Po kështu në prag të fushatës është vrarë deputeti i opozitës, një ngjarje ende e pazbardhur. Nxënësit e shkollave u nxorën në mitingje. E fundit për nga radha por jo nga rënëdësia, disa media kundërshtare të qeverisë u gjobitën.

Dhe akoma më keq dhjetëra të dënuar u liruan për fushatë, duke bërë presion ndaj anëtarëve të opozitës.

Si rezultat i kësaj, opozita shqiptare, plotësisht e vetëdijshme për rëndësinë që standardet e zgjedhjeve kanë për një vend anëtar të NATO-s dhe për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, dhe duke njohur rezultatin me të meta ligjore, ka vendosur që të kthehet në parlament vetëm me ngritjen e një komsioni hetimor parlamentar që do të hetojë gjithë këto probleme të hasura në zgjedhje. Së pari ne kërkojmë publikisht hapjen e kutive të votimit, jo për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve, por për të hetuar mbi vërtetësinë e tyre.

Në këtë kontekst, siç është raportuar gjerësisht nga mediat kombëtare dhe ndërkombëtare, më 20 nëntor 2009 më shumë se 100.000 njerëz marshuan në Tiranë në një tubim paqësor.

* * *

Në pritje të skadimit të ultimatumit dhjetëditor, Partia Socialiste ka vendosur që të shtrijë protestën e saj edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, si një përpjekje për të njohur më nga afër faktorin ndërkombëtar, lidhur me kërkesat e saj që kanë të bëjnë me transparencën e zgjedhjeve, si rruga e vetme për t’i kthyer legjitimitetin institucioneve të lindura prej tyre.

Protesta u organizua nga dega e PS-së në Greqi dhe të ftuar ishin, pjesë përveç anëtarëve të saj edhe emigrantë të tjerë shqiptarë që jetojnë atje. Për këtë qëllim, drejtuesit e PS-së në Greqi i kanë bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që kanë emigruar në Greqi, që t’i bashkohen kësaj proteste për të kërkuar hapjen e kutive para përfaqësuesve të lartë të OSBE-së. Grumbullimi i protestuesve është parashikuar të bëhet në orën 17:30, në vendin e quajtur stacioni autobusëve “Agjo Kozmas” përballë aerodromit të vjetër. Më pas, ata, të drejtuar nga krerët e PS-së në Greqi, do t’i drejtohen selisë së OSBE-së, ku dhe do të hedhin parulla për hapjen e kutive dhe votën e lirë.

Protestën e ka përshëndetur edhe Partia Socialiste, dega Veria, e cila edhe ajo ka ftuar dje të gjithë emigrantët që të jenë të pranishëm. “Partia Socialiste, dega Veria, ju bën thirrje simpatizantëve të PS-së dhe gjithë emigrantëve shqiptarë të jenë në këtë protestë, pasi në Shqipëri, qeveria shqiptare po shkel ligjet dhe Kushtetutën, nuk lejon të numërojë votat e zgjedhësve shqiptarë. Prandaj të bashkohemi të gjithë së bashku nën moton “Dua të shoh Votën time”, – thuhej në një deklaratë të PS-së, dega Veria, një qytet në Greqinë Veriore. Ndërkohë që mësohet se për organizimin e saj janë angazhuar edhe disa deputetë socialistë nga Shqipëria. Megjithatë, protesta është nismë e socialistëve shqiptarë të Greqisë dhe në të nuk pritet të marrë pjesë kryetari i PSSH-së, Edi Rama, as edhe ndonjë nga drejtuesit e lartë të kësaj partie. Pjesë e protestës pritet të jenë dhe shoqatat e emigrantëve që operojnë në Greqi.

Takimi

Ministrat e jashtëm, si dhe përfaqësues të nivelit të lartë të OSBE-së, 56 shtetet pjesëmarrëse, u takuan sot në Athinë për të diskutuar të ardhmen e sigurisë evropiane në Këshillin e Ministrave të kësaj organizate. Ministrat e Jashtëm të OSBE-së do të miratojnë vendime dhe do të japin udhëzime politike në një gamë të gjerë temash, duke përfshirë të gjithë aktivitetin e saj. Takimi i këtij niveli zhvillohet çdo vit në vendin që ka dhe kryesimin e radhës të kësaj organizate. Duke përfaqësuar kryesinë greke të OSBE-së, ministri i Jashtëm i Greqisë, Dimitris Droutsas, u tha gazetarëve dje se takimi vjen në një moment kritik dhe nënvizoi rëndësinë e një qasje të bashkërenduar operative për të adresuar sfidat e sigurisë evropiane. Ne kete takim ishte edhe zëvendëskryeministri Ilir Meta, njëherësh shefi i diplomacisë shqiptare, i cili gjendet në Greqi, që prej ditës së djeshme.

Protesta e socialistëve që është paralajmëruar për sot, pritet ta vërë Metën në një pozicion të vështirë para homologëve të tij, për vetë faktin se qeveria në të cilën ai bën pjesë nuk i ka dhënë ende zgjidhje një debati të tillë, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve për dialog. Pas protestës së Athinës, socialistët do të përcaktojnë edhe axhendën e veprimeve të mëtejshme në kërkim të hapjes së kutive të votimit.