Prononcimi i plotë për mediat i deputetit Braçe

0
42

Erion Braçe

“Për shkak të krizës ekonomike dhe financiare, që vjen si pasojë e keqqeverisjes së Sali Berishës, arka e shtetit është bosh.

Një akt i fundit i qeverisë dhe i Bankës së Shqipërisë, me pasurinë publike në një proces privatizimi, apo shitje, dëshmon gjithmonë e më qartë se arka e shtetit vazhdon të jetë gjithnjë e më tepër bosh. E kam fjalën për njoftimin e djeshëm, të shitjes së Hotel Dajtit, vetëm pak metra larg prej këtej, Bankës së Shqipërisë në vlerën e 30 milion dollarësh.

Një operacion i pastër që nuk justifikon blerjen e këtij objekti nga ana e Bankës së Shqipërisë, por që dëshmon qartësisht dhënien e parave nga Bankës e Shqipërisë, për arkat bosh të qeverisë së Sali Berishës.

Do doja t’ju kujtoja që nga muaji janar i këtij viti, Banka e Shqipërisë në mënyrë të pa justifikuar, i ka dhënë qeverisë së Republikës së Shqipërisë, 3 miliard lekë të reja ose 30 milionë dollarë, kredi direkte. Ashtu siç brenda tre muajve të parë të vitit, si asnjëherë më parë, Banka e Shqipërisë i ka transferuar qeverisë së Republikës së Shqipërisë, 2.5 miliardë lekë të reja të tjera si fitim i transferueshëm nga Banka e Shqipërisë, në arkat e qeverisë.

Gjithsej vetëm tre raste duke përfshirë dhe blerjen e Hotel Dajtit, Banka e Shqipërisë i ka dhënë qeverisë së Republikës së Shqipërisë, përgjithësisht në mënyrë të pa justifikuar, 8.5 miliardë lekë të reja ose 85 milionë dollarë, për të mbushur arkën e boshatisur të qeverisë së Shqipërisë.

Së dyti doja t’ju thoja që blerja e Hotel Dajtit nga Banka e Shqipërisë është totalisht e pajustifikuar, dhe një shpërdorim i kot i parave të Bankës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë ka marrë ambiente me qera, ish godinën e VEF-ës në sheshin Avni Rustemi. Ka marrë ambiente të tjera ma qera në godina të reja të përfunduara, për të zhvendosur funksionet e Bankës së Shqipërisë në momentin që do ti nënshtrohet rikonstruksionit të ambienteve aktuale të kësaj banke.

Pra po shpenzon 30 milionë dollarë, vlerë të cilës do ti shtohen paratë të tjera për të rikonstruktuar atë ngrehinë hoteliere në zemër të Tiranës, për ta kthyer në ambiente pune për Bankën e Shqipërisë, kur fare mirë mund të harxhonte shumë më pak duke marrë ambiente me qera dhe duke mos shpërdoruar paratë e Bankës së Shqipërisë. Për më tepër çmimi me të cilin po blen është skandaloz. Vlera më e madhe e dhënë disa herë na ankande të dështuara për të shitur Hotel Dajtin, ka qenë diku tek 7.5 milionë dollarë. Gjë që dëshmon dhe njëherë tjetër se operacion i blerjes nga Banka e Shqipërisë të Hotel Dajtit, është thellësisht spekulativ dhe i pa justifikuar, në shpërdorim të parave të Bankës së Shqipërisë.

E fundit që doja t’ju thoja ka të bëjë pikërisht me këtë histori që po vazhdon. Një përfaqësues tashmë i kthyer totalisht në politik, që drejton si guvernator Bankën e Shqipërisë, ortak i vjetër me Sali Berishën, që nga viti 1996, po mundohet të mbajë në këmbë një ngrehinë, e cila duhet të kishte rënë për shkak të arkave bosh që ka. Të ardhura si pasojë e shpërdorimeve të mëdha me paratë publike të shqiptarëve. Arkat janë boshë sepse Sali Berisha vjedh. Arkat janë bosh sepse Sali Berisha po keqpërdoron paratë publike të shqiptarëve. Sot ka dalë vendimi, vetëm festa e Çiljetës në datën 1 maj, ka kushtuar 30 milionë lekë të reja, ose 300 milionë lekë të vjetra.

Kjo është arsyeja pse arkat mbeten bosh, dhe natyrisht kjo nuk mund të jetë arsye që banka e Shqipërisë dhe guvernatori i saj, të shpërdorojë paratë e Bankës së Shqipërisë, bankës së kombit, bankës së shqiptarëve, për të mbushur apo për të financuar më pas ahengjet dhe haremet e Sali Berishës dhe të tijve.”