Mero Baze, 04.11.2013
Edi Rama ka bërë disa aksione spektakolare populiste, që kanë gjetur mbështetje në popull, por nuk kanë aq shumë mbështetje në ligj. Ka bërë një spektakël me lojërat e fatit, që ka fituar mbështetje maksimale nga shqiptarët, por ende nuk e ka zgjidhur çështjen me ligj. Ka bërë një përpjekje për të bllokuar ndërtimet pa leje, duke përdorur policinë, dhe ka fituar simpati tek shqiptarët, por ende s’e ka zgjidhur këtë çështje me ligj. Ka bërë dhe disa gjeste kundër ndërtimeve të paligjshme, që kanë mundur për shkak të pushtetit të marrin leje, dhe po ashtu ka fituar mbështetje popullore.
Nga gjithë këto akte të Edi Ramës, Sali Berisha dhe Lulzim Basha kanë reaguar vetëm për një aksion, bile vetëm për një pallat, atë të ndërtuar në emër të vjehrrit të Lulzim Bashës, një radio-ndërlidhës ushtrie, që në kushte normale nuk do t’i dilte pensioni për të pirë kafe. Po reagojnë për njoftimin se policia ndërtimore mund të prishë këtë pallat.
Në këtë histori ka dy probleme të rënda, që janë kundër Lulzim Bashës, njëri është teknik e tjetri politik.
Gazeta Tema ka një lloj ekskluziviteti në këtë çështje. Jemi e vetmja gazetë që e kemi ndjekur këtë pallat qysh kur ka marrë lejen, qysh kur ka hedhur themelet në det dhe kur ka filluar të ndërtohet. Për tre vjet kemi bërë betejë publike duke denoncuar ndërtimin si një rasti tipik i keqpërdorimit të pushtetit politik për ekskluzivitet në një vend, i cili i takon Vlorës dhe gjithë Shqipërisë.
Edhe pse përpiqen ta konsiderojnë pallat me leje, në të vërtetë është një pallat i paligjshëm. E ftoj Lulzim Bashën dhe Sali Berishën, meqë po vajtojnë pallatin e tyre, të marrin metrin dhe topografin dhe ta vendosin pallatin në njollën e pronës së pronarit në emër të të cilit kanë marrë lejen. Nuk e kanë aty, u ka rrëshqitur disa dhjetëra metra në det.
Le të marrin një ekspert konstruktor, përveç atij që ka firmosur dhe mund të përfundojë në burg, të provojë që pallati është ndërtuar mbi gurë të hedhur në det, të lidhur me një pllakë betoni, pa një mbushje pilotash që të mbajnë pallatin të vendosur mbi tokë të fortë. E kemi ndjekur ndërtimin e tij nga themelet dhe është një situatë skandaloze teknike, që mund të lërë pallatin në mëshirë të detit pas disa vitesh dhe ta rrëzojë.
Le të rimerret dhe një herë në pyetje supervizori i Bashkisë, që duhet të legalizojë pallatin, dhe të provojë që ai është ndërtuar aty ku është dhënë leja. Le të merret drejtori i hipotekës dhe specialisti që kanë bërë hipotekimin e karabinasë, dhe ta përputhin me koordinatat e pronës me të cilën është justifikuar leja. Asgjë nuk përputhet, plus që pallati bie ndesh me planin e zhvillimit urbanistik të Vlorës dhe perspektivën e pedonales Vlorë- Ujë i Ftohtë. Thjesht duhet të shembet dhe nuk duhet të paguhet. Ata që bëjnë sikur kanë blerë shtëpi, le të rregullohen me Berishën dhe Bashën.
Kjo sa për anën teknike.
Por ana politike është dhe më e rëndë. Siç e theksova qysh në fillim, qeveria e re po fokusohet shumë tek veprimet populiste, por jo tek ato ligjore. Lulzim Basha si lider i opozitës, është kthyer praktikisht në pronar të opozitës, duke ia mbyllur asaj gojën para veprimeve populiste të qeverisë, dhe po e ngre zërin si pronar pallati dhe jo si kryetar opozite. Ai nuk foli as kur u prekën kazinotë me leje, as kur u prishën ndërtesat në Tiranë dhe Vlorë, as kur Rama bllokonte me polici ndërtimet pa leje që u jepte leje ai batakçiu i policisë në Bashki. Mbi çdo pallat në Tiranë ka mbirë nga një kat pa leje dhe Lulzim Basha as i ndal dhe as i prish, po thjesht u merr ca lekë që t’u mbajë ëndrrën gjallë. Edi Rama i bllokoi me forcë, por pa ligj, dhe Basha as këtë nuk pati kurajë ta denoncojë.
Rasti i pallatit të tij në Vlorë, është i vetmi rast i veprimit të ligjshëm të qeverisë. Është rasti kur qeveria po i jep fund një pirgu paligjshmërie, dhe këtu ku Berisha e Basha duhet të ulin kokën e të heshtin, ngrenë zërin e u dhimbset prona e tyre.
Është kjo frymë e Lulzim Bashës, ky meskinitet dhe klientelizëm i tij, që rrënon çdo ditë besimin e shqiptarëve tek opozita dhe e katandis PD-në në Korçë në 25 përqind. Është ky lloj opozitarizmi familjar, ku në Tiranë sundon Kunati, në Vlorë pallati është në emër të Kunatit, ku çdo biznes e bën Kunati, ku flitet dhe protestohet vetëm po u prek Kunati, që shqiptarët t’i kthejnë të dëshpëruar krahët opozitës, dhe qeveria të ketë një mbështetje të pamerituar me shumicë absolute. Është kjo arsyeja që edhe pse qeveria e fitonte Korçën, çoi aty gjithë ministrat, bëri aleancë me FRD-në, dhe në fund ka bërë dhe pisllëqe lokale duke blerë vota studentësh, dhe Lulëzim Basha ka kyçur gojën e merret me pallatin e tij në Vlorë.
Ky njeri, duke privatizuar misionin e opozitës, dhe duke u shpallur pronar i saj me hipotekë në emër të Sali Berishës, mendon se mund ta përdorë opozitën për hallin e vet, për pallatin e vet, për Kunatin, vjehrrën, gruan, etj. Bile edhe për pallatin, foli pasi foli Berisha, se ka frikë të flasë pa leje para tij. Por kjo vetëm sa e zvogëlon përditë opozitën dhe siç ka nisur, do të ngelen aq pak sa mund t’i zërë të gjithë një pallat. Vetëm atëherë Edi Rama nuk ka për t’i prekur. Kjo është opozita që i duhet, kjo që e tkurr përditë popullin opozitar nga sheshet, tek pallati i Kunatit.