PROMOVOHET VEPRA E RE E STUDIUESIT MENTOR QUKU “PROF. MUSTAFË DERVISHI”

0
58

SI DHE PËRKUJTOHET JUBILEU I 70-VJETORIT TË VRASJES SË TIJ

Më 27 korrik, ditë e shtunë, pasdite, në sallën e konferencave të Grand Hotel Europa u zhvillua një mbledhje promovuese dhe përkujtimore njëkohësisht. Ishte rasti i promovimit të librit të ri të studiuesit të njohur Mentor Quku “Prof. Mustafë Dervishi, studim monografik mbi jetën dhe veprën”.

Pavarësisht nga të nxehtit e madh dhe ditët e pushimeve verore, kishin ardhur për të marrë pjesë në këtë tubim shumë qytetarë, përfaqësues të lartë të klerit musliman, shkrimtarë, studiues, historianë, gazetarë dhe punonjës të mediave televizive. Kishin ardhur për të marrë pjesë edhe studiues nga Tirana, Ulqini, Lezha, e të tjerë vise jashtë Shkodrës. Interesimi i madh buronte nga se promovohej një vepër e një profili të ri, e punëtorit të palodhur të shkences se mjedologjisë që asnjehere nuk reshti së rënduri në kërkim të së vërtetes, të fakteve historike të pakontestueshme.

Në faqet e para të veprës “Prof. Mustafë Dervishi”, autori i librit kishte zgjedhur me vend citatin latin “E ëmbël dhe e hijshme është të vdesësh për Atdhe”, i cili shprehte në thelb veprimtarinë e një djaloshi intelektual që nuk e kurseu as jetën për lirinë e atdheut, me gjithëse kishte përpara një të ardhme dhe një karriere të shkëlqyer. E veçanta e këtij tubimi ishte se promovimi i veprës së re të Mentor Quku, u bë në kuadrin e përkujtimit të jubileut të 70-vjetorit të vrasjes të profesorit, intelektualit, patriotit, nacionalistit antikomunist dëshmorit të atdheut prof. Mustafë Dervishit. Mbledhjen përkujtimore e drejtoi studiuesja Fatbardha Saraçi Mulleti, e cila e filloi me hymnin e Flamurit Kombëtar.

Më tej ajo ua dha fjalën ligjëruesve të cilën vlerësuan veprën e re të Mentor Qukut, si edhe aktin madhor të Profesor it Mustafë Dervishi. Studiuesi Nexhmi Busahti theksoi karakterin e veçantë të këtij tubimi, sepse nuk ishte një promovim rutinë i një libri të zakonshëm, por i një studimi kushtuar një biri të shquar të Shkodrës, një përfaqësuesi “par excellence” të brezit të ri të intelektualëve shqiptarë të viteve ’40, mbi të gjitha i një martiri të lirisë së atdheut. Shkrimtarja Fatbardha Saraçi (Mulleti), që e mori fjalën më pas, u ndal kryesisht në mbresat që i ka lënë leximi i librit të ri Mentor Qukut.

Studiuesi i njohur, lëvruesi i palodhur i kulturës kombëtare, shefi i sektorit të kulturës së Komunës së Ulqinit, Dr. Nail Draga, foli për punën e palodhur të autorit të veprës që promovohej, si edhe kontributet e bashkëpunimet që kishin pasur kohë më parë për ndriçimin e figurave të shquara kombëtare, si Cafo Beg Ulqini, Musfafë Dervishi etj. Vlerësime të larta bëri shkrimtari Skënder Drini për veprën e Mentor Qukut dhe për mesazhet që jep kjo vepër sot në shoqërinë shqiptare. Ai u shpreh se vrasja e nacionalistit Prof, Mustafë Dervishit ishte vrasja e nje shprese për rininë shqiptare.

Më pas e mori fjalën studiuesi dhe historian Uran Butka, i cili e vuri theksin në veprimtarinë patriotike të profesorit të ri Mustafë Dervishi në Gjimnazin e Shtetit në Shkodër, me tradita për veprimtarinë liridashëse të studentëve dhe profesorëve. Gjithashtu ai u ndal në veprimtarinë e këtij heroi në drejtimin e Qarkorit të Ballit Kombëtar të Shkodrës dhe bashkëpunimin me profesorët e njohur Safet Butka, Anton Deda, Kolë Margjini, etj. Duke folur për Prof. M.Dervishin, theksoi se ai ra si intelektual e jo si luftëtar i thjeshtë, vrasja e tij ishte goditje kundër nacionalizmit e patriotizmit shkodran e atij shqiptar në tërësi. Emri e vepra e tij do jetojë derisa të jetojë shqiptarizmi.

Me ketë rast e mori fjalën për të përshëndetur tubimin edhe kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, i cili kërkoi që rinia e sotme të mësojë nga mesazhet e heronjëve të Ballit Kombëtar si Mustafë Dervishi. Përshëndeti gjithashtu anëtari i Këshillit të Bashkisë Shkodër, Xhemal Shkjau, i cili bëri kërkesën që figura e këtij martiri duhet të nënvizohet me nderime të mëdha nga pushteti qëndror dhe ai lokal. Sipas traditës e mori fjalën edhe autori i librit Mentor Quku i cili falenderoi pjesëmarrësit, organizatorët si edhe ligjëruesit. Në fjalën e tij ai u ndal në mesazhin e veprës së tij, që është sot më aktual se kurrë, bashkimi i popullit, shëmbja e murit të urrejtjes në mes të inidividëve apo grupimeve shoqërore me pikëpamje e përkatësi të ndryshme.

Autori i veprës Mentor Quku e mbylli ligjeratën e tij me thënjen lapidare “Sa më të ndryshëm aq më të bashkuar duhet të jenë Shqiptarët”. Mbledhja promovuese dhe përkujtimore u mbyll me fjalën e vëllait të heroit Prof. Mustafë Dervishit, mësuesit në pension, Hamza Dërvishi, i cili falenderoj autorin për punën e realizuar si çdoherë me perkushtim që eshtë nje gur në themelin e murit të lavdishëm të historisë të ndërtuar me gjakun e idealistave që u vetsakrifikuan për mëmëdheun. Jeta dhe vepra e Prof.Mustafë Dervishit nuk duhet vetëm të perkujtohet por dhe të ndiqet nga brezi i ri, të shërbejë si frymëzim që demokracinë e vërtetë ta ndërtojme me vepra e të jemi të ndërgjegjshem që vetëm ne mund ta bejmë siç duhet. Së fundi të gjithë pjesëmarrësit morën si dhuratë librin e sapopromovuar.

Prof. Mentor Quku i perket atyre njerzeve qe dine te bajne pa vdeksin, veprat e prof M. Qukut kane gjetur lexueshmeri deri ne SHBA e kudo tjeter.
Prof.Mentori tregoje aktin human te nji njeriu me mendje dhe zemer te madhe,te gjithe te pranishemve ju beri dhurat nga nji kopje te librit ma te ri,I cili u promovue ne qytetin e Shkodres.

Gjin Musa, ish nxanes i prof. Mentor Qukut