Prokuroria: 21 janari s’ishte grusht shteti, dosja drejt pushimit

0
21

Flamur Vezaj

Prokurorëve të kryeqytetit iu deshën pothuajse një vit kohë për të konstatuar se demonstrata e opozitës e zhvilluar më 21 Janar 2011 nuk ishte një puç shtetërore apo grusht shteti. Në përfundim të hetimeve, prokurorët kanë arritur në konkluzionin se protesta e opozitës ishte e ligjshme, e pajisur me leje nga policia lokale, dhe nuk ishte një tentativë për të rrëzuar rendin kushtetues. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të organit qendror të akuzës, sipas të cilëve Prokuroria nuk ka arritur të provojë se demonstrata e 21 Janarit kishte si synim rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga kryeministri Sali Berisha.

Përveç këtij konstatim të arritur nga organi i akuzës, edhe Policia e Shtetit nuk ka arritur të sigurojë ndonjë provë që të faktojë deklaratat e ministrave dhe kryeministrit Berisha për një grusht shteti.

Sipas të dhënave të prokurorisë, edhe pse hetimet kanë nisur prej kohësh, pritet pushimi i dosjes, për shkak se nuk është arritur të provohet se 21 Janari kishte si synim një grusht shteti. Ky përfundim i organit të akuzës dhe policisë është nxjerr pas hetimeve gati një vjeçare ku janë pyetur dhe administruar në dosje një sërë shkresash zyrtare të ndryshme, ku në asnjë provë nuk faktohet se demonstratë e 21 Janarit ishte një grusht shteti. Sipas policisë, duke iu referuar materialet të dërguar në prokurori, më datë 21 Janar 2011 nuk kishte ndonjë organizim për grusht shtetit, por vetëm një demonstratë të ligjshme, e cila kaloi në trazira duke shkatërruar pronën publike.

“Në asnjë vend të shkresës së policisë nuk përmendën viktimat e vrarë ditën e 21 Janarit 2011. Aty renditet dhunimi i rendit kushtetues, shkatërrimit të pronës private dhe shtetërore dhe sulmi ndaj efektivëve të policisë. Aty nuk përmendët as dhuna e ushtruar nga policia ndaj demonstruesve, por as vrasjet dhe plagosjet e ndodhura ditën e demonstratës”,- thuhet nga burimet e prokurorisë, duke iu referuar materialeve që policia i ka kaluar organit të akuzës.

“Nga hetimet e deri tanishme, nuk na rezulton se kemi të bëjmë me organizim të grushtit të shtetit apo “pucit” shtetëror. Nga verifikimi i kryer dhe hetimi i gjithanshëm kemi provuar se organizatorët, pra opozita, ka organizuar një demonstratë qytetare, e cila më pas ka dalë jashtë kontrollit nga individë të caktuar duke sjell edhe pasojat e vrasjes nga efektivët e Gardës së Republikës, që janë treguar jo profesionalë në detyrën e tyre”,- thuhet nga burimet pranë organit qendror të akuzës.

Dosja e gardistëve do të dërgohet në gjyq

Të njëjtat burime shpjeguan se në ditët në vazhdim dosja penale ndaj organizatorëve të demonstratës do të pushohet, ndërsa do të përfundojë në gjyq hetimi ndaj efektivëve të Gardës që qëlluan drejt turmës së demonstruesve. Përveç gardistëve në gjyq do të dërgohen edhe zyrtarë të kryeministrisë të cilët janë personat që penguan prokurorinë për zbulimin dhe identifikimin e vrasjeve duke fshirë pamjet filmike të kamerave të sigurisë mesnatën e 21 janarit 2011 duke u gdhirë mëngjesi i datës 22 janar brenda godinës së kryeministrisë. Hetuesit saktësojnë se subjekti Partia Socialiste kishte marrë leje për këtë demonstratë, ndërsa policia nuk e ka kundërshtuar. Prokuroria e cilëson se të ligjshme demonstratën nga ana organizative, ndërsa verifikimet ndaj disa deputetëve të PS-së që dyshoheshin se kishin nxitur dhunë nuk rezultuan të sakta.