Nga Mero Baze, “Faktori Plus”
Prej dje në numrin e telefonit të redaksisë së Faktor Plus kanë mbërritur mbi një mijë sms, të cilat kryesisht kërkojnë t’u verifikojmë numrin e Identitetit të kartave të tyre. Në panik janë futur sidomos emigrantët tanë në Itali dhe Greqi, të cilët u detyruan thuajse dhunshëm nga qeveria të marrin pasaportat biometrike para vitit të ri, dhe tani mund të kenë në duar një dokument të pasaktë.
Nga verifikimet që ne arritëm t’u bëjmë sms-ve dhe numrave të Kartave të Identitetit që dërguan, na rezulton se së paku 40 për qind e tyre është gabim, një shifër kjo shokuese për të cilën urojmë të mos jetë një përfaqësuese për gjithë Shqipërinë. Faktor Plus u kërkon ndjesë që nuk shërben dot si zyrë sqaruese për mijëra qytetarë të shqetësuar, por ne nxisim qytetarët t’u drejtohen zyrave të gjendjeve civile dhe Sigurimeve shoqërore për të verifikuar atë që ka ndodhur me dokumentet e tyre. Ajo që dua të theksoj sot është se qëndrimi i qeverisë pas denoncimit tonë është kriminal. Kryeministri Berisha ka urdhëruar sot gjithë zyrtarët që mund të pyeten për këtë çështje, të mos flasin dhe të mos japin asnjë shpjegim për këtë skandal. Disa zyrtarë të Sigurimeve Shoqërore dhe gjendjes civile na shpjeguan privatisht urdhrin e kryeministrit për të mos folur për medien që kërkon sqarime për një gjë të tillë.
Zyrtarë të sigurimeve shoqërore shkuan dhe më thellë duke na shpjeguar se ky skandal është kapur fillimisht prej tyre muaj më parë, por qeveria i ka detyruar të heshtin. Skandali në të vërtetë hedh në erë gjithë saktësinë e sistemit të prodhimit të dokumenteve tona të identifikimit. Edhe pse sistemi është shumë modern dhe bashkëkohor, papërgjegjshmëria në plotësimin e të dhënave, ka prodhuar një gabim josistematik, i cili mund të korrigjohet vetëm duke i rimbledhur të gjithë dokumentet e printuara gabim dhe duke u rishpërndarë të rejat. Mos prononcimi i qeverisë për këtë çështje, deri sot në pasdite, është dhe një shenjë tjetër e distancës që ka qeveria nga shqetësimet e qytetarëve shqiptarë.
Mijëra qytetarë shqiptarë, që janë alarmuar, sidomos ata që janë në emigracion, duan një përgjigje se si do të testohet dhe si do të korrigjohet ky skandal. Ne si redaksi nuk mund të zëvendësojmë detyrat e qeverisë për të sqaruar të gjithë qytetarët. Është detyrë e qeverisë të pranojë skandalin dhe ta korrigjojë atë. E dimë që kjo është një minus i madh, për seriozitetin e një administrate, e cila krekoset se ka plotësuar kushtet teknike për liberalizmin e vizave për në BE. E dimë po ashtu se kjo gjë mund të rrisë dyshimet për seriozitetin e vendit tonë në prag të liberalizmit të vizave. Por, ky skandal nuk kalon duke heshtur dhe duke e mbuluar. Ky skandal tejkalohet duke e zgjidhur problemin dhe qytetarët po presin nga qeveria që ajo ta zgjidhë atë. Gabimet e rënda në formimin e numrit të identitetit të pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit, nuk ka ardhur as nga preferenca politike dhe as nga ndonjë veprim i qëllimshëm, por nga paaftësia dhe papërgjegjshmëria e strukturave të Ministrit Lulzim Basha.
Dhe problemi duhet të zgjidhet aty ka lindur. Ekspertët thonë se skandalin mund ta kenë prodhuar tri shifrat e fundit të numrit, të cilat tregojnë renditjen e shtetasit ne regjistrin elektronik. Duke qenë se ky regjistër është i pakolauduar dhe i pasigurt, futja e duarve në të, ndoshta dhe për qëllime elektorale, mund të ketë prodhuar këtë tërmet në formulimin gabim të qindra mijëra dokumenteve të identifikimit. E përsëris se ne nuk i ndihmojmë dot më shume se kaq qytetarët. Ne thjesht po i njoftojmë se ata kanë në duar dokumente ndoshta të pasakta, dhe qeveria duhet të japë një përgjigje për këtë. Ne jemi të gatshëm të ballafaqohemi me fakte për atë që po themi. Zoti Berisha, le të na provojë se kartat nuk janë ta pasakta dhe ne jemi gati të shkojmë para drejtësisë. Po kaq i gatshëm duhet të jetë dhe për veten e tij dhe ministrat e tij që i mbron me imunitet.