Nga: ARIAN GALDINI, 12 Nentor 2010
Edhe një tjetër Progres Raport i BE-së iu shtua detyrave të shtëpisë që gjithmonë tregon zell për t’i zbatuar Shqipëria, por që në të vërtetë asnjëherë nuk i kryen si duhet, apo më keq akoma, i kryen shkel e shko, ngase gjithmonë ia marrin mendjen lodrat dhe harrakatia e politikës dhe mosmarrëveshjeve të brendshme. Kësisoj, edhe ky Progres Raport 2010 i BE-së do të ketë të njëjtin fat si të mëparshmit: lexim dhe interpretim me lëvdimet ku gjejnë fjalë, rreshta e kuadrate për mundësi vetëkënaqësie sipas rastit të dyja palët dhe krerrahje mes të cilave do të nëmet, mallkohet dhe dehumanizohet kundërshtari. Karotë dhe kërbaç për të dyja palët. Të gjithë të kënaqur, e njëkohësisht të gjithë të yshtur me argumente të reja ala europiane për kacafytje të reja politike ala shqiptare. Më tutje, koha do të bëjë të vetën, e pa as më të voglën mëdyshje, edhe ky Progres Raport 2010 do të përfundojë në arkivat e harresës, si gjithë të tjerët më parë.
Nën këtë shteg-vështrimi, e themi plot pezmati se udha dhe aspirata shqiptare për t’u bërë një ditë, një vend perëndimor si gjithë Europa, ka shumë gjasa të jetë e shenjuar nga një karakteristikë e fortë deperëndimizimi kronik me burime dhe ndikime të brendshme, por edhe me nxitje e legjitimim transnacional. Shpesh herë, këtë kaos, nxitje dhe legjitimim të çakërdisë politike të brendshme në Shqipëri e shkaktojnë vetë institucionet europiane dhe partnerët e mëdhenj ndërkombëtarë perëndimorë, të cilët kur i aviten rastit shqiptar, pësojnë zaptim të gjymtyrëve institucionale, politike, strukturore, ligjore dhe ekonomike, nga ngërçi i deperëndimizimit spontan. Kriteret dhe indikatorët mbi të cilat perëndimorët na vëzhgojnë, bashkëpunojnë apo partnerizojnë me Shqipërinë tonë janë kaq jo-domethënëse dhe kaq jo-jetësore në realitetin praktik, saqë vetvetiu takojnë më parë rënien, deformimin, jo-efektivitetin dhe zhbërjen e tyre sesa ngjizjen demokraci e liri-ndërtuese dhe ndikimin për ngritjen, inkurajimin dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Por le të bëjmë pak më shumë dritë për arsyet se përse gjykimi ynë mbërrin në këto skaje jo fort të këndshme përsiatjesh, për të cilat nuk pretendojmë kurrsesi të mbartin ndonjë vërtetësi apo vlerë më shumë sesa i takon hapësirës, dijes, informacionit, kapacitetit, përvojës dhe formimit tonë individual, personal dhe profesional. Ndërsa ne analizojmë ndryshimin e regjimit në shoqërinë shqiptare modelet konvencionale të ‘tranzicionit dhe demokracisë’ bazuar në të cilat na monitorojnë, vlerësojnë dhe gjykojnë partnerët ndërkombëtarë perëndimorë, na dëftojnë paplotshmërinë dhe pamjaftueshmërinë e tyre.
Le të themi se disa përpjekje për ta përkufizuar Shqipërinë si një ‘demokraci hibride’ apo përdorimi i ‘përcaktorëve’ të tjerë përshkrues sikundër parapëlqejmë ne: ‘protodemokraci langaraqe’ për këtë të ashtuquajtur ‘demokraci të re’, janë një hap kreativiteti i vogël përpara për të shpjeguar faktin se ndryshimi i regjimit në Shqipëri është përfundimisht përtej skemave të atyre teksteve, studimeve, raporteve ndërkombëtare dhe debateve për ‘tranzicionin dhe demokracinë’. Madje, duhet pranuar se etiketimi si një ‘demokraci hibride’ mbi të gjitha shërben si një kategori shtojcë që duket se tregon ‘një vend të jetë as demokraci e as diktaturë’ (Bunce, 2000: 723).
Nën këtë arsyetim dhe duke e përzgjedhur si fokusin tonë themelor edhe për shkak të ‘krizës me burim zgjedhjet e 28 qershorit 2009’, duhet shënuar këtu se bazuar në vëzhgimet ndër vite të partnerëve ndërkombëtarë perëndimorë, praktikat zgjedhore post-komuniste në Shqipëri janë përtej debateve të rëndomta që bëhen mbi ‘elektoralizmin’, të cilat i kualifikojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme si të nevojshme dhe të domosdoshme, porse kurrsesi si një kriter shterues i demokratizimit. E vërteta e hidhur është se zgjedhjet mund të mos kenë asnjë lidhje me demokracinë në kuptimin e garës dhe cilësisë e drejtësisë së saj, pasi në këso lloj garash elektorale shumëpartiake, porse me parti të mbyllura, detashmente militantësh, pa sistem karriere, me mbytje dhe shpërfillje të demokracisë së brendshme dhe mendimit ndryshe, rezultati elektoral ose është i paracaktuar, njohur apriori, paraprakisht, ose është thelbësisht jo fryt i vullnetit të lirë të qytetarëve dhe aspak në dobi të qytetarëve.
Në këtë kuptim, gjykimi ynë do t’i referohej më së shumti një ‘adaptimi autoritarist’ të zgjedhjeve post-komuniste në Shqipëri, duke e parë këtë si qasjen më të përshtatshme. Pikërisht vetë kriteri i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme na e përshtjellon analizën e fenomenit, madje edhe nëse ne do të bënim lëshime për të pranuar ndonjë kualifikim të ndërmjetëm sikundër bëjnë shpesh dhe vazhdimisht raportet e institucioneve perëndimore, si psh: ‘zgjedhje të lira por jo të ndershme’, apo ‘zgjedhjet shënuan një hap përpara’ apo ‘zgjedhje ku votat u numëruan keq ose shumë keq’ apo ‘zgjedhjet më të mira për Shqipërinë’ apo ‘zgjedhje ku u vunë re disa ndërhyrje dhe shtrëngesa’ apo ‘në këto zgjedhje u përdor arbitrarisht administrata publike dhe u keqpërdorën burimet e shtetit.
Aplikimi i modelit dy-dimensional të Robert Dahlit, i cili përkrah konkurrencës publike vendos edhe pjesëmarrjen si një variabël të rëndësishëm (psh. e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur), në çdo rast duket i pavlefshëm në zbatimin praktik në tranzicionin post-komunist shqiptar. Për analizat krahasimore historike të vendosjes dhe forcimit të demokracisë, roli universal i të drejtës së votës është sigurisht i pamohueshëm. Por ç’mësime duhet të nxjerrim ne këtu nga studimet e politikës post-komuniste shqiptare kur kujtojmë trashëgiminë e kohëve të shkuara, por jo shumë të largëta të mobilizimit të masave për pjesëmarrje të larta, të cilën Robert Dahl e konsideron si një ‘hegjemoni inkluzive’?
Nën sfondin e pjesëmarrjeve 99.99% në zgjedhje jo-konkurruese gjatë periudhës së Shqipërisë socialiste, kjo qasje dështon të na thotë ndonjë gjë thelbësore për modelet e aplikuara pas ndryshimit të regjimit në Shqipërinë post-komuniste. Akoma më e komplikuar bëhet çështja kur ne u qasemi skemave më ‘popullore’ të cilat e ndërlidhin pjesëmarrjen me ‘kulturën civike’, ‘kapitalin social’ (Putnam, 1993) dhe me atribute të tjera të ‘demokracive të drejta’, ngase rëndësia e tyre është shumë e dyshimtë në Shqipërinë post-komuniste, ku në çdo qelizë të shoqërisë dominon marrëdhënia suzeren-vasal. Nga ana tjetër, zhvillimet e këtyre 20 viteve në Shqipërinë post-komuniste e kanë ndryshuar negativisht kurbën e pjesëmarrjes politike në zgjedhje, por edhe përtej tyre (përjashto këtu valën e madhe të mobilizimit të masave gjatë lëvizjeve demokratike në vitet 1990 – 1992). Gjithashtu, nuk duhet të lëmë jashtë llogarisë kulturën dhe taktikat e aktivizimit politik në ditët e sotme, i cili në një masë të madhe është i trashëguar pikërisht nga e kaluara komuniste.
Pikërisht për këtë arsye, na lind dyshimi se ‘ngritja’ e pjesëmarrjes elektorale nën rreptësinë e ‘makinerisë politike’ me kushtëzimin e ‘mobilizimit administrativ të masave’ (kuptimi i këtij termi në mendjen tonë është i dykahshëm ngase, së pari nënkupton angazhimin strukturor të partive për të ‘joshur dhe përcjellë’ votuesit deri në kutitë e votimit; dhe së dyti, me këtë term nënkuptohet qartazi, pjesëmarrja e administratës publike në fushata elektorale, ofrimi dhe premtimi për vende pune në administratën publike, përdorimi i administratës dhe shtetit për qëllime elektorale, etj) njëlloj si dikur bëhej nën kontrollin e Partisë së Punës pa asnjë diskutim dhe përfundimisht cenon dhe gjymton ‘kulturën civike’ të pjesëmarrjes. Marrëdhëniet e shkëmbimit të votës me favore, punë, para apo burime, që vihen re rëndom në Shqipërinë e re post-komuniste, madje janë edhe vazhdimisht të pasqyruara në media dhe në Raportet Ndërkombëtare, kanë shumë pak të përbashkët me ‘kulturën civike’ edhe pse mund të duket në shikim të parë sikur kanë ndonjë grimë afrie për shkak të ligjërimit.
P.sh., bazuar në Raportin e fundit për Shoqërinë Civile të publikuar në 5 korrik 2010 nga IDM – Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, mund të flasim për një ‘histori suksesi’ të demokratizimit në Shqipëri nga pikëpamja e aktivitetit publik të shoqatave dhe organizatave jo-fitimprurëse dhe jo-qeveritare (në kuptimin e numrit të madh të këtyre organizatave ‘per capita’ në vendin tonë). E nëse do të hedhim sytë tek një studim i Putnamit për Italinë, numri i madh i organizatave dhe i shoqatave në Shqipërinë post-komuniste është i krahasueshëm me vetë ‘përfshirjen e lartë civike’ në Italinë e Veriut (jo në atë të Jugut).
Me vlerësim për këto zhvillime si një shenjë e qartë ‘kulture civike’, sidoqoftë duhet të themi se asgjë nuk i ka penguar Grupet e Partitë Politike që të zhvillojnë në mënyrë të përsëritur zgjedhje në dukje, normë dhe formë konkurruese, por që në fund të lojës, pala e humbur të kontestojë rezultatin dhe deklarojë manipulimin dhe vjedhjen e votave. Në gjykimin tonë të krijohet përshtypja se me kalimin e viteve në vend që të dallojmë përmirësim të parametrave, standardeve dhe indikatorëve demokratikë, ka ndodhur që e keqja është bërë simetrike. Nga regjimi monist, komunist, ku mbizotëronte vetëm Partia e Punës, në ditët e sotme, lehtësisht dallohet zaptimi i të gjitha hapësirave publike, ekonomike, mediatike dhe kulturore kryesisht, thelbësisht dhe masivisht nga dy Partitë e mëdha, PD dhe PS, të cilat kanë krijuar një ‘sistem bi-monist’.
Në mungesë të konkurrentëve realë dhe të dukshëm, këto dy parti fitojnë apo humbasin zgjedhjet reciprokisht sipas rastit dhe ndonëse pala fituese i merr të gjitha dhe pala humbëse bëhet kontestuese kronike e rezultatit të zgjedhjeve, në çdo rast organizatat dhe shoqatat e shumta jo-fitimprurëse dhe jo-qeveritare e kanë mbështetur plotësisht dhe shpesh herë ushqyer dhe mbrojtur këtë sistem, përkundër ‘kulturës civike’ që duhej të përfaqësonin si parim. Në fakt ‘kultura civike’ në Shqipërinë post-komuniste do ta ketë të vështirë të mbërrihet, së paku derisa të marrë jetë një autonomi thelbësore e aktorëve politikë dhe socialë, vis-à-vis shteti dhe gjithë të tjerët.
Ende sjelljet e masës në Shqipërinë post-komuniste janë të varura, madje të përcaktuara e mbizotëruara nga segmente të ndryshme të elitave. Kështu që ‘shoqëria civile’ në kuptimin e teorive normative të demokracisë, është ekzistente (apo inekzistente) në atë masë që elitat e lejojnë atë të jetë. E panevojshme të themi se kritikat e mësipërme të modeleve të demokracisë janë të lidhura jo me ‘sforcimin e tyre konceptual’ si të tilla, por me kapacitetin e tyre të vogël për të na bërë dallime që kanë vlerë për analizën e politikës në Shqipërinë post-komuniste. Nëse ndjekim linjën e tipologjisë së Dahlit për regjimet politike, mund të mbërrijmë në konkluzionin se Shqipëria pas viteve 1990, është transformuar nga ‘hegjemoni inkluzive’ në ‘oligarki konkurruese’.