Prognoza dhe përgjegjësia teknike

0
43

Rexhep Meidani

Rexhep Meidani, 14.01.2010

Në shumë dalje, sa publike po aq dhe zyrtare, prognoza për nivelin e përmbytjeve në zonën veriore është lidhur kryesisht me vetë prognozën e motit apo të vetë nivelit të reshjeve.

Ndryshe, nga deklarimet fillestare me ngrohje globale! Bile, shumë më shpesh, me një shqetësim apo “humor” shumë të afërt me atë të parashikimit satelitor apo të leximeve kompjuterike të tij.

Por, e gjitha kjo nuk mjafton. Aq më tepër, nga shkalla e lartë e dëmtimit material, intensifikimi i masave konkrete për të përballuar përmbytjet aktuale dhe pasojat e mëtejshme të tyre bëhet shumë më i mprehtë me lëvizshmërinë e përditshme të parashikimit të motit. Kjo lëvizshmëri e tillë flet për një mungesë të qartë të stabilitetit të këtij moti edhe në ditët pasuese.

Parë me këtë sy, më shumë se besimit të parashikimit satelitor, u duhet kushtuar vëmendje kryesore mobilizimit të njerëzve, angazhimit të gjitha strukturave shtetërore e të shoqërisë civile apo futjes në përdorim të gjerë, krahas dhurimeve e solidaritetit material, edhe e burimeve materiale shtesë jo vetëm për njerëzit, por dhe bagëtitë.

Dhe aspak ndonjë “teatri” politik apo ndonjë ngjyrosje partiake të tij. Kjo vlen jo vetëm për ditët e sotme, por edhe për ditët e ardhshme. Dhe, mbi të gjitha, për të qenë të pavarur ndaj “parashikimeve” satelitore apo atyre të shenjave natyrore mbi motin dhe ecurinë e tij…

Për këtë pasiguri parashikimore flet dhe historia e mëposhtme: Ishte vjeshtë kur, në një nga rezervatet, indianët pyetën shefin e tyre të ri nëse dimri pritej i butë apo i ashpër. Si një shef i ri (në një shoqëri moderne) ai nuk i njihte fare sekretet e vjetra me vrojtime qielli apo ndjekje shenjash natyrore.

Megjithatë, për të mos dhënë veten, ai iu përgjigj popullit të tribusë se dimri pritej të ishte i ftohtë, prandaj të merreshin të gjitha masat e nevojshme, sidomos ato për mbledhjen e drurëve të pyllit. Gjithashtu, duke qenë njeri i drejtë dhe drejtues praktik, ai, pas gjetjes së adresës, i telefonoi shërbimit meteorologjik kombëtar.

Në përgjigje të pyetjes së zërit në anën tjetër të telefonit, meteorologu i shërbimit tha: “Duket që ky dimër do të jetë i ftohtë.” Me marrjen e kësaj përgjigjeje, shefi i tribusë e rimblodhi tribunë dhe e përforcoi thirrjen ndaj njerëzve të tij, sidomos për mbledhjen e drurëve në pyll.

Për të qenë brenda, pas një jave, ai i telefonoi përsëri shërbimit meteorologjik. Por, kësaj radhe, pyetja e tij ishte më e “orientuar”: “A do të jetë ky dimër një dimër shumë i ftohtë?” “Po – u përgjigj meteorologu – do të jetë shumë i ftohtë”.

Tashmë, akoma, më i bindur, shefi i indianëve mblodhi përsëri popullin e rezervatit dhe e urdhëroi atë prerë që për të përballuar të ftohtin e madh të mblidhte gjithçka në pyll, përfshirë dhe shkarpat për ngrohje.

Pas dy javësh, ai i telefoni përsëri shërbimit meteorologjik dhe pyeti: “A jeni absolutisht të sigurt që ky dimër do të jetë tepër i ftohtë?”. ”

Absolutisht – u përgjigj meteorologu – ky dimër do të jetë një nga më të ftohtët në vite.” “Por, pse jeni kaq të sigurt?”- pyeti indiani. Meteorologu, duke theksuar më fort fjalët e thëna më parë, shtoi: “Po, sepse flitet që indianët po mbledhin dru në pyll si të çmendur!”…

Në fakt, prognoza është e rëndësishme, për aq kohë sa është prognozë! Bile, pa dyshim, në raste të veçanta, në parapritje të situatave kritike, ajo ka dhe vlera preventive e menaxhuese, materiale e monetare.

Veçse, për çdo rast, kërkohet një skemë konkrete vlerash e udhëzimesh, një sistem rregullator i hartuar dhe miratuar, transparent për të gjithë, një disiplinë e përditshme teknologjike, një gatishmëri e vetëdije qytetare, dhe mbi të gjitha një vendimmarrje shkencore e profesionale, pa ndërthurje fryrjesh individuale e emocionesh partiake, aq më pak urdhrash apo komandimesh politike.

Çuditërisht, këto ditët e fundit, nga daljet e shpeshta publike të disa personave publikë kryesorë, kritika e akuzimi është fokusuar thjesht e vetëm mbi këta persona kryesorë, ndërkohë që një llogaridhënie bazike duhet të kërkohet pikërisht nga ajo pjesë profesionale, që, sipas skemës rregullatore, është hallka kryesore e vendimmarrjes gati-gati absolute.

Pra, praktikisht, kjo vendimmarrje, në situata kritike e parakritike, u takon kësaj strukture tepër teknike dhe profesionale. Për më tepër, ata duhet të paguhen, qoftë dhe sado pak, për këtë punë.

Dhe, mbi të gjitha, për aq kohë që e kanë pranuar një detyrë të tillë, nuk mund të justifikohen fare në mosveprimin e tyre me çfarëdo urdhri apo komande zyrash politike, qofshin ato dhe kryeministrore! Ky duhet të ishte thelbi i gjykimit politik e juridik në një sistem pluralist e demokratik (krejt ndryshe nga ai i sistemit monist)!

Pra, dhe i procesit të investigimit e procedimit. Dhe, jo të flas nëpër ekrane kjo kategori specialistësh sikur nuk ka fare përgjegjësi, sikur po bezdiset si kot me pyetje gazetareske.

Bile, duke nënkuptuar me sjelljen dhe reagimin e tyre që gabimet të kërkoheshin vetëm në nivele të tjera, pra në ata politike. Në këtë “orientim” të tyre është “familjarizuar” në daljet e veta edhe PS-ja, duke kërkuar me mjaft retorikë si dorëheqje ministri, ashtu dhe kryeministri! Deri dhe duke i bërë thirrje prokurorisë!

Pra, me analizë ose pa më të voglën analizë, me orientim ose pa më të voglin orientim, këtë gabim po bëjnë në ditët e sotme, një mori drejtuesish socialistë (si në mënyrë të drejtpërdrejtë ashtu dhe nëpërmjet zëdhënësish e zëdhënësesh), duke lënë fare në harresë strukturat teknike, ligjërisht vendimmarrëse, detyrimet e këtyre të fundit për situatën aktuale.

Sepse, pa kuptuar mirë edhe përgjegjësitë teknike (krahas atyre politike) të specialistëve, të përfshirë apo emëruar në detyra shtetërore, dhe dhënies së llogarisë konkrete, administrative e ligjore, për këto detyra, mund të “vegjetohet”, por jo të qeveriset në mënyrë normale. Aq më pak në shmangien e suksesshme të krizave të mundshme të ardhshme…