
Ardian Vehbiu, 22.06.2010
Pas një debati në “Shekulli” mbi rolin e intelektualit
Pak ditë më parë në “Shekulli”, Shinasi A. Rama, duke iu përgjigjur një kritike të Bledar H. Priftit, jep edhe disa mendime në lidhje me përkufizimin dhe rolin e intelektualit publik.
Meqë jam marrë edhe vetë me këtë çështje, madje më shumë se një herë, më duket me interes të komentoj disa pika të artikullit të Ramës, të cilat lidhen drejtpërdrejt me të.
Ndoshta ky do të ishte edhe rasti për të sqaruar disa aspekte të figurës së intelektualit në shoqërinë e sotme, të paktën shqiptare dhe të rolit të tij publik.
1. Në emër të kujt flet intelektuali?
Sh. Rama thotë, pak a shumë, se intelektuali mban parasysh të mirën “e grupit të cilit i përket.” Po cilit grup tamam? Individi në shoqëri u përket shumë grupeve njëkohësisht: fisit të vet, komunitetit të pallatit ose lagjes ku banon, institucionit ku punon, fshatit të gruas, sindikatës, një partie politike, një lozhe masonike, këshillit të koleksionistëve të fluturave, një komuniteti virtual në Internet, klubit të gjuetarëve, e kështu me radhë.
Prandaj, për mendimin tim, intelektuali është i tillë vetëm kur i kapërcen interesat (ose “të mirën”) e grupit të cilit i përket, për të folur si tribun ose përfaqësues i interesit publik.
2. Intelektuali dhe eksperti
Sh. Rama nuk duket t’i japë ndonjë peshë dallimit të intelektualit nga eksperti; sa kohë që mjaftohet ta cilësojë të parin si “ekspert të dijes në një fushë të caktuar”, standardi i gjykimit të të cilit është “thelbësisht teknokratik”.
Dëshira për të theksuar nevojën e pavarësisë së intelektualit nga partitë politike (që është temë kryesore në artikull), ndoshta e bën të harrojë se intelektuali dhe eksperti janë dy lloj kafshësh tepër të ndryshme mes tyre.
Në diskutimet tona këtu në blog, kemi vënë në dukje se intelektuali zakonisht flet për një çështje të caktuar, ndërsa eksperti zakonisht merret me të; sikurse kemi sqaruar se shpesh intelektuali është ai që formulon pyetjet, ndërsa eksperti ai që ofron përgjigjet në lidhje me pyetjet.
Gjithsesi, dhe pavarësisht nga objeksionet që i janë bërë këtij përkufizimi (timit dhe të Pishakut), nuk besoj se do të kundërshtojë kush faktin se dallimi mes intelektualit dhe ekspertit nuk ka të bëjë me shkallën e ekspertizës përkatëse, por me raportet e njërit dhe të tjetrit me interesin publik.
3. Shembulli i Myslym Pashajt
Myslym Pashaj, në përpjekjet e veta kundër marrëveshjes detare me Greqinë, veproi njëkohësisht si ekspert dhe si intelektual; ekspertiza që kishte në hartografi e lejoi të interpretonte aspektet teknike të marrëveshjes, por ishte zotimi publik që e vendosi në rolin e intelektualit.
Një ekspert mund të ishte mjaftuar t’i dërgonte një promemorie institucionit përkatës; por një intelektual realizohet si i tillë jo falë parametrave të ekspertizës së vet, por në masën që komunikon publikisht, qoftë me institucionet qoftë me publikun vetë.
Megjithatë, Myslym Pashajt nuk i mjafton një gjest i vetëm, sado i virtytshëm dhe i bujshëm, për t’u quajtur intelektual publik; tani për tani, ky atribut i takon vetëm gjestit vetë.
4. Ekspertiza e intelektualit
A duhet të jetë intelektuali doemos ekspert në fushën ku angazhohet publikisht? Sh. Rama beson se po; unë jam i mendimit të kundërt. Sa kohë që mbron interesat e publikut, intelektuali mund thjesht të mbështetet në opinionin e ekspertit, për të çuar përpara argumentin e vet. Këtu rolet janë të ndryshme dhe ndryshimi mes roleve ka rëndësi themelore për funksionimin e debatit publik.
Siç e ceka pak më lart, roli i ekspertit zakonisht nuk është të flasë, as t’i flasë publikut; por të veprojë, duke ofruar zgjidhje të problemeve. Një ekspert që flet për fushën e vet nuk është intelektual, por popullarizator ose mësues; një fizikan që shpjegon në televizion se çfarë është radioaktiviteti, ose një inxhinier i punëve publike, që ilustron funksionimin e rrjetit të ujërave të zeza, nuk janë intelektualë – edhe pse kryejnë një shërbim publik të vyer dhe të domosdoshëm.
Nga ana tjetër, çdo intelektual e ka një fushë ku është ekspert, por kjo ka të bëjë më shumë me aftësinë tonë, si qenie sociale, për të luajtur njëkohësisht role të ndryshme në shoqëri.
5. Horizonti i debateve
Me përkufizim, eksperti priret gjithnjë ta ngushtojë objektin e fushës së vet, sepse vetëm ashtu mund të thellohet në të dhe të kuptojë diçka më tepër, ose të marrë vesh çfarë ka që nuk shkon e të ofrojë zgjidhjen.
Me gjithë ekspertizën teorike që mund të ketë, sfidat me të cilat ndeshet zakonisht eksperti janë tepër konkrete dhe kërkojnë zgjidhje njëlloj konkrete, edhe pse kjo zgjidhje zakonisht do të arrihet përmes procesesh abstrakte të sofistikuara. Intelektuali, nga ana e vet, mund të sugjerojë edhe ai zgjidhje, nga pozitat e interesit publik; por roli i tij është më tepër të shërbejë si katalizator debatesh, rol të cilin e luan duke ndërmjetësuar midis fushave të ndryshme të ekspertizës.
Kështu, le të përfytyrojmë një person që vuan nga veshkat por nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të paguar për shërbimin e dializës as për transplantimin e veshkës; njëkohësisht, ka të birin në universitet, por nuk arrin ta ndihmojë dot me shpenzimet përkatëse; dhe më në fund është në konflikt me bankën, në lidhje me këste të papaguara të huasë që ka marrë për të blerë shtëpinë ku banon.
Ky person ka nevojë për ndihmën e mjekut ekspert urolog, të ekspertit të sigurimeve shëndetësore, të ekspertit të huave bankare dhe të një avokati ose financieri të specializuar në çështje të falimentimit; sikurse ka nevojë, sado të tërthortë, për një intelektual që të ngrejë zërin, në publik, për pafuqinë e individit përballë institucioneve, në shoqërinë përkatëse.
Nga kjo pikëpamje, intelektuali merret me çështje gjithnjë më abstrakte sesa eksperti; duke manovruar në zonat “e hirta” mes fushave të ekspertizës dhe duke synuar një vizion më të larguar të çështjeve, por vetëm për t’i rrokur këto në tërësinë e tyre dhe në marrëdhëniet me çështje të tjera, të fushave të tjera.
6. Pavarësia e intelektualit
Këtij aspekti Sh. Rama i jep rëndësi të posaçme, në kontekstin e artikullit të vet; duke theksuar nevojën që intelektuali të jetë i pavarur nga partitë politike dhe interesat partiake.
Megjithatë, e çuar në ekstrem, edhe kjo kërkesë nuk më duket se mund të përligjet, meqë pavarësia e plotë nuk mund të arrihet veçse me koston e irrelevancës, madje edhe po të realizohet ai “emigrim i vetimponuar” i intelektualit nga shoqëria, për të cilin flet autori.
Edhe sikur intelektuali t’i shpërfillë konfliktet politike dhe të distancohet prej tyre, vetë roli i tij si zëdhënës ose tribun i publikut e bën palë të këtyre konflikteve; pikëpamjet e tij do të shfrytëzohen nga forcat politike, duke u amplifikuar ose hedhur poshtë, sipas rastit.
E vërteta është që si e majta, ashtu edhe e djathta, normalisht kanë intelektualët e tyre; që kjo është vështirë të realizohet në Shqipëri, shpjegohet drejtpërdrejt me mungesën pothuajse totale të ideve në debatin politik të atjeshëm.
Mirëpo, që politika shqiptare është primitive dhe konsiston kryesisht në veprime taktike për të siguruar, mbrojtur dhe përjetësuar pushtetin e disa individëve, kjo nuk do të thotë se intelektuali shqiptar duhet të jetë i pavarur prej politikës. Jam i sigurt se edhe Sh.
Rama vetë nuk e kishte parasysh këtë implikim të tezës së tij; sepse edhe ai, si intelektual publik, është pozicionuar me qartësi të madhe në lidhje me disa probleme themelore të politikës në Shqipëri; probleme që edhe politika duhej t’i kishte vënë në fokus, por që nuk i ka vënë, për arsye burracakërie, ose ngaqë nuk u kanë shërbyer drejtpërdrejt interesave meskine të këtij ose të atij grupi.
7. Roli arketipal i intelektualit
Intelektualët vërtet kanë ardhur duke u bërë protagonistë të jetës publike gjatë shekullit XX, por roli që përmbushin në mekanizmat e komunikimit social nuk është i ri; sipas rastit, shoqëritë gjithnjë kanë pasur nevojë për zëdhënës, ndërmjetësues dhe lehtësues të marrëdhënieve midis palëve.
Historikisht, këto funksione janë përmbushur nga priftërinjtë më parë, nga mësuesit më pas; me të dy palët përfaqësues të pushtetit alternativ soft të dijes dhe të fjalës, i cili i kundërvihet pushtetit të forcës, që buron nga shteti, krahu i armatosur, ose tradita patriarkale.
Që sot kemi nevojë, para së gjithash, ta përkufizojmë intelektualin në mënyrë të tillë që ta dallojmë prej ekspertëve nga njëra anë dhe politikanëve nga ana tjetër, kjo ka të bëjë sidomos me fytyrën e shoqërive moderne, të kontrolluara nga politikanët dhe korporatat nëpërmjet kastave të ndryshme teknokratike: juristët, financierët, mjekët, siguruesit, përgjuesit, ekonomistët, programuesit, bombarduesit dhe administratorët e rrjeteve telematike.







