PROFESOR REXHEP QOSJA 78 VJET

0
62

Shkruar nga Begzad Baliu

Më 25 qershor 2014 Akademik Rexhep Qosja mbush 78 vjet. Shqiptarët, kudo janë, në Kosovë a në hapësirën shqiptare, në Europë a në hapësirën globale përgjithësisht, kanë arsye t’i gëzohen jo vetëm moshës së tij, mbi mesataren europiane, por edhe shëndetit fizik e elekuencës mendore, të cilin Profesor Qosja e dëshmon me paraqitje të shpeshta publike: në takime shkencore, kulturore dhe madje politike. Shqiptarët, për më tej, ende kanë arsye t’i gëzohen muzës së tij krijuese të gjithëkohshme, të cilën e shpreh me veprat dhe me oratorinë e shkëlqyeshme në paraqitjet e tij.

Historian i letërsisë, estet, kritik letrar, publicist, prozator e dramaturg, polemist e gojëtar, Rexhep Qosja u lind më 25 qershor 1936 në Vuthaj të Malit të Zi. Gjimnazin e mbaroi në Ivangrad, Normalen në Prishtinë, studimet posdiplomike në Beograd, ndërsa doktoratën në Prishtinë. Ishte anëtar dhe drejtues i pothuajse të gjitha institucioneve arsimore, shkencore dhe kulturore të Kosovës nga viti 1968 e këndej.

Profesor Rexhep Qosja për më shumë se 50 vjet shquhet për angazhimin e tij krijues në botën intelektuale, shkencore, arsimore dhe kulturore e politike shqiptare. Me tekstet e tij metodologjikisht antidogmatike, me gjuhën e tij polemizuese, me mendimin e tij kritik, me konceptet bashkëkohore të njohjes, fillimisht në fushë të mendimit kritik e më tej edhe mendimit kulturor, shkencor, historiko-letrar dhe politik, Rexhep Qosja, ka sjellë kurdoherë diskutime të gjera në opinionin e kohës.

Në fushë të mendimit historiko-letrar Rexhep Qosja është i njohur për sintezat e mëdha shkencore: “Historia e letërsisë shqipe” I-III, “Çështja shqiptare – historia dhe politika”, “Porosia e madhe”, traktatin “Tri mënyrat e shkrimit shqip” etj. Me këto vepra dhe me të tjera të kësaj natyre ai e ka bërë për herë të parë sintezën integrale të historisë së popullit shqiptar, të letërsisë dhe të kulturës së tij, pa ndarje kufijsh politikë, kulturorë dhe historikë, duke i parë ata si të tërë në fatet historike të Europës Juglindore dhe si një etni sociokulturore e politike e gjuhësore në zhvillimin e qytetërimit të tij. Në këtë rrjedhë, veprën e tij për më shumë se gjysmë shekulli e ka shquar koncepti antidogmatik dhe qasja moderne e metodologjisë së hulumtimit.

Profesor Rexhep Qosja shquhet për veprat letrare “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Një dashuri dhe shtatë faje”, “Nata është dita jonë“, “Bijtë e askujt” I, II, si dhe dramat e monodramat e përmbledhura në vëllimin “Mite të zhveshura” etj. Me veprat e tij letrare, të botuara ndërmjet viteve 1973-2014, ai e ka përherësuar dhuntinë e magjisë së fjalës shqipe, si dhe përmasën postmoderne të letërsisë shqipe.

Veprat e tij shquhen për gjuhën e jashtëzakonshme dhe prurjet e saj jo vetëm të natyrës fonetike e fjalëformuese, por edhe sintaksore e stilistike, një arritje kjo rrallë e shënuar në letrat shqipe. Ata që kanë lexuar projektet e tij gjithëkombëtare për institucionet shkencore në fund të viteve ’60; ata që kanë lexuar konceptet e tij për gjuhën letrare në vitet ’70; ata që kanë lexuar vlerësimet e tij për shqipen standarde dhe terminologjinë shkencore në studimet kritike dhe historiko-letrare të viteve ’80; në të vërtetë ata që e kanë lexuar veprën e tij letrare, publicistike, historike, politike, historiko-letrare dhe polemike, nuk e kanë vështirë të kuptojnë pse ai e shquan kaq shumë rëndësinë dhe vendin e gjuhës shqipe e dimensionin e saj përbashkues në jetën e popullit shqiptar.

Për më tej, ata që e kanë lexuar me kujdes pasurinë leksikore dhe kuptimore të fjalësit të tij, nuk e kanë të vështirë të shohin se pasuria e gjuhës shqipe nuk vjen vetëm prej një dialekti a një dialekti tjetër, por edhe prej dhuntisë së krijuesit për të pasuruar gjuhën e tij me fjalë, nocione, terma, neologjizma apo togfjalësha të rinj. Në romanin e tij të fundit “Bijtë e askujt” gjuha shqipe flet fonetikisht, morfologjikisht, sintaktikisht, semantikisht, semiologjikisht. Flet me tingullin, me temën, me parashtesën dhe prapashtesën, me kompozitën, me togfjalëshin dhe si kurrë më parë në letrat shqipe, flet me shenjat e interpunksionit. Flet me fjalën, fjalinë, paragrafin. Në historinë e letrave shqipe zor të gjendet një vepër letrare, publicistike, historike dhe madje polemizuese, zor të gjendet një vepër, në të cilën, më parë se sa prej përmbajtjes lexuesi udhëhiqet prej gjuhës, në të vërtetë prej fjalëve terma (në studimet shkencore) dhe prej fjalëve simbole (në tekstet letrare), si në veprat e Profesor Qosjes.

Gjatë viteve të tij shkencore dhe intelektuale Profesor Rexhep Qosja është shquar në mënyrë të veçantë me përpjekjet e tij integruese në fushë të mendimit shkencor, si dhe për etikën e fjalës e të mendimit në kulturën shqiptare, në kohën kur ajo ndahej për shkaqe politike, ideologjike dhe ‘parimore’. Krijues, që nuk e ka pranuar dogmatizmin dhe folklorizimin, Profesor Qosja me kohë është çliruar prej fjalësit ideologjik dhe fjalësit krahinor, por duke qenë krijues me njohje të gjerë të traditës kombëtare dhe trashëgimisë letrare të përbotshme, ai ka ditur t’i bëj të përdorshme vlerat historike dhe mitike nacionale si vlerat estetike universale.

Kështu, në vitet ’70 ai është shquar për përpjekjen e tij që kulturën shqiptare ta paraqes si pjesë integrale dhe të natyrshme të kulturës europiane, sado kjo përpjekje e ka vënë në konflikt me regjimin e ideologjizuar të institucioneve politike dhe shkencore të Tiranës; në vitet ’80, Rexhep Qosja e ka mbrojtur me këmbëngulje përbërësin europian të qytetërimit shqiptar, sado kjo e ka vënë në konflikt me institucionet politike dhe shkencore të Beogradit; ndërsa në vitin 1981, ai u bë pjesë e lëvizjes së madhe kombëtare në mbrojtjen politike, fizike dhe qytetare të popullatës shqiptare në Kosovë nga gjenocidi i politikës së Beogradit, duke u bërë edhe bardi moral e intelektual i saj. Në këtë periudhë, me fjalën e tij në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë në Novi Sad, ai përfundimisht e ka bërë dejugosllavizimin e mendimit shqiptar.

Në vitet ’90, kur zëra të caktuar filluan të shquajnë karakterin krahinor (të kulturës shqiptare), dialektor (të gjuhës shqipe) dhe përdallues (të religjionit të shqiptarëve), duke e shquar njërin më shumë së tjetrin dhe madje njërin kundër tjetrit, Rexhep Qosja mbrojti me guximin e tij intelektual pasurinë universale të qytetërimit shqiptar, pa dalluar prejardhjen Perëndimore, Lindore a Bizantine të tij.

Ditëlindjen e 78 të tij Profesor Rexhep Qosja po e shënon me një projekt të madh, ditarin “Dëshmitar në kohë historike (1966-2914), I-IX, që në një mënyrë a një tjetër do të jetë projekti përbashkues i përvojës së tij jetësore: mendore, letrare, kulturore, historike, gjuhësore, politike etj. Nëse kompleti i tij i botuar vitet e fundit përfshinte kontributin e tij në studimet historiko-letrare, letrare, historike-dokumentare dhe polemizuese, në këtë projekt të madh është përfshirë një fushë tjetër, po kaq e çmueshme dhe e munguar në jetën tonë: ditari. Kjo është edhe arsyeja pse ditëlindjes së tij, të 78, pritet t’i gëzohen lexues të shumtë, kryesisht të brezit të mesëm dhe të ri, dhe prej përmbajtjes së tij pritet të shqetësohen më shumë disa të tjerë, bashkëkohës të tij. Pasi ka botuar disa nga veprat e tij, në 29 vëllime, në këtë moshë, Profesor Qosja ka hapur siparin e botimit të ditarit të tij në nëntë vëllime, që bashkë me tri vëllime të botuara më parë, në variantin e tanishëm përmblidhet në 12 vëllime.

Në biografinë e Profesor Rexhep Qosjes, që nga viti 1968 e deri më sot, është vështirë të gjendet qoftë edhe një vepër e vetme, e cila nuk ka gëzuar dhe nuk ka shqetësuar bashkëkohësit e tij. E si të mos jetë kështu edhe me ditarin e tij, që përfaqëson sigurisht ngjarjen më të rëndësishme në jetën kulturore, letrare dhe shkencore të dekadave të fundit. Dhe pse të mos thuhet kështu, pavarësisht se deri më tani janë botuar vetëm dy vëllimet, përkatësisht pesë vëllimet e para të tij.

Profesor Qosja është intelektuali që për më shumë se një gjysmë shekulli pandërprerë ka qenë i pranishëm pothuajse në të gjitha institucionet më të larta shkencore, akademike dhe kulturore. Ai ka qenë i pranishëm dhe faktor me ndikim në disa nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore, shkencore dhe politike të hapësirës shqiptare, a të Europës, të lidhura ngushtë me fatet shqiptare dhe të rajonit, prandaj është e kuptueshme pse ditari i tij 9-12 vëllimesh me titull “Dëshmitarë në kohë historike” pritet të jetë jo vetëm një ditarë personal i tij, por edhe një histori politike, kulturore dhe intelektuale e gjysmës së dytë të shekullit XX dhe dekadave të para të shekullit XXI.

Prej dy vëllimeve të para, ndërkaq, nuk është vështirë të shihet se në shumë aspekte ky ditar tejkalon modelet e një ditari. Për shkak se në këto vëllim, shpesh skajshëm përjashtohen fatet individual dhe familjare të tij, ato mund të lexohen si vëllime shënimesh të ngjarjeve më të rëndësishme të kohës, që më shumë se me të kanë të bëjnë me institucionet apo ngjarjet kombëtare, ato mund të lexohen si vëllime esesh, të botuara dikur në vëllimin “Fjalor demokratik”, si vëllim trajtesash të përmbledhura dikur në vëllimin “Anatomia e kulturës”, apo si vëllim trajtesash dhe intervistash të përmbledhura dikur në vëllimin “Nocione të reja albanologjike” etj. Mirëpo, Profesor Qosja ndërkaq thotë se ditarin e tij e ka menduar si një enciklopedi.

Dergoi per botim: Gjin Musa