Profesor-Doktorët e Shqipërisë

0
90


Bledar H. Prifti, 02.08.2011

Shumkush mund të ketë lexuar këto ditë një shkrim të Doktor Kastriot Islamit në lidhje me situatën aktuale që po kalon politika Shqiptare. Sa për dijeni për publikun, Doktor Islami është nga ata që e konsiderojnë veten “socialist të vërtetë”, si Ylli Manjani, Artur Zheji, dhe Ilir Meta (të gjithë aspirant për “Doktor”). Doktor Islami është ai deputeti i Partisë Socialiste që, ashtu si Doktor Rexhep Meidani, kishte studiuar për fizikë atomike dhe molekulare. Dikur, Doktor Islami deklaronte hapur se si fizikant ai nuk mund të kryente dot detyrën e Ministrit të Financave. Nuk vonoi shumë, punë ditësh, dhe Doktor Islami, për ironi të fatit, emërohet Ministër i Financave në Shkurt 2002. Besoj se ju kujtohet kjo ndodhi pasi është e paharrueshme për cilindo.

Për më shumë, në zgjedhjet e kaluara, populli i Mallakastrës nuk e donte Doktor Islamin të garonte për deputet të Kuvendit të Shqipërisë sepse e konsideronte Doktor Islamin “shumë të ditur” dhe “shumë të kualifikuar” për t’i shërbyer dhe mbrojtur interesat e popullit Mallakastriot. Jo më kot Doktor Islami deklaronte kohë më parë se “Mallakastriotët do tia jepnin atij votën edhe sikur të varte xhaketën tek rrapi.” Kjo e detyroi Edi Ramën që ta caktonte Doktor Islamin në krye të listës për qarkun e Tiranës dhe si drejtues të reformës zgjedhore që u krye me konsensus nga PD dhe PS. Përsëri, jo më kot Doktor Islami do të reagonte vjet mes socialistëve të Fierit se “Mallakastriotët ‘i vranë barkun’ pasi tani do të bëj fushatë elektorale në mes të Tiranës dhe jo të endem fshatrave të Mallakastrës”.

Por le t’i kthehemi shkrimit të tij. Në atë shkrim, Doktor Islami, ndër të tjerash, i jep përgjigje disa pyetjeve në lidhje me konceptin e Berishës mbi puçin dhe vlerësimin e figurave politike si Doktor Berisha, Doktor Nano, dhe Edi Rama. Në lidhje me konceptin e puçit të hedhur rishtazi nga Doktor Berisha, Doktor Islami përgjigjet:
“Është vështirë që një situatë irracionale si kjo që ka dy vjet që zhvillohet, të analizohet racionalisht, aq më tepër që e gjithë kjo është e sajuar dhe nuk ka asnjë bazë reale, por thjesht ka në themel luftën për pushtet. Prandaj gjykoj se kjo mund të zgjidhej vetëm përmes caktimit të pesë “vijave të kuqe”: 1) JO BOJKOT TË KUVENDIT, 2) JO BOJKOT TË ZGJEDHJEVE, 3) JO PROTESTA TË DHUNSHME, 4) JO ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME DHE 5) JO HETIM POLITIK.”

Ashtu siç mund të kuptohet nga të gjithë, Doktor Islami nuk i përgjigjet pyetjes së gazetarit dhe jep një përgjigje që nuk ka lidhje as me konceptin “puç” të Doktor Berishës, as me irracionalitetin, as me racionalitetin ,dhe as me ndonjë princip të teorisë së zgjedhjes rracionale. Është e vështirë të kuptohet se si një “socialist i vërtet” si Doktor Islami e ka të vështirë të përkufizoi “puçin” e Doktor Berishës në një kohë kur kuç e maç e kanë kuptuar këtë lajthitje/lojë e cila përdoret për të larguar vëmëndjen nga vrasjet dhe përgjegjësitë qeveritare të 21 Janarit. Aq me e pakuptimtë bëhet kjo kur Doktor Islami nuk jep të paktën as përkufizimin akademik të konceptit “puç”.

Nuk e di nëse kjo vjen nga fakti se ai është Doktor i fizikës atomike e molekulare apo nga ajo që nuk ka lexuar disa libra në lidhje me “puçet” dhe demokracinë. Të vjen për tu çuditur se si Doktor Islamit nuk i bëjnë përshtypje bllokimi diktatorial i gjashtë mandate-ndalimit të lëshuara nga Prokurorja e Republikës në lidhje me vrasjet e 21 Janarit, konsiderimi nga ana e Doktor Berishës se Presidenti i Republikës, Kryeprokurorja, shefi i shërbimeve të inteligjencës, dhe katër gazetarët, Mero Baze, Filip Cakuli, Sokol Balla, dhe Andi Bushati janë pjestarë të grushtit të shtetit. Është vërtet çuditërisht e çuditshme, sidomos kur ky gabim bëhet nga një Doktor Profesor i Shkencave si Doktor Profesor Islami!

Por le ta mbyllim me “puçin” e Doktor Berishës dhe të vazhdojmë me vlerësimin që ka Doktor Islami për figurën politike të Doktor Berishës, Doktor Nanos, dhe Edi Ramës. Disa nga ju do të donin që Doktor Islami të përfshinte në vlerësimin edhe figurën e Ilir Metës, sidomos pas deklaratës së Doktor Nanos se ai ishte shoferi personal i Ilir Metës. Por ja që nuk e ka bërë, dhe ky veprim mund të ketë dy arsye kryesore.

Disa mund të hamëndësojnë dhe të thonë se Doktor Islami “se ha atë koqe ulliri” dhe të dalë “zbuluar” pasi videoja e publikuar në media, dhe që tregonte Ilir Metën duke ndarë mes klanit të tij plaçkën e e “luftës” së post-28 Qershorit, do t’i kujtonte të gjithvë ato blloqet e gjëra dhe të gjata ku sot shkruajn emrin mijëra Shqiptarë që nuk kanë lekë për të blerë as bukën e gojës. Ka edhe diçka tjetër që e shqetëson dhe e frenon Doktor Islamin. Në mëndjen e Doktor Islamit, Ilir Meta dhe organizata e tij janë e vetmja mundësi e ngelur për të mashtruar bazën socialiste dhe për të bërë të mundur triumfin e Doktor Berishës dhe Doktor Nanos ashtu si në 2005-ën dhe 2009-ën. Për Doktor Islamin organizata LSI duhet mbajtur gjallë me çdo kusht duke e furnizuar në raste krize me mercenarë si Tavo dhe Manjani. Mercenarët janë të parët në lëvizje; gjenerali/mbreti lëviz kur i vjen fundi lojës ose gjeneralit/mbretit.

Por çfarë thotë Doktor Islami për Doktor Berishën dhe Doktor Nanon? Sipas Doktor Islamit, dhe i vënë kaq në vështirësi nga pyetja e gazetarit, ai do të jetë “qëllimisht lakonik dhe implicit për të mos i ngritur ‘tabelën asnjë mediokri që mezi pret të më etiketojë apo të më sulmojë si pro apo kundër këtij apo atij thjesht se është i kënaqur apo i pakënaqur nga qëndrimet e mia’.” Dhe në këtë vazhdën lakonike dhe implicite, Doktor Islami vazhdon vlerësimin e tij. Doktor Islami i konsideron Doktor Nanon dhe Doktor Berishën, në radhë të parë, si individë ekspertë me grada shkencore Doktorë e Profesorë, pavarësisht se për Doktor Nanon deklaron se e ka marrë gradën me zotësi dhe ka qënë dhe mbetet ekspert kurse për Doktor Berishën nuk e shpreh këtë gjë. Cudi vërtet! Sipas Doktor Islamit, Doktor Berisha dhe Doktor Nano janë udhheqsit historikë dhe të vetmit të partive respektive, dhe që të dy janë “WINER”, fitues, në karakter.

Sipas Doktor Islamit, ndryshimi midis Doktor Berishës dhe Doktor Nanos është se i pari është autoritar dhe përjashtues dhe nuk largohet edhe kur humbet. Nga ana tjetër, i dyti, Doktor Nano, është liberal dhe jo-përjashtues, dhe që largohet kur humbet garat elektorale. Është e vërtet se Doktor Berisha, që nga 1990 e këtej, ka përjashtuar qindra figura me vlerë të së djathtës dhe politikës Shqiptare.

Por gjithashtu është e vërtetë se Partia Socialiste “u bë lesh e li” nën drejtimin e Doktor Nanos deri në atë pikë sa e majta u bë “kashtë e k.qe”, apo “si këmbët e dhisë”, ku nuk e merrte më vesh i pari të dytin. Ishte nën drejtimin e Doktor Nanos që, intelektualë më me zë të PS-së talleshin dhe përçmoheshin publikisht nga ai, brënda dhe jashtë PS-së. Ishte nën drejtimin e Doktor Nanos që pushteti fitohej nga zemrat e socialistëve të thjeshtë dhe ndahej nga Doktor Nano me duart e kusarëve dhe matrapazëve të klanit të tij që nuk kishin asnjë lidhje me socialistët dhe popullin e thjeshtë.

Ishte nën drejtimin e Doktor Nanos që Petro Koci dhe të tjerë konsideruan formimin e grupeve të ndryshme antagoniste që e dobësonin edhe më tej PS-në. Ishte nën drejtimin e Doktor Nanos që Partia Socialiste u shpërbë keqazi dhe u degjenerua deri në atë pikë sa mijëra intelektualë, drejtues, dhe socialist të thjeshtë u larguan nga PS për të rënë viktimë e organizatës LSI të ideuar nga Sali Berisha dhe të implementuar nga Ilir Meta dhe Dritan Prifti. Për të gjitha çka paraqita më sipër, është injorancë dhe mediokritet të flasësh për një Doktor Nano liberal dhe jo-përjashtues.

Ndaj mund të themi të bindur se largimet dhe përjashtimet në PS nuk janë një fenomen i ri i krijuar nga Edi Rama. Fenomeni i largimeve nuk ka ndryshuar, por ka ndryshuar arsyeja se përse bëhen largimet. Ka ndryshuar gjithashtu edhe propaganda djallëzore e pushtetit njëzetvjeçarë për ta portretizuar Ramën si një udhëheqës autokrat dhe përjashtues. Nëse dje largoheshin për shkak të Ilir Metës dhe Doktor Nanos, sot largohen për inat të Edi Ramës dhe për interesa të Doktor Berishës, Doktor Nanon, dhe Ilir Metës, por në asnjë rast për interesat e socialistëve të thjeshtë. Edi Rama është thjeshtë një aktorë/faktorë politik i paparashikuar më parë dhe që prishi kurthin politik që treshja Berisha-Nano-Meta i kishin ngritur këtij populli prej njëzet vitesh. Injoranca dhe mediokriteti arrin kulmin kur shikon se si Doktor Nano dhe Doktor Berisha janë sot bashkë edhe me atë që finalizoi përçarjen e PS-së në 2004, Ilir Metën. Cfarë e bëri Metën të bashkohej në 2004 me Doktor Berishën, dhe çfarë e bëri Metën dhe Doktor Nanon të bashkoheshin sot me Doktor Berishën kundër Edi Ramës?

Por çfarë deklaroi Doktor Islami për liderin socialist, Edi Rama? Në përmbledhje, për Doktor Islamin, Edi Rama është i njëjtë me Sali Berishën. Nuk duhet të habiteni më këtë deklaratë të Doktor Islamit. Strategjia e njëhsimit të Edi Ramës me Sali Berishën është një strategji e mirdetajuar nga Doktor Berisha dhe Doktor Nano, dhe e propaganduar fuqishëm në media dhe në opinionin publik përmes hafijeve dhe mercenarëve të pushtetit. Jo më kot dëgjojmë sot edhe “demokratë të flakët”, intelektualë, dhe mercenarë të pushtetit të deklarojnë me shumë zell se Edi Rama dhe Doktor Berisha janë njëlloj. E thonë këtë më shumë entuziazëm dhe kënaqësi. A nuk ju duket e çuditshme? Kjo strategji ka dy qëllime kryesore: (1) përmes njëhsimit të Ramës me Doktor Berishën, pushteti kërkon të ruaj “status quo”-në e tij duke e bërë popullin të besojë përmes mashtrimit se nuk ka alternativë tjetër më të mirë se pushteti aktual, dhe (2) të krijoi dhe legjitimoj shumë problem të paqëna brenda së majtës dhe kampit socialist me qëllim për t’i dhënë zë/”arsye” elementëve si Doktor Islami e kompani.

Përveç atyre që theksuam më lartë, Doktor Islami, në vlersimin e tij për Edi Ramën, deklaron se “Rama njihet si piktor dhe pak si basketbollist (ky nuk është vlerësimi im por këto janë cilësime të këshilltarëve aktualë më të ngushtë dikur kundërshtarë për vdekje). Nuk ka fituar asnjë titull shkencor dhe e quan budallallëk një tentativë të tillë.” Shikoni me kujdes se si gjatë shkrimit Doktor Islami thekson forte rëndësinë e titujve akademikë”. Këtë gjë e ka bërë edhe më parë kur theksonte se politikës i duhen njërëz më tituj akademik. Po po, ka të drejtë Doktor Islami pasi edhe Mahmud Ahmadinejad i Iranit është Profesor-Doktor. “Fatkeqësi” ka qënë dhe është për Shtetet e Bashkuara dje kur Bill Klinton dhe dhjetra president Amerikanë që e prinë atë dhe sot Barak Obama nuk kanë gradën shkencore Profesor-Doktor, aq me keq kur kjo gradë shkencore nuk është për mjeksi apo fizikë atomike dhe molekulare.

Ne Shqiptarët kemi qënë dhe jemi me “fat”. “Fati” na ka ndjekur ngahera në çdo hap të historisë! Kemi në drejtim pushtetarë me grada shkencore. Ajo që i bashkon këta pushtetarë është fakti se gradat shkencore janë marrë në kohën e regjimit komunist. Jemi me “fat” pasi pas rënies së komunizmit kemi pasur për njëzet vjet në drejtim Profesor-Doktor Sali Berishën dhe Fatos Nanon. Ndaj këta dhe mbështetësit e tyre mund të kënaqen me faktin se Shqipëria jonë është vendi i këtyre soj Profesor-Doktorëve. Këtij i thonë fat, pavarësisht se fati mund të jetë i bardhë ose i zi!