Prof. Petër Prifti (1924-2010) gjithë jetën ia kushtoi fushës së letrave dhe historisë shqiptare

0
52

In memoriam

Tomë Mrijaj, New York

Sikurse shumë emigrant të tjerë ekonomik shqiptarë nga Shqipëria e Jugut, që u vendosën në Amerikë, gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe më saktë në vitin 1940 Peter-i i vogël në moshën 15 vjeçare me babain dhe vëllanë e madh u vendosën në fillim në Philadelphia, dhe më pas në Pennsylvania. Këtu ai kaloi një pjesë të rinisë deri sa vendoset në Boston, ku gjeti një vatër të ngrohtë atdhedashurie të themeluar nën kujdesin e Imzot Fan Stilian Nolit Peshkop i Kryekishës Orthodokse të “Shën Gjergji” (1908) dhe publicistin e shquar dhe burrin e madh të kombit tonë Faik Konica.

Por nga ana e tjëtër Profesori nuk la mbas dore edhe shkollimin e tij në nivelin më të lartë. Në vitin 1949 në Penn State University u diplomua në degën “Arts & Letters”.

Njohja me Peshkop Nolin, me sa duket ishte edhe zanafilla e fillimit të një aktiviteti të madh dhe të gjërë në fushën e letrave shqipe dhe posaçërisht Prof. Prifti spikat si një studiues i shquar për historinë e komunitetit tonë në Amerikë. Noli, zbuloi tek Peter-i i ri talentin dhe pasionin e tij të fshehur ne gji, për t’iu përkushtuar studimeve shqiptare, duke e inkuadruar në ambientet e ngrohta të Federatës Panshqiptare “Vatra” (1912) në Boston, së pari si Sekretar i Federatës dhe më vonë si ndihmës redaktor në gazetën “Dielli”, me kryeredaktor Qerim Panaritin.

Qysh në vitin 1958 dhe deri sa Noli i Madh kalon në amshim ata nuk iu ndanë njeri tjetrit në gëzime dhe hidhërime brenda gjirit te komunitetit të njohur shqiptaro-amerikanë në Boston.

Prof. Prifti u dallua në organizimin e një seminari shkencoro-historik kushtuar Gjergj Kastriotit. Kështu në vitin 1960 ai, ishte sekretar i Vatrës, ku u muar me organizimin e Seminarit të Parë, mbi Studimet Shqiptare në historinë e Federatës. Themeluesi i Vatrës Noli, mori pjesë në Seminar dhe e bëri për vete ambientin përkujtimor me fjalimin që mbajti për Skënderbeun.

Prof. Prifti, gjithnjë ka bashkëpunuar me një elitë shumë të zgjedhur intelektualësh në Amerikë, të cilët i ka njohur nga afër, ku ka shkëmbyer përvojë dhe letërkëmbime, dokumente dhe dorëshkrime të rëndësishme. Të tillë ishin: Prof. Safete Juka, Prof. Arshi Pipa, Prof. Sami Repishti, Prof. Nicholas Pano, Prof. Stavro Skendi, Prof. Gjon Sinishta, e shumë të tjerë.

Prof. Prifi është dalluar për studimet e tij të rëndësishme, që përfshijnë një spektër të gjërë në rrafshin alabnologjik. Të tilla janë studimet origjinale për të sqaruar problemin e Kosovës para opinionit publik ndërkombëtar. (The Albanians in Yugoslavia in Light of Historical Documents.) por nga ana e tjetër ai ka pas një stimë të veçantë për letërsinë shqipe të traditës, ku u muar me shumë përkthime në anglisht nga poezia dhe proza shqipe, përkthime këto që janë botuar në organe të ndryshme të shtypit.

Ai mbas një pune të gjatë hulumtuese dhe shkencore ka arritur të botoj disa vepra të ndryshme:
1. Confrontation in Kosova: The Albanian-Serb Struggle, 1969-1999 (1999)
2. Kosovo in Ferment (1969)
3. Socialist Albania Since 1944 (1978)
4. Mozaik shqiptar (2003)
5. Unfinished Portrait of a Country

Dhimbje për humbjen e studiuesi të shquar Prof. Petër Prifi

Lajmin e hidhur për kalimin në ameshim të studiuesit të shquar të historisë dhe letrave shqipe të komunitetit shqiptaro-amerikanë Prof. Peter Priftit me banim në California, si çdo njeri tjetër, që e ka njohur për s’afërmi dhe ata të cilët kanë lexuar shkrimet dhe studimet e tij të vyera në disa fusha të albanologjisë sonë, do t’a presin me shumë dhimbje dhe hidhërim të thellë vdekjen e tij fizike.

Me Profesor Priftin kam pas fatin, nderin dhe privilegjin e veçantë të takohem disa here në Boston dhe New York. Ishte një intelektual me shumë vlera dhe virtyte tipike shqiptare, zemërgjërë, gojëmbël, i dashur dhe i gatshëm si gjithmonë t’u vijë në ndihmë çdo shqiptari të emigruar në Tokën e Bekuar të Amerikës, që kishte nevojen për te.

Ai ishte një enciklopedi e pashtershme, që ecte me dy këmbë, një bibliotekë e gjallë, që të jepte infomacione, sqarime, njohuri dhe mendime të vlefshme, për disa lëme te dijës dhe posaçërisht të shkencës së albanologjisë sonë. Ai ishte një bashkëkohës dhe njohës shumë i mirë i shumë fytyrave të ndritshme të komunitetit tonë.

Prej shumë dekadash ka bashkëpunuar me të gjithë llojet e mediave shqiptare në Amerikë, duke u dhënë sa më shumë njohuri bashkëkombasve të vet, përmes fjalës së shkruar dhe bisedave që ka zhvilluar në studiot e radiove dhe televizorëve kohët e fundit…

Përmes tij dhe pendës së shquar, ai ka bërë të njohur vlerat më të mira të kombit shqiptar, duke bashkëpunuar me shumë albanolog amerikanë dhe ato europianë, duke i ndihmuar për të njohur me gjërë e thellë popullin dhe gjithçka për tokën e shqiponjave.

I kjoftë i lehtë dheu që e mban dhe i përjetshëm kjoftë kujtimi i tij mes nesh, lexuesve dhe admiruesve të letrave shqipe.