Për një kohë të gjatë vështirësitë që gjente teoria Darviniane e evolucionit gradual të llojeve i ka ndjerë edhe Profesor Nelson Çabej dhe, duke u marrë me to, ka zhvilluar teorinë e vet të evolucionit. Ai arriti në idenë themelore mbi rolin qendror të informacionit epigjenetikë në zhvillimin dhe evolucionin e botës së gjallë rreth 12 vjet më parë. Tashmë ka një teori, që mban emrin e tij.
Nga Dalip Greca
Profesor Nelson R Çabej, që jeton në New Jersey, ka një jetë që merret me shkencë, por, përveç revistave të huaja, media shqiptare nuk ka pasë kohë të merret me të. Ndoshta nga që ai është tepër modest dhe nuk mund të dalë para gazetarëve dhe të rrahë gjoksin “Ej , unë jam ai që kam tronditur botën akademike me teorinë time, që i kundërvihet evolucionit gradual të Darvinit”. Ai ka tashmë “patentën” e teorisë së vet, por nuk është kujtuar askush që t’i akordojë atij qoftë edhe një titull të thjeshtë merite, megjithëse kemi krijuar një ushtri me “Mjeshtër të Mëdhenj” e me “Nder i Kombit”, edhe pse profesori është aq i njohur në rrethet shkencore, jo vetëm në Amerikë.
Është edhe përgjegjësia e ne, gazetarëve, që në median shqiptaro-amerikane, përcjellim si sensacione ndodhi të rëndomta, shpesh folklorike, apo tjerrim lajme se aksh president amerikan, apo zv/president, për senatorë apo kongresistë, që drekojnë apo darkojnë në piceritë a restorantet e shqiptarëve, por nuk shkruajmë dy radhë për profesorin, librat e të cilit kanë hyrë në rreth një mijë biblioteka universitare amerikane, dhe ka arritur që të renditet në top-listën e librave shkencorë më të lexuar. Nuk e di nëse profesorët e fakulteteve të Shkencave të Natyrës, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, kur shpjegojnë teorinë e Darvinit, a u përcjellin studentëve informacionin se ka një shkencëtar në Amerikë, teoria e të cilit, është kundërvënëse e asaj të Darvinit për evolucionin gradual, që tashmë studiohet në universitetet amerikane, kanadeze, izralite etj?! Një teori antirrymë.
Nelson R. Çabej është autori i shumë librave në fusha të ndryshme të biologjisë (gjenetike, biologjia teorike, filozofia e evolucionit, biologjisë dhe zhvillimit etj). Ai jeton me gruan, Nikoletën dhe djalin, Redonin, në pjesën veriore të New Jersey, USA.
Ndërmjetës i takimit tim dhe intervistës me Profesor Çabejn, është dr. Hasan Ademaj, nga Kosova. Ai e kishte lexuar librin e profesorit dhe kishte ndjekur ecurinë e tij. Më kishte folur plot entuziazëm për pritjen që i kanë bërë studimeve të profesorit qarqet shkencore në Amerikë dhe shtete të tjera. Rasti është mbret, thotë një shprehje popullore. Gjatë vizitës së tij në Paris, Prof. Çabej kishte takuar Doktorin e Shkencave Arsim Spahiu, i cili i kishte kërkuar që pesë librat e tij t’i sillte në bibliotekën e Vatrës. Korrekt si gjatë të gjithë jetës së tij, Profesor Çabej, i kërkoi dr. Hasanit që të ndërmjetësonte për plotësimin e kësaj porosie. Kështu u takuam tek Vatra. Më pas një kafe dhe intervista.
Si lindi teoria e evolucionit e profesor ÇABEJT?
Profesor Nelson Çabej mendon se Darwini ka qenë dhe mbetet një kolos i shkencës botërore, por shkenca nuk është dogmë e pandryshueshme. Teoritë shkencore krijohen mbi bazën e atyre që dihen në kohën e krijimit të tyre, por vjen një kohë që çdo teori duhet të modifikohet ose dhe të zëvendësohet për të shpjeguar dukuritë e reja që zbulohen. Në një kuptim të ngushtë teoria e seleksionimit natyror është po aq e vërtetë sot sa edhe një shekull e gjysmë më parë, kur Darvini e parashtroi atë. Por, ndërsa gjeniu me seleksionin natyror shpjegoi se si në brezat e njëpasnjëshme mbijetojnë e lënë më shumë pasardhës ata individë që pësojnë ndryshime të vogla të favorshme, njohuritë e kufizuara të kohës nuk e lejuan atë të kuptonte se si lindin ato ndryshime që sjellin evolucionin.
Me zhvillimin e gjenetikës dhe zbulimin e genit, biologët menduan se ndryshimet e vogla Darviniane ishin ndryshimet në genet (mutacionet genike) të cilat sjellin evolucionin. Por, shumë fakte të zbuluara në këtë gjysmë shekullin e fundit bien në kundërshtim me këtë shpjegim gjenetik. Mbi të gjithë këta fakte është dukuria që sot njihet si “eksplozioni Kambrian”, që ndodhi rreth 542 milionë vjet më parë, kur dolën në mënyrë jo graduale darviniane, por në mënyrë “eksplozive” të menjëhershme, të gjitha grupet e mëdha të kafshëve që ekzistojnë sot. Janë paraqitur një numër teorish të reja për ta shpjeguar këtë dukuri enigmatike, por asnjëra prej tyre nuk jep një mekanizëm bindës të eksplozionit Kambrian dhe dukurive të tjera. Biologët anembanë botës sot janë në “garë” për të gjetur shpjegimin e këtij fenomeni.
Për një kohë të gjatë vështirësitë që gjente teoria Darviniane e evolucionit gradual të llojeve i ka ndjerë edhe Profesor Çabej dhe, duke u marrë me to, ka zhvilluar teorinë e vet të evolucionit. Ai arriti në idenë themelore mbi rolin qendror të informacionit epigjenetik në zhvillimin dhe evolucionin e botës së gjallë rreth 12 vjet më parë.

TEORIA “ÇABEJ” TREGON SE NGA I MARRIN GENET “INSTRUKSIONET”
Cili është thelbi i kësaj kundërvënie, që përcjell teoria “Çabej”? Sa janë përkrahësit dhe kundërshtarët? Me pak fjalë, ju jeni kundër rrymës, si do të formulohej kjo antirrymë? – kjo ishte njëra nga pyetjet që i drejtova profesor Çabejt.
Përgjigja e tij: Me gjithë të çarat e pariparueshme që ka marrë teoria gjenetike e evolucionit, për arsye të njohura, shumica e autorëve akoma mbeten besnikë të saj, edhe për shkak të inercisë. Por, numri i atyre që vënë në dyshim dhe kundërshtojnë shpjegimin gjenetik të evolucionit vjen duke u rritur. “Rryma e re” nuk është homogjene dhe brenda ka disa variante të ndryshme.
Profesori më shpjegon se Teoria e tij mbështetet në mekanizma epigjenetike (pas- ose mbigjenetike), të cilat kontrollojnë dhe rregullojnë funksionin e geneve. Në mënyrë të thjeshtë teoria pohon se çdo gen “di” vetëm një gjë: të prodhojë një ose disa proteina. Por genet nuk dinë atë që është kritike për funksionin e tyre: kur, ku dhe për sa kohë duhet të prodhojnë proteinat. Teoria “Çabej” tregon se nga i marrin genet “instruksionet” për t’u “ndezur” ose “shuar”. Veç kësaj, organizmat e gjallë nuk janë “thasë” proteinash. Ato janë struktura marramendësisht komplekse ku miliarda/triliona qeliza të qindra llojeve të ndryshme vendosen në vende të caktuara saktë për të formuar organizmin e kafshës, duke përfshirë edhe njeriun. Teoria “Çabej” e shpjegon zhvillimin e organizmit nga veza deri në pjekuri, jo me informacionin gjenetik në ADN, por fillimisht me informacionin epigjenetik që prindërit vendosin në qelizat seksuale (vezë e qelizë spermatike) e, më vonë, gjatë zhvillimit embrional deri në pjekuri, “instruksionet” për zhvillimin e organeve dhe formimin e organizmit vinë nga sistemi nervor në formën e sinjaleve kimike.
10 VJETË PËR TA SHKRUAR LIBRIN E “TEORISË ÇABEJ”
Teoria “Çabej” është konkretizuar në një libër voluminoz. Ky libër erdhi si kurorëzim i një pune 10-vjeçare. Pas provave të para që bëri duke hedhur për diskutim për disa vite idetë e veta me biologë nga shumë vende të botës në newsgrupe të biologjisë në internet, në vitin 2001 ai arriti të botoi një libër me titull “Quantic Evolution” (Evolucioni Kuantik), ndërsa në vitin 2004 – librin Neural Control of Development (Kontrolli Nervor i Zhvillimit Embrional) dhe pas tre vjetëve pune intensive, të lodhshme, por pasionante, në vitin 2008 arriti që të botojë teorinë “Çabej” në formë të plotë në një vëllim prej 900 faqesh, që mbante titullin “Epigenetic Principles of Evolution” (Parimet Epigjenetike të Evolucionit).
Ai shprehet se “kam arsye të them se ky libër është vepra e jetës sime”. Në vitin 2012 ky libër u botua me të njëjtin titull, por tani jo më nga vetë autori, por nga Shtëpia Botuese amerikane “Elsevier”.
Vlerësimi pozitiv i librit të tij në dy recensione që dolën në dy revista serioze shkencore (Quarterly Review of Biology dhe BioEssays) nga dy specialistë të evolucionit në Kanada dhe Izrael ishte një rekomandim i mjaftueshëm për ta futur në planin e botimeve të Elsevier-it, Shtëpisë më të madhe të botimeve akademike në botë.
VLERËSIMET PËR TEORINË”ÇABEJ”
Libri ka pasë jehonë të jashtëzakonshme. Ai është mirëpritur nga qarqet shkencore, akademike dhe universitare. Në vitin 2004, gjeneticieni më i madh amerikan, Prof. emeritus George Williams i shkruante Profesor Çabejt: “Unë mendoj se kontributi i juaj mund të jetë një ngjarje e madhe në historinë e kuptimit të marrëdhënieve gen-zhvillim” (I think your contribution could be a major event in the history of the gene-development understanding), kurse anëtarja e Akademisë së Shkencave të SHBA dhe ish-kryetare e Komitetit Amerikan për Evolucionin, Mary Jane West-Eberhard, i shkruante se kjo teori “do të ishte një kontribut i rëndësishëm për të kuptuar se sa kritike për zhvillimin janë “proceset ndërmjetëse” si hormonet dhe sistemi nervor qendror – një fakt që nuk është vlerësuar sa duhet por unë mendoj se do të gjejë një vlerësim në rritje në të ardhmen” (would be an important contribution to the understanding of how crucial “intermediate processes” like hormones and CNS are for development – an unappreciated fact but one I think will find growing appreciation in the future”.)
Në revistën shkencore Developmental Dynamics, Dr. J. Kiefer (2011) e Universitetit të Utah-ut shkruante : Në qoftë se kjo ide përputhet me evidencën eksperimentale bëhuni gati të rishkruani tekstet e biologjisë” (If experimental evidence catches up with the idea, get ready to re-write the textbooks.). Prof emerita e antropologjisë në universitetin e Torontos, Kanada (2012) i shkruante: “Unë u magjepsa dhe sinqerisht u kënaqa me librin tuaj Epigjenetik… Prandaj ju mund ta përfytyroni, se sa kënaqësi më dha leximi i analizës suaj racionale dhe të hollësishme të kufizimeve të neo-darvinizmit” (I was fascinated and frankly delighted with your book Epigenetics…. You can imagine, therefore, how pleased I was to read your cogent, detailed analysis of the limitations of neo-darwinism).
Vlerësimet nuk mbarojnë këtu. Përveç diskutimeve në disa newsgrupe dhe vlerësimeve të mësipërme, mund të përmenden vlerësimet që i bëri librit Epigenetic Principles of Evolution një lidere botërore e epigjenetikës, Eva Jablonka e Cohn Institute, Tel Aviv: “Unë besoj se Çabej ka të drejtë kur argumenton se evolucioni i sistemit nervor ndryshoi dhe përshpejtoi në shkallë të konsiderueshme evolucionin e metazoave” dhe se ky libër “mbulon një fushë shumë të gjerë dhe jep një numër të madh shembujsh të dobishëm duke argumentuar bindshëm se sistemi nervor ka një rol qendror në evolucionin e kafshëve” (“I believe that Çabej is right in arguing that the evolution of the nervous system significantly altered and accelerated metazoan evolution.. Epigenetic Principles of Evolution … covers a very wide area and provides a host of useful examples arguing convincingly that the nervous system has a central role in animal evolution.” .
Ndërsa Dr. L. Gabora e Universitetit të Vankuverit, Kanada në një tjetër recension shkruan: “Epigenetic Principles of Evolution jep një pasqyre bindëse gjithëpërfshirëse të të dhënave që tregojnë rëndësinë e proceseve epigjenetike në evolucionin e metazoave” (Epigenetic Principles of Evolution provides a convincing, comprehensive compilation of evidence for the importance of epigenetic processes in metazoan evolution.)
Edhe pse Shtëpia botuese Elsevier nuk i ka dhënë Çabejt informacion të plotë rreth vendeve ku ka shkuar libri, por nga hulumtimet mësuam se libri ka shkuar në rreth njëmijë biblioteka të shumë vendeve të botës në të pesë kontinentet, por kjo statistikë i takon Shtëpisë Botuese Eliver, e cila ka botuar dhe tashmë e ka pronë të vetën, duke respektuar të drejtat e autorit.
Me librin e profesor Çabejt janë marrë revista shkencore prestigjioze, si: “Quarterly Review of Biology”, një revistë shkencore e Universitetit të Çikagos dhe “BioEssays” në Gjermani, që kanë botuar recensione për librin. Po ashtu edhe revista e madhe amerikane “Science” ka botuar një njoftim të zgjeruar për daljen e librit.
12 LIBRA TË BOTUARA NGA PROFESOR ÇABEJ
Edhe pse jeta e Prof. Çabejt në kohën e diktaturës nuk kaloi në “vaj”, shkencëtari brodhi nëpër kooperativa, nga malësia e Tiranës, e Krujës, e deri në Vërzhezhë të Skraparit, ai nuk hoqi dorë nga pasioni për shkencën dhe shkrimin e librave. Librin e parë “Mbi Natyrën e Jetës” e shkroi kur ishte në kooperativën bujqësore të Niklës, në rrethin e Krujës, në vitin 1969, por mundi ta botonte vetëm pas 15 vjetësh, në vitin 1984. Në kohën kur ishte në kooperativë ka botuar edhe dy libra të vegjël për gjenetikën dhe imunologjinë (1977), si bashkautor me Bajazit Shehun, Librin e parë të Gjenetikës (1979), librin “Nga Historia e Zhvillimit të Shkencës Shqiptare” (1980). Gjatë kohës kur ishte në kooperativë përktheu edhe “Origjinën e Llojeve”, kryeveprën e Darvinit.
Dëshira e tij pasionante ishte që të punonte në Qendrën e Kërkimeve Biologjike të Akademisë së Shkencave, por për arsye politike, kjo dëshirë mbeti e ndrydhur. Në momentin që e mësoi refuzimin, u pezmatua. Ai thotë se “Pasi u informova zyrtarisht se dëshira ime për të punuar në Qendrën e Kërkimeve Biologjike të Akademisë së Shkencave nuk mund të realizohej, ëndrrat e mia për biologjinë “morën fund”. “E mblodha mendjen” për ta harruar biologjinë.
Në vitin 1980 filloi punën si redaktor biologjie në redaksinë kulturore-enciklopedike. “Kur s’ke pulën, ha sorrën, thotë një shprehje e urtë, por me këtë emërim atij iu pre çdo mundësi për t’u marrë me biologji eksperimentale dhe teorike, por vendi i punës e lidhi me problemet e historisë dhe kulturës shqiptare. Gjatë 10 vjetëve të punës aty ka botuar 17 artikuj për probleme të gjuhës, kulturës dhe historisë së shqiptarëve. Aty mblodhi, përktheu, pajisi me shënime dhe parathënie një përmbledhje studimesh prej 12 autorësh gjermanë me titullin “Autoktonia e Shqiptarëve në Studimet Gjermane”, që u ribotua në Prishtinë. Edhe aty bëri shërbime të çmuara për kulturën – përktheu nga gjermanishtja dhe pajisi me parathënie punimin e famshëm të Mendelit “Eksperimente me Hibridet e Bimëve” (Versuche mit Pflanzenhybriden), të cilin e botoi pa emrin e autorit dhe me titullin e stisur “Zbulimi i Ligjeve të Trashëgimisë” (sepse Mendeli dhe Gjenetika ende shikoheshin si disiplina shkencore reaksionare). Aty botoi edhe 2 libra për probleme filozofike të biologjisë.
Në përgjigje të simpoziumit “Ilirët dhe Shqiptarët” të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (1988), në vitin 1988, profesor Nelson Çabej shkroi librin “Ilirët që Mbijetuan”, i cili nuk u lejua të botohej në atë kohë, por ai e botoi këtu në SHBA në vitin 2009 (me rastin e dyvjetorit të Pavarësisë së Kosovës) me pseudonimin Nicholas Brent. Pikërisht këto ditë ky libër po del nga shtypi në Shqipëri, esencialisht siç u shkrua në atë kohë. Kësaj periudhe i përket edhe një libër për “Panteonin dhe mitologjinë e ilirëve” (1989), që gjithashtu shpreson të dalë nga shtypi këtë vit, si dhe një libër i papërfunduar për “Historinë e formimit të popullit shqiptar”, me të cilin do të merret vitin e ardhshëm.
3 muaj më parë, në maj të këtij viti, Shtëpia botuese amerikane “Elsevieri” botoi një tjetër libër të Nelson Çabejt, “Building the Most Complex Structure on Earth” (Duke Ndërtuar Strukturën me Komplekse mbi Tokë) me rreth 300 faqe, në të cilin autori parashtron teorinë e tij të evolucionit në një formë të kuptueshme nga një masë më e gjerë lexuesish me një formim bazë biologjik (undergraduate). Në të gjitha botimet anglisht profesor Nelson Çabej ka pasur ndihmën e kualifikuar redaktoriale të djalit tij, Redonit, i cili gjithashtu është autor i një libri që flet për marrëdhëniet USA-BE, që është pritur shumë mirë.
Nelson Çabej ka dërguar në shtyp dy libra të tjerë (Ilirët që Mbijetuan (160 faqe) dhe “Në Kërkim të Panteonit the Mitologjisë Ilire” me 300 faqe).
Problemet e historisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare e kanë tërhequr tërë jetën, por mendon se ato, sot më shume se kurrë, kërkojnë vëmendje të posaçme, në dritën e shtrembërimeve që u bëhen atyre nga një numër autorësh të huaj. Gjuha shqipe dhe prejardhja e saj ilire janë vënë në shënjestrën e shumë shkrimeve, artikujve (mjafton të hysh ne forumet e ndryshme ballkanike në internet), botimeve popullore dhe “shkencore”. Problemet e historisë së Shqipërisë, të gjuhës shqipe e madje edhe të territoreve shqiptare trajtohen nga të huaj, sidomos nga fqinjët e jugut e te veriut nga pozita joshkencore ose shkencërisht substandarde, ndërkohë që dhe opinioni dhe të dhënat e albanologjisë i janë bërë pak të njohura publikut të huaj. Ai mendon se: E vërteta për gjuhën shqipe, prejardhjen dhe historinë e shqiptarëve i duhet thënë botës me zë të lartë. Ai mendon se nuk është puna se mungojnë të dhënat ose nuk ka argumente të mjaftueshme për të mbrojtur pikëpamjet shkencore shqiptare rreth këtyre problemeve, por ka një neglizhencë shqetësuese, me rrjedhime negative serioze për edukimin patriotik të rinisë shqiptare.
Kjo situatë e ka shtyrë atë që përkohësisht të shkëputet nga zhvillimi i mëtejshëm i teorisë së evolucionit dhe të merret me hartimin e një fjalori të ilirishtes që shpreson ta mbarojë nga muaji shtator dhe ta botoj anglisht këtu në SHBA. Ndërkohë është duke pritur aprovimin e një propozimi që i ka bërë Elsevier-it për të hartuar një kontratë për botimin e një libri me titull të përkohshëm “Epigenetic Guide of the Cambrian Explosion” (Drejtimi Epigjenetik i Eksplozionit Kambrian). Vitin e ardhshëm synon që të botoj vëllimin e parë të një historie të formimit të popullit shqiptar.
KRONIKË JETËSORE
Profesor Nelson Cabej ishte ndër gjimnazistët e shkëlqyer në Gjirokastër, por për arsye të kuptueshme biografike (babi ishte në Amerikë), nëna, mezi i gjeti një të drejtë studimi për Veterinari. Pas studimeve universitare nisi punën si specialist blegtori nëpër kooperativa. Ndërkohë që studioi me korrespondencë për Biologji-Kimi, e për Kimi Industriale. Pasionit për gjuhët e huaja nuk , nuk iu nda.
Pas tetë vjet pune në kooperativat e rrethit të Krujës, në vitin 1970 filloi punën në sektorin e prodhimit të serumeve antitoksike në Institutin e Higjienës dhe Epidemiologjisë, ku kishte kushte të mira pune dhe aty nisi punë në fushën e biologjisë molekulare (në vitin 1974 izoluan ADN-në), por nuk vazhdoi gjatë, në vitin 1975 e qarkulluan duke e emëruar në Vërzhezhë të Skraparit dhe në kooperativën bujqësore të Gurrës në rrethin e Tiranës. Në vitin 1980 filloi punën si redaktor biologjie.
Pasioni i tij për punë shkencore nuk gjeti hapësirë. Asnjëherë në jetë nuk iu dha mundësia të punonte në kushte normale ose si punonjës shkencor.
Ai është zotërues i shumë gjuhëve të huaja, i ka mësuar të gjitha gjatë kohës së studimeve në fakultet të Veterinarisë. Profesor Nelson Çabej, në vitet ‘80 ka qenë pedagog për Biologjinë e përgjithshme në fakultetin e mjekësisë.
Kronika jetësore: Profesor Nelson Çabej ka lindur në Gjirokastër, aty mbaroi shkollën e mesme. Nga qyteti nuk i doli e drejta për studime të larta, por nëna shkoi në Tiranë dhe mundi t’ia rregullonte një të drejtë studimi për në Institutin Bujqësor të Kamzës. Aty u diplomua si mjek veteriner. Filloi punën në Milot e më pas në kooperativat bujqësore Qerekë e Nikël të rrethit të Krujës. Megjithëse dështoi në përpjekjet për t’u regjistruar në Fakultetin e Gjuhës Shqipe, si autodidakt studioi lëndët kryesore të atij fakulteti. Më vonë (1968) arriti të regjistrohej “ilegalisht” (specialistët e bujqësisë nuk kishin të drejtë të vazhdonin fakultet të dytë) për të vazhduar studimet me korrespondencë në degën biologji-kimi. Kur filloi punën në Institutin e Higjienës dhe Epidemiologjisë iu kërkua që ta linte degën biologji-kimi dhe të vazhdonte natën fakultetin e Kimisë Industriale me që vendi i punës kërkonte njohuri më të thella në fushën e kimisë. Kur do të mbronte diplomën në degën e kimisë, i thanë se duhej të shkonte përsëri në kooperativë. Pas 5 vjetësh të tjera në kooperativë filloi punën si redaktor biologjie në redaksinë kulturore-enciklopedike në Shtëpinë Botuese 8 Nëntori. Në vitin 1986 mbrojti Doktoratën në fushën e biologjisë.
Për të vazhduar studimet në fushën e albanologjisë, në fund të vitit 1990, me nxitjen dhe mbështetjen e gruas së tij, Nikoletës, shkoi në Austri e prej andej në Gjermani, në ambasadën amerikane atje, i dhanë edhe shtetësinë amerikane, për shkak se babai kishte qenë shtetas amerikan. Pas thuajse 2 vjet qëndrimi në Gjermani, familjarisht u shpërngulën në SHBA, ku ka punuar fillimisht; në Realestate, data entry dhe mësimdhënie biologjie në kolegj. Në 1997, kur nëna Taibe zuri shtratin për të mos u ngritur më, me bashkëshorten e tij, Nikoletën, vendosën që Nelsoni ta linte punën dhe, sipas traditës shqiptare, të merrej vetëm me kujdesin për të. Që nga koha kur nëna ndërroi jetë, në vitin 2004, ai i është kthyer pasionit të rinisë, biologjisë, dhe tani së fundi edhe albanologjisë.
BABAI, MES AMERIKËS DHE SHQIPËRISË
Kur u shpall pavarësia e Shqipërisë babai i Nelsonit, Rakipi, ishte 12 vjeç. Kufijtë e Shqipërisë që u aprovuan në parim nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër bënë që familja e babait, si dhe i gjithë fisi i Çabejve, të humbiste të gjitha pronat dhe burimet e jetesës që mbetën matanë atij kufiri, në Greqi. Për familjen e babait të tij gjendja ishte edhe më e vështirë se e çabejve të tjerë, sepse në atë kohë, Rakipit i vdiq i ati. Me 5 fëmijë jetimë, nëna e tij nuk kishte rrugë tjetër veç t’i niste djemtë në kurbet, në Amerikë, ku babai i Nelsonit mori rrugën e largët. Emigroi në vitin 1916, bashkë me dy vëllezërit më të rritur.
Ai u integrua në jetën amerikane, por lidhjet me Shqipërinë i ruajti dhe i forcoi duke u martuar në Shqipëri pas 14 vjet mërgimi në Amerikë. Në SHBA ai u kualifikua si mekanik në Westinghouse Electric Co., ku punoi thuajse gjithë jetën. Me vëllezërit, Rakipi bleu edhe 40 hektarë tokë në Virua të Gjirokastrës dhe rreth tij. Krenaria e babait ishte pjesëmarrja e tij si mekanik në ndërtimin e radioteleskopit më të madh të asaj kohe të vendosur në Pasadena, Kalifornia. Në vitin 1957 babai u riatdhesua në Shqipëri duke i sjelle të birit, Nelsonit, libra fundamental të shkencës veterinare. Babai vdiq në vitin 1983.







