Prof. Ndreca: Shqipnia në “Meeting-un e Miqsisë së Popujve” në Rimini

0
20

Prof. ARDIAN NDRECA

Këtë vit Meeting-u tradicional i Riminit ka arrit në edicionin e vet XXXIII dhe tema e zgjedhun prej organizatorëve ishte “Natyra e njeriut dhe raporti i tij me infinitin”. Temë e thellë filozofike, në dukje të parë larg preokupimeve të përditshme të politikës, financës, krizës globale, por në të vërtetë nji temë gjithëpërfshirëse. E veçanta e këtij edicion ishte edhe përzgjedhja e Shqipnisë si objekt i gjithanshëm reflektimi, tue pasë si fill përshkues rolin e besimit të krishtenë në eksperiencën historike të popullit shqiptar. Titulli i takimit të veçantë kushtue Shqipnisë ishte: “Albania Athleta Christi”, tue huazue shprehjen që Papa Kaliksti III përdorte kur i drejtohej Gjergj Kastriotit.

Nuk asht pak që në nji takim kaq të madh ku ndër të ftuemit ma në za ketë vit ishin Usama Elabd rektor i Universitetit të Al Azharit, Tatjana Kazatkina e Akademisë Ruse të Shkencave, ndër ma të mirët njohëse të Dostojevskit, presidenti i Europarlamentit Martin Schulz, Alon Goschen-Gottstein, drejtor i Qendrës së Studimeve të mendimit rabinik në Jeruzalem, John Milbank, docent i Universitetit të Nottingham-it, drejtori i përgjithshëm i FAO-s, kryeministri italian Monti etj., të flitej kaq gjanësisht për Shqipninë.

* * *

Nji grup intelektualësh shqiptarë prej muejsh kanë punue për me përgatitë nji ekspozitë kushtue Shqipnisë dhe rrugëtimit të saj në shekuj. Me të vërtetë nji punë e konsiderueshme dhe mjaft e vlerësueme prej mija vizitorëve të ekspozitës. Gjithashtu nji pièce teatrale e shkurtë me nji akt solli në skenë nji dialog imagjinar mes poetit dhe klerikut Vinçens Prendushi dhe diktatorit Hoxha.
Të rinjtë Teodor Nasi, Zhirajr Mokini, Miranda Mulgecaj, Bardha Karra, Florenc Kola, Denis Spahaj kishin marrë si pikënisje për përgatitjen e kësaj ekspozite, që synonte me ilustrue thelbin e identitetit shqiptar, disa prej veprave ma të fundit të shkrimtarit Ismail Kadare.

Çështja e identitetit shqiptar mbetet gjithnji e hapun mbasi vetë identiteti asht nji proces dinamik që pasunohet apo vorfnohet me prumje të reja. Por në rranjët e identitetit shqiptar gjendet nji substrat esencial, i përbashkët me atë të popujve tjerë të Europës perëndimore.

Identiteti dhe liria janë nji binom. Në filozofi kemi parimin e identitetit, parim themelor që lejon përkufizimin e diçkaje si të tillë dhe mundëson komunikimin e vërtetë mes subjekteve. Identiteti ynë asht karta me të cilën ne paraqitemi para botës, në rastin konkret përpara Perëndimit.

E gjithë historia jonë dëshmon për vetëdijen me të cilën ne kemi afirmue dhe mbrojtë ketë përkatësi identitare. Në ‘500 dhe ‘600 gjuha e eruditëve arbën ishte latinishtja e po në ketë periudhë ata, shumica – jo rastësisht – priftën katolikë, lavruen gjuhën shqipe për me mbajt gjallë e për me plazmue nji identitet etnik e kulturor që rrezikonte me u shue. Ka disa momente kyçe që dëshmojnë se si dhe se prej kujt asht mbrujtë identiteti ynë kombtar. Për me kuptue ketë mjafton të kujtojmë disa fakte.

Dokumenti i parë i shkruem në gjuhën shqipe asht Formula e Pagzimit (1462), libri i parë asht Meshari (1555) i Gjon Buzukut, mandej kemi Doktrinën e krishtenë(1618) të Budit, Fjalorin latinisht-shqip (1635) të Bardhit, Çetën e profetëve (1685) të Bogdanit, kemi kryengritjen kundër turqve të Budit (1621), ndeshim Kuvendin e Arbnit (1703) të thirrun me ngulmimin e Papës me origjinë shqiptare Klementi XI, kemi Gramatikën e parë shqipe (1716) të françeskanit Francesco da Lecce, kemi dy kuvende provinciale në ‘800, kemi pjesmarrjen vendimtare të klerikëve katolikë në Kongresin e Monastirit (1908) ku u zgjodh jo pa vështirsi alfabeti latin dhe jo ai arab, kemi pjesmarrjen e rolin organizues të klerit katolik në Kryengritjen e Malsisë së Madhe në vigjiljen e pamvarsisë sonë kombtare etj.

E gjithë kjo epope që shtrihet përgjatë gjithë shekullit XX, si dhe shumë faqe tjera ma pak të njohuna përbajnë palcin e identitetit tonë kombtar dhe si përfundim kanë vulosë së bashku me mendjet ma të ndrituna që populli ka nxjerrë drejtimin që do të merrte shteti i porsalindun ballkanik në shekullin e kaluem.

Edhe sot e kësaj dite identiteti ynë vijon me u formue dhe me u forcue, por edhe sot, ashtu si gjatë shekujve të kaluem, atij i kanosen rreziqe të mëdhaja.

Nji prej “mosmarrveshjeve” të mëdha mes hullisë identitare shqiptare dhe forcave qendërikëse qëndron edhe në faktin që Shqipnia tash dy dekada asht pjestare e Konferencës Islamike. Politikanët tanë shpallin se janë miq të Perëndimit, të Izraelit, ShBA-së, por në anën tjetër marrin pjesë në nji Konferencë që jo rrallë del me rezoluta që janë krejtsisht në kundërshtim me vizionin Perëndimor të demokracisë dhe me vetë parimet laike të shtetit shqiptar.

Nuk ekziston asnji arsye që ne të jemi pjesë e nji organizmi të tillë, as arsye gjeografike, as arsye historike dhe madje as arsye që kanë lidhje me përbamjen fetare të popullsisë shqiptare. Shqipnia nuk asht sot nji vend me shumicë myslimane siç thonin statistikat e fundit të viteve ’30 të cilave i referohen paturpsisht edhe do kinse studjuesa.

Mos të harrojmë se për ma se katër dekada ateizmi komunist ka veprue dhe ka ndryshue ekulibrat e maparshëm në Shqipni. Nuk mund të themi ma se në Shqipni ekzistojnë 70% myslimanë, 20% ortodoksë dhe 10% katolikë. Po të ishte kështu nuk do të dinim se ku t’i çonim ateistat, agnostikët, protestantët dhe ata që ndjekin besime tjera fetare. Gjithashtu pjesmarrja e Shqipnisë në atë konferencë asht antikushtetuese dhe nuk asht rektifikue asnjiherë prej parlamentit shqiptar.

Vitin e kaluem në Shqipni, mbas shumë protestash farsa, u ba nji census, rezultatet e të cilit do të duhej të ishin shpallë të paktën para 3 muejsh, por qeveria shqiptare i mban për vete ato rezultate dhe ende nuk i ban publike.

Vetëm kultura mundet me na shpëtue si popull, dhe kur them kultura nënkuptoj kulturën e ligjit, qytetnimin, artin, arsimin, kulturën politike, traditën. Mjerisht sot kultura në Shqipni nuk përban nji prioritet për qeverinë tonë, prandaj forcat e errëta, në frustrimin e tyne përpiqen me na largue prej Europës dhe me na kthye në nji bisht apo në nji zgjatim të nji bote tjetër që nuk ka asgja të përbashkët as me aspiratat dhe as me të traditat tona.

Për ta kjo asht nji betejë e humbun, por për ne kjo luftë e vonon rrugëtimin drejt Europës dhe ban që të humbim kohë dhe energji të çmueshme.

(Marrë nga fjala e mbajtur në Meeting)
MAPO