Përmbledhje e studimit
Shkaqet e përhapjes relativisht të shpejtë të islamit në Siujdhesën Ballkanike – para së gjithash në Shqipëri – nuk ishin religjioze por të llojit juridik dhe ekonomik.
Sipas rregullave të së drejtës fetare (Fikh) i takonte çdo musliman të shtresës së lartë sunduese politike të Perandorisë Osmane, përderisa të gjithë jomuslimanët ishin të përjashtuar plotësisht nga të drejtat politike.
Kalimi në islam kuptohej njëkohësisht edhe si ngritje në shtresën e lartë politike, që gëzonin privilegje të ndryshme. Shtresa e ulët jomuslimane – të ashtuquajturit „Rajah“ – ishte gati pa të drejta dhe ishin të detyruar të paguanin tatim (đizja) të lartë për frymë të popullsisë.
Këto përfitime ekonomike dhe privilegjore të shtresës së lartë muslimane ishin natyrisht një shtytje e fuqishme të „turqizohen“ me pranimin e islamit.
Në fakt kalimi në islam pasonte thuajse menjëherë pas pushtimeve turke.
Gjatë islamizimit në tokën shqiptare ka ardhur te paraqitja e çuditshme e një sinkretizmi religjioz.
Kalimi, që gati përherë bëhej vetëm nga arsyet ekonomike, nuk ka ndryshuar fillimisht aspak në pikëpamjet, mënyrat e jetës dhe në zakonet e të „turqizuarëve“. Shumëherë kalimin në islam e proklamonte, e bënte vetëm kryefamiljari me çka arrihej liria nga tatimet shtypëse për frymë të popullsisë.
Anëtarët tjerë të familjes mbetnin në besimin e krishterë. Deri në mbarim të shek. XVI kalimet në islam kanë mbetur ende të kufizuara në renegata të vetme dhe ato familjare.
Popullatën fshatare të Shqipërisë në atë kohë islamizmi ende nuk e kishte përfshirë. Në vitin 1577 Shqipëria Veriore dhe Qëndrore ishte krejtë katolike.
Hierarkia katolike e vendit duket se ka qëndruar edhe mëtutje në shtrirjen e vjetër. Argjipeshkvijtë dhe priftërinjtë vërtet kanë vuajtur nën jotolerancën turke.
(vijon)
(Përktheu nga gjermanishtja: Zef AHMETI)
Teksti i plote i studimit jepet ketu: http://www.trepca.net/2003/0603/030624-islamizmi.te.shqiptaret-georg-stadtmuller.htm
* Georg Stadtmüller (1909 – 1985) është njohës i mirë i historisë së shqiptarëve. Ka shumë publikime mbi historinë e shqiptarëve, sidomos është i njohur libri i tij ”Forschung zur albanischen Frühgeschichte (Kërkime për historinë e hershme shqiptare)”. Ai ishte edhe profesor në Mynih (München) në „Institut Geschichte Osteuropas und Südosteuropas an der Ludwig-Maximilians-Universität“. Ky punim është botuar në: Jahrbücher für Geschichte Osteuropas, 1955, Bd. 3, fq. 404-429, München/Mynih me titull „Die Islamisierung bei den Albanern“. E falenderojmë Dr. Konrad Clewing për angazhimin e tij për të drejtat e botimit të këtij përkthimi. Për gjuhën shqipe të drejtat e çdo lloj botimi apo ribotimi janë tek Albert Ramaj, (shënim i përkthyesit).
Shenim nga Paul Tedeschini:
Profesor Georg Stadtmüller ka qene kryetari i katedres se Historise ne Unversitetin e Mynchenit- Gjermani, si dhe specialist i Historisë së Europes Orjentale. Ai ka mbajte ne Ateneo ne Spanje nji konference mbi “Themelet historike te unitetit europian”, qe bajne pjese ne ciklin “Tendencat aktuale te mendimit europian”.
Publikue ne http://kosova.albemigrant.com/?p=397