Prof. Dr. Zef Mirdita nderohet me Medaljen e Meritave nga presidentja Atifete Jahjaga

0
31

August Kovaçec, Zagreb, me 11 Tetor 2014

Recension me rastin e botimit të përmbledhjes solemne: Poeta Nascitur, historicus fit. Ad honorem Zef Mirdita. Albert Ramaj (ed.). Albanisches Institut në Sankt Gallen, Instituti historisë, Zagreb, 2013. (1244 faqe).

(Shqipëroi nga kroatishtja dhe përgatiti për shtyp Dodë Ndrecaj)

Botohet ekskluzivisht me rastin e dekorimit të Akademik Prof. Dr. Zef Mirditës me Medaljen e Meritave për arritje shkencore nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Është një ngjarje e madhe për shkencat historike dhe disiplinat tjera te ngjashme,veçanërisht e atyre qe kanë të bëjnë me fushën albanologjisë dhe ballkanologjisë botimi i kësaj përmbledhje shumë voluminoze me punime shkencore kushtuar historianit(albanologut dhe ballkanologut) prof.dr.Zef Mirdita, anëtarit korrespodent të Akademisë së Shkencave të Kosovës, punime këto që përkojnë me temat që vet profesor Mirdita iu është përkushtuar.

Ketë përmbledhje e ka redaktuar dhe përgatitur për shtyp z. Albert Ramaj nga Sankt Gallen-i së bashku me bashkëpunëtorët Gordan Ravancic, Zef Ahmeti, Aleksander Stipcevic dhe Nuri Bexheti në botim të përbashkët të Institutit Shqiptar/Albanisches Institut/ nga Sankt Gallen-i dhe Instituti i Historisë nga Zagrebi. Do të ishte një mision i parealizueshëm sikur të donim të paraqitnim gjithë gjerësinë tematike dhe vlerën përmbajtjesore në shenjë nderimi dhe falënderimi për Autorin, që me ketë rast shprehin miqtë, bashkëpunëtorët, kolegët dhe nxënësit nga Shqipëria, Austria e Argjentina, nga Bullgaria, Greqia, Kroacia, Italia e Kosova, nga Hungaria, Maqedonia, Holanda e Gjermania, pastaj Rumania, Rusia, Sllovenia, Serbia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar kushtuar atij me rastin e 75 vjetorit të jetës së tij dhe pothuaj 50 vjetorit të punës së tij shkencore.

Kjo përmbledhje solemne (Festshkrim) përbehet nga rreth shtatëdhjetë punime dhe artikuj shkencorë(kurse autorë ka më shumë ngase disa tekste studimore janë shkruar në bashkëpunim).Përveç parathënies, biografisë së personit që nderohet në ketë manifestim dhe bibliografisë së veprave të tija të botuara,Përmbledhja e cekur përmban shkrime të klasifikuara në pesë njësi tematike. Njësinë e parë tematike e përbejnë punimet shkencore kushtuar antikes. Njësia e dytë përfshinë gjashtëmbëdhjetë studime dhe artikuj që kanë temë studimi periudhën e mesjetës dhe kohës së re të shteteve ballkanike, duke përfshi edhe lidhjet në mes tokave shqiptare dhe territoreve tjera ballkanike. Në pjesën e tretë janë njëzet e tri shkrime që kanë temë shqyrtimi ‘kohen moderne”( d.m.th. shekullin 19 dhe 20), ngjarjet dhe institucionet historike shpirtërore dhe kishtare pastaj personalitet kryesore shqiptare në veçanti në Shqipëri dhe Kosovë.

Shtatë studime të renditura në pjesën e katërt të kësaj përmbledhje trajtojnë çështjet e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Kurse kapitulli i pestë dhe i fundit ka nëntëmbëdhjetë punime që i kushtohen diasporës shqiptare: ku autoret pasqyrojnë aspekte të ndryshme të jetës dhe zhvillimit të atyre bashkësive shqiptare të cilat gjatë shekujve janë vendosur në shtetet fqinje(Itali,Greqi,Kroaci,Mali Zi,Slloveni) si dhe në territore më të largëta ( Bullgari, Rumani,Rusi,Ukrainë,Francë etj.) si dhe në vende shume të largëta(në Azerbajxhan,dhe Amerikë Veriore e Jugore).Përveç disa pasqyrimeve sintetike të diasporës në botë,ky kapitull vë në pah edhe një mori faktesh të reja mbi diasporën shqiptare, gjë e cila mund të shërbej edhe si bazë e pasqyrimit të përgjithshëm të diasporës shqiptare.

Në momentin kur bashkohen një numër kaq i madh i ekspertëve të njohur dhe të pranuar në një veprimtari të përbashkët në mënyrë që t’i bëhet nderim dhe t’i jepet mirënjohje kolegut,bashkëpunëtorit,mikut tyre me rastin e përvjetorëve të rëndësishme të jetës dhe veprës së tij, vetvetiu imponohet nevoja që për të gjithë ata që fusha dhe specializimi i veprimtarisë së Kremtuesit nuk u janë të përafërta me profesionin e tyre,duhet prezantuar veprën dhe rëndësinë e saj, kurse kolegëve dhe bashkëpunëtorëve shkurtimisht ua përkujtojmë temat kryesore të veprimtarisë së bujshme të Kremtuesit. Në të vërtetë, pasqyrimi i një përmbledhjeje me përmbajte të bollshme dhe të llojllojshme do të duhej që të realizohej duke përmendur autorët dhe titujt e artikujve të tyre ose do kërkohej një recension gjithëpërfshirës do thoshim një libër i veçantë që do të mundte ta përpilonte vetëm ai i cili me gamen e interesit dhe rezultatet e punës së tij në fushat e cekura do të ishin të përafërta me ato të kremtuesit.

Prandaj këtu më me dëshirë do të kufizohemi në shpalosjen e shkaqeve pse prof. Dr. Zef Mirdita me meritë ka zgjuar një interesim të tillë në mesin e ekspertëve që ata të jenë pjesëmarrës në një Antologji të tillë.( një lloj thesaurus-i i temave albanologjike dhe ilirologjike). Për një prezantim si ky përveç njohurive personale për opusin e z. Mirdita(kryesisht nga perspektiva linguistike dhe filologjike) jashtëzakonisht mirë na kanë shërbyer edhe pjesët editoriale të Antologjisë:Parathënia e shkruar nga Aleksander Stipçeviq, Nuri Bexheti,Jasna Turkalj, Gordan Ravançiq dhe Albert Ramaj, pastaj biografia e profesor Zef Mirditës dhe Bibliografia e tij mbresëlënëse e cila përbëhet nga dhjetë libra autorial, disa përkthime dhe më shumë se 170 studime,diskutime,artikuj dhe recensione të botuara në gjuhë të ndryshme në revistat prestigjioze shkencore të vendeve të ndryshme.

Para se të themi diçka për rrjedhën e jetës dhe veprimtarisë se Kremtuesit,është e nevojshme të flasim pak për dy shtetet dhe dy popujt që profesor Mirdita i konsideron njësoj si te vetët dhe të cilët njësoj i ka begatuar me punën e tij kulturore e shkencore. Edhe pse Shqiptarët dhe Kroatët sot nuk janë fqinjë të drejtpërdrejtë në aspektin e kompaktësisë së territoreve, lidhjet në mes të këtyre dy popujve janë të vjetra dhe intensive, posaçërisht lidhjet në mes të shqiptareve katolik dhe kroatëve. Nga mesi i shekullit të mesëm e deri në kohën e sotme individë dhe grupe nga territoret shqiptare kanë ardhur në viset kroate, në Dubrovnik e Zarë deri te Istra, Sllavonia dhe Sremi e të cilët kane lënë gjurmë të pranisë se tyre.

Arbëreshët e Zarës të cilët kanë mbijetuar si komunitet, janë dëshmi e gjallë e këtyre lidhjeve dhe bashkëpunimit e të cilët në kulturën, shkencën dhe jetën publike kroate në përgjithësi kanë lënë gjurmë sikur të kishin qenë në një numër shumë më të madh se sa ishin. Njëkohësisht duhet të theksojmë se disa nga historianët kroatë kanë dhënë kontribut të madh në studimin e historisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare. Mjafton të përmendim veprimtarinë e një Milan Shuflaj në fushën e historisë dhe diplomacisë shqiptare,atë të Peter Skok në studimin e gjuhës shqipe dhe rolit të saj në kuadrin e të ashtuquajturës Lidhjes ballkanike (apo Ligës ballkanike), pastaj roli i bashkëkohësit tonë, arkeologut, historianit të librave dhe nestorit të Iliriologjisë, profesorit Aleksander Stipçeviq, i cili me prejardhje arbëreshe dhe me vendin impresionues që ka në shkencat e kulturën kroate dhe shqiptare më së miri simbolizon lidhjet kroate- shqiptare.

Njëri prej atyre shqiptarëve që një pjesë të madhe të shkollimit dhe veprimtarisë e ka të lidhur me Kroacinë, e i cili kurrë nuk ka harruar se është shqiptar nga Kosova,profesori Zef Mirdita në mënyrën më të mirë gjatë veprimtarisë së tij gjysmëshekullore vazhdon me ato hulumtime të cilat i filluan Milan Shufflay, Peter Skok dhe Aleksander Stipçeviq. Si në Kroaci ashtu edhe tek shqiptarët ka pasur shumë hulumtues që do të mund të radhiteshin në ketë seri. Në ketë kontekst, pak më vonë do të përmendim veprimtarinë e At Lovro Mihaçeviq.

T’i kthehemi tani prof.dr. Zef Mirditës. U lind në Prizren me 13 mars 1936 në një familje shqiptare katolike, po në Prizren kreu shkollën fillore. Me ketë rast duhet të përmendim se nga koha e Osmanëve dhe më vonë Prizreni ishte një qendër e rëndësishme tregtare dhe kulturore, por edhe qendër e përbashkët e bashkësive te ndryshme kombëtare (etnike) dhe fetare, e si gjuhë komunikimi përveç gjuhës shqipe përdoreshin edhe gjuhe tjera. Fëmijëria e tij në Prizren shpjegon lehtësinë që Zef Mirdita gjatë shkollimit dhe punës ka zotëruar shumë gjuhë duke u bërë një poliglot. Ka vijuar gjimnazin klasik në Pazin dhe Zagreb.

Njohuria solide e gjuhëve klasike dhe disa gjuhëve të folura ia kanë lehtësuar që fillimisht në vitin 1958 të mbaroi filozofinë në Fakultetin Teologjik në Zagreb e pastaj gjatë vitit akademik 1959/1960 të regjistrohet në Degën e historisë pran Fakultetit Filozofik në Zagreb( para kësaj, gjithsesi ka kryer maturën shtetërore).Gjatë studimeve në Fakultetin Filozofik kishte disa profesorë të njohur dhe shkencëtarë të spikatur të cilët menjëherë kishin vërejtur interesimin e djaloshit Mirdita e kështu shumë shpejtë u bë demonstrues tek profesori Shidak. Pas diplomimit me 08 korrik 1965 në vitet në vazhdim iu përkushtua punimit të tezes shkencore të doktoraturës dhe me 03 nëntor 1972 doktoroi duke mbrojtur disertacionin me titull “Dardanet dhe Dardania në Antikë”.

Këtu dua të bëj një digresion gjatë ekspozesesë sime mbi të dhënat jetësore të Kremtuesit dhe të sjellë disa përvoja personale,por të lidhura edhe me Kremtuesin. Si një njëmbëdhjetëvjeçar (në vitin e furishëm 1948) në qytezën në veri të Kroacisë më ra në dorë libri i At Lovre Mihaçeviq (1854-1920) me titull “Nëpër Shqipëri. Mbresa nga rrugëtimi” Zagreb 1911, ku disa nga moshatarët e mi e kishin marrë nga një grumbull librash të hedhura nga biblioteka e qytetit për t’u asgjësuar. At Mihaçeviq nga viti 1883 ishte ligjërues në Kolegjin Françeskan të qytezës Troshan, tridhjetë kilometra në juglindje të Shkodrës dhe që deri atëherë mësimi në gjuhen italiane u zëvendësua me programin mësimor në gjuhën shqipe.

Tekstin e Mihaçeviqit e kam lexuar me një interesim të zjarrtë sikur të ishte një roman plot tensione aventuriere, ngase për Shqipërinë dhe shqiptaret në atë kohë kemi ditur pak apo aspak. Por libri përveç tjerash përmbante një numër të madh këngësh popullore në dialektin burimor gegë e të përkthyera në kroatishte dhe se në fund të librit kishte disa faqe me njëqind e tridhjetë fjalë të urta në gjuhën shqipe dialekti gegë po ashtu të përkthyera në gjuhën shqipe. Ashtu siç me interesonte teksti i udhëpërshkrimit njëjtë me sfidonin edhe tekstet ne gjuhen shqipe të cilat fillova t’i analizoja në përmbajtje pa asnjë mjet ndihmës përveç përkthimit, pa gramatike dhe pa fjalor. Edhe në vitin 1956 kur erdha në Zagreb për të studiuar me ra në dorë gramatika e gjuhës shqipe dialekti gegë e përkthyer në gjuhen italiane nga Fulvia Cordignana (tekst i cili kishte të bashkangjitur librin e leximit) që më mundësoi mësimin me përmbajtjesor të gjuhës shqipe.

Në vitin 1959 ,gjatë studimeve të vitit të katërt u njoftova me Zef Mirditën, studentin e historisë pasi që ne ishim nder studentët e paktë që vijonim ligjëratat tek prof.dr. Radoslav Katiçiq mbi Sanskritishten dhe Ballkanistikën antike (Paleoballkanistikën). Zef Mirdita shquhej me njohuritë e tij për gjuhen latine e greqishten dhe për qasjen e tij në shumë burime antike. Në atë kohë edhe në Universitetin e Zagrebit (së paku zyrtarisht) nuk shikoheshin me sy të mirë ata të cilëve u interesonte gjuha shqipe, prandaj ne kolegët e Universitetit, nga Zefi merrnim informacione të besueshme mbi gjuhen shqipe, historinë dhe kulturën dhe kishim rastin të dëgjonim se si tingëllonte gjuha shqipe.

Pra ky interesim për gjuhen shqipe si dhe komunikimi çiltërsia dhe vullneti i mire i Zefit na ka mbajtur të lidhur me njëri tjetrin deri në ditët e sotme, aq më tepër pasi që Zefi edhe pse ishte i punësuar si mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës kurrë nuk i ka ndërpre lidhjet me Zagrebin e as me miqtë e tij. Edhe pse me përkatësi kombëtare shqiptare, Zef Mirdita ka pasuruar shkencën shqiptare dhe atë kroate e para së gjithash historinë në mënyrë të barabartë. Nga viti 1967-1992 ka ligjëruar historinë e kohës së vjetër në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës ndërkohë që ishte bursist i Qeverisë italiane në Universitetin La Sapienza në Romë (viti 1974) si dhe bursist i dyfishtë i Fondit të Humboldt-it në Heidelberg, Munchen, Gjermani (1976-1977), po ashtu disa herë ishte ligjërues mysafir në Universitete të ndryshme evropiane.

Pas përfundimit të bursës së Humboldt-it në vitin 1992 në mjegullën e ngjarjeve tragjike që zhvilloheshin në Kosovë, profesor Mirditës nuk i këshillohej kthimi i tij në Prishtinë. Kësisoj nga 1 marsi 1993 u punësua në cilësinë e këshilltarit shkencor në Institutin Kroat të Historisë, kurse nga viti 1998 deri ne vitin 2004 si punëtor shkencor i përhershëm. Përveç veprimtarisë së bujshme të Zef Mirditës në Fakultetin Filozofik të Zagrebit ku rregullisht mbante kurset e gjuhës shqipe, po ashtu punonte në Entin Leksikografik Miroslav Kerlezha, Ent për të cilin ka shkruar dhe redaktuar një seri artikujsh të fushës në të cilën vepronte, pastaj veprimtaria e tij në Komitetin jugosllav për Ballkanologji 1980-90 si dhe angazhimi i tij në Këshillin për pakica kombëtare pran Qeverisë së Republikës së Kroacisë nga viti 2003, etj. Në ketë paraqitje të shkurtë është me rëndësi të ndalemi fillimisht në dy fusha kryesore tematike me të cilat Zef Mirdita është marrë e të cilat dukshëm kanë avancuar njohuritë dhe dituritë tona.

Njëra prej këtyre fushave tematike është Historia e Krishterimit tek Shqiptaret e cila në të vërtet përfshinë gjitha komponentët e rëndësishme të gjenezës dhe historisë së shqiptarëve në përgjithësi. Pos një numrit të madh studimesh mbi ketë tematikë që janë botuar në revistat dhe përmbledhjet e ndryshme, në vitin 1998 prof. Mirdita ka botuar një sintezë të llojit të vet mbi ketë çështje, librin me titull “Krishtenizmi ndër Shqiptarë (Prizren-Zagreb 1998). Nga pikëpamja e historisë gjuhësore dhe asaj të përgjithshme të shqiptarëve është me rëndësi të përmendet se deri në fillim të dekadës se dytë të shekullit XX (1912) shqiptaret nuk kanë pasur shtetin e vet (të rëndësishëm dhe jetëgjatë dhe kësisoj ishin nga ata të ashtuquajturit popujt e vegjël për historinë dhe gjuhen e të cilëve në politikë dhe “shkencë” shpesh manipulohej me të madhe, jo rrallëherë me qëllime të hapëta apo të fshehta që të iu mohohej e drejta e tyre në territoret apo pjesët e territoreve në të cilat sot jetojnë.

Pasi që botime të plota në gjuhen shqipe deri në shekullin XV/XVI nuk kishte, dhe se informacionet tjera deri në fillim të shekullit të ri ishin pothuajse gjysmake, normalisht që pritej që çështje të shumta të paqarta lidhur me të kaluarën etnike dhe gjuhësore të këtij populli të provoheshin të zgjidheshin kryesisht duke aplikuar metodologjinë e shendosh dhe objektive shkencore, si dhe kundërvënien me anë të fakteve dhe argumenteve të besueshme historike. Fatkeqësisht edhe në dëm të shkencës, që nga fillimi i hulumtimeve bashkëkohore ka fundi i shekullit XVIII dhe XIX përgjigja mbi prejardhjen e popullit shqiptarë dhe gjuhës shqipe tentohej të përdorej për promovimin e interesave territoriale dhe politike për qëllime të shteteve të caktuara.

Kështu që pothuaj deri vonë, thënë thjesht, në shkencë kishte dy teza themelore të pa pajtueshme dhe kundërshtuese, njëra “Trake”, e cila do te dëshmonte se shqiptarët në Shqipërinë e sotshme janë ardhacak të rinj, dhe teza e dytë ajo “Ilire” ku dëshmohej së shqiptarët janë banor autokton në shumicën e territoreve të siujdhesës ballkanike ku aktualisht jetojnë. Merita të mëdha i takojnë gjuhëtarit shqiptar Eqrem Çabej dhe shkollës së tij, ngase nga hulumtimet dhe studimet e tij provonin të përjashtonin arsyet dhe qëllimet apriori politike duke treguar bindshëm e në aspektin linguistik se në shumicën e territoreve të sotme shqiptarët janë populli më i vjetër dhe më i njohur i Ballkanit, edhe pse natyrisht nuk përjashtohet se në këto territore ka pasur edhe popuj e gjuhë të tjera.

Edhe pse e gjithë kjo tematikë në veprën “Krishterimi ndër Shqiptarë” nuk është objekt i drejtpërdrejt i interesimit të autorit, përcjellja këmbëngulëse e zhvillimit të Krishterimit tek Shqiptarët, prof. Mirditën e kanë sjell deri të përfundimet e ngjashme të cilat i kishte arritur Çabej dhe shkolla e tij. Shqiptarët, Krishterimin e kanë pranuar në tërësi shume herët dhe atë jo diku në brendi të siujdhesës ballkanike, po mu në territoret e sotme (në afërsi të Detit Adriatik, pak a shumë nga ndikimi i drejtpërdrejt i Romës dhe krishterimit perëndimor.

Përveç dëshmive historike mbi lidhshmërinë me perëndimin dhe Romën, kjo dëshmohet nga një numër i madh i toponimeve krishtere dhe kishtare të cilat pa marrë parasysh etimologjinë, e që janë karakteristike për gjuhen latine e jo atë greke (p.sh. Kishë latinisht “Eclisa” për Ecclesia, e jo Basilica; Lter, latinisht Altare, në kohen e re Altar; Meshë, latinisht Missa; kungoj, latinisht comunicare; bekonjë, latinisht benidicere; fe, feja, latinisht fidem; pagëzonjë në, latinisht baptizare etj). Zhvillimi i krishterimit të shqiptarët është në lidhje të drejtpërdrejt me krishterimin perëndimor dhe se në mënyrë indirekte dëshmon autoktoninë e shqiptarëve në Shqipëri.

Megjithatë ketë fushë të hulumtimit të profesor Mirditës do ta lemë anash, e vetëm kalimthi do përmendim së nga hulumtimet e tij historike dhe arkeologjike mbi Dardanët dhe Dardaninë në antikë e që nga mbrojtja e tezes se doktoraturës në Fakultetin Filozofik të Zagrebit – pos studimeve tjera, ka dalë në dritë edhe Monografia “Religjioni dhe Kultet e Dardanëve dhe Dardania në Antikë” (Zagreb 2001).

Kur në vitin 1993 profesor Miridita u punësua në Institutin e Historisë së Kroacisë, drejtori i atëhershëm i Institutit dr. Mirko Valentiq ia besoj udhëheqjen e një projektit të ri të iniciuar “Vllehët-banorët e Ballkanit të vjetër nga paraqitja e tyre historike e deri sot”. Profesor Mirdita është marrë me çështjen e Vllehëve në studimet e tij të ndryshme, e me ketë tematikë të Vllehëve ishte marrë edhe vet drejtori i i këtij Institutit, kështu që këta të dy ishin të vetëdijshëm për rëndësinë dhe ndjeshmërinë e fushës studiuese të projektit në fjalë.

Nga ky vështrim i shkurte për temat e zgjedhura nga opusi i Autorit qartë shpjegohet fakti pse një numër kaq i madh i historianëve, arkeologëve, gjuhëtarëve dhe shkencëtarëve tjerë të mirënjohur ju përgjigjen thirrjes që me artikuj shkencorë t’i bashkohen shënimit të 75 vjetorit të jetës dhe gati 50 vjetorit të punës së frytshme shkencore të profesor Zef Mirditës ,angazhimit të tij të gjithanshëm për bashkëpunimin shqiptaro – kroat, kujdesin e tij për zhvillimin e albanologjisë në Kroaci. Profesor Zef Mirditës i dëshirojmë shëndet të mirë dhe që edhe në të ardhmen të kontribuoi me punën e tij në shkence dhe kulturë.