Prodhuesit e krizës

0
72

Nga Arbën Xhaferi, 12.07.2010

Referati i presidentit serb, Boris Tadic në Këshillin e Sigurimit të OKB-së sërish na përkujtoi kohën e lajthitjeve kardinale serbe, paragjykimeve të rrezikshme, gënjeshtrave naive, atë ligjërim politik të përzier me elemente historike, fetare, metafizike, megalomane dhe mungesën proverbiale të tyre për realizëm.

Ai që linte përshtypjen e njeriut të kulturuar, tolerant, të hapur për dialog dhe kompromis, ai që ngjalli optimizmin se Serbinë, bashkë me të edhe rajonin do ta nxjerr nga balta e atavizmave politike, ai të cilin Berluskoni i shushatur dhe i kompleksuar e krahasoi me yllin kinematografik, Xhorxh Kllunin, ai në paraqitjen e tij të fundit KS të OKB-së, përsëriti uratën që nuk bekon por, mallkon: kurrë s’do të pranuakan pavarësinë Kosovës! Edhe Milloshevici fliste kështu…Kërkojnë negociata të reja, por me kusht që rezultati të jetë në favor të tyre!

Është vështirë të shpjegohet se si klasa politike serbe, në mesin e tyre ka edhe intelektualë të shquar, nuk vëren kundërthënien logjike ndërmjet kërkesës për negociata për statusin e Kosovës dhe qëndrimit se kurrë dhe askush në Serbi nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Ky paradoks do të tolerohej ashtu si shumë të tjerë që prodhojnë politikët, por e veçanta e këtij qëndrimi nuk është statusi i Kosovës, por tendenca për kërcënim të vazhdueshëm të paqes me përjetësim të motivit të luftës, casus bellm-it tipik serb, argumentit, përmes të cilit ata kërkojnë t’u njihet e drejta për rolin e hegjemonit, të liderit në rajon. Ose status të privilegjuar ose krizë pambarim, është motoja e kësaj politike.
Kohët e fundit, presidenti serb, Tadic, i cili sillet shumë komod në lëkurën e pafajësisë, dërgoi dy deklarata kërcënuese.

Të parën nga Stambolli, tërësisht në frymën e re të politikës së jashtme turke( Evropa duhet të tregojë se a do të na pranojë… Serbia nuk mund të presë në çivillëk…) dhe të dytën nga mbledhja e KS të OKB-së( Nëse OKB nuk është në gjendje ta kryej misionin … Serbia mund ta rishqyrtojë lejen për praninë ndërkombëtare në Kosovë). Po ashtu edhe qeveria serbe reagoi në këtë frymë kundër transferimit të detyrës për ruajtje të objekteve fetare autoriteteve vendore. Me këto qëndrime, gjenerata e re politike serbe përpiqet ta vazhdojë strategjinë e krijimit të krizës, e vetëdijshme se paqja i rrezikon jo vetëm pretendimet territoriale serbe lidhur me Kosovën, por shpirtin politik serb, atë amalgam të sajuar nga miti, feja, politika, atë rrëfim ku ata kanë rolin e popullit të zgjedhur, qiellor…

Edhe mbledhja e fundit e Këshillit të Sigurimit u thirr me këtë tendencë për riciklim të krizës. Sipas të gjitha gjasave, paqja dhe rendi janë bërë të padurueshme për strategët e krizës. Duke shfrytëzuar incidentet e fundit në Mitrovicën e veriut, presidenti serb, Tadic, me një nguti panikuese shtroi kërkesën për mbajtjen e mbledhjes së KS. Në diskutimin e tij, Tadic, si një gazetar fillestar, duke harruar se ku gjendet, iu përvesh punës që ta bindë botën se fajin për incidentet e kohëve të fundit në Mitrovicën e veriut e paskan shqiptarët. Ai, me këtë lehtësi të njollosjes së shqiptarëve , me gjasë synon të bindë veten, popullin e tij se punon shumë që ta rikthejë Kosovën në Serbi, përkatësisht se arrin ta përmbushë normën ditore të prodhimit të krizës në të gjitha nivelet.

Një shef i shtetit gjithsesi, të paktën sipas detyrës, duhet të dijë se në sistemet demokratike nuk lejohet prejudikimi i fajit. Ai, pikërisht këtë, në mënyrë arrogante e bën, saqë ambasadori amerikan e pa të udhës ta shprehë habinë e tij lidhur me motivet dhe urgjencën e thirrjes së mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, organit më të lart të OKB-së.

Vetëm ai që nuk bën dallim ndërmjet mikro-klimës dhe makro-klimës politike, vetëm ai që e adhuron veten saqë e errëson arsyen, vetëm ai që pandeh se ka të drejtë t’i kontrollojë vendimet institucioneve të pavarura, vetëm ai që, ende pa marrë raportin e institucioneve përkatëse vendore dhe ndërkombëtare, vetëm ai që ka ndërtim të këtillë mendor, vetëm ai që në mënyrë naive mendon se mund t’i mashtrojë lehtë institucionet ndërkombëtare, nuk hamendet të denoncojë fajtorin ende pa filluar punën organet legale të hetuesisë. Kjo përpjekje për fajësim të shqiptarëve është naive ngaqë efektet e këtyre incidenteve janë kundër interesit shqiptar. Sa është interesi serb që në Kosovë të thellohet kriza aq më i madh është interesi i shqiptarëve që të ruhet paqja dhe rendi.

Ky nxitim i presidentit Tadic, shpresës së politikës moderne serbe, në mënyrë dëshpruese dëshmoi se ai nuk ka kapacitete të liderit, por të epigonit që varet nga botëkuptimet anakronike të qarqeve të hirta pushtetmbajtëse serbe, ashtu si ishte edhe vetë Milloshevici. Kërkesa që të kapet dhe të dorëzohet krimineli i luftës, gjenerali Mladic është në fakt testimi i legjitimitetit dhe i forcës politike dhe strukturore të qeverisë aktuale dhe të presidentit. Meqë ai është ende në liri dëshmon se gjenerali-cub Mladic, qenka legjitim dhe më i fortë se presidenti legal, Tadic.

Shpërputhja ndërmjet pretendimeve joreale dhe mungesës së kapaciteteve reale serbe shkakton probleme në vazhdimësi. Sipas shumë analitikëve, këto ambicie joreale kanë nxitur dy luftëra botërore. Lufta e Parë ishte reagim i Autro-Hungarisë ndaj atentatit të 28 majit 1914 ku u vra Franc Ferdinandi, pretendent i fronit Austro-Hungarez.

Me këtë atentat qarqet serbe synonin që të zgjerojnë pushtetin e tyre edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë. As atëherë, as sot serbët nuk kishin kapacitete për projekte të këtilla, por kishin aftësi që vënë në lëvizje interesa të ndryshme, të prishin balancat e arritura me mund të madh.

Analitikë të ndryshëm vlerësojnë po ashtu se edhe Lufta e Dytë Botërore është shkaktuar nga serbët. Ata bënë përpjekje që duke shfrytëzuar antagonizmat euro-amerikane të krijojnë një hapësirë të pamerituar për vete. Por, këtë nuk arritën pos tragjedisë që e shkaktuan vetes dhe të tjerëve.

Politika dhe kultura serbe është bërë minierë e pashtershme për analizë të kundërthënieve luftënxitëse, të të menduarit paradoksal, të megalomanisë, mitomanisë, të përzierjes së ëndrrës me zhgjëndrrën, të besimit fetar me politikën, të dilemave rreth përkatësisë qytetëruese, të proceseve historike që zhvillohen në Gadishullin Ilirik, në Ballkan ose siç quhet sot, në Evropën Jug-Lindore. Edhe pse nga skena politike u larguan prodhuesit e shquar të krizës, Milloshevici me të tijët, edhe pse vendin e tyre e zunë politikë të rinj, në të parë të moderuar, të kulturuar, të qëruar, megjithatë, politika e tyre vazhdon ta sfidojë paqen në rajon.

Mbase ka diçka të veçantë, ndonjë cen, ndonjë ambicie, pretendim të pakapërdishëm që i detyron ata të jenë seriozisht qesharak.
Akademiku serb Jovan Rashkovic, që me mburrje i shpalli popullin e vet si të çmendur ka lënë edhe një porosi interesante: “Ne serbët jemi të fisit të Adamit, popull me fat tragjik dhe hyjnor; baza e identitetit tonë etnik është bashkëdyzimi i qiellit dhe i identitetit tonë nacional”. Këtë e thotë një akademik dhe kjo porosi ngjall adhurim.

Serbët kanë telashe me vetveten, por nuk duhet të harrojmë se edhe ne do të kemi telashe me telashet e tyre…