PROCEDURAT KAFKA-IANE TË MARRJES SË VIZAVE SCHENGEN

0
33

Mustafa Nano

Zululand
Për herë të dhjetë a të pesëmbëdhjetë në jetën time, jam duke aplikuar pranë një konsullate të huaj për një vizë Schengen me afat njëvjeçar. Shpresoj, uroj dhe besoj të jetë hera e fundit, që më duhet ta bëj këtë gjë. Duke përjashtuar herën e parë (andej nga viti 1991), kur kam qenë në një pritje dridhmuese për të marrë një vizë italiane, procedura e marrjes së një vize herët e mëpastajme ka qenë një angarí e padurueshme, s’ka gjë se të gjitha herët ajo e shkretë vizë më është dashur si pak gjëra të tjera në këtë botë.

Kam hequr shumë më pak se gjindja e këtyre anëve për të marrë një vizë, por kokëçarjen nuk e kam shmangur dot, sidoqoftë. Kam përgatitur për ditë të tëra dokumentet që kërkohen prej nëpunësve të konsullatave, jam vënë në radhë, kam dëgjuar tonet urdhëruese të burokratëve të ambasadave, kam duruar ngjeshjen tok me të tjerë (në stilin “sardele”) në ca zyra të vogla e të ngushta, ku të merret fryma, kam plotësuar formularët me një kujdes minucioz, nga frika se mos bëja ndonjë gabim të vogël, gjë që do të bëhej shkak të më kthenin mbrapsht e më jepnin takim në një datë tjetër, apo në rastin më të mirë, të më urdhëronin të rifilloja nga e para në të njëjtën zyrë, ku haset një mirëkuptim e konfidencialitet i çuditshëm mes shqiptarësh; më pas, më këmbë apo i ulur në bisht, kam verifikuar një për një e për herë të njëqindtë, nëse i kam të gjitha dokumentet e nëse i kam të sakta, e më në fund jam vënë në pritje të gjatë, tmerrësisht të gjatë, për të dëgjuar emrin tim e për të marrë rrugën drejt një zyre, ku, nën vështrimin e ftohtë e zhvlerësues të një burokrati, që gjithmonë ngjan si i dalë nga librat e Kafka-s, më është dashur të prezantoja gjithçka, qëllimin, kërkesën, dokumentet.

Mund të jetë e pabesueshme sa të duash, por ja që është e vërtetë: këto situata kanë qenë të vetmet në jetën time, ku vetja më është dukur një çikërrimë pa pikë vlere e pa pikë dinjiteti. Dhe jam i sigurt, se të njëjtin përjetim e kanë provuar edhe shumë të tjerë.

Në intervalin kohor, gjatë të cilit nëpunësi i huaj (gjithmonë kafka-ian) ka kontrolluar, mes vështrimesh që rëndom na i ka hedhur me kryet ulur e nga sipër syzeve, dosjet tona me dokumente, çdo buburrec ka pasur dinjitet më shumë se sa secili prej nesh. Vetëm ata, të cilëve u është dashur të kenë pasur të bëjnë me dhunën tekanjoze të regjimit represiv të Enver Hoxhës, mund të jenë ndodhur në rrethana më poshtëruese.

Liberalizimi i vizave i shmang këto situata. Të kuptohemi, qari i kësaj pune është shumë më i madh se sa kaq (do të jemi të lirë për të lëvizur nëpër Europë), por edhe sikur shmangia e procedurave për marrjen e vizave të ish i vetmi finalitet i këtij procesi, do t’ia vlente të festonim.