FORUM – Ermira Danaj, Gilman Bakalli, Mustafa Nano, Mero Baze, Erion Kristo, 08.03.2011
Pyetjet
1. Një kandidim potencial i Edi Ramës për bashkinë e Tiranës, a krijon një kontradiktë me kërkesën e vazhdueshme të PS për zgjedhje të parakohshme të përgjithshme? Mendoni se ky kandidim do të ketë impakt pozitiv apo negativ për opozitën, në këtë stad politik ku ndodhet (pas 21 janarit, dhe konfliktimit të skajshëm me Berishën)
2. A mendoni se një mandat i katërt për bashkinë e kryeqytetit do ta konsumonte politikisht Edi Ramën, si lider i opozitës, njëkohësisht si alternativë e kryeministrit (shef i mazhorancës)?
3. A mendoni se ka figura të tjera të përshtatshme, veç Ramës, për të kandiduar për Tiranën nga ana e opozitës, e nëse po, cilat mund të ishin këto?
Gilman Bakalli, pedagog
1. Përballë kërkesës së vazhdueshme të PS për zgjedhje të parakohshme parlamentare kam të drejtën të pyes, se pse kësaj radhe z. Rama beson se me zgjedhje të tjera të parakohshme do të jetë ai fituesi dhe jo sërish Berisha fjala vjen? Cilat janë garancitë se kësaj here proçesi i numërimit do të jetë ndryshe nga ai i 2009-ës? Ç’dobi do të kishim po të hynim me të njëjtat probleme ende të pazgjidhura nga fushatat e kaluara elektorale, me të njëjtin Kod Zgjedhor, me të njëjtin KQZ e TVSH të politizuar apo me të njëjtat mungesa garancish që nuk e lejojnë rinumërimin e votave kur kjo kërkohet nga kandidati apo një parti? Shkurt, ka diçka të pasinqertë në këtë kërkesë të vazhdueshme të PS për zgjedhje të parakohshme.
Pretendimi i z. Rama për një mandat të katërt e bën akoma më të pavlerë kërkesën e mësipërme të PS për zgjedhje të parakohshme të përgjithshme. Të dyja kërkesat nuk mund të qëndrojnë njëkohësisht: njëra ia heq bazën e vërtetësisë tjetrës.
Me kushtin që dilema e mesipërme zgjidhet dhe z. Rama kandidon për një mandat të katërt, gjykoj se ky akt do të ketë një impakt pozitiv për opozitën, sepse luan me kartën e saj më të sigurtë. Shpeshherë në politikë të qëndrosh tek e sigurta, tek e stërprovuara sjell më tepër sukses se loja me elementin e risisë. Edi Rama ia bën shumë, po shumë të vështirë lojën rivalit të tij demokrat. Imagjinoni frustrimin e këtij të fundit përballë Edi Ramës! A ka ngelur më gjë pa u konsumuar nga fjalori denigrues politik kundër z. Rama? Çfarë ka përtej lakuriqësisë së tij, dhunës së tij të supozuar ndaj grave apo familjarëve të tij?
2. Jo, nuk ka asnjë konsumim politik të Z. Rama (si lider i opozitës) për shkak të një mandati të katërt si kryetar bashkie. Argumentet që paraqesin rikandidimin e z. Rama nën një dritë të papërshtatshme (siç bënte dje z. Çili) nuk qëndrojnë, kryesisht sepse ngrihen mbi bazën e një ndarjeje të prerë midis “politikes” dhe “lokales”. Unë besoj se gjithnjë e më pak ka një ndarje të prerë midis problemeve politike dhe atyre lokale. Çdo problem lokal është edhe politik. Dhe anasjelltas. (kujtoni betejat e kaluara dhe aktuale të qeverisë për probleme “lokale”). Përveç kësaj, standardi i ndarjes së postit ekzekutiv nga ai partiak nuk është realizuar deri më sot nga asnjë parti. Të dy partitë që drejtojnë sot vendin, PD dhe LSI kanë në krye një kryetar me kohë të pjesshme. Në këtë kontekst, pse paraqitet si dizavantazh për Ramën mbivendosja e dy pozicioneve?
3. Vazhdojmë të bëjmë të njëjtin gabim (për të cilin Karl Popper kritikonte Platonin apo Marksin), kur shtrojmë pyetjen “kush duhet të qeverisë?” Ta harrojmë këtë pyetje! Ç’do të thotë “figura të përshtatshme”? Kemi plot shembuj figurash politike që na janë dukur shumë “të përshtatshme” në fillim të karrierës së tyre dhe që, tani që nuk i duam më sepse janë bërë “të papërshtatshme”, nuk pranojnë të largohen paqësisht nga pushteti?
Figura ka plot në PS, por figura ama!
Erion Kristo, pedagog
1. Zgjedhjet vendore kësaj here janë shumë të rëndësishme. Duke ardhur në një situatë skandaloze politike, ato do të shërbejnë si test për zgjedhje të parakohshme. Askush nuk i bekoi zgjedhjet e parakohshme në Shqipëri, prandaj u pa më e arsyeshme një betejë elektorale e radhës, për të marrë një votëbesim për palët në konflikt. Në këtë pikëpamje, loja është shumë e madhe dhe përputhet me lëvizjet e opozitës. Kandidimi i Ramës nuk ndryshon ndonjë gjë, përkundrazi tregon angazhimin e tërëfuqisë politike të opozitës. Kandidimi i kreut të PS e çon betejën politike në agoni.
2. Për qytetarët nuk është fare i pranueshëm një mandat i katërt i një njeriu të vetëm. Kjo tregon se demokracia bazohet tek njerëzit dhe jo tek idetë apo interesat e qytetarëve. Edhe një qenie ideale po të ishte, nuk do të duhej të pranohej në drejtim për katër mandate radhazi, edhe pse merr votëbesim. Grekët e lashtë e ndiqnin nga qyteti një njeri që bëhej kaq i rëndësishëm dhe fitonte kaq peshë. Me këtë nuk dua të them asnjë mesazh për qytetarët, thjesht po tregoj përfytyrimin tim për demokracinë, një përfytyrim tekefundit libror. Edi Rama në rast fitoreje, është alternativë e kryeministrit, një alternativë serioze. Zgjedhjet nuk do ta konsumonin, përkundrazi, do ta forconin. Kuptohet, gjithmonë në rast fitoreje. Tani loja ka kapur zenitin e vet, gabimet janë të pafalshme.
3. Edi Rama me lojën e tij ngriva-shkriva, nuk lejoi prodhimin e kandidatëve të tjerë. Tanimë ai nuk mund të tërhiqet nga kandidimi, sepse nuk ka kohë për të prodhuar kandidatë. Edhe pse mendoj se qoftë brenda opozitës, qoftë jashtë saj ka figura shumë të spikatura që janë administratorë të zotë dhe mund të marrin përsipër fatet e qytetit, që ka kohë që kërkon të ketë në krye një njeri që të punojë full-time, vetëm për qytetin. Figura brenda së majtës ka shumë, që nga Pandeli Majko që në të gjitha rastet është varkë shpëtimi e PS, dhe është përdorur shpesh nga PS si gomë rezervë; një njeri që mund të kapë vota edhe majtas edhe djathtas, e mbi të gjitha në qendër, ku një masë gjigande njerëzish rri e tulatur nga politika aktuale.
Majko është një figurë humane për atë se çka njohin njerëzit. Do të ishte një bonus i madh në fushatë, një fushatë me parametra humanë, të paktën nga ana e opozitës. Po ka edhe figura të tjera të rëndësishme, si Pëllumb Xhufi, apo qoftë dhe Blendi Klosi, që ka qenë një administrator interesant në krye të Ministrisë së Kulturës. Figura ka plot, po për shkak të politikave personale janë kthyer në figurantë.
Mustafa Nano, publicist
1. Nuk ka diskutim që e krijon atë kontradiktë, për të cilën flisni ju. U bë disa kohë tanimë që, falë disa betejave të rëndësishme (kundër korrupsionit, për zgjedhje të lira e të ndershme, rrejdhimisht për zgjedhje të parakohshme, etj), Edi Rama fitoi një autoritet që s’e kish, në planin politik e nacional. Nuk është se i fitoi këto beteja (në fakt, asnjë s’ka fituar), por ishin beteja që e nxirrnin në evidencë si aspirant për kryeministër. Mirëpo ja, vjen dita e zgjedhjeve lokale, dhe atë fap, e kap “ngasja për të qënë administrator lokal”. Duket sikur don t’u thotë të tjerëve: hej, mua më intereson bashkia.
Kur vjen puna tek impakti që mund të ketë për opozitën kjo lëvizje e hamendësuar e Ramës, një gjë është impakti elektoral, e një gjë tjetër është impakti politik. Kjo lëvizje elektorale e Ramës nuk ndikon për keq në terma elektoralë; por në terma politikë ndikon veç për keq.
2. Pikërisht këtë pata parasysh kur fola përmasën politike të impaktit; jo vetëm e konsumon, por edhe e zvogëlon.
3. E kam dëgjuar shpesh herë të thuhet nga gojë socialistësh, se “ata kanë bërë sondazhe të tyret, dhe nga ato sondazhe rezulton që vetëm Rama është fitues i sigurtë i Tiranës”. Nuk i besoj këto sondazhe të socialistëve; janë një sendërgji e Ramës, me anë të të cilave ky i fundit don të na thotë se “po kandidon, jo se ka qejf, por sepse është i detyruar”. Për të çuar ujë tek kjo tezë, ai, përveç “lojës së sondazheve”, bëri dhe një lojë tjetër: hodhi për testim në tregun e thashethemeve metropolitane dy-tre emra të tjerë krejt të refuzueshëm, dhe me këtë synoi të përforconte idenë, se “ai është i vetëm”. Kjo ishte një hile jo dhe aq e hollë.
Në fakt, janë të gjitha gjasat që Rama të dalë mirë në sondazhe, rrjedhimisht të jetë fitues, nëse kandidon; por puna është se nuk është vetëm Rama ai që fiton. Edhe sikur dikush i mirinformuar e i besueshëm të më thotë, se “janë të gjitha provat se askush tjetër s’mund të fitojë përballë Lulzim Bashës”, edhe në këto rrethana pra, fajtori do ish Edi Rama. Cili është faji i tij? Faji është që e ka rrethuar veten me njerëz, statura e të cilëve bën plot të tjerë që të thonë po atë që e thonë dhe ata vetë, dmth që “Edi Rama është më i miri, i vetmi, i pakonkurueshmi”. E dini? Ky është një nga fajet më të rënda të këtij njeriu.
Ermira Danaj, sociologe
1. Në këtë situatë ku jemi, dhe duke analizuar të paktën informacionin që merret nga konferencat për shtyp apo fjalimet, është e vështirë të kuptohet se cila është strategjia e opozitës, se çfarë do të bëjë, nëse dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje apo jo. Kjo gjendje vazhdon që prej qershorit të 2009, kështu që nuk di të them nëse opozita kërkon vërtet zgjedhje të parakohshme, apo nëse do t’i vazhdojë protestat që kontestojnë legjitimitetin e qeverisë. Në këtë kontekst, kandidimi apo jo i Edi Ramës për mua duket më shumë si pjesë llogarish imediate politike, se sa si pjesë e një strategjie programore që përmban kërkesa të qarta.
2. Ne radhë të parë do të ishte shumë e rëndësishme të dihej publikisht motivimi, pse do të kandidonte përsëri Edi Rama. Dmth. cilat ndryshime apo zhvillime premton se do t’i sjellë ai kryeqytetit në këtë mandat, çfarë politikash zhvilluese do të ndjekë, përshembull, çfarë programi ka ndërmend të paraqesë për shërbimet sociale, qendrat kulturore, punësimin e të rinjve (që është një ndër problemet kryesore), apo politikat e strehimit për të rinjtë, të cilat mungojnë totalisht. Unë këto lloj motivimesh do të prisja nga kandidati socialist për kryetar bashkie. Mirëpo deri më tash duket se programi apo politikat nuk janë aspak në qendër të ndonjë diskutimit.
Dhe emrat qe përfliten ngjallin thjesht diskutime mbi kush është më i fortë nga kandidatët, cilët janë klanet, klientelat apo biznesmenet që mbështesin njërin apo tjetrin emër të përfolur. Nëse Rama do ta argumentonte kandidimin e vet me politika e programe sociale dhe zhvillimore, dhe nëse gjatë fushatës do të impenjohej për zbatimin e tyre, nuk besoj se ka rrezik për t’u konsumuar. Ama nëse do të vazhdojmë të mbetemi te politika e fjalimeve dhe konfliktit individual politik, nuk shoh ndonjë përfitim për qytetarët. Kam frike se do të ndodhë kjo e fundit, përsëri.
3. Duke vazhduar përgjigjen e mesiperme, nëse kandidimi i Ramës do të bazohej vetëm te justifikimi se PS nuk ka asnjë kandidat tjetër të denjë, apo se nuk fitokërka dot një tjetër nga PS, atëherë këtu do të isha plotësisht kundër. Nuk besoj se Partia Socialiste është e varur nga një njeri i vetëm, nuk besoj se vetëm ky mund të jetë i vetmi dhe i përhershmi fitues. Ka plot burra e gra ne PS që mund të ishin kandidatë për bashkinë. Sepse aty nuk po kandidon individi kunder individit, por partia kundër partisë. Pra, edhe në zgjedhje lokale, pretendohet se garojnë dy qasje politike programore, e jo dy individë që premtojnë thjesht spektakël.
Mero Baze, publicist
Në debatin e para disa javëve rreth kushteve të pafavorshme për zgjedhje vendore, ambasadori i SHBA në Tiranë Aleksandër Arvizu, inkurajoi opozitën dhe shqiptarët t’i kthejnë zgjedhjet vendore në një referendum për qeverisjen. Amabsadori Arvizu është tashmë i paragjykuar si mbështetës i Berishës, por kjo nuk na pengon ta marrim seriozisht deklaratën e tij. Por a mund të jenë zgjedhjet lokale një referendum politik?
Pa diskutim që janë, por jo në tërësinë e tyre, por në cilësinë e ballafaqimit të tyre. Nëse bëhet fjalë se kush do ta fitojë Peqinin apo Rrogozhinën, nuk kam siguri të them se aty qytetarët do t’i konsiderojnë zgjedhjet referendum. Por ka një kampion të këtyre zgjedhjeve që në të vërtetë mund të merren si referendum dhe ai është votimi në qytetet e mëdha dhe zonat e ndriçuara politikisht. Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora, Elbasani dhe Korça përbëjnë padyshim një kampion elektoral ku edhe zgjedhjet vendore mund t’i konsiderosh referendum.
Kjo për arsyen e vetme se elektorati në këto qytete është më i qartë politikisht dhe nuk joshet në votime nga përçarjet brendapartiake apo premtimet banale për ujërat e zeza, rrugicat me asfalt apo lejet e ndërtimit. Në këtë pikë mund të thuhet pa frikë se rezultati në qytetet kryesore të Shqipërisë, qofshin këto bastione të PD apo PS, është një referendum.
Në këtë pikë deklarata e ambasadorit Arvizu është shumë e rëndësishme, nëse ai e ka thënë seriozisht. Kur them është e rëndësishme kam parasysh se referendumi duhet të vlerësohet si referendum, pra duhet të ketë një efekt pas. Për të qenë më i qartë ambasadori duhet të saktësojë se nëse opozita fiton referendumin, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Kjo është logjika e vetme që mund ta na shtyjë t’i quajmë zgjedhjet vendore referendum. Ndryshe ato janë zgjedhje vendore, ku mund të fitojë dhe i pari i fshatit që nuk është as i PS, as i PD.
Por duke mbetur tek ideja që zgjedhjet edhe nëse nuk kanë kushtëzime, do të jenë një lloj referendumi, ato kanë të nevojshme kandidimin e figurave të forta politike në krye të garës. Në këtë pikë debati për Tiranën duket qesharak dhe as që duhet të hamendësohet. Referendumi është në radhë të parë për të marrë votëbesimin ose mosbesimin Edi Rama dhe ai duhet të jetë në krye të garës në Tiranë. Ai duhet të votëbesohet nga kryeqytetasit në një betejë të drejtpërdrejtë politike me Sali Berishën, pavarësisht kë lolo do t’i nxjerrë atij përballë.
Edi Rama nuk është në një fazë normale të karrierës së tij politike, pasi është në një betejë të stërzgjatur politike për transparencën e zgjedhjeve, ku akuza kryesore që po i bëhet është se nuk do të njohë humbjen e Qershorit 2009. Ai ka rastin më 8 Maj të hap kutitë që nuk ja hapi Berisha dhe të testojë votëbesimin popullor ndaj tij. Këtu komentet apo skenarët s’kanë më asnjë vlerë dhe nuk duhet krijuar asnjë mëdyshje. Ai duhet të jetë në krye të garës dhe të udhëheqë fushatën e opozitës duke garuar në kryeqytet.
Dhe modeli i tij duhet të ndiqet në çdo bashki të madhe të vendit, ku duhet të jenë ose kryetarët ekzistues ose figurat e spikatura politike.
Kjo është e vetmja mënyrë që këto zgjedhje të kthehen në referendum dhe i vetmi shans që të detyrohet dhe faktori ndërkombëtar të imponojë rezultatet që imponon një referendum i fituar apo i humbur. Çdo arsyetim se ç’do bëhet më tej me zgjedhjet dhe debatin politik në Shqipëri janë debate që thjesht duan të kompleksojnë Edi Ramën për t’i lënë fushën e lirë lolos së radhës së Sali Berishës.
Kjo nuk është betejë e Lul-ave dhe tulave, por e Berishës me Edi Ramën. Si e tillë ajo duhet të bëhet e fortë, transparente dhe shumë politike. Opozita nuk ka luksin të lëshojë asnjë centimetër katror pushtet përballë Berishës dhe as që duhet të dëgjoj sirenat që duan ta tërheqin në breg lidershipin e opozitës për të parë si i shqyejnë ushtarët e saj pa autoritet plaçkitësit e pushtetit.
Vetëm një referendum i tillë mund të çojë vendin në një zgjidhje të re politike. Më shumë se kushdo Perëndimi e di mirë se në vitin 2012 nëse Berisha është ende në pushtet, ai merr të gjitha pushtetet që ka pasur Enver Hoxha dikur.
Ai merr përfundimisht dhe presidentin, kryeprokuroren dhe SHISH, dhe pastaj kostoja e ç’montimit të tij ka për t’i kaluar kostos së largimit të Gadafit nga Libia. Në të vërtetë Perëndimi ka nevojë të shikojë një referendum të pakontestuar për ta ndalur më të keqen që mund të ndodhë nëse vendi nuk shkon në zgjedhje të parakohshme. Dhe ajo e keqe nuk ikën më me zgjedhje, dhe as me intifadë gurësh dhe çadrash. Ajo e keqe që mund të gjejë Shqipërinë në vitin 2012, nuk ikën siç tha Berisha as me 3 mijë të vrarë. As sa në vitin 1997.







