Privatizohet Rruga e Kombit

0
97

Pjesa shqiptare e Rrugës së Kombit shumë shpejt privatizohet. Krejt kjo në mungesë të kapaciteteve për mirëmbajtje.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka kërkuar të mërkurën në mbledhjen e qeverisë privatizimin e Rrugës së Kombit, pasi Shqipëria nuk ka kapacitete për mirëmbajtjen e saj.

Kreu i ekzekutivit shqiptar ka pohuar se Shqipëria do i nënshtrohet një privatizimi thuajse tërësor, ku si pronë publike do të mbeten vetëm digat e mëdha, shkollat, spitalet, parqet kombëtare, tokat pa pronarë, të cilat janë publike, ndërsa të tjerat do të jenë tërësisht në zotërimin, administrimin, menaxhimin e sektorit privat.

“Në 4-vjeçarin që shkoi, u ndërtua vepra më e madhe publike në historinë e këtij vendi. Ne e ndërtuam atë, por Shqipëria nuk ka kapacitete publike për mirëmbajtjen e kësaj autostrade. Ministria e Punëve Publike dhe e Transportit ka kontraktuar me IFC-në për ta dhënë sa më shpejt në menaxhim privat autostradën Durrës-Kukës-Morin, deklaroi Berisha.

Ndërkohë që kryeministri paralajmëroi për menaxhim të sektorit privat edhe të akseve të tjera rrugore në Shqipëri.

”Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky proces të ecë, por unë mendoj se duhet të konsiderohen në këtë aspekt edhe akse të tjera rrugore. Sapo të përfundojë segmenti Shkëmbi i Kavajës – Rrogozhinë, atëherë dhe autostrada Tiranë – Fier, Tiranë- Durrës, të shqyrtohet, të jepet për menaxhim. Këto janë vepra të mëdha. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve nuk disponon kapacitete njerëzore dhe materiale për mirëmbajtjen e tyre. Mirëmbajtja e tyre është një proces shumë i ndërlikuar. Vende të tjera të mëdha, ndër më të mëdhatë e Evropës, nuk marrin përsipër mirëmbajtjen, por ua japin kompanive të mëdha për t’i mirëmbajtur”, argumentoi kryeministri Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Ndryshe, mirëmbajtja e rrugës kërkon fonde të shumta, të cilat arka e shtetit shqiptar nuk mund t’i përballojë, pasi llogariten kosto që shkojnë të paktën deri në 20 milionë euro në vit.

Mundësi tjetër për të garantuar këtë shumë, shikohet edhe vendosja e taksës, që mendohet të jetë duke filluar nga 5 euro dhe ku IFC-ja do të marrë pjesën që i takon në rast se zgjidhja që do të ofrohet jep rezultat.

Qeveria shqiptare nuk ka pranuar kurrë zyrtarisht ose në mënyrë të hapur që udhëtimi në rrugën Durrës-Kukës do të bëhet me pagesë, por ka paralajmëruar indirekt se mirëmbajtja e saj kushton shumë dhe se duhen gjetur forma sesi do të mbulohet kostoja. Gjykohet që tarifa më e mundshme të jetë 5 euro, megjithatë pritet të ketë diferencime në varësi të mjetit që do të kalojë aksin.

EXPRESS