PRIVATËSIA SI BUNKER DHE GJYKATËSIT SI TIRANË?

0
49

Andrea Stefani

Andrea Stefani

Privatësia nuk mund të përdoret si bunker për të fshehur nga sytë e publikut abuzimet dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë me pushtet. Ky ishte mesazhi kryesor që doli nga një tryezë e rrumbullakët e organizuar dje nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) lidhur me skandalin “Pango” të rindezur këto ditë nga një vendim absurd i një trupe gjykatësish që gjobiti emisionin investigativ, “Fiks Fare”, me 400 mijë euro.

Por pjesëmarrësit në tryezë (gazetarë, juristë dhe sociologë), nuk mund të mos trajtonin edhe dukurinë e pangjarë të solidaritetit të një grupi gjykatësish me trupën gjyqësore që dha kundër “Fiks”-it vendimin dukshëm hakmarrës. Për disa nga diskutantët në tryezë, një solidaritet i tillë kolektivist i gjykatësve kundër medias është shenjë alarmante e një aleance të frikshme të segmenteve të pushtetit të drejtësisë me korrupsionin.

* * *

Ka pasur këto ditë një fushatë të tërbuar për ta paraqitur investigimin e “Fiks Fare” si dhunë ndaj privatësisë së një qytetari. Madje ka pasur edhe gazetarë që i kanë rënë kësaj vuvuzele. Kjo dukuri e fundit lë vend për habi. Sepse edhe sikur të ishte cenuar ndonjë privatësi, gazetarët zakonisht priren të mbrojnë tejkalimin e mureve të privatësisë nga media kur është fjala për të mbrojtur një interes publik. Të paktën ky është mentaliteti jo vetëm i gazetarëve, por edhe i gjykatave në Europën ku duam të integrohemi.

E megjithatë, në rastin e investigimit të “Fiks Fare” nuk bëhet fare fjalë për dhunim të ndonjë privatësie. Nga të gjitha regjistrimet shihet qartë se si një ministër, me koshiencë të plotë, e zhvendos zhvillimin e ngjarjeve (më saktë arenën e abuzimit me postin) nga zyra, ku me sa duket e kish të vështirë ta finalizonte, në vilën e tij private, ku mjedisi për abuzimin që planëzon është më i përshtatshëm. Dhe për mashtrim, vilën e quan në fillim “institut”. Vetëm kjo mjafton që “Fiks”-i të dalë i larë dhe të thotë se ka regjistruar me kamera të fshehta në një “institut” dhe jo në shtëpinë e ministrit.

Por fakti është se Pangoja mashtronte kur i tregonte vajzës adresën e “institutit”. Në fakt, atje ishte vila, shtëpia e tij, me plot ambiente të mëdha e të vogla. Pra “Fiks”-i ka regjistruar brenda shtëpisë së ministrit. A përbën kjo një shkelje të privatësisë së një qytetari sikundër shqetësohen jo vetëm beniaminët e pushtetit, por edhe ca gazetarë po aq të afërt dhe shërbyes të pushtetit? Aspak! Sepse nuk është faji i gazetarëve që një ministër vendos që punët e zyrës (si për shembull procedurat e punësimit të një vajze), t’i bëjë në shtëpi.

Nuk është faji i “Fiks”-it që Pango e shndërroi vilën e tij në një zgjatim të ambienteve të ministrisë. Dhe kur një zyrtar i lartë përdor shtëpinë e tij për korrupsion dhe abuzim me postin, privatësia e tij duhet të jetë shqetësimi i fundit edhe i qytetarit më të fundit dhe jo më i gazetarëve, gjykatave që alarmohen për kërcënimin që i vjen interesit publik nga korrupsioni dhe abuzimi i zyrtarëve publikë. Asnjë media e lirë nuk do të toleronte që shtëpitë e zyrtarëve të lartë të shndërroheshin në kulla ilegale, në bunkerë të abuzimit zyrtar të betonuara kundër medias dhe publikut me privatësi.

Kjo e fundit është e shenjtë për të mbrojtur gjëra të shenjta për familjen, intimitete shtëpiake, virtyte, madje edhe vese njerëzore që nuk kërcënojnë interesin publik. Por liria private nuk mund të jetë ombrellë për abuzimin publik. Kur është fjala për ofiqarë, ekzigjenca është edhe më radikale. Sepse, nëse vesi i një qytetari është çështje private, vesi i një zyrtari është premisë abuzimi, korrupsioni, madje dhe krimi. Ndërsa vesi i qytetarit është në shumicën e rasteve e keqja e vetë qytetarit, vesi i zyrtarit është mbi të gjitha e keqja e publikut.

Dhe sa për saktësim, nëse është dikush që ka shkelur privatësinë e dikujt në gjithë këtë mesele, ai është ministri Ylli Pango, që guxoi të zbërthejë mbërtheckat në trupin e një vajze. Dhe a nuk është trupi i njeriut, sikundër tha edhe një ndër pjesëmarrësit në tryezë, gjëja më private, më e paprekshme e çdo njeriu? Prandaj publiku duhet të jetë i informuar jo vetëm për virtytet, por edhe për veset e qeveritarëve të vet. Ndryshe do jetë i dënuar të mashtrohet nga lloj-lloj sharlatanësh “të virtytshëm”, që i buzëqeshin nga ekranet dhe tribunat. Dhe investigime profesionale si ai i “Fiks Fare”, ia hapin sytë publikut.

Dhe që kjo administratë (përfshi dhe Presidentin e Republikës), të distancohet nga gjithë ky inkuizicion i turpshëm antimedia, që sapo ka nisur me një gjobë 400 milionëshe, që të tregojë se është me lirinë e medias dhe jo me ministrin e korruptuar dhe gjykatësit (ndoshta po aq të korruptuar) që guxuan ta mbrojnë atë duke sfiduar hapur çdo lloj morali, të vërtete dhe drejtësie, duhet të bëjë sa nuk është vonë një gjest. Për shembull, të kërkojnë dekorimin e emisionit “Fiks Fare”.

* * *

Disa fjalë edhe për gjykatësit që u solidarizuan me Agim Bendon e K°, duke akuzuar publikisht “Top Channel”-in se po sulmon gjykatësit, duke i treguar edhe derën e Gjykatës së Apelit. Kemi dëgjuar dhe shpresojmë se “Top Channel” nuk do të përtojë ta ndjekë skandalin “Pango” së bashku me skandalin “Bendo” në të gjitha instancat gjyqësore, madje deri edhe në Strasburg.

Por çështja që na alarmon është ajo e disa gjykatësve që bezdisen që një vendim i kolegëve të tyre kritikohet në media, madje kërkojnë ta paraqesin një zhvillim të tillë si një kërcënim për pavarësinë e gjyqësorit, si një presion mbi “drejtësinë”. Këta gjykatës gabohen 1000 herë dhe ngatërrojnë pistën juridike me atë publike. As media dhe as publiku nuk kanë forcë apo të drejtë të shpërfillin një vendim gjykate. Qoftë edhe i gabuar. Vetëm një gjykatë ka të drejtë të ndryshojë vendimin e një gjykate, apo ta hedhë poshtë atë.

Por mediat dhe qytetarët kanë të gjithë lirinë dhe të drejtën të kritikojnë me të gjitha energjitë e tyre një vendim gjykate të gabuar. Madje edhe të protestojnë kundër tij. Gjykatat si pushtet i tretë dhe gjyqtarët si ofiqarë të këtij pushteti, nuk mund t’i shpëtojnë dot kritikës së medias, shoqërisë civile dhe publikut. Këtë privilegj nuk e ka askush në demokraci. Media është “qen roje” jo vetëm mbi qeveritë, por edhe mbi gjykatat. Reagimi ndaj vendimeve të tyre të padrejta është një nga mjetet dhe hapësirat që demokracia i ka lejuar qytetarëve për të kufizuar edhe abuzimet e korrupsionin e pushtetit gjyqësor.

Ky i fundit, si të gjithë pushtetet në një demokraci liberale, nuk është i pakufizuar. Madje reagimi mediatik dhe qytetar është një nga mjetet që nuk lejon që korrupsioni të përhapet si epidemi në të gjitha nivelet e gjyqësorit. Pa një reagim kritik të medias dhe publikut, korrupsioni në gjykata do zhvillohej i pandalshëm dhe shumë shpejt ato do të shndërroheshin në bllok dhe në të gjitha nivelet, nga mbrojtëse të së drejtës dhe lirive të qytetarëve kundër abuzimeve dhe korrupsionit, në trupa tiranike kundër të drejtave dhe lirive.

Dhe nuk ka tirani më të tmerrshme se ajo që bashkon në një aleancë korruptive, tiraninë e qeveritarëve (që tashmë e kemi) me atë të gjykatësve (që ende nuk e kemi?). Ajo që shekuj më parë i trembej Tukëvili, tirania e gjykatësve, nuk është asgjë përpara një aliazhi të tillë tiranik. E keqja është se peticioni i disa gjykatësve në mbrojtje të një vendimi absurd kundër medias, ngjason si një gërshet i kësaj tiranie që ka nisur të thuret.

Po mos është një koincidencë, një aleancë rastësore, një solidaritet shokësh e miqsh të Bendos kundër medias investigative? Nuk na duket ashtu. Mjafton të shohësh testimet e opinionit publik të bëra vitet e fundit nga organizma si IDRA. Qeveritarët, politikanët dhe gjykatësit, janë ndër më të korruptuarit dhe ndër më të paangazhuarit në luftën kundër korrupsionit. Në të kundërtën, media perceptohet, për vite me radhë nga publiku, si më e angazhuara në luftën kundër korrupsionit dhe si pushteti më pak i korruptuar.

Të gjitha këto nuk mund të mos të bëjnë të dyshosh fort se segmente të korruptuara të gjyqësorit po organizohen në një aleancë të fshehtë me korrupsionin qeveritar për të goditur armikun e përbashkët dhe kryesor që i kërcënon sot, median e pavarur investigative. Dhe media duhet të dijë të organizohet e mbrohet nga kjo aleancë korruptive që kamuflohet me “shenjtërinë e privatësisë” dhe “pavarësinë e gjykatave”.