Priteni Lulëzim Bashën në Uashington!

0
32

Nga Mero Baze, 28 Janar 2012

Lulëzim Basha do të jetë ditën e hënë në një simpozium në Universitetin ‘John Hopkins’ për të folur mbi takimet që ka pasur me qytetarët në Tiranë, mbi ndryshimin e sistemit të taksave dhe hartimin e një plani të ri urbanistik. Udhëtimi i tij më kujton një detaj që Fatos Lubonja ma ka thënë vite më parë, duke besuar se Lulëzim Basha ishte ndryshe nga Berisha. “E takova në paradhomën e Berishës, tha, ndërsa po hyja në zyrë të Berishës, kur po më emëronin Drejtor të Bordit të RTVSH. Basha sapo doli nga zyra e Berishës, më shtrëngoi dorën dhe më tha: rezistoi atij, qëndroji fort, po u dorëzove dhe ti, s’ka më shpresë”. Lubonja e kishte dëgjuar me admirim dhe nuk kishte faj. Për disa vite më pas i ishte mbushur mendja për shkak të “sekretit” të tij se ky njeri e ka diçka ndryshe nga Berisha.

Simpoziumi i sajuar është një “qokë” e një qendre studimore pranë këtij universiteti, e cila duket se u ka borxh diçka lobistëve të Berishës në Uashington. Në këto ditë të vështira për qeverinë e Sali Berishës, kur Uashingtoni po “vë në dyshim aftësinë e Berishës për të drejtuar vendin” siç u shpreh Bob Hand, udhëtimi i Lulëzim Bashës privatisht në Uashington është një lajm i rëndësishëm.

Nuk ka rëndësi si e trukoi marrjen e vizës në Tiranë. Nuk ka rëndësi fotoja e tij me ambasadorin amerikan dhe kryelajmi se do të takojë dhe kryebashkiakun e Uashingtonit. Edhe sikur të mos e takojë, nuk prish asnjë punë. E rëndësishme këtu është fakti që Berisha është shqetësuar seriozisht nga ftohja me Uashingtonin dhe ka nisur atje “të dërguarin” e tij.

Tema mediokër në të cilën do të ligjërojë në universitet është aq banale sa me siguri do të urojë të mos ia dëgjojë dikush. Axhenda e tij ende e bardhë është e gjitha në mëshirë të lobistëve që po marrin miliona nga Berisha. Ata po punojnë këto ditë ta fusin tek Mëngjesi i Lutjeve, me shpresë se bën ndonjë foto me Hillarin, ta fusin në Departament të Shtetit me shpresë se u mbush mendjen atyre të thonë ndonjë fjalë pozitive, ta nxjerrin tek Zëri i Amerikës, me shpresë se do të shitet këtu për mbështetje, ta citojë ndonjë gazetë lagjeje, dhe të thuhet se fjalimi i tij për kioskat dhe taksat që ka dhjetëfishuar, pati jehonë. Udhëtimi i tij në Uashington është në të vërtetë udhëtimi i makthit për Sali Berishën. Ai po e nis atje, siç nis një tutor ofertën e fundit për kundërshtarët.

E nis me përkushtimin e madh që ta pranojnë me çdo çmim si ofertë për paqe. Nëse duhet që Lulëzimi të kritikojë Sali Berishën, ka leje ta bëjë, nëse duhet të thotë që ne të rinjtë jemi ndryshe nga ai, ka leje ta bëjë, nëse duhet tu thotë na jepni dhe një shans pas presidentit se do ta izolojmë Berishën, ai ka leje ta bëjë, nëse duhet të thotë Berisha është nervoz dhe i ndërlikon punët me retorikën e tij, ai ka leje ta bëjë, nëse duhet të kërkojë falje pse Berisha nuk pranon vrasjet e FBI, ai ka leje ta bëjë, dhe në fund fare nëse duhet të sillet si i penduar dhe të tregojë si ai bodigardi i Berishës fotot e vrasësve, dhe atë ka leje ta bëjë. Misioni i tij është thjesht t’i gënjejë ata që ta shtyjnë dhe pak luftën, ta shtyjnë dhe pak besimin tek Berisha, ta lënë të marrë dhe Presidentin dhe kryeprokurorin e SHISH. Pastaj s’ka rëndësi se fiton vetë.

Ky është misioni që i shkon shumë për shtat këtij njeriu. Si një “dandy” që Berisha e nxjerr në treg sa herë nuk ia del dot si burrë me kundërshtarët e tij në Perëndim, Lulëzim Basha ka leje të thotë gjithçka duan të dëgjojnë në Uashington për Berishën, mjafton që ata ta falin duke menduar se kanë një njeri që i dëgjon dhe i kupton afër Berishës. E ka luajtur këtë rol kur shkoi në gjyq për milionat e segmentit Rrëshen- Kalimash dhe të huajve ua paraqiste veten si “viktimë” e Berishës. Pati plot që e besuan dhe pse ishte “viktimë” me leje. Po e bën këtë dhe me 21 Janarin, ku u shpjegon të huajve se atë ditë ka qenë tejet i tronditur dhe gjithçka e ka vendosur Berisha. Është po ashtu viktimë me leje.

Tashmë ka shkuar në Uashington në një kohë të keqe për Berishën. Është i qartë ç’do të dëgjojë për të, por shpreson se atje nuk janë të qartë ç’do dëgjojnë prej tij dhe mund të gënjehen. Të gjithë e mbajmë mend fushatën e tij qesharake, por që ka gënjyer së paku ambasadorin amerikan kur thoshte se unë jam i distancuar nga Berisha! Shikojeni sa i distancuar është! Berisha në çdo mbledhje qeverie tregon dhe flet se si po punon në Bashki, se si ka hequr disa tarifa dhe ka dhjetëfishuar shumë taksa, si Lulëzim Basha pret qytetarë dhe si bën panaire me Kunatin e vet. Lulëzim Basha as që nuk skuqet për këtë.

Atij nuk i intereson shumë përdorimi nga Berisha, nuk i intereson shumë pse gënjen qytetarët, apo pse s’ka turp ta kthejë Bashkinë në pronë private të familjes së gruas tij. Ai ka vetëm një aftësi në jetë, të jetë në dispozicion të dikujt. Ka kohë që e ka gjetur tutorin. Prej 2005 është në dispozicion të tij. Detyra e tij e vetme është të joshë armiqtë e Berishës, t’i zbusë ata, t’i gënjejë në mund, t’i qetësojë duke u shkelur syrin, të ulen të pinë nga një birrë dhe të flasin kundër Berishës, të qajnë hallin se “s’kanë ç’i bëjnë, por ja dhe një vit do të jetë”, dhe në fund të kthehet buzagaz tek Berisha dhe t’i thotë “ua hodhëm”.

Axhenda e tij në Uashington është tërësisht bosh. Kjo për të ndoshta është lehtësi e madhe. Unë uroj që ajo axhendë të mbushet deri të hënën. Takimi i dyshimtë me kryebashkiakun e Uashingtonit nuk ka asnjë rëndësi. Unë uroj ta takojnë zyrtarë të Departamentit të Shtetit. Uroj biles ta takojnë zyrtarë të lartë dhe t’i thonë hapur ç’po bëhet me rrëshqitjen e Shqipërisë. Është më mirë ta fiksojnë si një burrë i ofruar për t’i gënjyer, si një sekser privat i punëve të Berishës. Është më mirë ta kenë në mendje këtë mashtrues ordiner kur ta shikojnë se Berisha ua punoi përsëri. Atëherë do të jenë më të qartë se i ka gënjyer përsëri Berisha.