Prishtinë-Tiranë dhe zgjedhjet

0
32

Arben Rrozhani

Arben Rrozhani, 17.11.2009

Një pjesë e shqiptarëve, patën shumë arsye këto ditë të ndjehen krenarë para botës. Veçanërisht ata të Kosovës. Një shtet i pavarësuar vetëm në 17 janarin e vitit të shkuar, për herë të parë mbajti zgjedhje të përgatitura nga institucionet e tij.

Lajmi i parë i madh ishte se gara përfundoi e qetë, votimet po ashtu dhe ndërsa vijon qetësisht edhe procesi i numërimit të votave.

Me një KQZ që pati ndezur shumë polemika, një fushatë të mbushura me premtime shumë të zorshme për t’u mbajtur, dhe me shumë ndërfutje të politikës zyrtare të Tiranës, për të bërë padronin politik të rivalëve të partisë së kryeministrit Thaçi, procesi deri tani tregoi se shqiptarët dinë dhe mund të bëjnë zgjedhje të ndershme.

Kjo merr një vlerë të shumëfishtë për Kosovën, që i kishte këto zgjedhje të parat pas shpalljes së pavarësisë, duke e administruar procesin krejtësisht me institucionet e veta.

Deklaratat e përfaqësuesve të huaj në Prishtinë janë inkurajuese, sepse tregojnë se Kosova po ecën drejt një rruge të demokratizimit të shoqërisë, për të siguruar një mjedis bashkëjetese për shqiptarët dhe për pakicat, që treguan se duan të jenë pjesë e vendimmarrjes së shtetit të ri.

Por ne të Shqipërisë, sa ndjehemi krenarë për Kosovën, po aq ndjehemi të turpëruar për Shqipërinë tonë elektorale. Ato fjalë ngazëllimi që eurodeputetja Doris Pack i tha vetëm pak orë pas mbylljes së qendrave të votimit, se Kosova e kaloi testin e demokracisë, ende nuk i kemi dëgjuar për zgjedhjet e kaluara në Shqipëri.

Atë përgëzim që tha ambasadori amerikan, Dell në Prishtinë se: Kosova dhe qytetarët e saj mund të jenë shumë krenarë sot, pasi votuesit e Kosovës, politikanët e saj, dhe zyrtarët të ngarkuar me organizimin dhe udhëheqjen e zgjedhjeve, i kanë treguar botës se një Kosovë e pavarur është një vend “ku demokracia mund të lulëzojë, dhe lulëzon”, ende nuk i kemi dëgjuar nga homologu i tij i gjithkundgjendshëm Withers për zgjedhjet e 28 qershorit.

Ndjehemi të turpëruar sepse zgjedhjet nuk janë çorba që i prishin shqiptarët, por punë shejtanësh politikë, që në Shqipëri kanë pushtetin prej shumë vitesh. Si për ironi të faktit, edhe në Shqipëri, e diela ishte ditë zgjedhore.

Zgjedhje të pjesshme vendore për të zëvendësuar disa kryetarë vendorë, të zgjedhur deputetë në Kuvendin e ri. Ishte një ditë e turpshme, me një elektorat të turpëruar, që nuk denjoi as të shkonte te qendra e votimit. Një pjesëmarrje aq e ulët, sa e sfiduan edhe serbët e enklavave të vetëshpallura të Kosovës.

Ca poste të lëshuar thonjsh në mënyrë antiligjore vetëm pas marrjes së mandatit të deputetit nga ish-pushtetarët vendorë (në kundërshtim me Kodin Zgjedhor bënë fushatën elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit 2009, duke mos dhënë dorëheqjen nga funksionet tyre publike).

Një krim pa ndëshkim, sepse ligjërisht Kuvendi i dalë nga këto zgjedhje nuk duhet të pranonte regjistrimin e tyre si deputetë. Por një krim me përmasa lilipute krahasuar me krimin e madh elektoral të procesit të numërimit të votave pas datës 28 qershor.

Sot Kosova do të ketë një rezultat të përafërt të votës së 15 nëntorit, por shqiptarët e Shqipërisë e mësuan vetëm pas mëse dy muajsh se kush ishte rezultati i zgjedhjeve parlamentare.

Dhe më e rëndësishmja, a ishte ky rezultati? Injorimi që elektorati i bëri të dielën zgjedhjeve vendore në disa njësi të pushtetit vendor, tregoi se pas krimit të madh elektoral të tjetërsimit të votës, manipulimeve, dhunës dhe aleancave perverse për hir të pushtetit, pushteti ka kriminalizuar ccdo sfidë elektorale, të vogël apo të madhe.

Ai ka vrarë votën e elektoratit, i cili në 28 qershor tregoi se kërkon të jetë krenar për demokracinë e votimit, por në 15 nëntor e shpërfilli këtë akt, sepse qeveria e tij nuk është ngritur mbi vullnetin e shprehur me votë, por me pazaret e ulëta politike.
Votuesit shqiptar mund t’ia zënë gojën sot me liberalizimin e vizave që po kthehet në aksionin qeveritar me goditje të përqëndruar.

Qeveria bën sikur harron degradimin e gjithanshëm politiko-ekonomiko-shoqëror të vendit dhe abuzon me ëndrrën e madhe të shqiptarëve të përvuajtur për të lëvizur lirshëm nëpër Europë.

Pranimin e mbrëmshëm të aplikimit të Shqipërisë për statusin kandidat, asaj letre postuar dorazi nga vetë z.Berisha për qëllime elektorale në 28 prill 2009, do na e tundin pafund si shami valleje, paçka se po hedhim vallen e turpit. Vallen e të qenit të fundit.

Krejt të fundit ndër vendet ish-komuniste. 20 vjet pas rënies së komunizmit, vetëm ne kemi ende muret e izolimit me Europën. Ndaj votuesi sot, ndjehet një shqiptar i turpëruar. Mbi të gjitha, ia kanë vrarë besimin se vota e tij mund ta ndryshojë këtë shoqëri.