Bledar H. Prifti, 28.10.2010
Kur Nikolo Makiaveli shkruajti librin e tij të famshëm “Princi”, ai nuk e imagjinonte se librin e tij do ta lexonte disa shekujsh më vonë edhe drejtuesi i LSI-së, Ilir Meta. Meta është ndër të paktët politikanë, për të mos thënë i vetmi, që ka përdorur shpesh në politikën shqiptare termin “Makiavelizëm”.
Përdorimi i shpeshtë i këtij termi tregon se Ilir Meta jo vetëm që e ka lexuar por edhe e ka studiuar në hollësira këtë vepër klasike. Bile, jam shumë i bindur se idetë e marra nga kjo vepër kanë diktuar edhe lëvizjet politike të Metës dhe organizatës që ai drejton. Në thelb, “Princi” është një libër që përmbledh këshillat që një pushtetar (Princ) duhet të ndjekë për të mbajtur pushtetin.
Për “Princin” synimi për të mbajtur pushtetin qëndron mbi çdo moral, princip, apo ligj mbi të cilat bazohet veprimtaria e një shoqërie. Me këto ide Makiaveliste në mëndje, Ilir Meta nuk u mendua dy herë pas 28 qershorit për tu bashkuar në një qeveri me Sali Berishën kryeministër edhe pse fushata e Metës dhe e LSI-së ishte ngritur mbi premtimin se votat e elektoratit do të përdoreshin për të larguar Berishën nga pushteti.
Por ajo që Ilir Meta (dhe shumë të tjerë) nuk llogariti ishte fakti se vet Nikolo Makiaveli dështoi në karrierën e tij politike për shkak se populli e kuptoi nga “Princi”, i publikuar tashmë, se nëse Makiaveli do të zgjidhej në një post politikë, ai do të ishte një “Princ” i pamoralshëm dhe i babëzitur për pushtet.
Kam bindje se kjo fatkeqësi politike e Makiavelit do të bindte shekuj më vonë patriotin e tij, Gaetano Moska, për të hedhur teorinë e tij të “formulës politike”, ku ai të theksonte se pushteti i një klase politike duhet të ketë baza morale dhe ligjore për të mbijetuar.
Thëniet dhe pretendimet se gjoja politika nuk njeh moral janë totalisht të pa vërteta dhe të keqinterpretuara. Pavarësisht natyrës së tij, çdo pushtet duhet të ketë baza morale dhe ligjore, përndryshe ai pushtet do të shkoj drejt një kolapsi të sigurt.
Morali është një tërësi vlerash që krijojnë besueshmëri dhe unitet (kohezion) në një shoqëri, kurse politika nuk është gjë tjetër por një shpërndarje autoritative e vlerave të shoqërisë.
Duke u kthyer tek makiavelizmi i Metës, ne duhet të kuptojmë se sot ai është politikani më i përbuzur (i nënqeshur) i politikës shqiptare. Kjo ka ardhur si rezultat i bashkimit të tij të pakondicionuar me Sali Berishën në një kohë kur LSI dhe Meta i premtuan elektoratit largimin e Berishës nga pushteti.
Për Ramën dhe të majtën, Meta është një “i pabesë” që është shndërruar në një të përdalë. Për Berishën dhe të djathtën, Meta është si ajo e përdala që duhet të shfrytëzohet në maksimum se nuk i dihet se çfarë mund të ndodh nesër.
Për elektoratin e pavarur, Meta është dikush, të cilit nuk i zihet besë dhe që nuk dihet se me kë do të shkojë nesër. Kujtoni përplasjen dhe akuzat e ndërsjella Prifti-Meta, me qëllim që të kuptoni se çfarë ka menduar dhe mendon Berisha, Rama dhe populli i thjeshtë për LSI dhe Metën. Asnjë votues shqiptar nuk e di se ku mund të shkojë nesër një votë e hedhur për Ilir Metën dhe LSI, do të shkojë tek Berisha apo tek Rama.
Të votosh nesër për Metën dhe LSI do të ishte vërtet sikur të luajë bingo. Por gabimi fatal i Ilir Metës nuk mund t’i atribuohet vetëm keqkuptimit të termit “makiavelizëm” dhe lidhjes së tij me pushtetin.
Gabimi fatal i Ilir Metës ishte se ai u “ushqye” edhe nga mediokriteti politik i deputetëve të tij dhe djallëzia dhe injoranca e analistëve në media, të cilët e konsideronin lëvizjen e Metës drejt prehrit të Berishës si diçka normale. Nuk ka asnjë gjë normale në lëvizjen e LSI dhe Metës në prehrin e Berishës. Një lëvizje e tillë nuk ka ndodhur në asnjë vend demokratik.
E përsërisë, një lëvizje e tillë nuk ka ndodhur në ASNJË vend tjetër demokratik! Mund të jene formuar koalicione (afatshkurtra) përtej krahëve politik por në asnjë rast nuk është formuar një bashkësi ku kryeministri të rimandatohej, sidomos në rastet kur fushata e kundërshtarit bazohej në largimin e tij nga pushteti dhe politika.
Ilir Meta ndërmori një iniciativë politike që do të ishte fatale për të ardhmen e tij politike. Tashmë fati i Ilir Metës dita-ditës po i shëmbëllen edhe më shumë fatit të Xhuvelit. Meqë ra fjala, ku është Xhuveli?
Ai është atje ku do të jetë Meta nesër, pa as më të voglin dyshim. Në lëvizjen e tij si një aeroplan pa bisht, Ilir Meta është i frymëzuar dhe mbështetur fuqimisht nga shoferi i tij dhe ish-lideri i së majtës, Fatos Nano. Dikur Fatos Nano ishte “mbreti” i oborrit kurse sot është shndërruar në “shofer” të “princit” të oborrit Berisha.
Shumëkush mund të jetë i habitur nga ky fakt, dhe kjo është diçka e kuptueshme. Shumë pyesin se si ka mundësi që Nano është “shofer” i atij që i bëri gropën në 2005-ën? Si ka mundësi?
Besoj se Nano nuk është aq budalla sa të mos e kuptojë se ishte bashkëpunimi Meta-Berisha që e shkatërruan atë nga ana politike. Nano nuk ka asnjë inat me Berishën sepse fundja Berisha ishte një kundërshtar politik që mori ato pak vota të demokratëve që kishte marrë si ngaherë.
Por Nano, dhe karakteri i tij hakmarrës, nuk mund t’ia falë këtë gjë Metës. Nano është shumë i vetëdijshëm që Meta është i vetmi përgjegjës kryesor për humbjen e zgjedhjeve 2005 dhe dështimin turpërues të Nanos.
Tani ka ardhur koha që Nano t’i kthejë reston edhe Ilir Metës. Për të arritur këtë qëllim, Nano ka zgjedhur që ta drejtoj “princin” e oborrit drejt greminës dhe fundit të paevitueshëm politik. Me sa duket, Meta nuk e ka kuptuar akoma hakmarrjen e ëmbël të ish-liderit socialist. Dhe kur “princi” të jetë buzë greminës, Nano ka për t’i thënë: “A të kujtohet 2004-2005-sa?”.
Normalisht kuptohet që Fatos Nano ka edhe një urrejtje përkundrejt liderit socialist, Edi Rama, por kurrsesi nuk mund të barazohet kjo urrejtje me atë urrejtje që Nano ka për “princin” Meta dhe LSI. Edi Rama nuk bëri gjë tjetër por shfrytëzoi largimin e Nanos dhe vakuumin në radhët e lidershipit të Partisë Socialiste. Rama bëri atë që mund dhe duhet ta bënte kushdo tjetër.
Rama bëri atë gjë që mund ta bëjë kushdo nëse në PS krijohet ndonjë vakum institucional në lidership në të ardhmen. Nga e gjithë kjo axhendë hakmarrëse e Ilir Metës në 2005-ën dhe e Fatos Nanos në 2009-ën (dhe sot) ka përfituar Sali Berisha i cili vazhdon të qeverisë vendin me një minorancë votash popullore.
“Princi” Meta mund ta ketë kuptuar tashmë se e kanë futur atë drejt një udhë pa krye dhe një shkatërrimi të sigurt politik. Fatkeqësisht, Meta nuk mund të bëjë asgjë për të ndryshuar rrjedhën e politikës shqiptare dhe të ardhmen e tij politike. Ngado që ta kthejë, Meta është i mbaruar politikisht. Ajo që i ka ngelur tashmë është që të bëjë rolin e kamikazit politik.
Por edhe si kamikaz politik, ai nuk mund të shkatërroj asnjë tjetër përveç Sali Berishës, pasi Nano është i shkatërruar tashmë kurse Rama nuk ndodhet në rrezen e tij të veprimit. Cilado qoftë lëvizja e Metës, Rama është pozicionuar në atë pikë sa zgjidhja nuk pritet të vijë më nga Meta por nga Berisha.
Meta kishte shansin të ishte përsëri protagonist dhe faktor në politikën shqiptare por ai e injoroi këtë shans. Meta kishte shansin para disa muajsh që të bëhej protagonist i zgjidhjes së krizës përmes zgjedhjeve të parakohshme. Një lëvizje e tillë do të rriste kredencialet e Metës dhe do të rikonfiguronte LSI-në brenda së majtës.
Por Meta nuk e bëri këtë gjë. Tashmë është shumë vonë për Metën dhe LSI për të qenë faktor politik. Shumë shpejt Berisha do të deklarojë zgjedhjet e parakohshme dhe LSI e Metës do të nxitojë të ndahet në ca të Berishës dhe në ca të Ramës. Ata që do të ngelen në mes dhe që nuk do të mund të shkojnë me asnjë do të shkojnë dhe do t’i bashkohen… Xhuvelit.
Morali është një tërësi vlerash që krijojnë besueshmëri dhe unitet (kohezion) në një shoqëri, kurse politika nuk është gjë tjetër por një shpërndarje autoritative e vlerave .Kjo eshte shprehja e juaj ndersa une ju them:
Morali eshte nje art,ai eshte nje nga mashtrimet me dinak dhe perfitues.
Morali njerezor nuk eshte gje tjeter veçse nje fraksion i egoizmit.
Sepse njerezit nuk jane aq te interesuar per idete abstrakte,se sa jane te interesuar per individet qe i paraqesin idete.
Duke mbrojtur Ramen ne çdo gje je kthyer ne avokat te djallit,Meta eshte mik i ngushte i tij.
Sot eshte koha e maskarenjve,por atdheu eshte i shqiptareve.
Comments are closed.