Princi i vërtetë nuk ka asgjë të përbashkët me Makiavelin

0
27

Arjan Th. Kallço

Disa ditë më parë tek ndiqja një emission lidhur me historinë e botës në shekujt e kaluar më bëri përshtypje dhe më shtangu deklarimi i autorëve të emsionit se dikur bëhej perandor i një vendi pikërisht hajduti më i fortë që bentë ligjin. Ky hajdut më pas, mendova, mbledh në vetvete të gjitha anët negative të botës dhe i bën pjesë të pandarë të karakterit të tij, bile i përdor për të luftuar kundërshtarët që gjithmonë i duken si komplotues dhe kërcënues për pushtetin e tij të pakufizuar. Deri këtu logjika e arsyetimeve ecën në balancë me ecurinë e historisë së botës ku shembujt nuk mungojnë, por që të ruhej një traditë kaq e gjatë edhe në ditët tona më duket absurdi më i madh.

Mesa duket pushteti nuk përpiqet të ecë në rrugë të reja të kundërta me shembujt e historisë, por me bindje të plotë ndjek shembujt më të pashpirt dhe vulgarë të së shkuarës. Mund t’ia hedhim fajin Makiavelit dhe librit të tij Princi për faktin se qëllimi justifikon mjetin, por edhe atëherë pati filozofë të tjerë që makiavelizmit i vunë përballë antimakiavelizmin dhe ai është mendimtari Lipsio. Si e njeh bota dhe sa e njohim ne?

Giusto Lipsio (1547-1606), ishte filozof, humanist dhe filolog flaming dhe veçanërisht studiues i së drejtës. Pallati i Brukselit ku e ka selinë Këshilli i BE-së mban për nder të filozofit emrin e tij. Në qendër të spekulimeve të tij filozofike është problemi i perëndisë hyjnore nga e cila varet rendi i krijuar. Rendi i të krijuarit i jep jetë nevojës së pandryshueshme të elementëve që e përbëjnë, fatin. Ta pranosh fatin do të thotë të zotërosh qëndrueshmërinë, virtytin kryesor të njeriut të mençur, e i cili reziston ndaj të gjitha ngjarjeve të jetës dhe është në bazë të ekuilibrit dhe paqes së shpirtit. Humanisti Lipsio bashkoi diktrinën makiaveliane me antimakiavelizmin zyrtar të kohës në sajë të tacitizmit.

Të ligj dhe të pamend janë ata që në ushtrimin e qeverisjes nuk mendojnë veç për pushtetin: mendjemëdhenj dhe të përkushtuar ndaj veseve, ata mendojnë se nuk janë zgjedhur princë në të mirë të qytetarëve, por se janë qytetarët për nevojat e tyre; për Lipsio një prej humanistëve më të mëdhenj, detyra e një princi duhet të finalizohet me forcimin e shtetit dhe në arritijen e së mirës së përbashkët.

Fjalë që, në distancë kohore, të ngjethin nëse mendojmë për ndarjen humnerë midis interesave të kolektivitetit dhe ato personale të atij që qeveris. Në mbrojtje të së mirës së përbashkët, të paqes, drejtësisë, virtyteve janë pjesë e gjashtë librave që ia dedikoi Politikës apo doktrinës civile. Bashkë me Gjashtë librat e shtetit të Bodinit, Për arsyen shtetërore të Boteros, kjo antologji e arsyetuar e sentencave dhe maksimave, konsiderohet një prej kontributeve më kuptimplote në debatin europian mes viteve ‘500-‘600 në lidhje me artin e qeverisjes.

Princi i veriut të republikës europiane të letrave, duke ia vënë përballë një princ tjetër të jugut, Pinelin, filologu i shquar e përjeton vetë ai i pari dramën e luftrave civile që shpërthyen nga fanatizmat fetare. O Europë – shkruan me dhimbje Lipsio – ti që je pjesë e botës më të mirë, çfarë zjarri përçarës po ta ndez feja! Po përleshen mes tyre princat kristianë dhe mijëra njerëz humbën jetën dhe po vdesin nën pretekstin e feve.

Që ta sjellë paqen, që ta ankorosh në port anijen e shtetit të kërcënaur nga furtunat e tmerrshme, që të arritsh mirëqënien e të gjithëve kemi nevojë për një princ të ditur, të vendosur, por jo tiran, të aftë ta përdorë fenë në shërbim të kohezionit civil. Juristi Lipsio i njeh filozofisë laike një rol në plan të parë: etikën që ia heq dominimit të teologjisë dhe kalon nga sfera e pandryshueshme ultramondane në realitetin tokësor të trazuar nga ndryshimet dhe ngjarjet. Për të dhënë këshilla të mira për princat, filozofi përdor autoritetin e klasikëve : Taciti, Ciceroni dhe Seneka, fjalët e të cilëve komentohen në të gjashtë librat.

Arti i qeverisjes parashikon përdorimin e kujdesit. Së pari duhen zgjedhur këshilltarë të mençur dhe të drejtë, duke mos i pranuar të pandershmit lajkatues. Por meqë princi i mirë duhet të shmangë ekstremet, duke u frymëzuar nga qëllimi i mirë dhe masa e duhur me matricë aristoteliane dhe ciceroniane, ndonjëherë rrethanat mund ta kërkojnë edhe përdorimin e forcës dhe fshehjes, jo për të kënaqur interesat personale, por për të mbrojtur shtetin.