Nga Moikom Zeqo, 5 gusht 2014
Gjon Muzaka, një nga princat më të famshëm shqiptarë me një fat gati shekspirian, midis luftërave të egra, tragjedive familjare dhe gëzimit të mundimshëm në Napoli në vitin 1510, ndjeu si një ankth të brendshëm, si një rrëfim të dhimbshëm, gati providencial, që të shkruajë një lloj testamenti, dëshmitë e tij të përjetuara, të bashkuara me dëshmi historike të karakterit libror, por edhe dëshmi gojëdhënore, për t’u lënë kështu fëmijëve, por dhe nipërve, një kujtesë princërore për Shqipërinë.
Nisma e tij është e pazakontë dhe, me sa duket, deri më sot e vetme. Nuk ruhet asnjë testament i shkruar para vdekjes nga Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Sipas zakonit të kohës, ka qenë madje e detyrueshme që intelektualë të tillë të mëdhenj kishtarë ose dhe pa tituj të tjerë të lartë hierarkikë, d.m.th., qoftë Barleti, Buzuku apo Onufri, në çastin e paravdekjes të bënin rrëfimin dhe kungimin e fundit dhe madje në prani të dëshmitarëve të linin testamente të shkruara. Një gjë të tillë e ka bërë fjala vjen Pjetër Bogdani. Duke lexuar testamentin e Pjetër Bogdanit, që ai e shkroi në latinisht, kupton diçka të vërtetë, sidomos për atë mekanizëm që detyron kishtarët të lënë testamente. Nuk dimë asgjë, absolutisht asgjë për testamentet e princërve të mëdhenj dhe të habitshëm të Shqipërisë, për Balshajt, Topiajt, për Zenebishtët, Zahariat etj. Ndoshta edhe kanë lënë testamente të tilla, por është një fakt që koha nuk i ka kursyer dhe i ka zhdukur, ose mund të ndodhen në arkiva evropiane, si në një varrosje të shurdhët, nën blindazhin e harresës së pamëshirshme.
Habitërisht, Testamenti i Gjon Muzakës, u ruajt në bibliotekën Brankaçiane të Napolit. Në 1863, një historian i pasionuar gjerman, Karl Hopf (1832-1873) e zbuloi dorëshkrimin e Muzakës dhe u mahnit. Për një rastësi edhe tragjike, por edhe fatdhënëse për historinë e shqiptarëve, ai e botoi të plotë dorëshkrimin Muzakian në vitin 1873, në librin e tij “Kronikat greko-romane”, që e botoi frëngjisht në Berlin, dhe në të njëjtin vit ai vdiq në moshën 41- vjeçare. Nëse do të kishte vdekur vetëm një vit më parë, ende sot teksti i Muzakës do të kishte mbetur në terr. Ja pra që një vit jetë njeriu së bashku me fatalitetin e vdekjes, mund të sjellë dhe dritën verbuese të një zbulimi të rrallë.
Për fat të mirë, dorëshkrimi i Gjon Muzakës u publikua dhe u bë i njohur në rrafshet e dijes dhe është botuar edhe në gjuhën shqipe. Princi i rreptë dhe luftëtar Gjon Muzaka ka lënë kështu librin e tij të jetës dhe të shekujve, me qëllim të padyshimtë dhe ambicioz për ta kapërcyer shekullin e tij, si një hipotekë mendore për shekujt e së ardhmes.
Teksti i Gjon Muzakës është në të vërtetë një tekst i llojit laik; lënda është esencialisht historike, me dëshmi të patjetërsueshme dhe krejtësisht origjinale të tij, pa përjashtuar këtu dhe një përmbledhje gojëdhënash gjenealogjike si dhe shpjegimin e parë të rëndësishëm të një shqiptari për stemat heraldike të princërve bashkëkohës, që janë thandruar si maska përkujtimore dhe kultike në tempullin e kujtesës së kombit.
Pa dashur të bëj analizën e mirëfilltë të tekstit të Gjon Muzakës, që lidhet me historinë dhe gjenealogjinë e shtëpisë së Muzakajve, dua të theksoj një motiv që ka mbetur jashtë vëmendjes së studiuesve që janë marrë me këtë libër.
Kam shkruar disa herë për biblizmin e tri viganëve si Barleti, Buzuku dhe Onufri, nuk duhet të harroj, nuk kam të drejtë të bishtnoj edhe biblizmin e Gjon Muzakës, i cili është një princ i krishterë, dhe e nis testamentin e tij për brezat pikërisht me një apologji biblike, gjithashtu universale. Pa dashur të shtoj vargun e viganëve, mendoj se edhe dëshmia më modeste e princit të paharruar Gjon Muzaka duhet pasur parasysh, sepse shton, perfeksionon, kthjelltëson, lartëson biblizmin shqiptar.
Fillimi i shënimeve të Gjon Muzakës nis me emrat e dyfishtë JEZUS MARIA. Dhe ja thirrja e përmalluar si një skicë sinoptike, me një lakonizëm të diamantë dhe rrezeshpërndarës e Gjon Muzakës:
“Gjithçka që është nën Diell është kotësi.
Ejani o bijtë e mij, dëgjoni, po ju mësoj se ç’është frika ndaj Zotit.
Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë ndaj lutjeve të tyre.
Fytyra e Zotit është kthyer nga keqbërësit që t’i zhdukë nga faqja e dheut.
Të drejtët ngritën zërin dhe Zoti i dëgjoi dhe i çliroi nga të gjitha shqetësimet e tyre.
Pirroja, Mbreti i Epirit, mbante të shkruar në një unazë këto fjalë: “I virtutshmi e ka pak të shpërblehet si sundimtar i botës, por i ligu e ka shumë pak të ndëshkohet duke ia marrë jetën!”
“Është i nderuar midis të nderuarve ai që fati e godet pa faj dhe është më i poshtëruar i të poshtëruarve, ai që fati e ngre pa merituar.
Atë që mund ta bëni me paqe mos e bëni me luftë.
Atë që mund të fitoni duke e kërkuar me lutje mos e rrëmbeni me forcën e armëve.
Atë që mund ta qortosh fshehtas mos e poshtëro publikisht.”
* * *
“Prindi që le birin e tij të mësuar por të varfër thuaj se i ka lënë gjithçka. Por ai prind që e le të birin të pa mësuar dhe të pasur thuaj se nuk i ka lënë asgjë.
Është më mirë një ndihmë e vogël që vjen në çastin kur duhet, se sa një ndihmë e madhe që nuk vjen në çastin e duhur por vonon.
Njeriu që me anë të forcës është bërë tiran, është më mirë të kthehet në një skllav të së drejtës.
Nuk mjafton që një njeri të jetë i mirë, por është e domosdoshme që ai të shmangë çdo rast apo mundësi, që mund t’i afrohet atij për t’u bërë i keq.
Njeriu të mos harrojë kurrë sa jeton se lumturia është vetëm hua, ndërsa mjerimi është një trashëgim prej natyre.”
* * *
Vise-vise, në librin e Gjon Muzakës ka referenca të tjera biblike, të cilat kanë rëndësinë e tyre. Ai jep dhe një dëshmi të veçantë për ishullin e vogël e liqenin e Prespës, që unë nuk e kam takuar në asnjë vend, sepse thotë me bindje se tek ky ishull i vockël ka një vend ku ngrihet një manastir dhe atje është varrosur trupi i Shën Arkelaut. Është e habitshme, por kisha e ishullit të Maligradit, që ruhet ende dhe sot dhe ka piktura murore të klasit të parë nga më shkëlqyerat e shek.XIV si dhe portrete sundimtarësh lokalë: Qezar Novakut dhe gruas së tij Valia, titullohet si kisha e Shën Marisë. Nëse vërtet ky ishull është shenjtëruar dhe ka në zanafillë shumë më përpara se shek.XIV, qoftë dhe në mënyrë gojëdhënore trupin e shenjtit Arkelau, ahere kemi vërtet një plotësim dhe një informacion krejtësisht të ri.
Biblizmi i Gjon Muzakës ka të bëjë me proverbat e shenjta si dhe me citate të marra nga Bibla e Shenjtë, si p.sh. nga Libri i Ekleziastit, apo nga Libri i Proverbave. Nuk është e tepërt të kumtoj se citime të njëjta unë kam gjetur në tekstet e Gjon Buzukut. Buzuku ka shqipëruar fragmente të njëjta, si nga Libri i Ekleziastit, ashtu dhe nga Libri i Proverbave.
Është fakt që Gjon Muzaka ka bërë një antologji të vogël të këtyre sentencave të marra nga varianti latin i veprës së Euseb Jeronimit, të quajtur “Vulgata”. Pra ai përdor kështu si Barleti latinicitetin.
Ajo që nuk duhet përbuzur është që citimet e Gjon Muzakës kanë një unitet dhe një përzgjedhje të përafërt edhe me Barletin edhe me Buzukun, pa ditur asgjë për ta. Ndoshta për Barletin Muzaka ka ditur diçka, sidomos për librin “Rrethimi i Shkodrës”, kurse për librin tjetër epokal të Barletit, për “Bëmat e Skënderbeut”, fatalisht asgjë s’ka ditur, sepse ndoshta më 1510, kur u botua ky libër, tashmë ne e dimë se edhe vetë Gjon Muzaka kishte vdekur. Aq më tepër kjo vërtetohet edhe nga fakti se informacioni krejt origjinal që jep për familjen kastriotase Gjon Muzaka, nuk përmendet dhe nuk dihet as nga vigani Marin Barleti.
Gjon Muzaka ka pasur një djalë shumë të shquar, i cili fitoi përmasa evropiane. Quhej Kostandin Muzaka. Qe djalë i denjë i babait. Një shqiptar i cili kuptohej në esencë se mund të mbijetonte si shqiptar vetëm duke qenë globalisht një evropian. Historia e Kostandin Muzakës, është një aventurë e politikës dhe e veprimeve luftarake në Evropë, e shërbimit të tij tek princërit dhe mbretërit evropianë, me famën e një luftëtari dhe diplomati ambicioz dhe shpesh paradoksal.
Nga të gjithë djemtë e Muzakës, vetëm Kostandini e kuptoi të atin. Vetëm ai u mor seriozisht me dorëshkrimin testamental. Ai e ka rilexuar këtë dorëshkrim dhe ka medituar për të. Madje ai ka bërë akoma më tepër: ai ka bërë shtesat e tij historike dhe shkrimore në amanetin e paravdekjes së Gjon Muzakës. Kështu ai paraqitet në një sens të pavarur si një intelektual laik dhe deri diku si historian shqiptar.
Ai krijon lidhje dhe korrespondencë me familjen e Engjëllorëve, princër të Drishtit dhe të Danjës, dhe shkëmben me ta dorëshkrime si dhe fragmente historish të autorëve bizantinë apo italianë. Kostandin Muzaka është interesuar të plotësojë vakuumet e në dorëshkrimin e të atit, ai do ta argumentojë plotësisht qëllimin përfundimtar të Gjonit, pa harruar të thotë edhe fjalën e tij vetjake. Kostandin Muzaka plotëson atë që është e padokumentuar në forma të tjera pas vdekjes së Gjon Muzakës.
Nga Kostandini marrim vesh se Gjoni është varrosur në kishën e madhe të Frankavilës, në tokën e Otrantos, në një varr mermeri, ku është vendosur dhe një epitaf me fjalët që pasojnë në latinisht, që në shqip kanë këtë kuptim: “I plotfuqishëm Jezu, të falet këtu ty Gjon Muzaka, i biri i Gjin Despotit, Zoti i Myzeqesë dhe i Epirit, i cili nga qyteti i Bizantit trashëgoi shqiponjën dykrenare, që e mbante në flamur, që e dedikonte si kurore detyrimi në vitin e Krishtit 1510”. Por Kostandin Muzaka para se të vdiste vetë kishte përgatitur monumentin prej mermeri mbivarror në Napoli me këtë mbishkrim po në latinisht, që në shqip do të thotë: “Gjon Muzaka, i biri i Gjinit, Zot i Molosëve, Despot i Epirit, gjak dhe fis mbretëror, me trashëgim nga qyteti i Bizantit, i dëbuar nga tirani turk në fundin e jetës së vet.
Kostandini, i biri ia ngre këtë monument vetes dhe të atit në vitin…” Ka dhe një epitaf tjetër që thotë gati të njëjtën gjë, por më shkurt: “Gjon Muzaka, i biri i Gjinit, princ i Molosëve dhe i Epirotëve, i dëbuar nga tirani turk prej principatës së vet si dhe Kostandini, i biri, që këtë monument ia ngre vetvetes dhe të atit”. Kjo do të thotë që, para vdekjes Kostandini ka menduar që të bashkojë eshtrat e të atit dhe të tijat pas vdekjes në një varr të përbashkët. Nuk dimë nëse Kostandini e kreu këtë amanet (ndoshta e ka lënë i ati amanetin, apo qe dëshira e vetë të birit, nuk mund ta përcaktojmë dot) dhe i ka transportuar eshtrat e Gjonit në mënyrë që babai dhe i biri të njësoheshin përfundimisht në një varr të vetëm në qytetin e Napolit. Duhen bërë kërkime në këtë drejtim, pikërisht në Napoli. Ajo që dua të nxjerr në relief është se, në shënimet historike të Kostandin Muzakës gjëllin përsëri biblizmi dhe metaforika shpjeguese apo analogjike e tij.
Por ka dhe një fakt të papritur, kontradiktor, të pashpjegueshëm, gati surrealist. Kostandin Muzaka, duke folur për familjet e tjera princërore shqiptare, na habit për një gojëdhënë heraldike, shumë të pakonceptueshme jo vetëm në kohën e tij, por edhe për kohën e sotme, sepse familjen princërore të Balshajve e lidh me fisin gjermanik të Getëve apo dhe të Gotëve, që nga Alariku i famshëm, i cili ka pushtuar qytetin e Romës, por ka qenë një konfederatë me mbretin e Dakëve.
Sipas shënimit gjenealogjik fantazist të Kostandin Muzakës, del se dera e Balshajve lidhet pikërisht në zanafillë kinse me Alarikun dhe pasardhësit e tij. Po ajo që është me e pabesueshme, shton se tre Magët kalorës, të cilët erdhën nga Lindja, sipas gjithë teksteve biblike, duke ndjekur yllin e shndritshëm të Betlehemit për të parë dhe për t’iu falur foshnjës së shenjtë, Krishtit, gjoja ishin nga zanafilla veriore e Europës, që lidhet me Alarikun dhe Balshajt dhe se Balshajt janë pasardhës të Kalorësve Magë, që shkenca kristalogjike i bën të ardhur nga Lindja dhe madje me origjinë zarathustriane apo mithriaste. Çudi e çudive është kjo gojëdhënë, një devijim i tmerrshëm dhe heretik nga struktura sinoptike e ungjijve.
Është e pashpjegueshme deri më sot një gjë e tillë dhe nuk mund të konceptohet se si shqiptarët të devijojnë apo të shkatërrojnë arketipat biblikë në shekullin XVI dhe të paraqesin me krenari origjinat e tyre, jo vetëm prej trojanëve siç e paraqesin dukagjinasit, jo vetëm prej bizantinëve dhe molosëve siç e paraqesin Muzakajt, por edhe prej Kalorësve Magë, si kinse e paraqesin veten Balshajt. Në këtë hulli, edhe Engjëllorët nuk mbeten më pas, as arianitasit, por mbi ta zotëron fuqishëm matrica bizantine, sidomos semiotika perandorake konstandinopojase e para pushtimit osman. Të gjitha këto janë me vërnikun e biblizmit, kanë lëvozhga gojëdhënore dhe historike, çka tregon se bota shqiptare në shekujt XIV deri në shekullin XVI është një botë që nuk shkëputet nga apologjitë e gjenealogjive të mëdha botërore, perandorake, frymëzuese dhe në thelb të krishtera.
Ky motiv strukturalist dhe simbolik krijon një mjedis të pjellshëm, gjenetik, me fuqi të madhe rikrijuese dhe mbijetuese, për të kuptuar pikërisht pse biblizmi universal i shërbeu shpirtit etnik shqiptar dhe pse ky biblizëm jashtetnik do të konstruktohet brenda një biblizmi në gjuhë etnike të veçantë, siç është shqipja madhështore dhe epokale e Gjon Buzukut.