Prifti: Lidhjet e Monikës me Tan Lepurin. Qeveria mund të bjerë

0
105


Intervistoi Ened Janina, 21.10.2010

TIRANË – “Qeveria mund të bjerë nga çasti në çast. Është e sigurt që ajo nuk shtyn dot tre vjet. Çdo gjë është e pasigurt për ata”. Kjo është analiza që bën për “Shekulli”-n ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Ish-themeluesi i LSI-së ka mbajtur për pothuajse një vit postin e ministrit dhe është një nga njerëzit që njeh më mirë situatën brenda mazhorancës, por edhe atë brenda qeverisë. Ai shpjegon për “Shekulli”-n vendimin për largimin nga LSI, konfliktin me Ilir Metën, pozicionimin e ri kundër qeverisë, por edhe kontrabandën shtetërore të naftës dhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë në të.

“Me situatën e krijuar në Parlament, ai ka nevojë dhe për një votë të vetme. Ai nuk godet dot asnjë Ministër të korruptuar, sepse humbet mazhorancën në Kuvend. Qeveria mbahet në këmbë nga disa vota të majta të LSI-së, disa të PDU-së dhe disa deputet të PD-së që janë shumë të pakënaqur me trajtimin që i bën udhëheqja e PD-së. Ata kanë sy dhe shohin që disa pasurohen, kurse ata rrinë me rroga dhe shtëpi me qira”, – thotë ish-ministri Prifti.

Zoti Prifti, ju tashmë jeni larguar nga LSI. Sot, disa ditë pas largimit jeni edhe më i qetë. Si e gjykoni këtë vendim?
Jam shumë i qetë që nuk kam të bëj dhe nuk jam në një familje politike me Ilir Metën, politikanin më të paburrë dhe më të pabesë që ka lindur ndonjëherë ndonjë nënë. Ka qenë një vendim i vështirë të ndahem përkohësisht prej mbështetësve të mi në Fier, Lushnjë dhe Mallakastër, por ka qenë vendimi i duhur për të ikur prej LSI-së. LSI është një parti që tani ka 2% elektorat në gjithë vendin dhe një forcë politike pa të ardhme. Jo vetëm shpëtova prej intrigave të LSI-së, por shpëtova dhe të ardhmen time politike dhe investimin tim 13-vjeçar në politikë aktive. U largova nga një barkë peshkimi që po mbytej dhe falimentonte. Edhe peshqit janë aq të mençur sa të mos bien në rrjetën e Ilir Metës.

Duke bërë një retrospektivë, si lindi LSI-ja shtatë vjet më parë dhe në çfarë situate jemi sot?Nuk dua të flas fare për LSI-në më gjatë. LSI ka qenë një gabim i madh i imi. Nuk duhet të isha bërë kurrë partner politik në këtë aventurë me Ilir Metën. LSI tani është parti e Ilir Metës. Të tjerët aty janë mbushës topi, që Meta i hedh si t’i mbushet mendja. Më vjen mirë që shqiptarët e kanë braktisur këtë parti dhe më në fund e kanë njohur Ilir Metën siç është.

Ju keni përmendur mundësinë e krijimit të një grupi të ri parlamentar. Keni nisur negociata me deputetë të tjerë?
Unë kam synim të krijojmë një grup në Parlament që të ketë mundësi të diktojë mazhorancë. Në këtë mënyrë, ne do të mund të kontribuojmë për ligje më të mira dhe për politikë më të përgjegjshme dhe atdhetare. Deri sot, unë me z. Paulin Stërkaj jemi për këtë projekt. Do të punojmë dhe me shokë të tjerë dhe shpresoj të kemi sukses. Sigurisht që është vështirë se PD dhe LSI luajnë me shuma gjigante parash për të blerë deputetë, kurse ne duhet të punojmë me parime dhe bindje për të ndërgjegjësuar deputetët që projekti ynë është për të mirën e vendit dhe të tyre, por s’ka oferta financiare.

Ku do të pozicionohet ky grup?
Ky grup do të pozicionohet në opozitë, por nuk do të votoj kundër apo bojkotoj çdo ligj. Ne do të gjykojmë me qetësi dhe do të votojmë ligjet që i duhen integrimit dhe vendit. Ligjet që ofrojnë mburojë për korrupsionin dhe favorizime për një kastë të caktuar, ne do t’i kundërshtojmë fuqishëm…

Në rast në një mocioni votëbesimi për qeverinë, si do të jetë vota juaj?
Kjo do të gjykohet nga gjithë anëtarët e grupit në kohën kur vjen mocioni mosbesimit për qeverinë. Do të gjykojmë motivet e mocionit dhe emrin e kryeministrit të ri dhe do të vendosim. Unë personalisht jam për rrëzimin e qeverisë ku Ilir Meta është pjesë.

Keni thënë se Berisha ka dijeni për korrupsionin e shumë ministrave, por nuk ka mundësinë t’i heqë, sepse i lëkundet qeveria. Cilët janë këta ministra, për çfarë aferash bëhet fjalë?
Berisha ka informacion për shumë nga ministrat dhe nuk ka çfarë iu bën. Me situatën e krijuar në Parlament, ai ka nevojë dhe për një votë të vetme. Ai nuk godet dot asnjë ministër të korruptuar, sepse humbet mazhorancën në Kuvend. Unë kam folur boll dhe s’kam ndërmend të bëhem prokuror për të denoncuar të gjithë. Nuk mund të rrezikoj më tepër nga jeta ime dhe e familjes sime.

Si e shikoni situatën e brendshme në LSI, por edhe në të gjithë mazhorancën?
Unë besoj se Qeveria është shumë e brishtë. Ajo mbahet në këmbë nga disa vota të majta të LSI-së, disa të PDU-së dhe disa deputet të PD-së që janë shumë të pakënaqur me trajtimin që i bën udhëheqja e PD-së. Ata kanë sy dhe shohin që disa pasurohen, kurse ata rrinë me rroga dhe shtëpi me qira. Unë parashikoj një vazhdim shumë të vështirë të mazhorancës. Ata do të punojnë në një terren shumë rrëshqitës gjithë javët që vijnë. Qeveria mund të bjerë nga çasti në çast. Është e sigurt që ajo nuk shtyn dot tre vjet. Çdo gjë është e pasigurt për ata.

Si ju duket reagimi i LSI-së dhe kryetarit të saj, Ilir Meta, pas largimit tuaj?
Reagim për të ardhur keq, reagim imoral dhe mafioz. Nga një anë thoshin “rrugë të mbarë” dhe nga ana tjetër thoshin “iku në plehrin e Tan Lepurit dhe tek klubi kokainës”. Unë Tan Lepurin nuk e njoh as për fytyrë dhe nuk e kam takuar kurrë. Ai është shpikje e Ilir Metës. Ilir Meta e ka prezantuar atë me Edi Ramën, sepse kur Meta ishte kryeministër, Tan Lepuri ka qenë shofer i Monika Kryemadhit. Ai ka filluar të bëjë punë që në kohën e Metës dhe nëse Iliri do ta kishte pyetur Monikën, besoj, nuk do ta lidhte emrin e Tan Lepurit me mua. Edhe me kokainën unë s’kam pasur kurrë lidhje.

Nuk e kam provuar kurrë dhe s’kam asnjë lidhje me askënd që e përdor apo trafikon. Kurse Ilir Metës i kanë arrestuar shofer të bashkëpunëtorëve të ngushtë me kokainë në makinë. Ai i ka nxjerrë viza miqve të Spartak Brahos, që janë arrestuar në Itali me kokainë dhe para pak javësh i arrestuan sekretarin personal të Ministrisë së Jashtme për akuza me trafik kokaine. Ata i shohin njerëzit si peng të krimit, siç janë dhe kanë qenë vetë. Megjithatë, me deklaratën e tyre të fundit për largimin tim nga LSI, ata ma bënë rrugën më të lehtë. Jam i lumtur që rrugët e mia me LSI-në janë ndarë përgjithmonë.

Ju keni dorëzuar në prokurori një dosje të madhe me prova dhe fakte për kontrabandën e naftës. Përveç Agron Kuliçajt, ka të tjerë zyrtarë të lartë shtetërorë?
Po ka shumë zyrtarë të tjerë të përfshirë, që nga ish-drejtues të ARMO-s shtetërore, që nga drejtues lokalë të policisë së shtetit deri në drejtues e punonjës doganash. Rrjeti i këtij aktiviteti kriminal është shumë i madh. Ata kanë punuar me shumë kujdes dhe është shumë vështirë ta zbulosh këtë krim që i ka sjellë shtetit miliona euro dëm ekonomik dhe evazion fiskal. Unë kam thënë çfarë dija dhe është detyrë e prokurorisë të zbardh gjithë aferën.

Deri në cilat nivele shkon kontrabanda e naftës?
Këtë duhet ta provojë prokuroria, por për mendimin tim shkon shumë lart, deri në nivel ministrash. Një aktivitet kaq i madh kriminal ku kanë marrë pjesë qindra shoferë, dhjetëra policë, dhjetëra punonjës doganash e tatimesh, është e pamundur të bëhet nën hundën e shtetit dhe askush mos të dijë asgjë. Njerëzit e thjeshtë kanë folur dhe flasin, kurse qeveria hesht. Heshtja tregon bashkëfajësi. Pjesa më e madhe e kësaj afere është bërë në vitet 2007-2008, dhe pak në 2009-ën. Unë për pjesën time kam folur me anëtarë të qeverisë dhe po flas publikisht. Duhet të flasin dhe të tjerët.

Z. Berisha, në një intervistë, ka mohuar që ju e keni vënë në dijeni për kontrabandën e naftës virxhinia?
Nuk e kam parë këtë intervistë të tij, por nuk besoj se ai mund ta mohojë këtë. Pasi unë e ngrita me forcë këtë problem, Berisha, Bode dhe unë, ramë dakord të bënim një VKM, ku të ndalonim eksportin e virxhinias nga subjekte të tjerë, veç “ARMO sh.a”. Ky vendim u propozua nga unë dhe u aprovua nga qeveria. Ky dokument ekziston i firmosur nga Sali Berisha.

A keni besim se prokurori do t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje?
Unë deponova në prokurori, duke marrë përsipër çdo rrezik mbi veten dhe familjen, me besim se në këtë shtet ka akoma njerëz që duan t’i shërbejnë me ndershmëri, përkushtim dhe guxim. Shpresoj dhe besoj që prokurorët të jenë kështu.

Një rast tepër enigmatik është arrestimi dhe më pas zhdukja e ish-këshilltarit tuaj, Eduard Belegu. Si është e vërteta e kësaj çështjeje, përse u arrestua ai në mënyrë aq bombastike?
Zoti Belegu është arrestuar me motive politike, për të më trembur mua si ministër. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër arrestimi me bujë i tij në zyrën në ministri. Çështja penale, me të cilën u arrestua Belegu, kishte vite që ishte hapur. Ajo s’kishte lidhje me detyrën e tij si këshilltari im, por me një aktivitet privat të tij para disa vjetësh. Ai ishte thirrur në prokurori për pyetje dhe pastaj për rreth një vit askush s’ishte kujtuar për çështjen, madje atij nuk i ishte bërë e njohur asnjë akuzë. Çështja nga informacionet e mia është hapur nga prokurori i rrethit të Elbasanit, me nxitjen e Agron Kuliçajt. Prokurori i çështjes i është shprehur vetë z. Belegu se e ka hapur me urdhër çështjen dhe pa vullnet.

Unë habitem se përse Prokuroria nuk e heton këtë arrestim dhe çështje. Disa javë, pasi Z. Belegu doli nga burgu, çështja u pushua dhe akuzat që e futen në burg pushuan. Kjo histori ngjan me kohën e Enver Hoxhës kur njerëzit futeshin në burg me urdhër politik, me akuza të sajuara. Z. Belegu u zhduk në kohën kur po përgatitej të denonconte prokurorinë dhe policinë për arrestimin e tij. Zhdukja e tij ka të bëjë me burgimin e padrejtë. Kjo është një histori e trishtueshme e lidhjes së politikës me prokurorinë dhe policinë e shtetit për t’i bërë presion një ministri, por që përfundoi me zhdukje personi. Kjo histori duhet zbardhur. Unë e kam kontaktuar disa herë Agron Kuliçajn për këtë çështje, por s’kam marrë kurrë një përgjigje prej tij. Opozita duhet të kërkojë zbardhjen e kësaj. Presidenti duhet të kërkojë përgjegjësi për arrestin e bujshëm, kur nuk ekzistonte asnjë arsye e përligjur për arrestim dhe Znj. Ina Rama të gjejë përgjegjësit e vërtetë. Ed Belegu ka qenë një mik i mirë i mi dhe unë asnjëherë nuk do të ndal deri sa dikush të gjej të vërtetën.

A ju kanë bërë ju ndonjë presion në lidhje me Belegun?
Çdo gjë që i ndodhi Belegut ka qenë presion ndaj meje nga Ilir Meta dhe miku i tij i fundit, Agron Kuliçaj. Është skandaloze të mendosh që Eduard Belegu ka qenë një financues i madh i LSI-së, kandidat për deputet dhe anëtar i KDK-së, dhe Ilir Meta përsëri e goditi.

Në mendimin dhe dijeninë tuaj, kush mban përgjegjësi për zhdukjen e zotit Belegu?
Ilir Meta, Agron Kulicaj, prokurori Elbasanit dhe prokurori i çështjes. Këta njerëz në bashkëpunim janë fajtorë për fatin e Ed Belegut.

Ju jeni kërcënuar personalisht dhe familjarisht me jetë. Si i pritët këto akuza?
I denoncova në prokurori dhe pres të dalë e vërteta. Sigurisht, në këtë terren politik kur Agron Kulicaj vazhdon të mbështetet politikisht, dhe dhjetëra kriminelë që vijnë rreth tij, unë ndjehem i rrezikuar dhe për jetën. Familjen e kam të rrezikuar. Kam marrë masat e mia. Kam njoftuar ambasadat e huaja dhe institucione të tjera të inteligjencës. Kam shpërndarë provat brenda dhe jashtë Shqipërisë në miq të besueshëm. Nëse më ndodh gjë mua apo familjes, fajtor janë 2 persona: Sali Berisha dhe Ilir Meta. Berisha deri tani nuk ka motiv, kurse Meta është shprehur që është gati të marrë kallashin kundër meje. Kriminelët ordinerë nuk kanë punë me mua, ata mund të veprojnë vetëm me urdhër politik.

Sa kanë ndikuar këto kërcënime, por edhe akuzat politike të bëra ndaj jush, në jetën private, tuajën dhe të familjes? Si i përjeton familja juaj këto presione dhe kërcënime?
Fëmijët nuk dinë asgjë, sepse janë të vegjël dhe ne i mbajmë larg televizorit. Të mëdhenjtë janë të shqetësuar. Kam menduar ta largoj familjen në SHBA për disa kohë, por me vjen keq t’i shkëpus fëmijët nga shkolla dhe shoqëria e tyre. Jam duke e gjykuar këtë punë në vazhdimësi.

__________
Pas shperthimit te konfliktit mes Metes dhe Priftit, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, gjatë një interviste në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, zbardhi disa nga prapaskenat e prishjes së marrëdhënieve me nënkryetarin e kësaj force, Dritan Prifti. Zv.kryeministri Meta u shpreh se para shkarkimit të Priftit nga posti i Ministrit të Ekonomisë ka diskutuar me të duke i propozuar një rokadë në qeveri, por ai e ka refuzuar, pasi nuk pëlqen udhëtimet me avion. Në lidhje me pasurinë e tij, Meta iu drejtua Priftit që nëse ka prova për akuzat e bëra, duhet t’i drejtohet prokurorisë. Lidhur me ofertat për bashkëpunim për rrëzimin e qeverisë Berisha nga Partia Socialiste, Meta sqaroi se nuk ka pasur asnjë takim me liderin socialist Edi Rama, duke deklaruar se koalicioni qeveritar është i qëndrueshëm deri në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013.

Nderkohe Prifti Prifti e komentoi momentin e shkarkimit të tij si një veprim të padrejtë në një moment të gabuar. Ndërsa për kontrabandën e naftës, ai ka akuzuar në mënyrë direkte Agron Kuliqin, ish-truprojën personale të Sali Berishës dhe sot nëndrejtor të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, por edhe ministrin e Financave, Ritvan Bode, i cili nuk ka marrë asnjë masë për ta ndaluar.