UPDATE – Edhe pse fushata nuk ka nisur zyrtarisht, Partia Demokratike ka prezantuar kandidatin e saj për Tiranën. Brenda pak ditësh PD organizon disa koncerte e mitingje, dhe pyetja është kushedi sa do organizohen derisa të mbarojë fushata.
Para pak nisjes së mitingut, Berisha ka mbledhur Këshillin Kombëtar për të miratuar emrin e Bashës duke shmangur kryesinë, ashtu siç pritej. Të dielën do miratohen edhe emrat e tjerë.
Edhe pse ka folur me superlativa për Bashën, salla e pallatit të sporteve bërtiste “Berisha, Berisha”.
Slogani i fushatës duket se do jetë i stërpërdoruri “Basha për Tiranën”.
Berisha tha se “Basha është një intelektual i talentuar dhe njeri me kontribut të madh në arritjet e Partisë Demokratike”.
“Ai është biri i këtij kryeqyteti,” shtoi më tej kryetari i PD.
“Basha kur ishte maturant u përball me diktaturën dhe e rrëzoi atë. Basha, ti ke faktuar se shkëlqen në gjithë jetën tënde,” deklaroi Berisha.
“Basha kishte ruajtur në shpirt e zemër dashurinë për vendin kur ishte në shkollë. Basha i shërbeu kombit me dashuri e zjarr aty ku ishte më i lënduar,” vijoi më tej Berisha.
Më pas kryeministri foli për Bashën si njeri që mundësoi hyrjen në NATO e lëvizjen e lirë, luftën ndaj krimit dhe shtimin e sigurisë në vend.
Në prezantimin e tij si kandidat i PD për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha u ka premtuar qytetarëve të pranishëm në pallatin e sportit “Asllan Rusi” se do të sjellë ndryshimin e shumëpritur. Basha u shfaq me familjen e tij. Më poshtë janë premtimet e tij për kryeqytetin.
Premtimet e Bashës për Tiranën:
-Ngritja e një task- force për punësimin e të rinjve
-Financimi i stazhit për ata që mbarojnë universitetin nga Bashkia, 70 për qind e atyre që mbarojnë këtë stazh u ofrohet një vend pune
-Misioni im është hapja e 30 mijë vendeve pune në 3 vitet e ardhshme
-Vendet ku do të hapen këto vende punë janë ngritja e unazës së madhe të Tiranës, hapja e parkingjeve nëntokësore, etj, por jo vetëm në sektorin publik
-Do të nxisim ekonominë duke ndihmuar hapjen e bizneseve të reja dhe zgjerimin e atyre ekzistuese. Tirana është vendi me tarifat më larta të taksave vendore, nuk ka nevojë të jesh ekonomist, mjaft të jesh biznesmen për të kuptuar se me taksa kaq të larta biznesi falimenton
-Unë e shpall Tiranën të hapur për biznes
-Si kryebashkiak i Tiranës deklaroj se do heq disa taksa dhe tarifa vendore dhe do ul 3 deri 5 herë taksat dhe tarifat që mbesin
-Do sjell investime dhe punësim në Tiranë
-Internet falas në shkolla, do zhvillojmë aktivitete kulturore dhe sportive nga bashkia
-Tirana do të jetë e aftë të presë e të mbajë më shumë se 100 mijë studentë, do të ndërtojmë në tri vitet e para një bibliotekë universitare të Tiranës
-Transporti në Tiranë, rrjet nënkalimesh në unazën e madhe, sistem parkingjesh brenda qytetit do të zgjidhim përfundimisht problemin e trafikut, tramvaji cilësor dhe me jo shumë i kushtueshëm
-Raporti me qeverisjen qendrore: Unë do të punoj ngushtë me qeverinë qendrore sa herë që na bashkon interesi më i mirë i Tiranës. Por nuk do nguroj kurrë të përballem me qeverinë qendrore nëse interesi i Tiranës vihet në pikëpyetje
-Bashkia do të ndërtojë parqe të vogla dhe qendra argëtuese
-Angazhohem për ndërtimin e një parku tjetër të madh për Tiranën, etj
-Çdo të premte do të kem orar pritjeje për të gjithë qytetarët për të dëgjuar hallet e tyre
Kemi nevojë për një kryebashkiak që t’i përkushtohet 25 orë në ditë Tiranës
Për Edi Ramën:
“Ai nuk është armiku ynë, edhe ka arritur ndonjë gjë për këtë qytet, por që kur erdhi në krye të PS-së ai ka si qëllim të vetëm luftën politike me kryeministrin Berisha. Ai i është futur një beteje politike për hesap të vet. Dëgjova se tha dje se do kandidonte për herë të katërt për bashkinë se donte të bëhej kryeministër, a është kjo që kërkojnë qytetarët?”
Për marrëdhëniet me qeverisjen qendore:
“Shumë pyesin se cfarë raporti do krijoj unë me qeverisjen qendrore. Kjo është përgjigja: unë do punoj ngushtë me qeverinë qendrore përsa kohë na bashkon interesi për Tiranën. Por nuk do ngurroj kurrë të përballem me qeverisjen qendrore nëse interesi i Tiranës do të vihet në pikëpyetje. Por unë do të punoj me të për këtë qytet”.