Presidentja kthehet në zarf!

0
61

Nga Kimete Berisha, 28 Shtator 2013

Më vjen keq pse Presidentja i çoi në gjykatë “brekët” e saj. “Brekët” e saj në fotografi do të ishin harruar për tri ditë, nëse ajo nuk do t’i çonte në gjykim.

Kosova ka harruar fotografitë me pamjen e fëmijëve të masakruar nga policia serbe gjatë luftës, fotografitë me barkun e prerë të nënave shtatzëna. Fotografitë, ku shihen serbët duke u dhënë qenve të pinë në pjatë gjakun e shqiptarëve të masakruar.

Vrasësit serb Presidentja nuk i ka paditur në gjykatë. Dy vjet e gjysmë Presidentja nuk ka kërkuar gjyq për vrasësit e fëmijëve Jashari, dhe fëmijëve të Kosovës.

Në çastin kur e kanë “vra” moralisht, duke ia zbuluar “brekët” në gazeta, Presidentja u “vetëvra”, duke gjykuar gazetarët pse nuk ia fshehin të metat e saj.

Gazetaria zbulon të metat (dhe virtytet), e nuk ekziston për të fshehur të metat figurave publike.

Kosova do t’i kishte harruar edhe “brekët” e Presidentes, por tani ato “brekë” janë protokolluar (si rast i rëndë) në gjykatë, dhe nuk dalin më nga biografia e saj.

“Seksi Jahjaga” është titulli i shkrimit të gazetës Kurir, që e kishte publikuar fotografinë e “brekëve” të Presidentes, e që e kishin shpërndarë në FB gati 400 serb. Komentuesit serb më shumë ishin zemëruar në gazetën “Kurir” që e quan Jahjagën Presidente të Kosovës, dhe ata nuk merreshin fare me brekët e saj, që sipas “Kurir” janë “Hiç më pak se tanga të zeza dhe e bëjnë të duket shumë keq”.

Fotografia e tangave të Jahjagës është shpërndarë nëpër botë. Edhe sikur ta kishte fuqinë e Presidentit të një shteti të madh, Presidentja e kosovarëve nuk do të mund ta zhduk nga “albumi i fotografive” të botës fotografinë e saj.

Tani më duket si “E bija e Rajanit”, të cilën për moral e përzunë nga fshati, kori i korbave të dëshpëruar. Dhe, më vjen keq.

Fotografia e përulur që Presidenten e kthen në zarf është realizuar në një kishë. Aty ku zbulohen dhe rrëfehen mëkatet. Zbulohen mëkatarët, hileqarët dhe të paditurit.

Zoti i zbulon mashtruesit në kulmin e kënaqësisë së tyre, papritur, në xhami apo në kishë. Dhe i kthen aty ku përkasin.

P.S. Kjo fotografi u realizua më moti, por tani armiku i saj ka vendosur ta luftoj Presidenten, me armët e saj.