Presidenti – Shumë zhurmë për asgjë?

0
47

Eda Gjoni

Do të ishte kështu, po t’i qëndrojmë strikt interpretimit të kornizës ligjore brenda së cilës e kanë futur presidentin e Shqipërisë si institucion, bashkë me kompentencat e kufizuara që ka ai. Por, lufta qesharake që po bëhet për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, të bën të kërkosh me kujdes arsyet përse pazaret politike për emrin e presidentit të ri kanë marrë kaq shumë rëndësi.

Po të shohësh sjelljen e politikës ndaj presidentit aktual, shpërfilljen e saj ndaj kreut të shtetit, sjelljen regresive e antipatike sikur presidenca të mos ekzistonte hiç, neglizhimi i hapur i saj e madje edhe përçmimi për rolin e këtij institucioni, shqiptarët nuk kanë si të mos bëhen kuriozë me interesin jetik që mbiu krejt papritur në axhendën politike të gjithkujt që pretendon se ka pushtet në Shqipëri.

Nëse presidenca nuk ka ndonjë funksion domethënës, përse takimet për emrin që do të ulet në zyrën kryesore të saj bëhen fshehurazi, darkave, drekërave, mesnatave e fshehtësirave gjeografike?

E thjeshtë: Presidenti nuk ka në dorë shumë gjëra, por, ka fuqinë ligjore të ketë ndikim absolut në pikën nevralgjike të atyre që sot duan të zgjedhin Maliqin; pra, ka ligjin dhe drejtësinë. Ai emëron në disa nga pozicionet që mund të trondisin jetën politike e personale të shumë prej pazar-bërësve të sotëm. Pra, presidenti emëron Prokurorin e Përgjithshëm, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, atë të Gjykatës së Lartë, kryeson vetë Këshillin e Lartë të Drejtësisë, e emëron edhe të gjithë gjyqtarët e vendit, në të gjitha shkallët.

Vërtet presidenti e ka shumë të kufizuar mundësinë që t’i kthejë mbrapsht parlamentit ligje me të cilat nuk është dakord, ama mundësinë për ta ushtruar kompetencën e tij përmes sistemit të drejtësisë, e ka shumë më të gjerë. Këtë mundësi ka shfrytëzuar presidenti aktual. E pikërisht për të rikthyer kontrollin mbi drejtësinë, palët janë të interesuara të emërojnë për president një emër që nesër do t’iu dalë krah në betejat me gjyqësorin e me prokurorinë. Politika shqiptare do garanci që nuk do t’i preken privilegjet pas maskaradave të bëra duke abuzuar me pushtetin.

E djathta si forcë në ikje dhe e majta si pretenduese për të kaluar me presidentin e ri të katër vitet e mandatit që pret të fitojë vitin tjetër, kanë interes që presidenti i ri t’i lërë rehat në katrahurën e tyre anti-ligjore. Ndaj bëhet lufta. Ndaj edhe pazari është i shtrenjtë. Sepse presidenti i ri duhet t’u shërbejë të gjitha palëve, duke iu larguar ferrën gjyqësore nga këmbët. Të gjitha përrallat e tjera, do të harrohen shpejt, si histori vere që janë.