Presidenti Nishani BLLOKON emërimin e Ina Ramës si gjykatëse

0
67

TemA, 4 Mars 2013

Presidenti Bujar Nishani ka bllokuar emërimin e Ina Ramës, ish- kryeprokurore, si gjykatëse apeli.

Siç raporton BIRN, presidenti ka përdorur fuqinë e tij si kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të mbajtur pezull kërkesën e zonjës Ina Rama.

Nishani ka shmangur një seancë dëgjimore me trupën kolegjiale për gati dy muaj.

Nishani e shkarkoi Ramën si Prokurore e Përgjithshme në fund të nëntorit, edhe pse shumë ekspertë kushtetues thonë se mandati i saj nuk përfundonte deri në prill të vitit 2013.

Pas shkarkimit, Ina Rama kërkoi nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në janar që të kthehej në profesionin e vjetër si gjykatëse, duke kërkuar një vend në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Ligji për zyrën e prokurorit garanton që Prokurori i Përgjithshëm “në fund të mandatit mund të zgjedhë ose të kthehet në pozicionin e vjetër të punës, ose në një pozicion ekuivalent”.

Rama, përpara se të emërohej në vitin 2007, ishte gjykatëse apele në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Kur mori postin si Prokurore e Përgjithshme, Rama u sulmua nga mazhoranca, pjesë e së cilës ka qenë Nishani.

Gruaja e parë që drejtonte prokurorinë u sulmua vazhdimisht nga kryeministri Sali Berisha pasi nisi një seri hetimesh në nivele të larta.

Ligji, i miratuar në vitin 2008, synonte të mbronte Prokurorin e Përgjithshëm nga persekutimi politik në fund të mandatit dhe për të forcuar pavarësinë e prokurorëve kur janë në detyrë.

Zyra e presidentit i ka thënë Balkan Insight se nuk ka ndonjë afat kohor që kërkon dërgimin e aplikimit në seancë dëgjimore.

Në lidhje me shpjegimin se përse ka shtyrje, zëdhënësi i Nishanit nuk ka komentuar.

Një zëdhënës i KLD tha se nuk ka informacion se kërkesa e Ramës është planifikuar që të shqyrtohet në ndonjë nga takimet e këshillit.