Arben Rrozhani
Aleanca qeverisëse nxitoi dje të përmbyllte procesin e kandidimit dhe të votimit të presidentit të ri të Shqipërisë, të gjashtin në historinë postkomuniste në vendit. Në një votim en-block mbushur me kulisa, mesazhe,pakte dhe vëzhgime në çdo fletë që hidhej në kutinë e votimit në Kuvendit të Shqipërisë, mbrëmë u votua dhe sot kemi de facto presidentin e ri, aktualisht ministrin e brendëshëm Bujar Nishani.
Ofrimi i këtij emri nuk ishte suprizë, sepse ai ishte përmendur edhe më parë nga shumica në pushtet, por vendosja e tij me urgjencë, në minutat e fundit, për ta bërë president, pasuar disa orë më vonë nga ovacionet, qeshjet me zhurma fishekzjarresh të deputetëve qeverisës, ishte përfundimisht një zgjidhje alla-PD. Pra ajo që nuk donte askush përveç atyre duan të mbajnë pushtetin, me çdo kusht dhe me çdo çmim. Dhe çmimi që duhet të paguajë vendi dhe shqiptarët është një gjysëm-president. Bujar Nishani është 100 për qind kandidati politik që nuk duhej të ishte presidenti i ri. Prej të paktën vitit 1992 që kur ai u bë pjesë e stafit të ish-ministrit të Mbrojtjes Safet Zhulali, ai ishte një njeri i PS-së dhe Berishës.
Pas largimit të tij nga pushteti duke qenë se nuk mund të bënte asgjë tjetër, ai provoi atë të mbijetesës, duke bërë punë të rëndomta, në të cilat paraja fitohet me mund dhe djersë dhe u kthyer sërish në administratë, pasi u riafrua me PD-në prej vitit 2000 dhe për të shijuar postet në rangjet më të larta pas ardhjes së kryeministrit Berisha në pushtet. Pra ai nuk ka qenë asnjë ditë në PS, megjithëse ishte militant i paraardhëse së saj PPSH, së cilës ai i shërbeu deri në fund, siç bëri në ato ditë të vitit 1991, kur ishte njëri prej pedagogëve që mbrojtën bustin e Enver Hoxhës te Shkolla e Bashkuar.
Ai pra është presidenti i PD-së, ministër i saj prej disa vitesh, dhe nëse ka qenë ministër ai ka qenë aty si njeri politik, sepse ai nuk është as jurist që të marrë vesh nga Drejtësia, as polic apo gardist që të ishte ministër i Brendëshëm. Nishani dogji shansin e kandidaturës konsensuale, që ishte kërkuar me ngulm nga opozita, por edhe nga ndërkombëtarët. Ai sot mund të jetë i pranuar prej tyre, si sosje e durimit që ata patën me një process të degjeneruar dhe të sajuar pikërisht që të shkonte te kandidati politik. Bujar Nishani është një kandidat përgjysëm dhe vërtet i djathtë, nëse do të flisnim me sarkazëm për kreun e ri të shtetit.
Pa cënuar aspektin moral dhe etik, shefi i ri i presidencës, është një burrë që ka probleme të rënda shëndetësore. Të vinte keq që dje, kur shihje, se, pasi votoi për veten e vet, kandidati për president, nuk arrinte te lëvizte krahun e majtë, sepse këto janë pasojat e sëmundjes që ai ka prej vitesh. Dhe të vjen keq për vendin, që një njeri në një gjendje të tillë duhet të jetë në krye të shtetit, ku duhen marrë vendime të mëdha, vetëm e vetëm, pse kështu ka vendosur kryeministri, kryetari i PD-së dhe , mbi të gjitha presidenti-hije i Shqipërisë, Sali Berisha.
Nishani është një gjysëm presidenti, që u hodh dje befas si komerdare shpëtimi nga frika e mbytjes së qeverisë, por është kreu i shtetit, që mbyti çdo fije shprese për shkarjen e vendit në autokraci. Prej mandatimit të Nishanit si kryetar i shtetit, Sali Berisha ka marrë edhe kalanë e fundit, atë ku do të nisë me çdo kusht zhbërjen e fundit të çdo institucuoni të pavarur kushtetues që ka mbetur në këmbë, Prokurori e përgjithshme, SHISH dhe ca skuta të Gjyqësorit. Tashmë, berisha ka qëlluar në Nishan: Sërish president dhe gjithçka.
(sg/shqiptarja.com)