Pren Nikollë Mrijaj (1935-1986)

0
71

Tomë Mrijaj

Jeta e vrullshme, plot histori të shumta, me ngjarje dhe data historike të rëndsishme, në familjen tonë me shumë antarë, ndër shekuj, kishin lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e banorëve të Lugut të Drinit dhe më gjerë.
Si vijues i denjë i trungut të familjes Mrijaj, është gëzimi i papërshkruar apo djali i parë i Nikollë Pren Mrijaj dhe njëherazi vëllai im i madh Preni, që u pagëzua me emërin e famshëm të gjyshit tonë.

Mbas 12 vitesh të vdekjes së intelektualit të kohës Pren Nikollë Mrijaj I-rë (1889-1923), në kullën e madhe të Mrijajve, u lind trashëgimtari i emërit.
Nënlokja ime e dashur Liza, kishte pasur gjithnjë një ëndërr apo dëshirë të flaktë, që nëse djali i saj i madh Nikolla, kur të martohet dhe do të gëzohej me djalë, dëshira e saj e vetme, ishte që djalin t’a pagëzojnë me emërin Pren, në shenjë përkujtimi të burrit të saj, që për gjyshën dhe mbarë familjen Mrijaj, mbetet njeriu ynë më i çmuar.
Lumturinë e saj të madhe, gjyshja e shprehu me lot gëzimi ndër sy, kur mori në dorë foshnjën e brishtë të porsalindur dhe gëzohej si fëmija, me djalin e vogël, që e puthte dhe ledhatonte papushim…

Në këto momente melankolie, gëzimi dhe kënaqsie, që ëndrra e saj u bë realitet, gjyshja e emocionuar, në ato çaste krijoi disa vargje, të cilat fatmirësisht, kishin lidhje me historinë e përjetuar të familjes Mrijaj:
“Pa i mbushur 12 vjet,
erdh Pren Nikolla e hyni n’djep…”
Për të gjithë familjen e madhe Mrijaj, zëri i gjyshës fisnike, u shoqërua menjëherë me krisma pushkësh nga meshkujt e shtëpisë, të cilët në jehonë (ushëtime) lajmëronin gjithë katundin, për lindjen e djalit të vogël.

Kjo formë festimi, ka qenë një traditë e hershme e familjeve shqiptare në krahina apo zona të ndryshme në trojet etnike. Padyshim, se triumfi familjarë apo gëzimi shprehet me krisma të pushkëve, duke shtirë në ajër. Kjo krismë, ndodhte zakonisht me rastin e lindjes së djalit dhe martesës si traditë e shtimit dhe formimit të familjes shqiptare.
Lajmi i gëzueshëm, për lindjen e djalit shkoi deri në Komunën e Zlakuqanit, ku, punonte babai i djalit Nikollë Pren Mrijaj, i cili, i mbushur me gëzim të papërshkruar niset me shpejtësi drejt kullës së tij.

Gjyshja e emocionuar nga lumturia, që ndjente atë ditë gëzimi, për gjithë familjen e madhe Mrijaj, ia jep në dorë babait të djalit anëtarin më të ri të familjes (Prenin e Ri), duke i dhënë bekimin e nënës me gjithë shpirt dhe zemër: “Me jetë të gjatë djalin dhe Zoti t’a shtoftë familjen me djem dhe vajza të tjerë…”
Edhe nëna e re e djalit të vogël Dila, një bijë fisnike, që rrjedhte nga familja e mirënjohur e Marlekajve (me origjinë nga Spaçi i Mirditës), ishte shumë e lumtur për këtë gëzim, që ajo i solli familjes së re në jëtë.
Kjo familje me tradita të hershme patriotike shqiptare, për mesë dy shekuj jeton në fshatin Përlinë, buzë Drinit të Bardhë.

Dila, është e bija e Zef Nikollë Marlekut, një burrë i njohur në krahinë asokohe. Ai për shumë vite, ka qenë Kryetar i Komunës në Dresnikë të Lugut të Drinit.
Në një kryengritje çlimtare nacionaliste kundërotomane, luftëtari trim Zefi, si pasojë e atij dimëri të ashpër (me ngrica dhe dëborë, pa ushqim dhe veshmbathje të mjaftueshme), për të mos iu dorëzuar forcave të ndjekjes pushtuese otomane, për shumë netë strehohet në pyll, ku, si pasojë u sëmurë rëndë nga bronkopleumonia (të ftohtit).

Sipas dëshmitarëve të kohës, thuhet, se ai, mundi të mbërrinte në shtëpinë e tij, por si pasojë e lodhjeve dhe ftohjes së rëndë, ai ndërroi jetë dhe kaloi në amshim, mbas pak ditëve, i rrethuar me dashuri dhe respekt nga nusja e re Terezja (një bijë fisnike e familjes së njohur të Çallakëve të Shpenadisë, Kumuna e Prizrenit, shënimi im T.M.), vajza e vogël Dila (i vetmi fëmije i tij) dhe e gjithë familja e madhe e Marlekajve.
Fëmija i parë i prindërve Nikollës dhe Dilës, Maria, ishte e para që kishte marrë lajmin. Ajo gëzohej për vëllain e saj, duke e puthur dhe rrokur me dashuri, që lexohej lehtë në sytë e saj të mbushur plot gëzim të papërshkruar.

Preni i njomë, çdo ditë rritej me përkujdesin e madh të mbarë familjes Mrijaj. Preni i Ri, ishte fëmiu më i përkdhelur në familjen e madhe patriarkale. Ai, ishte gëzimi dhe hareja për të gjithë. Kështu kaluan ditët, muajt dhe vitet dhe Preni, po hidhte shtat, në një mjedis plot dashuri dhe respekt, ku, mëkoheshin tradita dhe kultura e trashëguar brez mbas brezi nga gurra popullore shqiptare brenda kullës sonë të madhe.

Mësuesi Ndrecë Ndue Gjoka (1919-1946) në kujtimet e vëllait tim

Njeri ndër mësuesit, që shërbeu në shkollën e Zllakuqanit, ishte Ndrec Ndue Gjoka (1919-1946). Ai shërbeu si mësimdhënës prej vitit 1941 deri më 1944, ku, la mbresa shumë të mira, si tek nxënësit ashtu edhe tek prindërit e tyre.
Me ardhjen e tij në shkollën e Zllakuqanit, që nga dita e parë, ai u prit në shtëpinë tonë, si pjesëtarë i familjes.

Kujtoj, se gjyshja e jonë, ishte bijë e familjes së Tuç Dodës nga Bisaku i Fanit të Mirditës, nga e cila familje vjen edhe Ndrecë Ndue Gjoka.
Për këtë afërsi, në familjen tonë, i riu Ndrecë, u konsiderua nga e gjithë familja si dajë.
Meqenëse babai i gjyshes Ndue Gjon Gega, nga katundi Fshaj (Komuna e Gjakovës), barbarisht me familje ishte vrarë nga çetnikët, në kohën e gjenocidit serb, dhe gjyshes, duke i munguar familja, ajo ishte pranuar si bijë në familjen bujare të Pashkut Ndrecë Pjetrit, në katundin Kosh, në Lugun e Drinit.

Edhe kjo familje në fjalë, vjen nga fisi i famshëm i Bisakut, që ndodhet në Fan të Mirditës.
Babai im, i kishte thënë mësuesit Ndrecë, i cili, vinte për herë të parë në Kosovë dhe posaçërisht në Lug të Drinit, se familja më e afër, që lidhet me ju, është ajo e Pashkut të Ndrecë Pjetrit, të cilët edhe nënën time (Liza e Ndue Gjon Gegës) e kanë pranuar si bijë, pas ngjarjes tragjike, që përshkrova pak më lart.
Vëllai im e kujtonte me nostalgji dhe fliste gjithnjë me pasion, respekt dhe dashuri të veçantë, për mësuesin e tij të parë të shkollës pishtarin e dritës Ndrecë Ndue Gjokën, i cili, i kishte mësuar shkrimin, leximin dhe historinë e lavdishme të popullit shqiptar ndër shekuj.

“Ndrecë Ndue Gjoka, ishte pishtar i dijës dhe arsimit kombëtar. Ai ishte ndër 200 mësuesit vullnetarë, që në vitin 1941, iu përgjigj pozitivisht vendimit qëllimmirë të Ministrit të Arsimit në Shqipëri Prof. Ernest Koliqit.
Vendi im, asokohe vuante nga analfabetizmi dhe kishte humbur thellë në errësirën shekullore të paditurisë dhe prapambetjes, në fushën e arsimit në Kosovë. Përpjekjet e nënës Shqipëri, për të ndihmuar Kosovën, në fushën e arsimit dhe edukimit shqip, kanë qenë të vijueshme dhe të pandërprera.

Mësuesi i palodhur Ndrecë, në shkollën e Zllakuqanit, punoi me zell dhe përkushtim të madh, me qëllimin fisnik, që fëmijët dhe të rinjtë e Lugut të Drinit dhe më gjerë, të marrin dije dhe dituri kombëtare.
Ai, ishte arsimtar i shquar dhe respektuar nga të gjithë. Duke qenë njeri i dashur e i afruar me banorët lugëdrinas, bujarë e zemërbardhë, shumë shpejt u hyri në zemër, falë seriozitetit dhe karakterit të tij burrëror.
Për atë përiudhë kohe, që shërbeu me përkushtim, ndaj nxënësve vendas, mësuesi mirditor, gjithnjë ishte i pranishëm në raste gëzimesh dhe hidhërimesh.
Për mua, mësuesi dhe kujdestari i paharruar Ndrecë (sikurse kujton vëllai im), ishte një njeri me zemër dhe botë të madhe shpirtërore. Nga ai mora shumë këshilla të vlefshme, që më vonë më vlejtën shumë në jetën time, në Kosovë dhe emigracion.
Pas orarit të mësimit, sëbashku shkonim në shtëpinë tonë, ku, gjyshja e priste buzagaz dhe me fjalë të ëmbla, duke i thënë: “A u lodhe sot vlla!? Buka, asht e gatshme…”
Mbas dreke, sëbashku me mësuesin shkonim buzë lumit Drini i Bardhë, në Lidhavet tona në Jagodë. Për karakterin burrëror të mësuesit Ndrecë, kanë folur me shumë respekt edhe mbas largimit të tij vendasit.
Mua më kujtohet, kur udhëtonim, në rrugën mes arave të gjelbëruara, e sidomos në stinën e luleve të pranverës, kur nuset dhe vajzat e reja, ishin duke punuar në fushat e tyre, mësuesi nuk e kthente kokën anash, gjë që u kishte ra në sy vendasve, për karakterin e një të riu shembullor.
Ai e donte shumë natyrën dhe bukuritë origjinale të saj. I pëlqenin shumë pëllumbat, të cilët i ushqente me dashuri në shkollë, qysh nga dita e parë e ardhjes së tij në atë vend. Aty kishte ngritur foleza të vogla, të tyre dhe përkujdesej çdo ditë për pëllumbat, që i kishin mbetur një pasion i hershëm qysh kur ishte fëmijë në Mirditë. Nga ana e tjetër, adhuronte dhe prehej në meditime të thella në gjirin e natyrës. Ai kishte dëshirë të dëgjonte cicërimat e zogjve dhe të shikonte në natyrë çeljen e luleve, në stinën e bukur të pranverës…, ku, me padurim priste edhe përfundimin e vitit shkollor, për t’u rikthyer tek familja e tij e dashur në Miridtë.
Më tregonte me pasion për familjen dhe bukuritë natyrore të Mirditës, mes maleve, lumenjve: Fanin e Madh dhe të Vogël, pyjet e gjëra të harlisura dhe jetën e thjeshtë, por burrërore të banorëve mirditorë me plot tradita dhe histori të lavdishme mbijetese, ndaj pushtuesve shumëshekullorë turq e sllav.
Ai fliste me mua, sikur unë të isha i rritur, por asokohe nuk isha më shumë se 8 apo 9 vjeç … Më thoshte shpesh, se kur të rritesh, do të marrë daja më vete të shikosh Mirditën dhe bjeshkët e nalta, nga ku, janë larguar edhe të parët e familjes tënde…
Mësuesi im i abc-së së parë në shkollë, më këshillonte, duke më thënë: “Edhe pse je i përkdhelur nga familja dhe gjithë rrethi, mbasi je djalë i parë, mos u lazdro (llasto), sepse ke një familje shumë të mirë dhe me tradita. Prindërit e tu fisnik, janë shembull në Lug të Drinit…
Me largimin e pushtuesve italianë dhe gjermanë nga Kosova, vendi merret peng nga komunizmi. Mësuesi Ndrecë, kthehet në vendlindjen e tij (në Mirditë) nga fundi i vitit 1944. Unë e ndjeva shumë mungesën e tij. Për mua, ai ishte dhe mbeti mësues dhe një prind model, me shembullin dhe fjalët e tij të ngrohta, të cilat i ruaj edhe sot në kujtesën time…
Kam qenë shumë i hidhëruar, kur mbas dy vjetëve dhe më saktë, në vitin 1946, përmes radios, morëm lajmin se mësuesi im Ndrecë Ndue Gjoka është vrarë… Këtë lajm të hidhur, nuk ia kemi treguar asnjëherë gjyshes. Kjo ishte porosi nga babai im…”

Nëna gjithnjë si jastek ka merakun tonë,
sepse frymën dhe zemrën e vet ndau me ne

Kushdo, që thotë fjalën nënë, ka përmendur natyrshëm kuptimin e jetës, ardhmërisë e çdo gjëje të shtrenjtë në botë.
Qëndro pranë saj dhe menjëherë si me maxhi ndjen afërsinë dhe dashurinë prindërore, që asgjëkundi s’do t’a ndjesh në jetën tënde.
Preke lotin e saj të dhimbshur dhe përpara kësaj gjendje trishtimi edhe shpirti i një të pashpirtit do të zbutet si me magji.
Bota e madhe e nënës, ka për të gjithë ne, një rrenqethje loti të kristaltë, ajo ka bukuri, sepse mbart mbi vete një univers ndjenjash të pafundme.
Ajo si krijuese e jetës, është një lot i thellë shpirti, është një lot biluri e i veçantë, plot dhimbje dhe dashuri, për fëmijën e vet.
Ky është vetëm loti i nënave tona fisnike shqiptare, që në kuptimin e plotë të fjalës, ringjallin gjithnjë shpirtrat e trazuara nga vuajtjet e kësaj bote plot halle.
Të gjithë e dijmë dhe e kemi provuar në jetë, se nënat, kalojnë një jetë të mbushur me shumë mundime dhe brenga të ndryshme, duke menduar vetëm për ne. Ato jetojnë në këtë botë, por zemra dhe mendja e tyre ndodhet gjithnjë dhe kurdoherë vetëm pranë nesh.
Gjithkush mundet të mohoj në këtë jetë, por nëna kurrë dhe asnjeherë në çdo moment dhe situatë të veshtirë, që gjendet fëmija i saj në këtë botë.
Nëna, është një dhuratë e përsosur, që veçantinë dhe vlerën e saj e njeh me mirënjohje vetëm i madhi Zot, që e krijoi.
Të gjithë e dijmë, se Nëna, që na jep jetën në këtë botë, të mban brenda vetës për 9 muaj, në krahët e saj plot dashuri të pashuar për gjithë jetën, dhe në zemrën e saj derisa të mos marrë më frymë dhe kalon në amshim…!

* * *

Në kujtimet e mia, po risjellë momentet e paharrauara të vëllait tim të madh Pren Mrijaj, për nënën tonë, se si ai e kishte përjetuar dhimbjen e madhe të vdekjes së saj asokohe.
“Vdekja e papritur në moshë të re e nënës së dashur, në pranverën e vitit 1951, ndryshoi çdo gjë në familjen tonë. Ajo, ishte një dhimbje e thellë shpirti dhe loti, që papushim rridhnin nga shpirti im, i lënduar në ato ditë zie.
Me nënën time, unë kisha një fëmjëri të gëzueshme, sepse ajo ishte gjithçka për mua, mbasi më plotësonte çdo dëshirë fëminore në jetën time. Meqenëse isha djali i parë, ajo më merrte kudo me vete, më mësonte për shumë gjëra, që më prisnin në jetë, për ardhmërinë time.
Asaj i jam mirënjohës tërë jetën, për këshillat që më dha, për shumë gjëra pozitive me vlerë, që arrita të bëj në jetë. Kjo humbje e parakohshme e nënës time të re, më goditi me një mërzi të thellë në shpirt, m’u ndërpre gëzimi i përditshëm i moshës time rinore.
Unë, nuk isha më shumë se 14 vjeç, kur nëna ime e dashur u largua nga kjo jetë, për të shkuar dhe qendruar në jetën e pasosur, në një sofër me engjejt pranë Hyjit…
Motra e vogël Agia, që sapo kishte mbushur 9 vjeçe, ishte çdo ditë me sy të përlotur, për nënën, që e deshti me gjithë shpirt. Ato sëbashku rrinin çdo ditë, ku, nëna me buzëqeshje dhe dashuri prindrore, përpiqej t’a mësonte motrën, me fjalë të ngrohta për jetën, i fliste për historitë plot tradita të zonës, mikpritjen e përhershme të familjes Mrijaj, se si duhet edhe Agia të mësonte pak nga pak si të mirëmbahet shtëpia, rregullonte dhomat, të nderonte dhe respektone miqtë dhe më të moshuarit në familje, sikurse vlerat e tjera të dobishme të familjes, plot tradita të mira shqiptare.
Nëna jonë fisnike, ishte model, në familjen e madhe Mrijaj dhe rrethin e gjerë të miqve dhe të afërmve tonë, të cilët e respektonin dhe nderonin gjithnjë.
Ajo, që më ka munduar më sëshumti, ishte se nëna la në kujdesin tonë familjar vëllain tim të vogël Tomën, i cili, nuk ishte më shumë se 2 vjeç dhe motrën e porsalindur Marien, që sapo i kishte mbushur tre javë…
Nëna e jonë si shtëpiake, ishte e dalluar si një amvisë e mirë, gjelltore e famshme dhe shumë e kujdesshme, e cila kishte shumë dëshirë të gatuante dhe t’i shërbente miqve dhe familjes. Ajo ishte shumë e urtë, e pafjalë, e zgjuar, e dashur me të gjithë, fjalë ëmbël dhe punëshumë në shtëpi.
Në familjen tonë të madhe, nëna jonë, ishte njeriu më i respektuar nga të gjithë. I zoti i shtëpisë së madhe Mrijaj, Ndue Jaku, një njeri me një disiplinë korrekte familjare, që ne të rinjtë e thërrisnim baba Ndue, e donte dhe respektonte shumë nënën tonë fisnike.
Çdo ditë në orët e para të mëngjezit, i pari njeri, që ishte zgjuar nga gjumi ishte baba Ndue, që qëndronte ulur në cungun e druve në mes të oborrit. Nëna e palodhur, si çdo herë i sillte kafen dhe të dy të ulur në cung, thithshin qetësisht tymin e cigareve, një gjë e ndaluar kjo sipas traditës, sidomos për femrat shqiptare.
I zoti i shtëpisë, që gëzonte një autoritet në familjen patriarkale Mrijaj, i porosiste, qysh në mbrëmje antarët e familjes, se çfarë duhet të bënin ditën e nesërme. Ai i vështronte nga larg, se si ata po kryenin punët e shtëpisë. Babai ime dilte i fundit nga shtëpia, ku, dy meshkuj të kullës sonë të madhe, i përgatisnin kalin dhe ia mbanin frerin deri sa ai hypte në kalë dhe merrte udhën, drejt zyrave të komunës sonë. Baba Ndue dhe nëna, ngriheshin në këmbë, për respekt dhe i uronin një ditë dhe punë të mbarë.
Më kujtohet dita, kur u varros nëna ime e shtrenjtë. Isha në mesin e atyre miqve, që kishin ardhur për të na ngushlluar, për vdekjen e parakohshme, të njeriut më të dashur të familjes tonë. Kur hyri në odë baba Ndue, i merzitur shumë dhe tek i fshinte lotët më shami dore, në mesin e miqve të shumtë u kthye nga babai im dhe i tha: “Nikollë! Sot duel ora nga konaku ynë!”
Në odën e madhe të burrave mbretëroi heshtja. Këtë heshtje e theu daja Lekë Marleku, i cili, i tha babës Ndue: “Këtë fjalë, që thatë sot, zakonisht asht përdor, kur ka vdek nji mashkull i mirë në familje dhe jo për një femër…”
Baba Ndue, me buzë të dridhur nga dhimbja, iu përgjigj dajës: “Ashtu asht mik Lek, por Dila, ishte nji njeri i veçantë me urti, sjellje në familjen time…”
Nëna sokoleshë, po linte 4 fëmijë jetimë, kujdesin e së cilës e mori nga ai moment nënlokja Liza (gjyshja), gruaja e axhës Tonja dhe e gjithë familja e madhe, që në ato momente ishte shumë e pikëlluar.”

Ftesa për shërbimin ushtarak

Vëllai Preni, sapo kishte mbushur 18 vjeç. Një ditë në shtëpinë tonë, erdhi një ftesë zyrtare, me vulë dhe firmë nga zyra e lartë ushtarake, ku, ndër të tjera ftohej Preni, për t’u nisur në shërbimin ushtarak.
Edhe pse isha i vogël rreth 5 vjeç, menjëherë pashë ndryshimin e mimikës së fytyrës së vëllait. Me radhë, sytë më shkuan pavetëdije tek babai dhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Mbi të gjitha binte në sy gëzimi i gjyshës, por edhe ndryshimi i menjëhershëm i fytyrës së saj, e cila në ato momente mori nota merzie, sikurse të gjithë të tjerët. Vëllai i madh, ishte djali i parë, që e donin dhe respektonin të gjithë. Askush nuk donte, që ai të shkonte në ushtri.
Dita e shërbimit ushtarak erdhi shumë shpejt. Në fillim, ai ishte caktuar si ushtar, në një togë pranë një qytezë të vogël Foqë, e cila ndodhej në Bosnje e Hercegovinë. Në shtëpinë tonë, atë ditë të nisjes së Prenit në ushtri, kishin ardhur për t’i thënë udhë të mbarë shumë miq dhe familjarë, të cilët, të përlotur e përshendeten në oborrin tonë.
Në ato momente prekëse, vëllai më mori në krahë dhe më përqafoi me mall. Më pas, ai me hapa të ngadalta u largua nga ne, pa e kthyer kokën mbrapa, duke u nis në drejtim të Jagodës (tek stacioni i trenit), për të shkuar në Pejë, ku, ishte edhe takimi i të gjithë të rinjve, që do të udhëtonin në disa qytete të ndryshme të Jugosllavisë.
Mbas disa orëve baba, unë dhe axha Ndrecë, u kthyem në shtëpi. Që në natën e parë në shtëpinë tonë, kishte renë heshtja dhe një qetësi, ku nga të gjithë ne ndjehej thellë mungesa e vëllait dhe njeriut tonë më të dashur, që po kryente shërbimin ushtarak larg vendlindjes dhe familjes.
Që nga ai çast e shihja, se me mungonte njeriut më i dashur, i cili, më donte shumë dhe më plotësonte çdo dëshirë fëmijënore, mbasi isha shumë i vogël. Të dy e donim njeri-tjetrin, se ishim vëllezër dhe shokë shumë të mirë.
Për mua 24 muaj ishin shumë pa vëllain, mungesën e të cilit e ndjeja shumë. Por muajt pa te, kaluan shumë shpejt. Një ditë të bukur pranvere, im vëlla erdhi me leje për pushime në shtëpi. Ishte një suprizë e këndshme për familjen. Të gjithë u gëzuam shumë. Ato ditë të ritakimit plot mall, ishin çaste tepër të gëzueshme dhe të papërshkrueshme, në familjen tonë. U gëzova aq shumë, sa që harrova se vëllai im do të shkonte sërisht (mbas disa ditëve) në shërbimin ushtarak edhe për 12 muaj të tjera. Ai erdhi edhe disa herë të tjera në shtëpi, që ishin një lloj shpërblimi apo shenj falënderimi, për sjelljet e tij shumë të mirë në ushtri.
Më sa kam kuptuar asokohe dhe më vonë, kam mësuar, se vëllain tim e donin dhe e respektonin të gjithë në repartin ushtarak, ku, ai shërbei për dy vjet me radhë. Meqenëse, ishte shumë korrekt, i rregullt e i pastër për nga natyra, i disiplinuar në çdo rast, oficerët e lartë e caktojnë në një detyrë me shumë rëndësi dhe besueshmëri të lartë. Atë e emërojnë si përgjegjës i depos së armatimeve, detyrë të cilin e kreu me shumë korrektësi dhe përkushtim.
Eprorët, pa dallim kombësie, flisnin fjalët me të mira dhe kishin një respekt të veçantë, për sjelljen e tij të kulturuar dhe besimin, që kishte fituar tek të gjithë, falë karakterit të tij të forte, me shumë vlera pozitive dhe si një ushtar besnik dhe pa fjalë.
Për korrektesinë dhe aftësitë e tij në ushtri, ai ishte vlerësuar nga krerët e ushtrisë me medalje merite, të cilat, i kishte marrë gjatë kohës, që shërbente në qytete të ndryshme, si: Split, Dubrovnik, Korqulë, etj., ku, ai u caktua me shërbime të ndryshme ushtarake.
Eprorët, që e donin shumë dhe kishin besim tek personaliteti i tij, i kishin ofruar edhe mundësi të tjera, për të vijuar studimet e larta dhe specializuar në ushtri. Vëllai im, qysh në fillim, ishte shumë dakord, për të vijuar shkollën. Ai e kishte marrë me shumë qef dhe ishte tepër i gëzuar, se të gjithë e donin dhe respektonin në ushtri.
Për këtë kërkesë, që i ishte bërë drejtpërdrejtë, ai njofton menjëherë babain. Preni, ëndrronte shumë, për idenë e së ardhmes së jetës, që ai kishte menduar t’a bënte realitet, kur të mbaronte dy vjet të shërbimit të detyruar ushtarak.
Babai, kur njoftohet nga djali i madh ushtar, për ëndrrën e tij, që të qëndroi përgjithmonë në ushtri, në vend që të gëzohej u mërzit shumë. Ai, bisedon me shumë kujdes me vëllain e tij, (axhën tim Ndrecën), që të niset të takoi vëllain tim në ushtri. Një ditë, ai niset me tren drejt repartit, ku, ishte Preni me shërbim. Sapo mbërrinë atje, paraqitet se është axha i Pren Mrijajt.
Komandanti i repartit, i jep leje vëllait tim, që për sa kohë, që axha të rrijë në vizitë me nipin, të jenë sëbashku deri sa ai të kthehet. Ky ishte një ndër rastet e veçanta apo privilegj, që gëzonin vetëm ushtarët shembullorë dhe të respektuar në ushtri.
Që nga dita e parë, kur Preni e shikon axhën gëzohet shumë dhe të dy plot mall takohen dhe bisedojnë për disa ditë. Një ditë, para se të largohet axha Ndrecë, me shumë takt, i hap bisedën, për dëshirën e madhe, që kishte vëllai im: “Për të përfunduar studimet e larta dhe punuar përgjithmonë si ushtarak”.
Në fillim, axha gëzohet dhe nuk i jep shkak Prenit, që të kuptoj, se askush në familjen tonë nuk dëshironte, që djali i parë i familjes Mrijaj të bëhet ushtarak.
Për të mos ia thyer zemrën nipit, axha e sjell bisedën larg e larg. Ai e parashtroi me shumë kujdes bisedën, duke i thënë, se: “Në ushtri, rreziku për jetën është më i madh, sepse ai mund të dërgohet me shërbime të detyrueshme ushtarake në vende jo të sigurta, në zona apo vatra të nxehta lufte dhe konflikte nderetnike asokohe.”
Në anën tjetër, axha sërisht i thotë me takt dhe durim maturie: “E gjithë familja, me gëzim dhe mall të madh ju pret, mbasi jeni djali i parë në familjen tonë. Ma merr mendja, se as e fejuara e juaj, nuk do të jetë e kënaqur dhe as familja e saj me këtë zgjidhje tuajen. Në çdo ditë, po e presim me gëzim mbarimin e shërbimit të detyruar ushtarak. Sapo ju të ktheheni, ne jemi përgatitur, për të bërë martesën, mbasi ne presim, që të shohim dhe gëzohemi me fëmijët tuaj me një familje të re e të madhe, me shumë djem e vazja…”
Preni e dëgjonte me shumë vemendje axhën dhe nuk fliste. Ai kishte rënë në mendime të thella dhe po bluante domethënien e fjalëve të axhës, që njeherazi ishin edhe mendimet direkte të babait tonë…
Mbas shërbimit ushtarak, vëllai kthehet në shtëpi. Pak kohë më vonë, e gjithë familja fillon përgatitjet, për të bërë një dasëm të madhe, për djalin e parë të familjes Mrijaj. Gëzimi tek të gjithë ishte i papërshkruar. Ata flisnin me shumë respekt për çiftin e ri, familjet e tyre, që vinin nga emëra të njohur të krahinës tonë.
Ende sot kujtohet me nostalgji nga më të vjetrit, dasma e madhe e gëzimit familjar, që bënë asokohe familja ime në Lug të Drinit. Dhëndri i pashëm ishte veshur hijshëm, me rroba shumë të bukura të kohës, që qëndronte i gëzuar përkrah nuses fisnike, e veshur me elegancë me rroba kombëtare, ku, binin në sy larushia e ngjyrave të bukura të kostumit popullor, që i qëndisnin vetë me dorë vajzat, para martesës…
Nuk dua të zgjatëm shumë, por është mirë të rikujtoj me pak fjalë, një përshkrim të shkurtër të familjes së nusës së re Martës, e bija e burrit të mirënjohur në krahinën tonë e më gjerë Bardhec Ukë Gojani, për të cilin, është folur shumë, por shkruar pak nga historianët e ditëve tona.
Për më tepër, dua të them, se për aktivitetin e tij, është folur me shumë respekt në odat e burrave. Ajo që të binte në sy, ishte karakteri i një burri fisnik, me zemër të bardhë, bujar, mikpritës, trim i zgjuar e i vendosur për çështje të rëndësishme atdhetare, një familjar shumë i mirë e i dashur me të gjithë.
Ai, ka pas fatin e mirë, që të marrë përgjegjësitë e familjes, qysh në moshë të re, mbasi binte në sy për zgjuarësi, saqë arriti për pak kohë të rimkëmbë ekonominë e familjes së tij. Kësisoj, Bardheci, arriti shumë shpejt, të behet një ndër familjet e pasura të Lugut të Drinit. Por nga ana e tjetër, ai është dalluar edhe si një bujar shumë i mirë, duke ndihmuar me zemër dhe shpirt çetat e njohura nacionaliste, që vepronin asokohe të turbullta të hisotorisë së vendit tonë në Dardani.
Badheci me familje, ndihmoi drejtpërdrejtë me ndihma ushqimore dhe vëshmbathje çetën nacionaliste antikomuniste dhe antisllave të Ndue Përlleshit (1908-1949), të cilin e kishte nga fisi i tij dhe ishin shpërngulur dikur të parët e tyre nga i njejti vend (Iballa e Pukës) në Shqipërinë Veriore. Për këtë, flasin kujtimet e bashkëfshatarëve të zonës së tij e më gjërë, të cilat ende nuk janë zbardhur si duhet nga studiuesit dhe historishkruesit vendas.
Duke lexuar librin jetëshkrimor me titull: “Ndue Përlleshi trimi Dukagjinit”, të autorit Mr. Jetish Kadishani, të mbështetur në burime historike dhe dëshmitar të ngjarjeve, sipas dëshmive të bashkëfshatarit të tij Zef Mark Gjetaj nga Budisalci, ndër të tjera mësojmë, se Bardhec Gojani, nën valën e presioneve të policisë serbe të gjithë familjen e tij i morën nga shtëpia dhe i izoluan në kullat, të cilat, ishin kthyer nga çetnikët serbë në burgje.
Në mënyrë të posaçme një torturë çnjerëzore, do të kaloj mbi shpinën e këtij trimi të pamposhtur Bardhec Gojanit. Çetnikët serbë në ato dimra të ftohtë plot akull dhe ngricë e torturojnë në ujin e Drinit të Bardhë nga Ura e Zallqit deri tek Ura e Zllakuqanit me një gjatësi rreth 5 kilometra. Kur e kanë nxjerrë nga uji i ftohtë, trupi dhe rrobat e tij, kanë qenë të ngrira. Tortura të tilla, ia kanë përsëritur atij edhe në stacionet e ndryshme të policisë, por ai asnjëherë nuk ka treguar shokët antikomuniste dhe antisllavë.
Ai, gjithnjë është pyetur dhe toturuar barbarisht, për lidhjet e ngushta, që ka pasur me komandantin legjendar Ndue Përlleshin dhe çetën nacionaliste të tij. Pasojat e torturave e kanë ndjekur gjatë gjithë jetës.
“Bardhec Gojanin dhe shumë fshatarë të tjerë të Budisalcit, i morën milicia dhe i futën në ujin e Drinit (nën shelgjishtë), për t’a kërkuar Ndoun, por Ndou nuk ishte askund. Torturat ndaj tyre nuk mbaronin, derisa nga të ftohtit patën pasoja shëndetësore, të cilat, i përcollën gjatë tërë jetës.”
(Mr. Jetish Kdishani: “Ndue Përlleshi trimi Dukagjinit”, Botim i dytë i plotësuar), Drenusha, Prishtinë, 2009, f. 165-166)
Im vëlla Preni, shumë herë tregonte për jetën në ushtri, miqtë shokët nga vende të ndryshme të ish Jugosllavisë. Ai tregonte, se oficerët e tij, që ishin me kombësi të ndryshme, si: kroatë, slloven, serb, malazias, boshnjak, etj., e pyesnin shpesh për Kosovën, Klinën, vendlindjen e tij, historinë, njerëzit, kulturën, traditat, zakonet, veshjet e shumë gjëra të tjera.
Me liberalizmin e jetës në ish Jugosllavi dhe me komunizmin liberal jugosllav, që u mundua të zbatonte në jetë, udhëheqsi asokohe Josif Broz Tito, tashmë vendi po hapej drejt vendeve të zhvilluara kapitaliste të Europës Perëndimore dhe Amerikës. Njerëzit, kishin të drejtë të lëviznin lirshëm edhe në drejtim të vendeve të Europës përparimtare.
Këtë gjë e shfrytëzoi edhe vëllai ynë, gjatë vitëve 1970, për të udhëtuar jashtë vendit si emigrant ekonomik, drejt shteteve të zhvilluara, për një jetë më të mirë. Kështu Preni i ri, nisi rrugën e vështirë të emigracionit si shumë bashkatdhetarë të tjerë.
Preni, për disa vite më radhë, do të punoj si emigrant në Paris të Francës, në disa qytete të Zvicrës etj., dhe sëfundi në vendlindje në Komunën e Klinës.
Kur ai ishte i lumtur, me një familje plot fëmijë dhe në harmoni të plotë gëzimi, ai meqenëse ka punuar në punë shteti në Komunë, ishte si rregull asokohe, që të gjithë të bëjnë vaksinën e gripit (për parandalimin e sëmundjes epidemike, shënimi im T.M.), që i kapte lehtësisht shpesh të gjithë njerëzit.
Dhe ndodhi ajo që nuk pritej. Pakujdesia e mjekut, në ngatërrimin e ilaçit të injeksionit (me ose padashje) për pacientin e tij, i shkakton hemoragji të brendshme në trup dhe për fat të keq, mbas 24 orësh pushon së rrahuri zemra e tij në Spitalin e Pejës…
Duhet theksuar, se asokohe niveli i shërbimit mjekësor, nuk mund të krahasohet me ditët e sotme në Kosovë, sepse si në çdo fushë tjetër të jetës dhe ekonomisë së vendit, edhe shëndetësia ishte lenë me qëllim mbas dore nga ish kolonizatorët shumë shekullorë serb.
Vdekja e papritur e vëllait, në moshën 51-vjeçare, ishte një goditje e rëndë për familjen, gruan dhe fëmijët e vegjël. Ende sot, më kujtohet ai moment i dhimbshëm, për mua dhe të gjithë. Ishte ora 5 e mëngjezi (me datën 30 maji të vitit 1986), kur bie zilja e telefonit në shtëpinë time në New York, që më zgjoi nga gjumi. Ishte miku i familjes Hil Gojani, që më dha lajmin e papritur, ku, më thotë me një zë të dridhur e i emocionuar, se “Sot yt vëlla Preni, ka ndërruar jetë…”
Unë dhe bashkëshortja ime Liza, nuk mundëm t’a përmbajmë vetën. Lotë rrëke na rrodhën nga faqet. Ndjemë dhimbje në shpirt, për vëllain dhe shokun tim, që ishte gjithçka për mua. I përlotur, mezi ia dhashë lajmin e hidhur motrës sime Maries, e cila filloj vajin me dënesë…
Kështu menjëherë në orën 9 të mëngjezit të po asaj dite, u gjenda në Ambasadën Jugosllave në Manhattan New York, ku, kisha shkuar për të marrë lejën (vizën) e udhëtimit, për të hyrë në Kosovë.
Sekretari i Ambasadës, më thotë, se Ambasadori momentalisht nuk është këtu dhe pritet të vijë nga Washington D.C. në orën 11 paradite. U paraqita në atë orar, ndonëse salla e pritjes ishte e mbushur me klient të tjerë, që prisnin të takonin të parin e Ambasadës.
Unë, depërtova i pari mes njerëzve dhe hyra brenda në zyrën e diplomatit. Pas pak minutash, hyri në zyrë Ambasadori, të cilin e kishin lajmëruar, që kam një rast vdekje dhe se më duhet të udhëtoj urgjentisht në Kosovë. Ai u prezantu, se jam Ambasadori David Dashiq dhe ashtu në këmbë më shtriu dorën, duke më thënë në gjuhën serbo-kroate: “Më vjen keq, që takohemi për një rast të tillë.”
Diplomati i lartë, më shprehu ngushëllimet për vëllain. Ai, po më shikonte me shumë vëmendje dhe pas një heshtje, në formë habie, më tha: “Qenkeni shumë i ri. Më kanë folur shumë për ju. Për punën tuaj, unë kam menduar, se jeni shumë i vjetër, por ju qenkeni i ri. Ju jeni një kundërshtar i rregjimit tonë dhe se kërkoni bashkimin e trojeve shqiptare, në një shtet të vetëm. Ju zoti Mrijaj, jeni Sekretar i Përgjithshëm i ‘Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit’, të themeluar nga emigracioni këtu në Amerikë. A e dini ju zoti Sekretar, se Komuna nga ku ju vini, ka televizorë, frigoriferë, stufa e mjete të tjera, që nuk i ka e gjithë Shqipëria.”
Duke e dëgjuar me vëmendje diplomatin jugosllav, i thashë, se mua më intereson vendi im e jo lukset. Një njeri, që nuk do vendin e vet, si mund të dojë tjetrin. Ai, më në fund, më drejtohet drejtpërdrejtë dhe pa dorashka diplomacie: “Ju z. Mrijaj dhe Organizata juaj nacionaliste ‘Lidhja e Prizrenit’, keni organizuar shumë demostra, kundër nesh edhe këtu para Ambasadës tonë…”
I qetë dhe me gjakftohtësi, iu përgjigja, se unë nuk jam kundër jush, por kundër padrejtësive. Ju, duhet t’a dini se Lidhja e Prizrenit, i përkrah demostrat e drejta dhe liritë qytetare të njeriut (popullit) dhe rinisë së Kosovës dhe të drejtat e çdo shqiptari kurdo dhe kudo, që gjendet nëpër botë.
I nderuari z. Ambasador, unë, sot kam ardhur, që zyrtarisht të kërkoj leje, për të marrë pjesë në varrimin e vëllait tim. Edhe nëse ju nuk më jepni vizën, unë gjithsesi do të udhëtoj për në Kosovë, për t’i dhënë lamtumirën e fundit njeriut më të dashur të zemrës time.
Këtë udhëtim tw domosdoshëm, unë kam vendosur t’a realizoi patjetër dhe me çdo çmim, që mendoni kundër meje. Edhe nëse me burgosni, Ju në këtë rast, nuk do të bëni asgjë tjetër, veçse më nderoni.
Në ato momente, duke parë vendosmërinë time, për të udhëtuar në vendlindje, Ambasadori, tërheq pasaportën time, që ishte në tryezën e zyrës së tij, duke më thënë me sinçeritet: “Unë, po e firmosi lejen me një kusht, që ju të shkoni vetëm në familjen tuaj dhe në vorreza. Nëse shiheni apo merrni pjesë në tubime, në ambientet publike, duke bërë propagandë kundër nesh, ne do t’ju burgosim.”
Ai, më dha dy kartvizita dhe më porositi, që njerën t’ia jap përsonit, që më shoqëronte dhe nëse ndodh ndonjë gjë më informoni. Diplomati jugosllav, në zyrën e tij, sërisht me përzemërsi dhe me mirësjellje, më shtrengoi dorën, duke më rithënë, se: “Më vjen keq, që takohemi për një rast të tillë fatkeqësie për ju. Dëshiroj, që të takohemi për raste të mira.”
Udhëtuam sëbashku me bashkëshorten time Lizën, motrën Marien dhe bashkëshortin e saj Hil Përlleshin. Gjatë udhëtimit me aeroplan deri në aeroportin internacional të Beogradit, kujtonim sëbashku me motrën Marien, ditët e bukura më vëllain tonë në Kosovë. Në aeroport, kishte dalë për të na pritur djali i axhës Nikë Mrijaj, me të cilin udhëtuam deri në Kosovë.
Mundoheshim të përmbanim vetën, por pikëllimi ishte futur thellë në zemrën tonë të lënduar. Në dalje të qytezës së Klinës, takoj Lekë Përlleshin, i cili, ishte duke sjellur djalin e vëllait tim Kelmendin (Kenedin) në Qendrën Shëndetësore (ambulacë), për t’i dhënë një injeksion qetësimi.
Sapo mbërritëm ne, Leka me makinën e tij u ndal dhe nipi im Kenedi mu hodh në qafë, ashtu sikurse ishte me sy të përlotur. Të gjithë ndjenim dhimbje. Ishte shumë e vështirë për mua, të qetësoja njërëzit e mi, që t’a përmbanin vetën, mbasi vetë ndjeja dhimbje të thellë, sepse kisha humbur njeriun më të dashur të jetës time, sepse kishim kaluar vite të bukura si vëllzër dhe shokë të ngushtë.
Gruaja ime Liza e mori djalin pranë vetës dhe me ledhatime e fjalë të ëmbla, u mundua t’a qetësonte, duke i thënë, se: “Ju do t’a keni gjithëmonë përkrahjen tonë.”
Leka, ndër të tjera më tha, se Dom Mark Sopi (i cili, më vonë u bë Ipeshkëvi i Kosovës Mons. Mark Sopi (1938-2006), shënimi im T. M.), ka dhënë urdhër, që trupin e të ndjerit t’a nisin tek varrezat, mbasi numëri i njerëzve ishte shumë i madh. Ai, nuk duhet të varroset, pa mberritur vëllai i tij Tomë Mrijaj, i cili, na ka lajmëruar në telefon, se sëshpejti vjen këtu.
Sa mbërritëm në hyrje të fshatit Krushëvë, ku, janë varrezat më të vjetra të krahinës tonë (datojnë qysh në shek. XVII, shënimi im T.M.), shoh rreshtin e gjatë të njerëzve, që po zbresin rrugës nga kodra, ku, ndodhen vorrezat. Në mes turmes së gjatë, ishte edhe babai im tepër i pikëlluar. Sa na panë, të gjithë u ndalën e u afruan ngadalë, për të na ngushëlluar.
Babai, i cili, nuk ishte në gjendje të qëndronte në këmbë nga dhimbja e djalit të madh, kur më pa e uli kokën dhe të dy të përlotur u përqafuam. Duke parë dhimbjen e madhe të babait, i thashë nga zemra: “Bëju i fortë! Çfarë vjen prej Zotit, ne s’kemi nga i ikim vullnetit të Tij…” Për mua, ky ka qenë momenti më prekës në jetën time.
Tek varrezat, pash se ishin duke pritur gjithë katundi im dhe miqtë e të afërmit e familjes tonë, që kishin ardhur, për të marrë pjesë në ceremoninë e lamtumirës të vëllait tim, për në banesën e fundit, drejt jetës së pasosun…
U përshëndeta më të gjithë e në fund iu afrova vëllait, i hoqa ngadalë çarçafin e bardhë dhe e përqafova me lot ndër sy dhe nxora nga zemra e lënduar fjalët e dhimbjes: “Pse kështu, a nuk të erdhi keq, që na le kaq herët vetëm..”
Sërisht miqtë e të afërmit, mu afruan dhe më ngushëlluan dhe gradualisht u mundova t’a marr vetën mbas asaj tronditje, që na shkaktoi humbja e vëllait tonë të dashur.
Gjatë atyre ditëve në Kosovë, më qetësuan fytyrat e njoma të fëmijëve të tij, që m’i la të përkujdesëm unë, ashtu sikurse u përkujdes ai gjithnjë për mua, qysh në fëmijërinë time të hershme.
Disa muaj para vdekjes, vëllai e kishte fejuar djalin e madh Kolën. Atë ditë të gëzueshme në telefon, më njoftoi, për lajmin e mirë, duke më thënë: “Unë e mora fjalën e fejesës së djalit tim, me një vajzë shumë të mirë të zonës tonë. Ajo ështe e bija e Lekë Maxhunit, të cilët, kanë jetuar përpara në katundin Ranoc në Lug të Drinit e prej disa dekadave jetojnë në qytetin e Prizrenit…”
Përmes telefonit edhe unë i urova fejesën e djalit. Vëllai, ma ndërpreu bisedën dhe ndër të tjera më tha: “Unë i dashtur vella Tomë, i bëra të gjithë detyrimet e fejesës, por barra kryesore tashmë të pret ty. Po pres që t’i sëshpejti të vish në Kosovë, dhe sëbashku do t’i çojmë unazën e fejesës.”
Për t’a kryer dëshirën e tim vëlla, unë ato ditë zie, udhëtova për në Prizren, sëbashku me bashkëshorten time Lizën, nusën e vëllait Marten, djalin dhe vajzën e vëllait Kenedin dhe Lirinë, tek familja e mikut, për t’i dërguar unazën e fejesës.
Babai i vajzës Leka dhe e gjithë familja na pritën me lot ndër sy. I zoti i shtëpisë Lekë Maxhuni, më tha: “Mik i dashtun Tomë! Ta kisha ditur se Preni, do të na lëjë kaq shpejt, do t’ia kisha dhënë vajzën ditën e fejesës me vete.”
Në atë rast mërzie, me tabak në dorë hyri e fejuara e nipit tim Antoneta, me një fyrytë të skuqur, e cila mezi mbahej nga dhimbja e humbjes së madhe, që i kishte shkaktuar vdekja e babait të fejuarit të saj.
U ngrita në këmbë e përqafova dhe duke i dhënë unazën e nipit tim i thashë: “U trashigofshi dhe qofshi gjithëmonë të lumtur sëbashku! U plakshi bashkë!”
Nga miku kërkova, që posa të mbushte vëllai 1-vjetorin e kalimit në amshim, t’a kthejmë në familjen tonë të re gëzimin, me një ceremoni dasme, duke kurorëzuar martesën e dy të rinjve: Kolës dhe Antonetës.
Vëllai u nda nga jeta, duke lënë familjen, nusën e re Martën me gjashtë femijë në moshë të re, katër djem dhe dy vajza (Kola, Kenedi, Dukagjini, Arbeni, Lirija dhe Leonora).
Fëmijët e vëllait, sot janë të gjithë të martuar, me shumë nipa dhe mbesa. Prania e këtyre njomakëve, ato ditë të ithta zie, më mundësuan të kaloi dhimbjen e madhe, që kisha për humbjen e vëllait tim të dashur. E njëjta prani e këtyre femijëve, që sot janë burra, më plotëson boshllekun e vëllait në zemrën time.
Sërisht sot, i rrethuar me dashurinë e tyre, jam axha më krenar e i lumtur, kur shoh këta burra si dikur fëmijë, ku, në fytyrat e tyre shoh gëzimin, që më freskon, e sidomos brezi i ri, i lindur dhe rritur në SHBA, e me vete them: “Pse ai burrë i mirë, nuk priti t’i shoh dhe të gëzohet me zemër dhe shpirt, sikurse unë sot, i rethuar ngrohtësisht me pranininë e tyre!”
Vëlla i dashtur!
Edhe pse u mbushën 28 vjet, ajo ditë e largët më rikujtohet si sot, tek ndjej ende mungesën tënde, çdo ditë edhe më shumë.
T’i më mungon vetëm fizikisht, sepse je e do të mbetësh gjithëmonë i pranishëm, çdo ditë e mot në mesin tonë.
Burrat e mirë si ju, nuk vdesin kurrë!
Të pavdekshëm, u bën vepra juaj, për të cilën krenohemi gjithnjë.
Pushofshë në Paqe!

Shënim: Marrë nga libri në dorëshkrim.