Predha e prezervativë në Gërdec

0
27

Lorenc Vangjeli

Nga Lorenc Vangjeli

Në vendngjarjen e tragjedisë më të madhe dhe skandalit që tronditi gjithë shoqërinë shqiptare, prokuroria pretendon se janë shkelur të gjitha rregullat e standardet e sigurisë. Për ironi të fatit, aty janë bllokuar dhe tetë copë prezervativë që garantonin seks të sigurt mes predhave të vdekjes. Nis procesi në Tiranë, të munguarit e tij të mëdhenj, Mediu, Bumçi dhe Alibeaj, por do të dëshmojnë edhe amerikanët

Në pafundësinë e pikëpyetjeve të ngritura për tragjedinë e Gërdecit, të paktën një detaj është i sigurt, sipas pretendimit të prokurorisë: në fabrikën e vdekjes kanë munguar masat sigurisë dhe shpërthimi fatal ndodhi si pasojë e një gabimi njerëzor. Por, nëse kanë munguar masat e sigurisë për procesin delikat të punës me municione të rënda luftarake, ato nuk kanë munguar për … seksin. Seksi në Gërdec duket se bëhej me masa të plota sigurie. E vërteton një gjë të tillë dhe një procesverbal i provave materiale dhe shkresore të prokurorisë së rrethit gjyqësor të Tiranës, e cila ka sekuestruar në vendngjarje, në datën 23 mars, vetëm një javë pas tragjedisë, edhe tetë copë prezervativë.

Provat dhe dëshmitarët

Prova e “zhurmshme” e qesharake është pjesë e një liste të gjatë të tillash, në të cilat përfshihen objekte nga më të ndryshmet, që nga kartëmonedhat e huaja, telefona celularë, karta rimbushëse, dokumente zyrtare të arkivave apo të gjendura në vendngjarje e deri në pjesë të mjeteve luftarake të demontuara. Ironia e fatit të zi për atë çfarë ndodhi më 15 marsin e vitit të kaluar, por dhe në përpjekjen për të dhënë drejtësi, vazhdon edhe më tej. Në gjykatën e Tiranës, prokuroria ka paraqitur një listë të gjatë, më të gjatën deri më tani në një proces gjyqësor, për dëshmitarët që do të japin shpjegimet e tyre përpara gjykatësve. Janë plot 391 vetë, në një listë që nis me ish-këshilltarin Juridik të ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu, Plarent Ruka, 28 vjeç, që mban numrin rendor “një” dhe mbyllet me Kurt Matën, ish-punonjës i fabrikës së vdekjes, 67 vjeç, banues në Laknas që mban numrin rendor 391.

Në këtë listë, të kompozuar kryesisht me punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes, ushtarakë e civilë, si dhe me ish-punëtorë të fabrikës së vdekjes në Gërdec, banorë të zonës dhe rrethinave, janë dhe pesë emra shtetasish të huaj që bien në sy. Ata janë Patrik Kornelius Henry, 53 vjeç, shtetas amerikan, pronar i kompanisë SAC, Rodney Spenser Taylor, 58 vjeç, Devid Clark Howell, 45 vjeç, William Merit Hart, 45 vjeç, Sidney Tison Macinture, 59 vjeç, të gjithë shtetas amerikanë. Ata u janë përgjigjur pyetjeve të prokurorisë shqiptare në SHBA për rrethana të dobishme në favor të hetimit, për të cilat ata janë në dijeni dhe dëshmitë e tyre priten të lexohen në proces.

Dëshmitarët e munguar

Janë të paktën tri emra që prokuroria nuk e ka parë të udhës të paraqiten gjatë hetimit gjyqësor për të dhënë dëshmitë e tyre. Ata janë të tre persona me imunitet dhe të tre, gjithashtu, janë të përfshirë në këtë tragjedi me role të ndryshme. I pari padyshim është Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, aktualisht, deputet dhe ministër i Mjedisit, i cili në paskohën e shpërthimit tragjik u dorëhoq nga detyra. Të paktën sipas prokurorisë, zoti Mediu është fajtor për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, por një pretendim i tillë nuk u arrit të provohej në Gjykatën e Lartë, ku duhej të gjykohej për shkak të statusit të tij, sepse çështja e tij u pushua nën arsyetimin e marrjes së mandatit të tij të ri si deputet, mbas zgjedhjeve të 28 qershorit.

Zoti Mediu i garantoi vetes që procesi i tij në Gjykatën e Lartë as të mos fillonte fare, për shkak të shtyrjeve të njëpasnjëshme të seancave me arsye nga më të ndryshmet. Aktualisht ka një debat të fortë publik, por dhe juridik për fatin e tij të nesërm. Qeveria e re, në të cilën ai bën pjesë, është tashmë nën një presion të fortë, jo vetëm lokal nga opozita e opinioni publik, por gjithashtu edhe nga faktori ndërkombëtar. Si kurrë ndonjëherë më parë, përtej dorezave të zakonta diplomatike, emri i zotit Mediu është përmendur si një shembull ilustrues i marrëdhënieve të deformuara dhe ndërhyrjes politike që qeveria shqiptare ka bërë në sistemin e drejtësisë. Si të mos mjaftonte kjo, ambasadorët e dy vendeve të mëdha, të SHBA dhe Britanisë së Madhe, në dy episode të ndryshme kohore të njëpasnjëshme, kanë folur pikërisht për imunitetin e zyrtarëve të lartë dhe nevojën e reduktimit të tyre përballë hetimit. Nënteksti ishte fare i qartë: goditej e vetmja mburojë delikate kushtetuese që zoti Mediu ka përdorur me sukses deri tani për të shmangur ballafaqimin e tij gjyqësor. Më pas, edhe vetë kryeministri ka pohuar me fjalë të tjera të njëjtin realitet – mundësinë dhe nevojën e një qasjeje të ndryshme ndaj imunitetit të zyrtarëve të lartë – si dhe gatishmërinë e tij për ta ndryshuar situatën aktuale. Në të njëjtën gjatësi vale ka “lundruar” dhe zëvendëskryeministri,Ilir Meta, i cili ka deklaruar se vota e partisë së tij, në rast të një kërkese “bis” të prokurorisë për imunitetin e zotit Mediu, do të jetë në favor të heqjes së tij. Qarku ngjan i mbyllur dhe “palët” presin që “kundërshtari” të bëjë lëvizjen e parë, mbas të cilës nuk duket se do të ketë më histori. Pa imunitet zoti Mediu do të duhet të nisë edhe njëherë kalvarin në Gjykatën e Lartë, nga e cila u largua me mandatin e ri parlamentar që mori më 28 qershor. Ndaj tij aktakuza nënvizon: “… në paraqitjen e fakteve objekt akuze t´i referohet në detaje të gjithë veprimtarisë së shtetasit Fatmir Mediu, ndonëse ai nuk ka statusin e të pandehurit në këtë proces gjyqësor”.

Bumçi & Alibeaj

Dy të munguarit e tjerë në listën e dëshmitarëve në proces janë dhe dy ish-ministrat e Drejtësisë, Aldo Bumçi dhe Enkelejd Alibeaj. I pari për shkresën e famshme që i ka dërguar të birit të kryeministrit, me anë të së cilës e vinte atë në dijeni për aktin zyrtar që pritej të kalonte në qeveri për kontratën e demontimit të municioneve dhe i dyti, për pjesëmarrjen direkte në procesin e hartimit të kuadrit ligjor që çoi në ngritjen e fabrikës së vdekjes në Gërdec. Për më shumë, nëse rasti i parë mund të konsiderohet një lajthitje klienteliste e Bumçit, por që mund të hapë dhe histori të tjera shumë më të rënda, në të dytin, Alibeaj thjesht ka shpërdoruar detyrën, duke u marrë me detyra që nuk i përfshinte zbatimi ligjor i detyrimeve që rridhnin nga posti që mbante në Këshillin e Ministrave.

Në një vend normal, padyshim lista e dëshmitarëve do të ishte shumë më e gjatë: në të do të duhej të jepte shpjegime vetë kryeministri, Sali Berisha, si firmosës i akteve ligjore, ish-ministri i Bujqësisë, fjala vjen, Jemin Gjana, një nga përkrahësit e marrëveshjes për demontim, Genc Ruli, si titullar i një institucioni që dha “OK” për të njëjtën gjë e deri edhe ministri i Financave, Ridvan Bode, që ishte kundërshtar i saj. Por Shqipëria nuk është vend normal, normale nuk janë as marrëdhëniet e sistemit të drejtësisë me pushtetin ekzekutiv dhe për këtë arsye është e pamundur, për fat të keq, që një gjë e tillë të ndodhë në përpjekje për të zbardhur totalisht të vërtetën dhe për të ndëshkuar fajtorët e mundshëm.

Akuza

Në datën 27 tetor, mbas shtyrjeve të njëpasnjëshme, më së fundi në gjykatën e Tiranës prokuroria mundi të lexojë aktakuzën e saj në ngarkim të 29 të pandehurve të përfshirë në këtë proces. Një javë më parë, një reagim diplomatik në formë, por mjaft i ashpër në përmbajtje i zëdhënëses së gjykatës së Tiranës, Bujana Tançica, reflektonte fort kundërshtinë ndaj avokatëve që bëheshin shkak për shtyrje të pafundme të proceseve. “Një ndër rastet me shtyrjen më të përsëritur të avokatëve gjatë seancave ka qenë edhe ajo e çështjes “Gërdeci”. Për të disatën herë radhazi procesi gjyqësor ndaj të pandehurve të kësaj çështjeje nuk ka mundur të nisë për shkak të mungesës së avokatëve”, – shkruan zëdhënësja e gjykatës në deklaratën e saj, që vinte mbas investimit direkt të Presidentit të Republikës po mbi një çështje të tillë në një nga mbledhjet e KLD. Kryetari i gjykatës, Artan Zeneli, duket se po ushtron presion pozitiv pikërisht mbi këtë plagë, që deri më tani ka rezultuar në shumë raste fatale për dhënien e të drejtës. Dosja e tragjedisë së Gërdecit, siç thuhet dhe në deklaratën e zëdhënëses Tançica, është një nga shfaqjet më të hapura të kësaj dukurie. Dhe këtë të mërkurë duket se presioni i gjykatës së Tiranës pati efekt të plotë.

Prokuroria lexoi dosjen voluminoze me akuzat për secilin nga të pandehurit në proces. Ato shkojnë që nga akuza penale për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, të kryer në bashkëpunim për katër nga të pandehurit, Delijorgji, Ngjeçi, Minxolli e Pinari, te vepra penale e shpërdorimit të detyrës për shumicën e të pandehurve të tjerë, falsifikimin e dokumenteve zyrtare, shkatërrimin e pronës me eksploziv etj.

Për ushtarakët e përfshirë në proces akuza përgjithësisht është e njëjtë, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale ushtarake të shpërdorimit të detyrës, kryer nga kuadri komandues në bashkëpunim. Lista e tyre kryesohet nga ish-shefi i shtabit, Gjeneral Luan Hoxha e disa nga ish-vartësit e tij, gjithashtu ushtarakë nga më të lartët të piramidës së djeshme të hierarkisë së Forcave të Armatosura.

Aktakuza përcakton si të dëmtuar nga veprat penale një numër të banorëve të zonës, një pjesë e të cilëve dikur punëtorë në fabrikën e vdekjes.

Lista e të dëmtuarve hapet me 26 viktimat që humbën jetën në shpërthimin tragjik të 15 marsit 2008. Ajo shoqërohet nga 27 persona të tjerë të plagosur rëndë, 109 të tjerë të plagosur lehtë, 67 persona me dëmtime të lehta dhe 61 persona të tjerë të trajtuar në spitale.

Sipas aktakuzës, 5829 personave u është shkaktuar dëm material me vlerë mbi dy miliardë lekë nga shkatërrimi i pronës së tyre me eksploziv, shtetit i është shkaktuar një dëm mbi 100 milionë lekë po për të njëjtën arsye dhe një dëm prej rreth 1.3 miliardë lekësh të tjera për shkak të shpërdorimit të detyrës nga të pandehurit, vlerë që përfaqësonte pasuri në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes.

Sërish në fillim

“Në datën 15 mars 2008, në ambientet e ish-brigadës së tankeve në Gërdec, Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve shoqëria “AlbaDemil” kanë ndodhur disa shpërthime masive të lëndëve plasëse dhe djegëse: barut 1067.855 tonë, djegore të llojeve të ndryshme 286476 copë, predha 4365.335 tonë, me mbushje tritol (TNT) 795.609 tonë, të depozituara në këtë rajon, afër qendrave të banuara, objekteve sociale, rrugëve nacionale, stacionit hekurudhor, Vorë, aeroportit “Nënë Tereza”, Rinas. Këto shpërthime kanë shkaktuar vdekjen e 26 personave…”

Kështu nis aktakuza e procesit më të madh penal të zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, me 29 të pandehur, por që nuk dihet se si do të përfundojë. Është padyshim procesi më i madh penal, por pasojat e tij në politikë, në të gjitha rastet, do të jenë të ngjashme me pasojën që shkaktoi vetë shpërthimi i 15 marsit 2008.

“Në analizë të fakteve, provohet se të pandehurit… dhe personi juridik “AlbaDemil”, me dashje kanë organizuar dhe realizuar procesin e demontimit dhe çmilitarizimit të municioneve duke shpërfillur: çdo rregull e standard sigurie…”, – shkruhet në fund të aktakuzës voluminoze, që i referohet pikërisht tragjedisë së Gërdecit, ku për ironi të fatit janë bllokuar në cilësinë e provës materiale edhe tetë prezervativë, që garantonin megjithatë, seksin e sigurt në mbretërinë e vdekjes.