Preç Zogaj: Shumica qeverisëse në fije të perit

0
50

Nga Blerina Gjoka

Votimi për heqjen e mandatit të Ilir Beqjas tregoi tkurrjen e mazhorancës qeverisëse në një numër limit që nuk i jep dot emrin shumicë parlamentare, vetëm 70. Por, e parë në syrin e opozitarit Preç Zogaj, ky votim tregoi që kjo shumicë nuk është reale, por është një mazhorancë e ardhur nga marrëveshjet e tavolinave. Kësisoj ajo varet në fije të perit nga presionet individuale dhe nga pamundësia për mbajtjen e një qëndrueshmërie numrash. Zogaj, duke folur për gazetën “Tema”, jep opinionin e tij për zhvillimet e fundit të politikës dhe për mundësitë që kanë mbetur për realizimin e objektivit kryesor të kampit opozitar, ku ai bën pjesë pas zgjedhjeve të vitit 2009, të transparencës së zgjedhjeve.

Në këtë kuadër, vajtjen e Edi Ramës në tryezën e së premtes nuk e sheh si një shkelje të vendimit të marrë më parë nga tryeza e opozitës për bojkotin e tryezës, por si një mënyrë për të bërë politikë ballë për ballë. Në këtë mënyrë, Zogaj mendon se topi ka vajtur sërish në fushën e Berishës dhe ai e di shumë mirë që reforma zgjedhore nuk mund të bëhet pa u hetuar më parë zbatimi i ligjit në zgjedhjet që shkuan. Por, duke parë se zgjidhja ka vonuar kaq gjatë, Zogaj shprehet i zhgënjyer nga sjellja e kryeministrit Sali Berisha, dhe sheh shumë pak dritë optimizmi për gjetjen e një zgjidhjeje për këtë ngërç. Gjithsesi ai e quan këtë objektiv të opozitës një mision, që nuk mund të zbehet me kalimin e kohës. Për hir të këtij misioni dhe me të njëjtën kauzë, Zogaj lajmëron se protestat e opozitës do të rifillojnë menjëherë pas vendimit që do të merret nga Këshilli i Ministrave të BE-së për heqjen e regjimit të vizave.

Zoti Zogaj, po e nis nga ngjarja më e fundit, pjesëmarrja e kryesocialistit Edi Rama në tryezën e thirrur nga Berisha për reformën zgjedhore. Ishte një vendim suprizë ky i vetë zotit Rama apo u konsultua më parë me aleatët e tij, ndër të cilët dhe ju, pasi një veprim i tillë ra ndesh me vendimin e Opozitës së Bashkuar për të bojkotuar tryezën e reformës?

Konsulta ishte për qëndrimin ndaj ftesës së Berishës për tu ulur për reformën zgjedhore. Tryeza e opozitës së bashkuar konkludoi se transparenca e zgjedhjeve të vitit 2009 përbën përparësinë e përparësive për rikthimin e besimit të humbur të shqiptarëve të institucioni i zgjedhjeve. Nuk është Kodi në vetvete që ka prishur numërimin në një të të tretën e territorit kombëtar. Nuk është Kodi në vetvete që ka prodhuar fenomene të shëmtuara si ai i Ruzhdijes kur komisionerët e qeverisë fusin flet votimi në emër të emigantëve. Nuk është Kodi që ka lejuar shtimin e votave në procesverbale, me një të lëvizur të stilolapsit, siç u pa në rishikimin e filmimeve të numërimit në qarkun e Shkodrës nga PDK. Me pak fjalë, Kodi mund të ketë e ka kusure të tjera.

Pikëpamjet për Kodin janë kurdoherë të ndrydhme, por po të ishte zbatuar me korrektësi ky Kod që kemi, sigurisht që zgjedhjet nuk do të ishin sërish larg standardeve ndërkombëtare. Opozita është ndërgjëgjesuar si asnjëherë tjetër për ta kapur problemin për brirësh dhe jo nga bishti. Edhe komuniteti ndërkombëtar është ndërgjegjësuar. Prandaj ka dalë rrezoluta e Parlementit Europian , që kërkon ngritjen e Komisionit Parlementar për hetimin e materialeve zgjedhore. Tryeza, pra, mbështeti reagimin e parë të kryetarit të PS-së Edi Rama në lidhje me ftesën e Berishës dhe e shdërroi në një qëndrim të përbashkët të mbarë opozitës opsionin “në fillim trasparenca, pastaj reforma zgjedhore”. Kjo është përmbajtja e qëndrimit, të cilin e shprehen me korrektësi dhe dinjitet në tryezën e Berishës kryeyarët e dy partive të vetme parlamentare të opozitës së bashkuar, Rama i PS-së dhe Dule i PBDNJ-së.

Nuk kishte një vendim për tryezën nga opozita e bashkuar? Përshtypja ishte se opozita do të bojkotonte?

U përcaktua pra një qëndrim për përmbajtjen e propozimit të Berishës. Unë e bëra të ditur që atë ditë para shtypit. Çështja a do të shkonin apo jo në tryezë dy krerët e partive parlamentare, se ata kishin ftesë, nuk u diskutua dhe nuk mund të ishte thelbësore. Thelbësore është qëndrimi i mbajtur. Në ketë pikë, siç u pa qartë, gjithçka ishte brenda pikëpamjes së përbashkët të partive pjesmarrëse në opozitën e bashkuar.

Ju mendoni se bënë mirë apo keq krerët e PS-së dhe PBDNJ-së që shkuan në tryezë?

Personalisht mendoj se bënë mirë. Unë jam kundër formave statike të lojës politike. Jam për lojën afër dhe në distancë, sipas rastit, rrethanave dhe kontekstit ku zhvillohen ngjarjet. Tryeza e fundit përligjte, sipas meje, “lojën afër”. Politika do të ishte një gjë e kollajtë po të mos përmbante shumë nuanca.

Ky ballafaqim med dy liderëve mendoni se flet për pritshmëri pozitive në mundësinë e një zgjidhjeje të ngërçit politik?

Berisha e di mirë radhën e punës: transparenca zgjidh ngërçin. Kodi është tjetër gjë. Ai e bëri ftesën për reformën për të krijuar mbivendosje dhe për t’u dhënë një sinjal ndërkombëtarëve. Rama reagoi, si me thënë, me të njëjtën monedhë, por me propozimin e tij. Tani topi është sërish në kampin e Berishës, siç ka qenë edhe me parë disa herë. Nuk dalloj ndonjë gjë të re për të ushqyer një pritshmëri të re. Ishte një nismë e tipit propagandisitik që mbaroi aty ku nisi. Unë kam qenë optimist në fillim të verës, kur krerët e dy grupeve me të mëdha parlamentare të Parlamentit Europian thirren në Strasburg Berishën dhe Ramën. Tani nuk kam përse të jem. Si unë ka me mijëra, besimi i të cilëve është thyer nga intrasigjenca dhe akrobacitë e Berishës për të shmangur hetimin e zgjedhjeve. Por nësë ai pranon hetimin, ky do të ishte vërtet një zhvillim i mirëpritur nga të gjithë.

Çfarë ka sipas jush në kutitë e mbyllura të qershorit 2009? A janë ato një “kuti Pandore”, që po u hapën e keqja do të përlyejë të dyja palët? Çfarë prisni të gjeni në to nëse hapen?

Hetimi parlamentar ka patur si pikënisje konstatimin pa precedent të raportit përfundimtar të OSBE-ODHIR-it se numërimi në një të tretat e qëndrave të numërimit u bë keq dhe shumë keq. Do të mjaftonte kjo për të nisur me qetësi dhe pa humbur kohë hetimin parlamentar, i cili, e përsërisim, nuk bëhët për të ndryshuar mandate apo për të çuar njerëz në burg, por për të hetuar zbatimin e Kodit. Pse u numëruan mirë në dy të tretat dhe keq në një të tretën? Kush janë personat përgjegjës që kanë lejuar në këtë mënyrë damkosjen e zgjedhjeve. Më tej, kanë dalë në dritë indicie të tjera për hedhje fletësh në emër të emigrantëve, për fabrikim të rezultatit në momentin e mbushjes se procesverbaleve, e tjerë, e tjerë. Është e domosdoshme që nëpërmjet hapjes së kutive të dalin në dritë dimensionet e këtij manipulimi dhe personat përgjegjës që kanë shkelur ligjin. Shumica e kanë zbatuar ligjin, por kur mbrohet pakica e shkelësve, dashje pa dashje njolloset edhe shumica. Po nuk u bë kjo, nuk ka asnjë shans të nxirret nga historia e zgjedhjeve shqiptare banda e manipulatorëve, që e kanë kthyer në biznes trafikimin e votës.

A mendoni se ka lidhje vajtja e zotit Rama me vizitën e kësaj jave të zyrtarit amerikan Thomas Countryman, i cili atë që se tha në media, pa dyshim që ua ka thënë kokë më kokë Berishës e Ramës, pra një “tërheqje veshi” për të gjetur kompromis?

Thirrjet dhe këshillat e miqve dhe patnerëve ndërkombëtarë për të gjetur një kompromis për krizën sigurisht që kanë jehonë dhe ndikim në ndërgjegjen dhe në aksionin politik të opozitës dhe shefit të saj. Prandaj opozita ka bërë disa hapa prapa, që unë i kam quajtur hapa para drejt kompromisit. Por duhet të jeni të sigurt se angazhimi i këtyre miqve dhe partnerëve nuk zbret në nivelin e një kerkese direkte për të shkuar në një tryezë apo seancë. Lidhjet e shkurtëra janë një mënyrë e vjetëruar dhe thjeshtëzuar e leximit të politikës nga disa gazetarë. Këta përjashtojnë pavarësinë e drejtuesve vendas në marrjen e vendimeve dhe kjo është për të ardhur keq.

Duke parë se ka kaluar një kohë e gjatë që në momentin kur opozita kërkoi për herë të parë transparencën e zgjedhjeve dhe tashmë ka mbetur pak kohë në dispozicion për ta bërë këtë, mendoni se ka shanse që të kemi hetim të zgjedhjeve para zgjedhjeve lokale?

Është e vertetë se ka kaluar shumë kohë, por jo gjithë koha. Teorikisht shansi nuk ka humbur.

Në tryezën e fundit të opozitës u vendos dhe shtyrja e protestave, apo ndoshta u pranua se ato janë jo të domosdoshme në këtë moment? Kritizerët e opozitës mendojnë se protestat, ashtu si greva e urisë, u konsumuan tashmë dhe nuk arritën të jepnin produktin e pritur… Me çfarë kauze do të rikthehen protestat?

Protestat do të rifillojnë pas marrjes së vendimit për heqjen e vizave nga Ministrat e Brendshëm të vendeve të BE-së. Protestat janë institucioni i qytetarëve, parlamenti i qytetarëve. Kauza themelore mbetet gjithnjë çështja e zgjedhjeve, që është një çështje themelore e demokracisë. Vendet e Europës Perëndimore kanë sakrifikuar shumë, kanë derdhur gjak për të shkuar te standardet e sotme të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kutia e fshehtë dhe karta e Kopenhagenit kanë zevendësuar revolucionet. Populli shqiptar i ka marrë të gatshme këto standarde, por ai e ka kuptuar se duhet të thotë fjalën e vet për t’i zbatuar ato. Opozita shqiptare e konsideron mision respektimin e standardeve perendimore për zgjedhjet. Kjo nuk është një fushatë stinore, apo një sprovë që përfundon nëse qeveria nuk përgjigjet. Afati i kësaj lëvizjeje është realizimi i trasparencës. Jemi të bindur se qytetarët shqiptarë janë të vetëdijshëm për këtë.

Partia Socialiste është partia më e madhe në opozitë dhe një fuqi numrash në parlament gjithashtu, sa rëndësi keni ju të tjerët në vendimarrjen e opozitës, ka pasur raste kur PS ka vendosur sipas këshillës suaj?

Ne kemi një marrëveshje për trasparencën, që do të pasohet me marrëveshje të tjera për një program të ri zhvillimi e të tjerë. Se kush jep kontributin e vet. Zëri ynë është dëgjuar shpeshherë. Natyrisht, partitë e vogla jashtë parlamentit, që janë bërë pjesë e opozitës së bashkuar, njohin peshën dhe lidershipin e PS-së. Por në tryezat tona si opozitë e bashkuar nuk referohen votat e njërit dhe tjetrit, por arsyeja, mendimet.

Zoti Zogaj, ju keni jeni shkëputur nga jeta parlamentare vetëm këtë mandat të Kuvendit, por e njihni shumë mirë funksionimin e saj. Si do ta spjegoni numrin 70 të votave që arriti të marrë mazhoranca qeverisëse në votimin për mandatin e Ilir Beqjas. A tregon kjo një krizë të brendshme reale të kësaj mazhorancë, apo tregon shtimin e presioneve të të vegjëlve, apo individëve të veçantë që e “shesin” votën e tyre shtrenjtë…

Shumica ka lindur e brishtë. Kjo është një shumicë që nuk ka dalë nga kutitë e votimit, por nga kombinacionet në tryezë. Si të mos mjaftonte kjo, shumica është në fije të perit tashmë edhe për numrat. Natyrisht, nuk duhet të ushqejmë iluzione se votimi për zotin Beqja përfaqëson një gjendje të stabilizuar të numrave në Kuvend. Por, gjithsesi, shumica e ka shumë të vështirë të mbajë më tutje barrën e qeverisjes me këtë gjendje.

Zoti Zogaj, asnjë herë më shumë se tani ministrat e kabinetit “Berisha” nuk janë akuzuar kaq shumë për korrupsion, jo vetëm nga opozita, por dhe brenda qeverisë, kam parasysh këtu akuzat e rënda të ish-ministrit Prifti. A keni një këshillë për zotin Berisha në këtë moment, si duhet të sillet kryeministri ndaj këtyre akuzave?

Këshilla ime për kryeministrin është ajo që e kam thënë në shumë shkrime dhe prononcime: lexo votën e zgjedhësve dhe vepro në përputhje me barazimin që prodhuan votuesit e qeverisë me votuesit e opozitës.

Së fundmi do të donim të na argumentonit sjelljen politike të partive pas zgjedhjeve të 29 qershorit, ku një parti radikale e majtë si ajo e Ilir Metës e gjeti veten në qeverisje me PD-në dhe njerëz të djathtë si ju, zoti Ngjela e zoti Ndoka e gjetën veten në aleancë me PS-në… Sa normale janë këto aleanca dhe mbi ç’baza ngrihen ato sipas jush?

Kam shkruar gjatë për këtë temë. Libri im i fundit “Të gjithë nepër vendet e tyre” ka një kapitull të tërë për lëvizjet që kanë ndodhur e po ndodhin në spektrin politik. Në thelb, në pikëpamje të etikës dhe moralitetit, një parti apo një politikan duhet të pozicionohet siç votohet. Besoj se zoti Ngjela dhe unë jemi duke respektuar këtë parim.