[Sot, 05.04.2012]
Qëllimisht apo jo qëllimisht, me apo pa vetëdije, po vazhdohet diversioni me “dosjet e spiunëve”, ani se këto dosje praktikisht prej kohësh nuk ekzistojnë më: në kuptimin që shumë prej tyre ose janë zhdukur, ose janë falsifikuar. Ky diversioni me dosjet po u bën mbrojtjen më të mirë të mundshme fajtorëve më të mëdhenj të krimit komunist në Shqipëri, udhëheqësve të Partisë së Punës (partisë komuniste shqiptare), pra komunizmit.
Në vijim një shkrim imi i para rreth 4 vjetëve:.
Rehabilitimi ligjor i komunizmit
[Gazeta Shqiptare, 17.12.2008]
Në projektligjin e “figurave të komunizmit”, apo “i dosjeve”, apo zyrtarisht: projektligji “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve”, nuk figurojnë as ministrat dhe as dhe shumë funksionarë të tjerë të lartë të komunizmit, çka do të thotë se ata klasifikohen ligjërisht më pak fajtorë, më pak përgjegjës për gjëmën që ka bërë komunizmi në Shqipëri, sesa një hafije mjerane e sigurimit. Kështu, ky ligj rehabiliton komunizmin. Flitet se qenka dhe një pazar për të blerë heshtjen e funksionarëve komunistë që sot janë deputetë. Heshtja e tyre iu dashka mazhorancës, që me këtë ligj të goditen juristët e sotëm të “Rrugës së Kukësit” apo të “Gërdecit”-shumë prej këtyre juristëve kanë qenë funksionarë të komunizmit. Ne mendojmë se nuk kishte shumë nevojë të kërcënoheshin juristët e komunizmit, sepse si rregull ata janë shumë servilë ndaj atij që është në pushtet, pavarësisht se kush, Enveri, Ramizi apo Saliu.
Komunizmi shqiptar njihet
Çdo njeri që ka jetuar komunizmin në Shqipëri-por edhe çdo i huaj që ka lexuar “dy faqe” për Shqipërinë komuniste-e di mirë se nuk ka të krahasuar një ministër i komunizmit, me një hafije të gjorë. Ministri ishte pjesë e vendimmarrjeve kriminale të shtetit komunist, qoftë direkt, qoftë dhe indirekt. Ai ishte përçues i veprimeve ekzekutive të shtetit komunist, veprime që kanë shkaktuar mjerimin ekonomik dhe politik.
Gjithashtu, dihet mirë se ishte shumë më i dëmshëm se një hafije, edhe një sekretar i partisë i një institucioni apo ndërmarrjeje, spitali, gazete etj. Këta të fundit ishin të zgjedhurit e partisë, ishin baza e pisllëqeve që bënte komunizmi tek ne, ata “mobilizonin masat” në rrugën kriminale të partisë komuniste.
Sado të ulërijnë, vendas e të huaj, realiteti shqiptar njihet, dhe zor se i mashtrojnë dot të gjithë-e vërteta e turpit të tyre, herët a vonë do të dalë.
Më të dëmshmit Funksionarët, sesa hafijet
Nuk mund të ulet “goditja” e ligjit deri në nivelin e një hafijeje sigurimi, duke shkapërcyer përgjegjësit më kryesorë të krimit komunist: funksionarët e shteti komunist. Këtë e kërkon e drejta dhe morali minimal. Siç është bërë ky ligj, i bie që fajtori të jetë viktima, dhe jo xhelati: po, po, sepse shpesh hafijet e komunizmit ishin anti-komunistë të detyruar me dhunë të bëheshin spiunë të komunizmit. Nejse, në vijim renditja sipas fajit.
Në nivelin e parë për nga fajet e kryera nga komunizmi, janë anëtarët apo kandidatët e Byrosë Politike, e Komitetit Qendror (KQ); sekretarët e partisë në rrethe; punonjësit funksionarë të aparatit të KQ, të institutit të Marksizmit, të Shkollës së Partisë; titullarët e Frontit Demokratik; anëtarët e qeverisë; titullarët e ministrive dhe dikastereve kryesore, të komiteteve ekzekutive të rretheve dhe të qyteteve, të degëve të Punëve të Brendshme; kryetarët e Gjykatave, të hetuesive, të prokurorive etj.
Ata të nivelit të dytë e të tretit, që po i rreshtojmë më poshtë, duhet të jenë të para janar 1990, e jo “të para 8.12.1990” siç thotë ligji, kjo sepse më 25 dhjetor 1989 u vra kryekomunisti Çaushesku në Rumani. Nejse, po vazhdojmë me rreshtimin sipas rëndësisë së fajit të funksionarëve të komunizmit, e pastaj i kthehemi prapë “janarit të 1990”.
Në nivelin e dytë për nga fajet e kryera janë deputetët e Kuvendit Popullor, titullarët e Bashkimeve Profesionale; sekretarët e Rinisë në qendër, titullarët kryesorë të organeve të shtypit dhe masmedias; sekretarët e Partisë në institucione dhe ndërmarrje, aparatçikët e Komiteteve të partisë, të Frontit Demokratik, të Bashkimeve profesionale, si dhe sekretarët e Rinisë së rretheve; shefat dhe drejtorët, në qendër dhe në rrethe, në institucione dhe ndërmarrje dhe kooperativa bujqësore; shefat në qendër e në rrethe, si drejtorë drejtorie, prokurorë, hetues, gjykatës, oficerë të sigurimit etj.; ekuivalentët në ushtri të posteve të sotme të kolonelit deri tek nënkoloneli, si dhe të gjithë komisarët e të gjitha niveleve; kryetarët e akademisë, të lidhjes së shkrimtarëve, rektorët e zëvendësrektorët e universiteteve dhe shkollave të tjera të larta.
Në nivelin e tretë e të fundit për nga fajet e kryera janë me faj edhe të gjithë anëtarët e partisë komuniste që kanë pasur një pozitë në Parti, qoftë si zëvendëssekretar i Partisë së ndërmarrjes apo institucionit, qoftë dhe sekretarë të Partisë të çdo niveli të ulët, të reparteve apo njësive të organizatave bazë, si dhe kryetarët e Frontit Demokratik në lagje, dhe kryetarët e Bashkimeve Profesionale të ndërmarrjeve dhe institucioneve; oficerët e policisë, dhe të fundit informatorët (spiunët), dëshmitarët e rremë etj.
Edhe një herë për “prishjen e renditjes”. Ka 18 vjet që bëhet loja politike, historike, dhe propagandistike, sikur fajtori për komunizmin 50-vjeçar shqiptar, paskan qenë “bira e fundit e kavallit”, hafijet e komunizmit, dhe jo ata kryesorët sipas renditjes së mësipërme-natyrisht kjo ishte mënyra më e mirë për të fshehur fajtorët e vërtetë. Fatkeqësisht, në këtë grackë ka rënë një pjesë e madhe e shoqërisë sonë naive: është koha të dalë e vërteta, sepse gënjeshtra po na dëmton të sotmen dhe të ardhmen.
Qëllimi kryesor i këtij palo ligji
Ky ligj në radhë të parë po bëhet për të rehabilituar komunizmin. E themi këtë, se pas këtij ligji funksionarët ish-komunistë marrin certifikatën e pafajësisë: të fajshmit mbeten vetëm anti-komunistët që nuk duruan torturat e dhunën e tyre, e komunistëve, dhe u thyen duke u kthyer në spiunë të komunistëve. Kanë lënë në atë ligj, edhe pak nga funksionarët komunistë, sa për diversion se gjoja e kanë dhe me ta, por që i tradhton fakti se nga ata tashmë pothuaj nuk ka asnjë në politikë. E gjitha kjo bëhet për të sanksionuar me ligj pisllëkun pas-komunist shqiptar: drejtimin e politikës nga ish-funksionarët e komunizmit.
Pjesë e rehabilitimit të komunizmit është dhe vënia në ligj e datës “8 dhjetor 1990”, dita kur partia komuniste e paska dërguar Sali Berishën si përfaqësues të saj tek studentët e Tiranës. Themi para “janar 1990”, sepse kjo datë lidhet me një ndryshim të madh në komunizmin shqiptar, me tmerrin që e zuri kur pa vrasjen e Çausheskut (Ceausescu) në Rumani, më 25 dhjetor 1989. Ajo vrasje nuk tmerroi vetëm “udhëheqjen tonë të lavdishme dhe rrethimin e saj komunist”, por dhe u “hapi sytë për të ardhmen historike të vendit tonë”, edhe “liberalëve në gjirin e komunizmit”. Kanë 18 vjet që përpiqen ta deformojmë historinë tonë. Është pikërisht kjo ngjarje, vrasja e një krye-komunisti nga një popull që kishte vuajtur nga komunizmi shumë më pak se ne, që shpjegon shumë ngjarje shqiptare të mëvonshme. Nejse, kemi shkruar gjatë për këtë temë, prandaj nuk po e zgjasim më këtu.
Ky rehabilitimi aktual ligjor i komunizmit është aq i rëndë, është dhe aq idiot për periudhën historike që po kalojmë, saqë mbase nuk justifikohet dot vetëm me babëzinë komuniste për pushtet. Si iu ka marrë dreqi mend kaq shumë shqiptarëve, saqë nuk kuptojnë këtë gjë kaq të thjeshtë: sa më lart në pushtetin komunist shqiptar, aq më fajtor ke qenë?! A mos ka dhe forca okulte që veprojnë: mos ka shtytje nga agjenturat antishqiptare që të bëhet një ligj kështu?! Nejse, fundja në Shqipëri janë zot shqiptarët, dhe jemi ne që po dalim aq të ndyrë, aq komunistë para opinionit botëror, aq idiotë saqë mos të na futë njeri fare në listë, as për në NATO, as në BE, as për heqje vizash e asgjë tjetër.
Qëllimi Dytësor i ligjit
Dakord, ka dhe arsye dytësore që ky ligj bëhet pikërisht tani. Tani z. Berisha dashka që të sigurohet 100% se nuk do ta gjejë gjë gjatë shqyrtimit ligjor të akuzave të rënda që i janë bërë për korrupsionin më të rëndë të pas-komunizmit shqiptar. Shumë nga juristët që u rënka të merren me akuzat për krimet korruptive të qeverisjes aktuale (si shkatërrimi dhe vrasjet në Gërdec, korrupsioni në rrugën e Kukësit etj.), kanë qenë funksionarë të komunizmit. Pra z. Berisha dashka t’i trembë edhe një herë juristët që kanë në duar proceset penale aktuale, mbase dhe të heqë ndonjërin që qëllon i ndershëm ndër ta.
Por, e gjitha kjo “me trembjen dhe heqjen e juristëve” të komunizmit, që të mos zbulohet korrupsioni i qeverisjes berishiste, tingëllon pak e sforcuar, dhe mund të justifikohet vetëm me paranojën e Berishës, sepse përndryshe do të thoshim se bëhet për të mbuluar qëllimin kryesor, rehabilitimin ligjor të komunizmit. Nejse, supozojmë se vërtetë Berisha është kaq paranojak saqë edhe këta lloj juristësh ish-funksionarë të komunizmit, që ai i ka krejt në xhep, dashka t’i shtrojë me “1000%”.
Por mos harroni se është z. Berisha që ka 18 vjet që ka krijuar me këta juristë të komunizmit, dhe vetëm me ta, këtë sistem drejtësie që kemi. Është ky sistemi më i përshtatshmi për të mbajtur diktaturën personale të z. Berisha, por dhe shumicën e politikës që kemi aktualisht. Ishte vetë z. Berisha që i pari, për vite me radhë, i vuri në majat më të larta të drejtësisë këta juristë-ndër kohë që kishte mjaft kohë që të gjithë të ishin ndërruar: kanë kaluar 18 vjet! Ata, funksionarët e komunizmit, i duheshin për të goditur kundërshtarët politikë. Nuk ka njerëz më të bindur ndaj pushtetit, sesa funksionarët komunistë, të cilët janë edukuar që në rini, për bindje të verbër ndaj pushtetit, dhe jo për zbatimin e ligjit.
Që ligji të kalojë pa probleme, janë blerë edhe vota apo heshtja e disa politikanëve që kanë qenë funksionarë të komunizmit. Edhe në Kuvend ka mjaft të tillë, ku përveç sekretarit të partisë komuniste Sali Berisha, janë dhe ministra të komunizmit si Fatos Nano etj. Ata janë gati që edhe të mos ndjehen për korrupsionin aktual të berishistëve, ama me kusht që të modifikohen nenet e ligjit që të mos preken ata vetë, apo dhe ndonjë i afërm i tyre që e kanë shumë xhan. Natyrisht që shumicës së tyre ju intereson edhe ideologjikisht realizimi i qëllimit kryesor: rehabilitimit të ligjor të komunizmit: nuk kanë ndërruar mend të gjithë!
* * *
Pazari është i koklavitur, sepse është produkt i makiavelizmit që sundon politikën shqiptare. Por pagesa në këto pazare të ndyra peshon mbi të gjithë popullin. Prandaj themi që ose të bëhej një ligj i drejtë, ose më mirë të mos bëhej fare, derisa nuk i shërben Shqipërisë, por mafies politike pas-komuniste.
Bashkim Kopliku
Phone: +355 52 223663; +355 52 229209
Mob: +355 672858090
International mob: +39 3887865398
E-mail:
optional:
Please, send important e-mails
on both addresses!







