TemA Online, 11 Shkurt 2012
SPECIALE — Largimi i ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare gjeneral Luan Hoxha drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës familjarisht është vetëm etapa e fundit e veprimeve të tija në kuadër të çështjes Gërdeci. Largimi i tij mbetet ende enigmë në momentin kur pritet që Gjykata të japë vendimin nëse do ta dënojë apo jo Luan Hoxhën me burg siç ka kërkuar prokuroria. Fakti se mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës funksionon marrëveshja e ekstradimit kjo e bën paksa aventureske largimin familjarisht të ish-shefit të Shtabit.
Një element që nuk duhet harruar është se Hoxha ka arritur të sigurojë jo vetëm një vizë amerikane por familjarisht është pajisur me të tilla. Nisur nga vështirësia që hasin shqiptarët për tu pajisur me një vizë amerikane (aq më pak një qytetar i thjeshtë shqiptar që gjendet i pandehur nga prokuroria dhe në gjykim) lehtësia me të cilën ambasada ka pajisur me vizë gjeneralin të lë të kuptosh se ka patur një pakt të brendshëm.
Mbetet për tu parë se cilën strategji ka zgjedhur Hoxha për të flutuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nëse ai ka zgjedhur të vazhdojë të mbrojë urdhëruesit dhe projektuesit e fabrikës së Gërdecit udhëtimi i tij drejt Shteteve të Bashkuara ka shumë gjasa të jetë bërë me mbështetjen dhe frymëzimin e strukturave në pushtet.
Por Hoxha mund të ketë zgjedhur edhe një strategji të dytë, atë të rikthimit tek dëshmia e bërë vite më parë në bisedën me ambasadorin Amerikan në Tiranë John Uidhers ku i deklaronte se kishte patur presion prej djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berishës. Nëse Hoxha ka vendosur që të tregojë të vërtetën dhe të rikthehet tek ajo bisedë konfidenciale të cilën u detyrua ta përgënjeshtrojë në të njëjtën ditë kur u prononcua kryeministri Berisha, atëherë ka gjasa që Hoxhës ti jetë dhënë mbështetja amerikane duke ja besuar se ndjehet nën kërcënimin e atyre të cilët kishte denoncuar në bisedën me Uidhers.
Më poshtë sjellim në kujtesë kabllogramin e wikileaks për gjeneralin Luan Hoxha.
Kabllogrami i Wikileaks
Në një prej kabllogrameve të mbasadës amerikane në Tiraë raportohej se si Shkëlzen Berisha ka kërcënuar gjeneralin e Forcave të Armatosura, Luan Hoxha, për të mbyllur sytë për atë që po ndodhte në Gërdec. Më poshtë ësht kabllogrami i ambasadës amerikane për këtë rast:
Në një takim të kërkuar me ambasadorin, Hoxha tregoi historinë e tij që qëndronte pas shkarkimit që iu bë kohët e fundit duke e lidhur këtë me shpërthimin e Gërdecit. Në ndryshim nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili nëpërmjet deklaratave publike u vë fajin operativëve të ushtrisë për Gërdecin, Hoxha deklaroi që nga fillimi se ish-ministri Mediu ka bërë të gjitha vendimet, nga zgjedhja e Gërdecit si vend për shkatërrimin e municioneve, deri tek llojet e municionive që do të shkatërroheshin dhe planifikimi i kohës se kur do të bëhej shkatërrimi.
Hoxha pranoi se stafit të tij ishte thënë të transportonte municionin në atë vend dhe të ruante vendin, asgjë më tepër. Hoxha tha se kur ai vizitoi Gërdecin në mes të 2007-ës, ushtarët e tij po bënin këto dy detyra, dhe në sipërfaqe u duk se s’kishte asgjë të gabuar.
Ai akuzon se gjatë pjesës së dytë të projektit, nisur në dhjetor 2007, ishte urdhëruar nga Mediu, pavarësisht shqetësimit të tij drejtuar me një letër kryeministrit Berisha, zonjës Topalli dhe Mediut. Pas kësaj, presioni mbërriti përmes telefonit nga një ‘djalë i ri”, i cili më pas u konfirmua si Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit, që e urdhëroi të vijonte dërgimin e municionit të kalibrit të lartë në Gërdec, pa patur asnjë vonesë.
I pyetur nëse e kishte raportuar këtë informacion për Prokurorinë e Përgjithshme, Hoxha u përgjigj “po”, ai kishte dhënë të gjitha informatat dhe dokumentet për hetuesit, me përjashtim të informacionit lidhur me djalin e Berishës.
Mbi këtë ai tha se nuk ishte i sigurtë që të fliste. Ambasadori tha se nëse hetimet e prokurisë do të jenë të suksesshme ata që dinë të vërtetën duhet të flasin hapur. Hoxha ishte dakord se në interes të drejtësisë ai duhej të fliste hapur, por nuk e konfirmoi që ai do ta bënte këtë. ( shënim: Hoxha tha se ka plot të tjetë që e dinë këtë informacion)
Koment:
Ky është incidenti i dytë që një zyrtar shpreh një shqetësim të fortë, rrethuar me frikë, për sigurinë personale dhe profesionale, në fshehtësi të plotë me Ambasadorin. (I pari erdhi nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu). Disa jashtë mbështesin versionin e ngjarjeve të Hoxhës. Si shef i ushtrisë marrëdhëniet me ish-ministrin Mediu ishin gjithmonë të tendosura, sikurse në marrëdhëniet tona, ai duket se në mënyrë frekuente ishte jashtë loje duke patur mungesë autoriteti për të përmbushur detyrat në zyrën e tij.
Sipas të dhënave publike, Prokurorja e Përgjithshme duket se e ka fokusuar investigimin e saj larg ushtrisë dhe ndaj Mediut, psi provat mbase e kanë çuar në atë drejtim deri më tani. Nëse versioni i Hoxhës përmban elementë të vërtëtë mund të ndihmojë në dhënien përgjigje të elementëve relevantë dhe pyetjes më të madhe: Përse PD ka avancuar me sulmet konstante ndaj institucioneve të pavaruara pikërisht në këtë kohë, duke alarmuar komunitetin ndërkombëtar dhe duke e drejtuar atë drejt pikëpyetjeve për kredencialet demokratike të Shqipërisë kur ndodhet përpara ratifikimit të marrëveshjes më NATO-n?
Deklarata e Berishës: Djali im nuk e ka telefonuar kurrë Luan Hoxhën
“Kur im bir më tha se do i drejtohem gjyqit i thashë jo. Nuk mund ta përfillim ne Wikileaks siç e përfilli Edi Rama që u anëtarësua në partinë e tij. Kablli thoshte se në vitin 2007, zoti Luan Hoxha paska marrë një telefon nga një zë që dukej si zë i të riut dhe mendonte se ishte zë i Shkëlzen Berishës.
Kjo ishte gjëja më e verifikueshme dhe nëse ky kishte marrë një telefonatë dhe vërtet ishte kërcënuar apo i ishte kërkuar kjo gjë atëherë nuk kishte gjë më të thjeshtë të gjente kush ishte autori. Sot ky zotri tha pëmes një deklarate se nuk e ka thënë kurrë diçka të tillë. Dua të them se në gjitha dokumentet e dosjes faktohet se marrëveshja e dytë ishte për çmontim gjylesh dhe ky ishte akti më i rëndë që ka ndodhur.
Djali im nuk ka patur kurrë ndonjë bisedë telefonike me Luan Hoxhën apo ndonjë ushtarak tjetër”, u shpreh Berisha duke i thënë përgjigje kabllogramit që thoshte se Luan Hoxha ishte ankuar tek Withers se i ishte bërë presion në telefon nga Shkëlzen Berisha për vazhdimin e punës në Gërdec.
Përgënjeshtrimi i gjeneralit: Nuk kam folur me Shkëlzen Berishën
“Duke konfirmuar këtë takim si konfidencial e kortezie që unë, në cilësinë e ish-shefit të Shtabit kam pasur me ish-ambasadorin John Withers, dëshiroj të sqaroj se gjatë këtij takimi, nga ana ime nuk është përmendur emri i z. Shkëlzen Berisha, as në lidhje me ngjarjen e Gërdecit dhe as për çështje të tjera pune që u trajtuan miqësisht e konfidencialisht”, thotë Hoxha në reagimin e tij. Ai sqaron më tej se ka dëshmuar në lidhje me shpërthimin e Gërdecit me vullnetin e tij të lirë para institucioneve përkatëse, dhe kjo, sipas tij, është dëshmia e tij e vetme për këtë ngjarje.
“Shpjegimin tim mbi përgjegjësitë, procedurat dhe rrethanat e fatkeqësisë teknologjike të Gërdecit, unë i kam dhënë me vullnetin tim të lirë në Ministrinë e Mbrojtjes, në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në prokurori dhe në gjykatë, duke u bazuar në të vërtetën dhe ligjin. Përtej çdo spekulimi, kjo ngelet dëshmia ime e plotë dhe e vetme mbi këtë ngjarje”, tha Hoxha më tej. Ai shprehet se “gjatë gjithë karrierës sime si ushtarak, jam përpjekur të jap maksimumin në të gjitha detyrat që më janë ngarkuar, si në situata normale apo dhe shumë të vështira. Për këtë kam pasur vlerësimet më të mira nga institucionet shtetërore kombëtare e ndërkombëtare”./lajmifundit.com







