Tim Judah, 14.03.2011
Testimi i vërtetësisë së dy klisheve tejet të vjetra në lidhje me rëndësinë e mbajtjes së Bashkimit Europian të angazhuar në çështjet e Ballkanit Perëndimor
Vetëm pse diçka është klishe nuk do të thotë se nuk është e vërtetë. Java në të cilën BE-ja i bëri bashkë Serbinë dhe Kosovën në bisedimet e drejtpërdrejta për të parën herë pas tre vjetësh, është kohë e mirë për të kujtuar dy hite të arta të kamotshme të politikës së Jashtme të BE-së, veçanërisht ato për Ballkanin Perëndimor. E para, nëse nuk mund t’i bëjmë si duhet gjërat as në oborret tona, atëherë si do të mund të vinim peshën tonë në vende të tjera? E dyta, menjëherë pasi shtetet ballkanike fillojnë të ecin përpara në aspektin e integrimeve në BE, ato nisin të rrëshqasin prapa.
Le të tentojmë të krijojmë një baraspeshë dhe të fillojmë me Maqedoninë. Sivjet vendi shënon 20-vjetorin e ekzistencës si një shtet i pavarur dhe të dhjetin që kur BE-ja e ndihmoi atë që t’i bëjë ballë konfliktit me gueriljet shqiptare.
Në vitin 2005, Maqedonia u bë kandidate për anëtarësim në BE dhe më 2009 qytetarëve të saj iu lejua udhëtimi pa viza në zonën Shengen.
Megjithatë, që nga viti 2008, anëtarësimi i Maqedonisë në BE (dhe në NATO) po çalon.
Arsyeja, natyrisht, është mospajtimi lidhur me emrin e shtetit. Greqia, edhe në gjendjen e saj aktualisht të dobësuar si shtet, doli të jetë në gjendje që të stopojë anëtarësimin e Maqedonisë në BE. Si rezultat i gjithë kësaj, qeveria në Maqedoni nuk ka bërë gjithçka që mundet për ta siguruar Brukselin për synimin e saj të mirë, por, përkundrazi.
Greqia e akuzon Maqedoninë se po përpiqet t’ia vjedhë identitetin helenik, ashtu që, në vend të një shenje gjigante “V” prej bronzi, maqedonasit po ndërtojnë një bazament masiv në qendër të Shkupit e cila shumë shpejt do të ngrihet një statujë e Aleksandërit të Madh.
Bosnja është në krizë, përsëri. Mirëpo, pasi Bosnja pothuajse gjithmonë thuhet të jetë në krizë, pakkush lodhet për ta raportuar këtë gjë. Më 7 mars, ministrat e Jashtëm të Sllovenisë dhe Bullgarisë shkuan në Sarajevë për t’i paralajmëruar boshnjakët se e ardhmja e tyre është në rrezik. Slloveni Samuel Zhbogar, duke lexuar pjesë të librit të bisedimeve BE-Bosnjë, theksoi: “Statusquoja nënkupton ecje prapa, ndërsa rajoni po ecën përpara”.
Boshnjakët e kishin dëgjuar këtë me miliona herë më përpara, mirëpo të paktën gjysma e parë e frazës është e drejtë. Pasi, që nga dhjetori, atyre nuk u duhen më vizat për të udhëtuar në zonën Shengen, boshnjakët vërtet u janë kthyer bizneseve të tyre të vjetra të mosbërit të asaj që kërkohet prej tyre nga BE-ja.
Ndërkohë, debati i pafund lidhur me mbylljen e zyrës së përfaqësuesit të lartë, i cili i ka kompetencat nën marrëveshjen paqësore të Daytonit të vitit 1995 dhe shefi i të cilës është po ashtu përfaqësues special i BE-së, ka hyrë edhe në një vit tjetër.
Për sa i përket Kosovës, BE-ja po e merr primatin në mbikëqyrjen e bisedimeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe, në teori, këto bisedime mund të sjellin vërtet shumë ndryshime në jetët e njerëzve.
Mirëpo, në aspektin e përgjithshëm, Serbia po e bën këtë gjë për shkak se dëshiron ta avancojë axhendën e saj të BE-së dhe dëshiron të duket, në këtë rast, si një partner bashkëpunues. Në aspektin afatmesëm, megjithatë, ajo është relativisht e lumtur me mënyrën se si gjërat po qëndrojnë. Serbia e vazhdon pretendimin e saj për Kosovën, e cila e shpalli pavarësinë më 2008, ndërsa BE-ja dhe të tjerët paguajnë për këtë.
Ndërkohë, miqtë e Kosovës i shikojnë me turpërim akuzat drejtuar Hashim Thaçit, Kryeministrit të Kosovës, nga Dick Marty, i cili, në një raport për Këshillin e Europës, e quajti atë bos të mafies dhe tha se ai ishte i lidhur me persona, të cilët, përsëri siç pretendohet, kishin vrarë serbë për t’u marrë organet pas luftës në Kosovë.
Në Shqipëri, episodi i fundit i dramës politike që e çoi Edi Ramën, liderin socialist, kundër Kryeministrit, Sali Berisha, tash është duke u shpalosur.
Politikë normale nuk ka pasur në Shqipëri që nga qershori i vitit 2009, kur Rama e akuzoi Berishën për manipulimin e zgjedhjeve të përgjithshme. Në janar, katër demonstrues humbën jetën përpara zyrave të Berishës, pasi u qëlluan nga Garda e Republikës. Berisha i akuzon socialistët se po përpiqen të ndërmarrin puç shtetëror, duke përdorur pushkë të maskuara si ombrella.
Miroslav Lajçak, drejtori menaxhues për Ballkan i Shërbimit të brendshëm europian të veprimit, ka qenë dy herë në Tiranë në përpjekje për ta ndërmjetësuar një marrëveshje, mirëpo thotë se i gjithë procesi i aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në BE është në telashe të mëdha.
Ndërkohë, në Kroaci, demonstratat e filluara të veteranëve të luftës filluan të përhapen edhe te grupet e tjera, dhe kritikat e ashpra të Komisionit të Europës për synimin e Kroacisë për anëtarësim, të shprehura në një raport të publikuar më 2 mars, do të ndikojnë shumë pak që BE-ja të jetë e kënaqur me popullatën euroskeptike.
Në Serbi, e cila tashmë ka nisur numërimin së prapmi për zgjedhjet, gjasat e anëtarësimit duken aq larg, sa është shumë vështirë që burokratët dhe zyrtarët të mobilizohen për të bërë atë që është dashur që të bënin. Në këtë rast mbetet vetëm Mali i Zi, i cili vepron heshtazi dhe faktikisht i kryen gjërat.
Milica Deleviç, e cila udhëheq procesin e Serbisë për integrimin në BE, çështjen e Ballkanit e përkufizon kështu: “Ne nuk jemi ende shtete të mërzitshme, por as nuk jemi të integruara në BE”. Mirëpo ato as nuk po ecin në drejtimin e duhur – dhe në këtë rast, siç klisheja me të drejtë thotë, po ecin prapa.
Në Ballkan, BE-ja nuk mund të jetë një “fuqi e pensionuar”, siç kishte përshkruar Ivan Krastev, një komentues bullgar. Kjo për shkak se klisheja tjetër – Nëse BE-ja dështon në vetë oborrin e saj, atëherë si mund ta vërë peshën e vet në ndonjë vend tjetër? – tash duket se ka bërë kthesë në Ballkan: Në rast se BE-ja nuk mund të bindë botën se është një aktor serioz, atëherë padyshim se nuk do të mund ta bindë edhe oborrin e vet në Ballkan.
(Tim Judah është korrespondent për Ballkan i revistës ‘The Economist’)