Postnekrofili

0
58

Nga Mero Baze

Sali Berisha po prodhon një traditë të pandodhur askund në botë, duke lëvduar dhe përdorur të vdekurit që nuk i desh kur ishin gjallë. Në këtë listë të gjatë të tij hyjnë kryesisht politikanët kundërshtarë apo partnerë të tij, gazetarë, shkrimtarë dhe dëshmitarë të frikshëm të problemeve të tij deri familjare.

E gjithë kjo “Postnekrofili” e Berishës, duket se mbahet gjallë nga dëshira për t’i përdorur armiqtë e tij të vdekur, ngaqë nuk i mundi dot, apo nuk i përdori dot kur ishin gjallë. Kjo listë e gjatë fillon me Azem Hajdarin, Ibrahim Rugovën, Safet Zhulalin, Gramoz Pashkon dhe vazhdon në banalitet deri me Kosta Trebickën dhe Arshi Pipën e ndjerë.

Azem Hajdari , kryetar i parë i Partisë Demokratike, ishte armiku më i madh i tij për tetë vitet që Azemi jetoi gjallë në pluralizëm. Nuk e afroi kurrë në pushtet, nuk e bëri kurrë Ministër, edhe pse bëri mbi 50 të tillë, derisa Azemi ishte gjallë. E persekutoi, e përndoqi, i vuri shërbimin sekret në shpinë, derisa u vra. Pastaj filloi “Postnekrofilinë” e tij, duke shfaqur dashuri për njeriun që urreu gjithë jetën.

Nuk shkoi kurrë në prokuroi të zbardhte momentin e nxjerrjes jashtë të Azemit, nuk e bëri kurrë publik vëllain e shoqes së gruas së tij që e nxorri jashtë, nuk foli kurrë për personin kyç që prisnin të takonin Haklajt para se të takonin Azemin, i cili është sot drejtor i rëndësishëm që shfaqet nëpër TV në Tiranë, por derdh lot krokodili për një njeri që e urreu.

Vazhdoi kështu me Ibrahim Rugovën, për të cilin shumë shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë kanë keqkuptimin që ishte mik i Berishës. E mbajti larg, u përpoq ta shmangte nga skena politike pse nuk e kontrollonte dot, dhe vetëm kur reputacioni i tij u rrit ndjeshëm në Perëndim dhe i Berishës u varros, u përpoq ta përdorte. Por, nuk mundi. Deri ditën që vdiq, ai nuk pranoi ta priste në Prishtinë, dhe ky shkeli atje vetëm kur ai ishte i vdekur.

Më banale u bë historia e tij me Safet Zhulalin, njeriun që i dezertoi nga detyra dhe i la ushtrinë shqiptare rrugëve, të cilin pas vdekjes, meqë i mori dhëndrrin në PD, e dekoroi. Dhe ironia është se Safet Zhulali u largua nga Shqipëria nga frika e kërcënimeve të “ushtrisë” imagjinare të Arben Imamit, dhe e ka dekoruar për shërbime të shquara, Ministria që sot drejton Arben Imami.

Prekëse dhe banale në “Postnekrofllinë” e tij ishte dhe ceremonia që organizoi “për nder” te Gramoz Pashkos. Njeriu që e urreu gjithë jetën, që e luftoi gjithë jetën, që i shkatërroi familjen dhe bizneset, i cili pati fisnikërinë ti afrohej PD-së, por kurrë Berishës. Ndryshe nga kuanti i tij Genc Ruli, që me skuthllëk u mbyll brenda zyrës së Berishës për të bërë pazar për kthimin e tij, Pashko nuk e pranoi asnjë sekondë Berishën.

Ai pranoi të shkonte në emër të partisë që themeloi si kandidat për deputet në Ersekë dhe pranoi me fisnikëri rezultatin. Nuk ju afrua as për poste, as për biznese. Një njeri e luftoi sa ish gjallë biznesin e tij ne arsim, dhe ai është rektori i tanishëm i UT, dikur Dekan i Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule. Berisha me cinizëm ja mori në ceremonin e “nderimit” për ti mbajtur fjalimin. Foli dhe vet si për të përdhosur gjithcka. Pa turp dhe pa dinjitet.

Por “postnekrofilia e Berishës vazhdoi dhe përtej politikës. Kosta Trebicka, një dëshmitar i rrezikshëm i pazareve të fëlliqura të djalit të tij me trafikun e armëve dhe demontimin e tyre në Gërdec, u anatemua prej tij sa ishte gjallë si mafioz dhe tutor prostitutash. Por pasi e çoi për gjah dhe e përcolli në botën tjetër u shfaq sërish para të njëjtit gazetar të pafytyrë që shfaqet gjithnjë dhe e vlerësoi si njeri dinjitoz që nuk e kishte akuzuar kurrë djalin e tij.

Në të vërtet historia e dhimbshme ishte se gruaja e re e Kosta Trebickës, gruaja e Bujar Nishanit dhe ajo e Arben Malaj, kishin themeluar bashkë një fondacion për Turizmin që e kthyen në Universitet me një spekulant italian ne krye, dhe Kosta i ndjerë u vra pikërisht pasi Berisha ja bëri këtë “nder”, për t’u dukur qe nuk kish gjë me te. I pari në vendngjarje shkoi Bujar Nishani, dhe i pari që e lavdëroi ishte Sali Berisha.

Dje së fundmi Berisha shfaqi dhe nje dashuri të re ose një “postnekrofili” të re. Është fjala për Arshi Pipën. Këtë njeri e ka urryer më shumë se çdo disident tjetër shqiptar. Arsyeja është shumë private.

Në vitin 1991, David Binder një nga gazetarët legjendë të New Jork Times, i cili ka mbuluar ndryshimet në Ballkan në fillim të viteve 90-të, ishte në Tiranë dhe mes të tjerësh ka takuar dhe Sali Berishën. Në bisedën e parë që kanë pasur bashkë, Binder, si një gazetar amerikan me përvojë i ka sugjeruar Berishës që pas fitores së qartë të forcave antikomuniste në Shqipëri, ata duhet të bënin president Arshi Pipën, një njeri që vet David Binder e kish njohur në SHBA në krye të Vatrës dhe në veprimtarinë e tij intelektuale. Berisha u tërbua.

Dhjetë vite më vonë po me aq tërbim ma ka përsëritur këtë episod, kur e kam pyetur për armiqësinë e tij me David Binder. Nuk i ikte nga mendja që ky njeri ka dash të bëj president Arshi Pipën. Dhe kaq mjaftoi që Arshi Pipa të urrehej dhe survejohej prej tij.

Shkeli vetëm një herë në Shqipëri në vitin 1995 i rrethuar nga njerëz të Berishës që e shtynin të bënte radikalin, për të justifikuar ftohtësinë e Berishës ndaj tij. U rikthye në SHAB dhe vdiq aty në vitin 1997, në muajin që Berisha po vdiste me turp si president. Nuk pranoi ti jepte dorën Berishës në SHBA, duke i thënë që nuk i kam dhënë kurrë dorën ndonjë komunisti dhe para se të vdiste botoi shkrimin “Xhonturqit e Shqiperise se re” për Berishën dhe ish komunistët e konvertuar në demokratë, të cilën Berisha bën mirë të rekomandoj për gazetat e veta.

Dje ky njeri u kujtua për Arshi Pipën dhe një poezi pamflet të tij. E rekomandoi për gazetat e tij në mbledhje të qeverisë, e shpërndau nga zyra e tij e shtypit tekstin dhe dje “e përgënjeshtroi”. Shumë qesharake. Qesharake dhe e ligë sidomos kur bëhet fjalë për keqpërdorimin që i bën një njeriu të pafuqishëm për të reaguar, se është nën dhe. I lig pasi në veprën intelektuale të Pipës, në studimet dhe krijimtarinë e tij serioze, përzgjedh një bejte pa asnjë vlerë letrare, kundër Enver Hoxhës si për të na thënë që dhe shkrimtar nuk ishte. Dhe pastaj nxiton ta mohoj që ka zgjedh atë, si për të na thënë se nuk është aq banal sa Arshi Pipa të flas me atë gjuhë.

Në fakt e gjithë postnekrofilia e tij për ata që urreu sa ishin gjallë, tregon ligësinë dhe pafuqinë e tij për partnerët dhe kundërshtarët në jetën e tij politike dhe njerëzore. Ajo është tipar i një njeriu të lig, të paaftë, por këmngulës i së keqes deri në fund. Deri tek rizbulimi varreve të atyre, që nuk i ka desh sa ishin gjallë, për tu tall pas vdekjes me jetën e tyre. Po të ish gjallë Arshi Pipa me siguri që do ta kish rishkruar pamfletin e tij me një ndryshim të vogël ortografik siç e ka rekomanduar një lexues i gazetës Tema:

“Salinuc i Shqipërisë,
paç haram qumësht n’sisë,
paç mallkimin e një nëme,
pizeveng doçë i sat ëme”